Komunitet

Ajet Nuro: Të punojmë të gjithë për marredhënie më cilësore Kanada-Shqipëri!

Intervistoi Taulant Dedja

Ajet Nuro ka lindur në Selckë të Tepelenës ku dhe kreu arsimimin fillor dhe 8-vjeçar. Shkollën e Mesme (dega bujqësore) e vazhdoi në Buz (Tepelenë) ndërsa në vitin 1991 iu dha e drejta të studionte Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër. Paralelisht punoi si mësues në vendlidje për tu vendosur më pas në Tiranë më 1996, vetëm një vit para emigrimit nga atdheu. Ajetin e kam njohur në Montreal, kohë më parë, kur bashkë me Kujtim Ismailin, Besnik Bashin, Fation Lulin, Hysni Markun, Musa Shegën e plot të tjerë, ideuam dhe realizuam vendosjen e monumentit të Shenjtores Nënë Tereza në metropolin e Québec-ut. Pasioni për publicistikën dhe dëshira për të kontribuar aktivisht në jetën e komunitetit shqiptar atje, janë nga tiparet më spikatura të Ajetit, i cili prej vitesh editon edhe faqet mediatike online albemigrant.com dhe Tribuna Shqiptare. Bashkëpunëtor e kontribues me shkrime në Flasshqip.ca ai vjen sot me një intervistë të drejtpërdrejtë.

Flasshqip: Si vendose të emigrosh në Kanada?

Ajet Nuro: Nuk e kisha menduar të emigroja dhe ndoshta edhe sot do isha në Tiranë nëse nuk do të ndodhte 1997-a. Unë sapo isha vendosur me familjen në Tiranë dhe dëshiroja të punoja mësues. Ngjarjet e marsit 1997 më detyruan të largohem fillimisht në Itali ku jetova një vit. Italia është fqinji ynë më i fuqishëm dhe para se të shkoja aty, kisha përshtypjen se ishte vendi më i zhvilluar ekonomikisht dhe nga ana kulturore. Gjithë filmat me të cilët ne ishim rritur na vinin nga italishtja dhe për mua «Hollivudi» ishte në Itali… Por, Italia më zhgënjeu. Në atë kohë tek shumë italianë  me të cilët kisha biseduar në atë epokë, ishte krijuar përshtypja se shqiptarët ishin hajdutë. Me keqardhje, vendosa të emigroj në Kanada dhe pikërisht në Montreal ngaqë këtu flitej frëngjisht.

Flasshqip: Si u stabilizove filimisht? Cilat ishin punët e para, kontaktet e para?

Ajet Nuro: Me të mbërritur në Montreal, fillova të mësoj frëngjishten në mënyrë intensive aq sa në krye të vitit, me ardhjen e refugjatëve nga Kosova, u angazhova për të përkthyer dhe ndihmova në vendosjen e tyre në një qytet jo larg Montrealit në Saint-Jérôme. Pastaj punova ca kohë si përkthyes gjersa fillova punë si Property Manager dhe në të njëjtin vit fillova studimet në universitetin e Montrealit në ekonomi dhe politikë. Pas diplomimit fillova punë si këshilltar financiar, punë që bëj edhe sot.

Flasshqip: Çfarë të ndihmoi në integrimin tënd?

Ajet Nuro: Që të integrohesh në një vend duhet ta duash atë vend. Unë e dua Kanadanë me të mirat dhe të këqiat e saj. Me të  këqiat dua të them klimën e ashpër… Por, që të integrohesh duhet të bësh përpjekjet e duhura, të edukohesh me normat dhe rregullat e këtushme, të përshtatesh dhe të punosh, të punosh, të punosh. Me përjashtime të rralla, mund të them me plot gojën se ky vend të ndihmon të integrohesh. Pjesa tjetër ka të bëjë me përpjekjet e gjithësecilit për t’u integruar.

Flasshqip: Cilat ishin vështirësitë që hase, nëse kishte të tilla?

Ajet Nuro: Nëse do të thoja që nuk ka vështirësi do të ishte mashtrim. Nuk ka sesi të fillosh një jetë të re pa vështirësi. Gjuha, familja, edukimi, një profesion që të pëlqen dhe të siguron të ardhura, klima, familja e madhe në atdhe...

Flasshqip: Na trego pak për arritjet profesionale dhe punën aktuale...

Ajet Nuro: Unë punoj në fushën e financave, por në një drejtim që pak njihet në anët tona: sigurimet e personit dhe investimet në ato që quhen fonde të përbashkëta investimesh. Unë përgatis plane financiare për klientët e mi dhe i siguroj ata që çfarëdo që të ndodhë me ta, sëmundje apo edhe vdekje e parakohshme të mos ketë ndikim negativ në financat e tyre apo të familjes. Nga ana tjetër, ndihmoj ndërmarrjet me strategji për t’i mbrojtur nga çdo e papritur mbi të cilën nuk kemi kontroll por edhe për të kursyer në taksa dhe në kalimin e pasurive të tyre tek brezi tjetër. Jam krenar që klientët e mi më të mirë janë shqiptarë (në fushën e sigurimeve personale sepse në investime ata preferojnë të investojnë vetë në investime klasike si pasuritë e patundëshme…). Por, shumë prej bashkëkombasve tanë kanë nevojë për edukim sepse informacioni është baza e financave të shëndosha. Kështu, mjafton të flasim për sigurimin e investimit më të madh që çdo njëri nga ne ndërmerr këtu në Kanada, ai i hipotekave. Ata që nuk kanë informacionin e duhur, sigurohen me institutin huadhënës pa i ditur përfitimet që kanë kur sigurohen direkt tek një kompani siguracionesh dhe kur kanë të bëjnë me një këshilltar financiar. Në pothuajse 10 vite në fushën e financave, veprimtarinë time e kam shtrirë jo vetëm në Québec por edhe në Ontario.

Flasshqip: Sa i interesuar je për politikën kanadeze në të tre nivelet?

Ajet Nuro: Ndonëse kam studiuar politikë dhe politika më pëlqen, vetë personalisht nuk jam përfshirë dhe as që kam ndër mend të përfshihem. Por, si qytetar i mirë, dhe për shkak të disa rrethanave të tjera jam marrë me politikë për të ndihmuar. Unë jam konservator në ide dhe sigurisht  mbështes konservatorët kudo që janë.  Besoj se thënia e Ronald Reagan në inagurimin e tij si President në vitin 1980 : “In this present crisis, government is not the solution to our problem, government is the problem…” është ajo që më motivon të mbështes idetë konservatore. Thashë, do kisha ngelur thjesht një votues por në vitin 2007 një shqiptar ia doli të ishte kandidat konservator në Outremont (Montréal). Bëhet fjalë për mikun tim Lulzim Laloshi. Kështu u aktivizova në ndihmë të tij dhe të konservatorëve në vitin 2007, 2008 dhe në votimet e mëtejshme. Në skenën provinciale kam ndihmuar ADQ dhe nga larg partinë që sot është në pushtet, CAQ. Në zgjedhjet lokale, nuk kemi patur ndonjë pjesëmarrje të shqiptarëve gjersa në vitin 2012 shqiptarët e Montréal-it bashkëpunuan me qytetin e Montréal-it dhe sidomos kryetarin e mini-bashkisë së Sud-Ouest Z. Benoit Dorais dhe në zgjedhjet e fundit patëm edhe një kandidate për këshillin e një prej lagjeve të Montrealit dhe shumë shqiptarë votuan për partinë që mori pushtetin.

Ndonëse nuk kam qenë aktiv në politikën e këtushme por e kam ndjekur atë nga afër dhe gjithmonë kam dashur të transmetoj eksperiencën pozitive të saj në mediat shqiptare. Shqipëria ka se çfarë mëson nga Kanadaja sidomos konceptin e qeverisjes së përgjegjshme (gouvernement responsable).

Flasshqip: Po me problemet apo aktivitetet e komunitetit sa je i angazhuar?

Ajet Nuro: Që kur kam mbërritur në Kanada kam qenë i lidhur me komunitetin shqiptar të Montréal-it. Atëherë nuk kishim organizata që grumbullonin shqiptarët por kjo nuk na pengoi që të mblidheshim sidomos në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë dhe me ardhjen pastaj të refugjatëve shqiptarë nga Kosova. Në fillim të viteve 2000 shqiptarët e Montrealit u bënë me shoqatën e tyre që përmblidhte gjithë shqiptarët e Montrealit. Në një farë mënyre unë u bëra si zëdhënës i shqiptarëve të Montrealit teksa kam pasqyruar aktivitetet e tyre në mediat shqiptare. Jam krenar që kam ndihmuar si dhe shumë shqiptarë të tjerë, ngritjen e monumentit të Nënë Terezës këtu në Montréal. Jam marr me bashkimin e bizneseve shqiptare këtu për të njohur njëri-tjetrin.  Jam nismëtari i Kupës së futbollit të shqiptarëve të Montrealit, aktivitet që u përkrah gjerësisht nga të gjithë shqiptarët dhe nga shoqata që përfaqësonte shqiptarêt e Montréal-it dhe rrethinave. Në atë kohë (2011 dhe në vazhdim) nxorra disa numra të «Shqiptari i Montrealit» si dhe Faqet e verdha. Por, nuk mund të pretendoj se i kam bërë të gjitha këto vetëm. Kam patur përkrahjen e shumë miqve të mi dhe të familjes sepse asgjë nuk bëhet vetëm. Sot, këtu në Montréal ne kemi më shumë shoqata por do të doja që ky numër shoqatash të kishte edhe një numër të madh aktivitetesh në të mirë të shqiptarëve që kanë zgjedhur të jetojnë në metropolin e Québec-ut dhe në rrethinat e tij.

Gjithashtu, siç e dini unë kam krijuar dhe administruar albemigrant.com e Tribuna Shqiptare. Qëllimi ka qenë bashkimi i komuniteteve shqiptare dhe ndarja e përvojave mes komuniteteve të ndryshme dhe krijimi i kushteve për shprehje të opinionit dhe kjo sidomos nga diaspora shqiptare. Unë besoj se mediat e diasporës shqiptare janë cilësore dhe i japin frymë debateve në shoqërinë shqiptare.

Flasshqip: Cilat janë sipas teje problemet më të mëdha të shqiptarëve të Kanadasë?

Ajet Nuro: Nuk e di kush e ka hedhur idenë (nuk dua të marr autorësinë…) por më ka pëlqyer ideja e një organizimi të shqiptarëve në Kanada. Sigurisht, nuk jam për çdo lloj organizimi por një organizim që të ketë mbështetjen e shumicës së shqiptarëve të këtushëm. Dikush që vjen në Kanada duhet të ketë një informacion të shëndoshë për jetën e këtushme, si të integrohet, si të hedhë hapat e parë profesionalë etj etj. Kanadaja ka qenë shteti i parë për nga volumi i investimeve në Shqipëri. Shqiptarët e Kanadasë mund të ndihmojnë që Kanadaja të jetë gjithmonë në krye të listës së shteteve investuese në Shqipëri. Por edhe Shqipëria besoj se ka interesa që një ditë të tregëtojë në Kanada. Pa një komunitet të organizuar, (plus diplomacisë aktive …) nuk mund të arrihen marrëdhënie cilësore mes dy vendeve. Si qytetarë, me origjinë shqiptare do të donim të kishim shërbime konsullore. Nuk është normale që qytetarët shqiptarë që u skadon pasaporta të shkojnë në New York për ta rinovuar atë… Shqiptarët në Kanada besoj se kanë nevojën e ruajtjes së gjuhës, traditave (të mira), mbajtja gjallë e historisë dhe kulturës tek brezi i ri. Kjo është një sfidë që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Kombe të tjera kanë krijuar shkolla dhe kanë kërkuar edhe ndihmën e shtetit. Ne duhet të mendojmë dhe veprojmë së bashku për një zgjidhje afatgjatë.

Flasshqip: Si e percepton të ardhmen e komunitetit shqiptar në Kanada?

Ajet Nuro: Shqiptarët e Kanadasë (flas për brezin e pas 1990…) janë relativisht komunitet i ri në Kanada. Por, po të shikosh ecjen e tyre në përgjithësi dhe të disave në veçanti, do të na kishin zili edhe komunitete që kanë dhjetra e dhjetra vite këtu. Nuk ka se si të mos e shikoj me entuziazëm të ardhmen e shqiptarëve të Kanadasë. I vetmi problem që unë perceptoj është shqiptaria tek shqiptaro-kanadezët, pra sa ata do ta mbajnë të ndezur gjuhën dhe traditat tona më të mira në një vend ku je i detyruar të punosh dhe komunikosh në gjuhë të huaj dhe ku jeton krah për krah me kombe të ndryshme.

Flasshqip: Cili, sipas teje, duhet të jetë roli i diasporës në atdhe?

Ajet Nuro: Nuk e teproj po të them se nuk ka ngjarje të madhe në historinë kombëtare ku diaspora të mos ketë ndikuar dhe ndihmuar. Mjafton të kujtojmë disa nga këto ngjarje si shpallja e pavarësisë, njohja e saj sidomos nga Shtetet e Bashkuara, përpjekjet për përmbysjen dhe ndihma në përmbysjen e diktaturës, ndihma e diasporës në mbajtjen e një shteti paralel në Kosovë gjatë regjimit të Millosheviçit, ndihma e pakursyer ndaj luftës në Kosovë etj etj. Në kushtet ku ndodhen sot dy shtetet shqiptare të Ballkanit, unë mendoj se diaspora mund të ishte shpëtimtare. Në këto 30 vjet diaspora shqiptare është fuqizuar dhe është rritur në atë nivel sa do ta kishte zili çdo komb. Nuk po flas për sukseset ekonomike të shqiptarëve dhe t’u bêjmë thirrje të investojnë në Shqipëri ndonëse edhe kjo mund të ishte në planet e ardhshme në një Shqipëri dhe Kosovë të qëndrueshme politikisht. Unë kam parasysh mbi të gjitha atë fuqi njerëzore dhe intelektuale që kanë shqiptarët në diasporë. A munden ata ta vënë në të mirë të zhvillimeve pozitive në atdhe? Po të kishte struktuara pse jo. Le të flasim pak për idenë e hedhur se shqiptarët e disaporës mund dhe duhet të votojnë. Kam dëgjuar argumente se në votime dhe procese zgjedhore duhet të votojnë taksapaguesit shqiptarë. Nuk është ide e keqe por, Shqipëria ka nevojë për diasporën. Pra a duhet të votojë diaspora? Me ligjin e sotëm elektoral JO. Si pjesë e partive politike shqiptare JO. Nëse një ditë diaspora shqiptare duhet të ketë zërin e saj në politikën shqiptare, ajo duhet ta ruajë këtë zë të saj. Nëse zgjedhjet do i japin mundësi diasporës dhe pastaj edhe përfaqësuesve të saj të jenë pjesë e grindjeve dhe e larjeve të hesapeve politike mes njëri-tjetrit siç ndodh rëndom sot, diaspora më mirë mos të ketë të drejtë vote, i mjafton e drejta e votës në vendet ku ajo jeton.

Flasshqip: Ajet, si i ruan marrëdhëniet me atdheun?

Ajet Nuro: Sot nuk është e vështirë të ruash marrëdhëniet me atdheun. Gazetat, televizionet, rrjetet sociale bëjnë punën e tyre...

Flasshqip: Me çfarë gjërash e kujton Shqipërinë në shtëpinë tënde në Montréal?

Ajet Nuro: Atyre që nuk e kanë lënë ndonjëherë Shqipërinë u duket çudi sasia e flamujve apo simboleve shqiptare që ne blejmë kur shkojmë për vizitë në atdhe. Por, atdheu duket ndryshe nga larg dhe simbolet kombëtare na bëjnë të ndihemi pranë, na bëjnë të ndihemi krenarë për vlerat më të mira të kombit tonë. Por, përveç flamujve dhe simboleve kuqezi, portretet, skulpturat e Nënë Terezës dhe Skënderbeut i gjen gjithandej në shtëpinë tonë, pa harruar simbolet e qyteteve të ndryshme shqiptare.

Flasshqip: Çfarë të mungon nga atdheu?

Ajet Nuro: Po të thosha asgjë nuk do ishte e vërtetë. Më mungon polifonia. Është e vështirë ta shpjegosh se çfarë është polifonia labe nëse nuk e ke kënduar apo dëgjuar me vëmendje këtë pjesë të folklorit shqiptar. Mua, më duhet t’ia marr, t’ia kthej e të bëj iso po vetë. Më vjen keq që nuk ka shumë shqiptarë nga Jugu këtu në Montréal që të këndojnë polifoninë labe që është një perlë e kulturës tonë folklorike e njohur madje edhe nga UNESCO si trashëgimi kulturore botërore jomateriale. Ndonëse kur bëhemi bashkë me miq dhe shokë, të gjithë bëhen «tepelenas» dhe  mundohen të më ndihmojnë (qesh).

Flasshqip: Si e shikon gazetarinë shqiptare sot?

Ajet Nuro: Do të duhej të flisja gjatë për gazetarinë shqiptare. Gazetaria konsiderohet si pushteti i katërt (përveç ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit) dhe në një vend ku nuk ka pavarësi të pushteteve, nuk mund të presësh që edhe ky pushtet i katërt të funksionojë. Gazetat dhe mediat në përgjithësi, janë ato që duhet të ndihmojnë në mbarëvajtjen e një shteti apo kombi. Ato ndihmojnë në informimin e popullsisë dhe në formimin e opinioneve. Mediat shqiptare, fatkeqësisht nuk mund ta kryejnë këtë rol sepse ato nuk janë të pavarura. Ndaj, kur shikoj media që mbahen gjallë nga diaspora, kam tendencën t’i besoj më shumë se ato që publikohen në Tiranë apo Prishtinë. Nga ana tjetër, mediat shqiptare duhet të kishin si material të parë gatues gjuhën shqipe. Po t’u hedhësh një sy mediave shqiptare, shqipja del e masakruar dhe e përçudnuar. Jam i ndërgjegjshëm për presionin nga gjuhët e tjera, por është koha që ta mbrojmë shqipen qoftë edhe me ligj. Në shumë raste, mediat shqiptare, pasi i marrin lajmet pa cituar burimin, përshtatja e shkrimeve të marra andej-këtej lë për të dëshiruar me një përzierje barbarizmash të panevojshme dhe me tituj bombastikë që kur i lexon nuk të zbulojnë më shumë nga sa shpreh titulli dhe qëllimi është vetëm e vetëm të sigurojnë një “klik” më shumë. Por, edhe në rastet kur gazetarët punojnë ashtu siç e do puna e tyre, ata nuk kanë mbrojtje dhe bëhen pre e pushtetit dhe e “boss”-ëve të mediave. Mendoj se gazetaria shqiptare ka nevojë të reformohet për të kryer rolin e saj si pushteti i katërt.

©Flasshqip.ca