Komunitet

Në emigracion nuk ka integrim pa punë dhe sakrifica - Intervistë me profesorin e Toronto George Brown College, Petro Karanxha

Nga: Intervistoi Taulant Dedja

I ftuar sot në rubrikën Profil-Intervistë të Flasshqip vjen Petro Karanxha. Petro është pa diskutim një histori suksesi, ndër shumë të tjera në Kanada, falë asaj që ai e thekson, punës, vullnetit dhe sakrificave. Kur kam takuar babain e Petros, kirurgun e njohur korçar Llambro Karanxha, personalitet krejt i veçantë me një kulturë të përgjithshme vërtetë të admirueshme si dhe kur kam dëgjuar me sa respekt kujtohet nëna e tij e ndjerë, kam kuptuar ku i ka rrënjët suksesi i tij, pikërisht tek familja, ku nis e ngjizet edukimi i fëmijës.

Lindur në Korçë në dekadën e fundit që i parapriu përmbysjes së sistemit totalitar, Petro i ka provuar gjithë privacionet e fëmijërisë të asaj kohe. Në vitin e zi 1997, largohet nga atdheu në fillim drejt vendit fqinj Greqisë e më pas emigron në Kanada, ku më parë ishin vendosur dy vëllezërit e tij Eugeni dhe Alqi. Pa komplekse, nuk ka nguruar të punojë aty ku i është krijuar mundësia në fillim e më pas ka marrë vendimin më të rëndësishëm të jetës, ti rikthehet studimeve, falë të cilave ai sot eshtë në pozicionin e nderuar të profesorit në një nga institucionet arsimore më të njohura të Ontarios, George Brown College.

Bashkëshort i lumtur dhe baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm, intelektual me interesa të shumanshme, personalitet me karakter te fortë, të qetë dhe vetpërmbajtje e modesti qe ngjall vetëm respekt, profesionist me të vërtetë i realizuar, Petro Karanxha, korçari i pasionuar pas futbollit, vjen sot me një rrëfim shumë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. Në rrëfimin e tij pa doreza lexohen shumë të vërteta dhe mbi të gjitha shumë mall për vendlindjen…

Flasshqip: Petro, cilat ishin arsyet që emigrove në Kanada? A mund t’i bësh një përshkrim të shkurtër historisë së mëparshme të jetës në vëndlindje, familjes dhe emigrimit?

Petro Karanxha: Gjatë trazirave të 1997-tës, unë emigrova në Greqi, bashkë me babanë dhe motrën time. Para se të iknim, jetonim në Korçë ku babai im ushtronte profesionin e mjekut kirurg. Një vit më parë kishim humbur nënën nga një sëmundje e pashëruesheme … ishin kohë të vështira për familjen. Vajtja në Greqi u be më shumë për t’i shpëtuar çmendurisë së 1997-tës dhe ikja ishte më shumë si arrati sesa emigrim. Patëm fatin e madh që në Greqi, disa miq të babait na pritën dhe na ndihmuan që të ambientoheshim. Babai im siguroi një vend pune si ndihmës kirurg në një spital privat të njohur, ndërsa unë mundohesha të nxirrja rrogën time duke bërë disa punë njëkohësisht. Pasi mbarova gjimnazin, nisa dhe një shkollë për infermieri, por gjithsesi më vonë kuptova që nuk ishte zgjedhja e duhur. Ndërkohe, dy vëllezërit e mi më të mëdhenj emigruan në Kanada dhe kështu në 2002 bashkë me babanë erdhëm edhe ne këtu. Ardhja në Kanada ishte si një mundësi e dytë për ne, por nuk kaloi pa vështirësi. Në fillim u përballa me një fenomen që ndodh tek shumica e emigrantëve, atë të shokut kulturor. Mbase është një koncept i pandeshur në Shqipëri, gjithsesi ka të bëjë me përballjen e fortë të kulturave tepër të ndryshme nga ajo e jona. Është dicka që çdokush që vjen për hërë të parë përballet dhe i duhet kohë të mësohet me kombësi e kultura të ndryshme, por që e gjej një nga eksperiencat më të vlefshme të emigrimit pasi të mëson të njohësh kulturat e tjera, mentalitetin që i karakterizon, mënyrën e komunikimit si dhe vlerat dhe etikën e tyre. Gjithashtu të gjitha këto kultura nga vënde të ndryshme bashkohen dhe shkrihen tek mënyra kanadeze e jetesës. Si përfundim, do të thoja se arsyeja e emigrimit në Kanada ishte gërshetimi i mundesive më të mira nga ato që mund të ofronte Greqia në atë kohë, si dhe bashkimi me pjestarët e tjerë të familjes sime.  

Flasshqip: Le të ndalemi pak te periudha sapo mbërrite në Kanada? Cilat ishin përshtypjet e fillimit, punët e para dhe kontaktet e para që arrite të krijosh?

Petro Karanxha: Për disa vjet jetova me babain dhe njërin nga vëllezerit e mi. Në fillim më kujtohet që nuk doja të dilja as nga shtëpia. Kemi ardhur nga një kulturë e cila na ka injektuar një lloj sedre të përzier me krenari, e cila nuk na lejon që t’i japim mundësi të panjohurës, qoftë edhe për ta provuar atë. Mendoja që nuk kisha aftësitë e duhura të komunikoja në anglisht, dhe kjo më krijonte një ndjenjë turpi për të njohur njerëz dhe për të krijuar kontakte të reja. Gjithsesi, puna e parë që kam bërë në Kanada ishte në një benzinatë. Natyra e punës më bëri të njihesha me shumë njerëz dhe të praktikoja gjuhën e të më dilte frika e të folurit. Gjatë kohës që punova në benzinatë kontaktova shumë vendas, por një nga njerëzit që më kanë lënë mbresë gjatë asaj kohe ishte një avokat. Zumë miqësi pas disa kohësh dhe një nga gjërat që më pati thënë atëherë ishte: “Do të doja të jetoja dhe 20 vjet që të shikoja se në çfarë njeriu do shndërrohesh”. Nuk e di nëse ishte diçka profetike nga ana e tij, por vërtetë nuk do ta mendoja kurrë në atë kohë, që do vinte një ditë që do të bëhesha profesor i një kolegji të njohur si dhe hulumtues i teknologjive të reja në fushën e ndërtimit. Gjithashtu disa nga punët e tjera që kam bërë, kanë qënë në fushën e shërbimit si për shembull kamarier, derisa më vonë vendosa të hapja kompaninë time bashkë me një ortak shqiptar ku lyenim apartamente dhe shtëpi.

Flasshqip: Çfarë mendon se të ndihmoi më shumë për të kapërcyer vështirësitë e fillimit dhe për t’u integruar profesionalisht?

Petro Karanxha: Gjatë viteve të para ishin kontaktet dhe shoqëritë që krijova, ambientimi me mënyrën si bëheshin gjërat këtu, si dhe reflektimi mbi drejtimet e ndryshme që mund të merrja për të patur sukses profesionalisht. Gjithsesi, ajo që rrënjësisht ndryshoi të ardhmen time ishte vendimi për t’iu rikthyer studimeve. U regjistrova në 2008 në programin 3-vjeçar të arkitekturës në George Brown College dhe pasi mbarova me rezultate të larta, vendosa të aplikoja dhe për Degree Program në Construction Management. Kësisoj, brënda 5 viteve arrita të diplomohem për teknologji arkitekture dhe fitova gradën Bachelor of Science në Construction Management, e më pas Master of Science në International Construction Management nga Universiteti i Bath, England, ku teza ishte Building Information Modeling in Facilities Management. Por diplomimi në George Brown College më hapi rrugën si profesor ndaj dhe mund të them që ky ishte momenti kyç që ndihmoi në integrimin tim.

Flasshqip: Në një reflektim në raport me rrugëtimin tend, cilat do të rendisje si vështirësitë më të mëdha me të cilat t’u desh të ballafaqoheshe?

Petro Karanxha: Si çdo emigrant i ri në një vend të huaj, gjuha, kultura, njerëzit, mosnjohja e sistemit ishin elementë që krijuan vështirësi në fillim. Por ajo që besoj qëndron në majën e këtyre elementëve është mungesa e informacionit. Shumë gjëra mu desh t’i mësoja nëpërmjet eksperiencës, ose siç thuhet ndryshe në anglisht: trial and error, që do ta përshtatja në shqip, provo dhe gabo e sërish provo. Është e vështirë që dikush të të mësojë ose të ofrojë një lloj udhëzimi ose ndihme kur ai nuk është duke kaluar të njejtat vështirësi. Mendoj se një nga vështirësitë që hasin të gjithë, që edhe unë kam kaluar, është si t’i shfrytëzosh burimet që ofron sistemi kompleks kanadez në mënyrë që të fitosh kohë për një integrim sa më të shpejtë. U desh ca kohë dhe shumë punë e sakrifica, por në fund arrita aty ku jam sot.

Flasshqip: Petro, a mund ti ndash arritjet e tua profesionale me lexuesit e Flasshqip

Petro Karanxha: Për momentin jam profesor dhe hulumtues në George Brown College. Jap aty lëndën Manaxhim i Digjitalizuar Ndërtimi ose Building Information Management (BIM). Mësimdhënia më jep kënaqësi por një pjesë tjetër e madhe e punës sime janë hulumtimet në fushën e Building Information Modeling ku kam përfunduar mbi 30 projekte dhe kam punuar dhe manaxhuar më shume se 60 studentë nga vënde të ndryshme në fushën e BIM. Gjithashtu kam paraqitur kumtesa për këto kërkime në disa konferenca si Construct Canada, Ontario General Contractor Association Symposium dhe Toronto CanBIM Conference. Një nga projektet më të spikatur, për të cilin morëm dhe çmim nderi për “Best Academic Work for 2019” dhëne nga Canadian BIM Council për punën akademike më të sukseshme në Kanada, ishte në bashkëpunim me Toronto Community Housing Corporation (TCHC). Ky projekt ishte sërish në fushën e BIM për menaxhimin e objekteve rezidenciale, komerciale e industriale dhe ne përdorëm LiDAR skans ose teknologjinë laser, në një kompleks godinash të TCHC si dhe modelimin e objekteve dhe topografisë në Revit. Rezultatet e projektit qenë mbrësëlënës dhe po i hapin rrugën përdorimit të teknologjive të reja të ndërtimit dhe menaxhimit të ndërtimit virtual. Kohët e fundit, sapo mbyllëm një kontratë të madhe me Greater Toronto Airport Authority (GTAA) për një bashkëpunim të ngjashëm për Pearson Airport. Për momentin, jam në negociata edhe me të tjera organizata publike si City of Mississauga dhe York Region për mundësinë e bashkëpunimit në projekte të njejta.

Flasshqip: Le të kalojmë në një temë jashtë profesionit. Sa i interesuar je për politikën kanadeze në të tre nivelet ?

Petro Karanxha: Politika gjithnjë më ka tërhequr, sidomos në aspektin e debatit. Unë gjithnjë kam ecur me parimin që një intelektual i vërtetë mbetet gjithnjë në opozitë. Vlen për t’u sjellë si shembull në lidhje me këtë që sapo pohova, zgjedhjet që u bënë dy javë më parë Kanada. Ato treguan që vetëm Toronto nuk mbeti në opozitë. Ndoshta Quebec, Alberta dhe Saskatchewan kanë intelektualë të vërtetë (…qesh). Në nivelin provincial megjithëse u zgjodh Doug Ford, mendoj që Kathleen Wayne kishte program më të mirë, por fakti që liberalët kishin shumë vite në pushtet dhe disa nga vendimet që morën, me sa u duk, i kishin lodhur njerëzit. Sa i takon kryebashkiakut John Tory, mendoj që po bën punë të mire pavarësisht kufizimeve financiare që ka superqyteti i Torontos.  

Flasshqip: Po me problemet apo aktivitetet e komunitetit sa je i angazhuar?

Petro Karanxha: Të them të drejtën nuk kam patur angazhim të plotë, mbase dhe nga mungesa e kohës dhe detyrimet familjare. Gjithsesi, mendoj që komunitetit shqiptar i mungon struktura e duhur që do të lehtësonte procesin e angazhimit të bashkatdhetarëve në mënyrë produktive.  Kam patur të bëj me shume shqiptare në një nivel profesional të admirueshëm dhe besoj se ka shumë individë të tillë që mund të japin një kontribut të konsiderueshëm dhe me vlera për krijimin e strukturave të duhura për prezantimin me dinjitet dhe efikasitet të komunitetit dhe identitetit shqiptar në Kanada. Unë mendoj që komunitetit tonë i mungon një platformë që të gjithë të kenë mundësinë për t’u shprehur, lidhur me njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar diçka me vlerë dhe që do t’i rezistonte kohës.

Flasshqip: Për ta nxitur pak më tej reflektimin, cilat janë, sipas teje, problement më të mëdha të shqiptarëve të Kanadasë?

Petro Karanxha: Do të thoja është mosnjohja e vetvetes dhe kulturës që mbartim, mospranimi i të metave të hershme që kanë qënë pjesë e pandreqshme e kulturës sonë për shekuj me radhë dhe që reflektohen edhe në mënyrën si qeveriset vendi sot, por edhe këtu në emigracion, ku karakterizohemi nga një përçarje e trashëguar si dhe paragjykimi i ashpër për njëri-tjetrin. Është për të ardhur keq që i vetmi moment krenarie ku shikon një lloj solidariteti kombëtar është kur luajnë futbollistët tanë kundrejt shteteve që kanë qënë simbol shovinizmi ndaj nesh. Kam parasysh dy shembuj, ndeshjet Greqi-Shqipëri dhe Serbi-Shqipëri. Sidomos pas ndeshjes Shqipëri-Greqi në Shtator të 2004, mbaj mend një tubim njerëzish në Danforth me flamuj shqiptarë dhe si një grup i vetëm festonim fitoren kundër kampionëve të Evropës. Mbase ndërtimi i strukturave të duhura këtej në emigracion për të na sjellë më afër njëri-tjetrit, do të zbuste dhe paragjykimet, ndjenjën e konkurencës apo dhe arrogancës që na karakterizon shpesh me njëri-tjetrin. Këto fjalë tingëllojnë disi ashpër, por fatkeqësisht për mua mbeten ende të vërteta. Nuk mjafton ta respektojmë identitetin tonë, origjinën dhe njeri-tjetrin vetëm kur kemi festa kombëtare…

Flasshqip: Petro, si e percepton të ardhmen e komunitetit tonë në Kanada?

Petro Karanxha: Pjesa më e madhe e shqiptarëve këtej kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme. Vërtet që japim maksimumin tonë dhe ajo sedra që na karakterizon si komb, forcohet edhe më shumë kur vjen puna për të treguar vlerat e vërteta intelektuale që mbartim mbi vete. Kur vjen puna tek çështja e komunitetit mbetet për tu parë. Por nëse nuk do ketë një angazhim serioz nga ana e të gjithë pjestarëve të komunitetit shqiptar nuk mendoj se pozita e komunitetit tonë do të jetë në rritje krahasuar me komunitetet e tjera. Ka një lloj apatie dhe mungese interesi ndaj duhen gjetur mënyrat si të mposhten ato në mënyrë që njerëzit të jenë më aktivë dhe të interesuar për të ardhmen jo thjesht të tyren, por edhe të komunitetit në përgjithësi. Komuniteti ynë është relativisht i ri dhe ka që nga vitet 90-të që shtohet dhe vazhdon të zmadhohet. Mendoj se duhet të organizohemi për të patur struktura qëndrore prezantimi të të gjithë pjestarëve të komunitetit shqiptar këtu.   Ne mund të marrim shëmbull nga komunitete të tjera se si ata bashkohen për të forcuar pozitat dhe prezantimin e zërit të tyre në Kanada.

Flasshqip: Sipas teje, cili duhet të jetë roli i diasporës në raport me atdheun?

Petro Karanxha: Duhet të jetë shumë kritik. Veçse lë shumë për të dëshiruar për momentin. Kjo vjen nga një shkëputje e madhe mentalitetesh midis shqiptarëve të diasporës, të cilët tashmë i janë dhënë një jete krejt tjetër, duke u ambientuar me kulturën, rregullat, ligjet e Kanadasë apo shteteve të tjera dhe atyre që jetojnë në atdhe. Fakti është që njerëzit atje kanë mentalitet të kushtëzuar. Edhe duket disi si ajo parabola e shpellës së Platonit.  Kushtet e vështira ekonomike, sociale dhe politike e kanë thelluar edhe më shumë këtë farë izolimi të mendjes. Jo rrallë dëgjoj shqiptarë që nuk duan të kthehen më në atdhe, pasi sa herë që shkojnë, gjejnë një mjerim të thellë e degradim shoqëror që e ben kthimin në “shpellë” shumë të vështirë. Kjo është vërtetë e dhimbshme, por është fakt që roli i diasporës historikisht nuk ka qënë gjithmonë rrënjësor apo revolucionar sa duhet, aq sa të sjellë vertetë ndryshime afatgjata. Ndoshta duhet veçuar Fan Noli, Shoqëria “Vatra” dhe diaspora e USA në periudha të caktuara…

Flasshqip: Si i ruan marrëdheniet me atdheun?

Petro Karanxha: Lexoj shpesh nëper Web-e lajme nga Shqipëria. Mundohem të informohem për çka ndodh atje megjithëse shpeshherë ndjehem vërtet i pezmatuar kur ajo që lexoj, më së shumti është negative. Komunikoj dhe me të afërm dhe shokë që ndodhen në Shqipëri. Mundohem të ruaj disa nga traditat me të cilat u rritëm. U flas fëmijëve për kohërat kur isha vetë fëmijë dhe mënyrën e jetesës atje duke iu përshkruar jetën që bënim. Shpeshherë kujtimet e kohërave të fëmijërisë apo adoleshencës janë një tjetër mënyrë për të më mbajtur të lidhur me atë vënd. Mundohem gjithashtu që të shkoj të paktën çdo dy vjet për të vizituar të afërm në Shqipëri dhe të çmallem me atdheun.

Flasshqip: Me çfarë gjërash e kujton vëndlindjen në shtëpinë tënde?

Petro Karanxha: Me traditat, që në korçarët i kemi patur të forta dhe mundohemi t’i ruajmë dhe sot. Që nga të gatuarit, rrëfenjat për kohën e fëmijërisë, theksin e të folurit të korçarëve që gjithnjë është dalluar, festat që i kemi patur traditë të përhershme etj. Shpeshherë hap fotografi të vjetra që disponoj, apo hyj nëpër web-e e forume online ku lexoj për Korçën nga korçarë. Shikoj fotografi të vjetra të postuara atje. Janë disa nga mënyrat që ta gjej veten të kthyer në kohë e të ndjehem vërtetë krenar për qytetin nga ku kam prejardhjen. Ndonjëherë edhe me miq kanadezë më ndodh që të diskutoj për keto tradita, për karakteristikat e qytetit tim, t’iu tregoj pamje nga Korça, gatimet karakteristike dhe jo rrallë ata shprehin dëshirën për të vizituar Shqipërinë.   

Flasshqip: Çfarë të mungon nga Shqipëria?

Petro Karanxha: Çdo gjë! I përmenda një pjesë të mirë më lart. Por ajo që më mungon më shumë është fëmijëria ime e jetuar atje. Megjithëse ishim të varfër (nuk gjeje gati asgjë në kohën ku u rrita unë), ato mungesa na bënë më të fortë por edhe më humanë. Më mungon mënyra si komunikoja e mendoja në gjuhën time, që këtu në Kanada nuk do ta kem sepse nuk jam rritur brënda kësaj kulture. Më mungojnë bisedat e hapura me miq e të afërm dhe çiltërsia që na karakterizonte në komunikim e që nuk e gjen këtu. Më mungon ushqimi i shijshëm, lakrori i famshëm me dy petë i Korçës, birra Korça (qesh…), të ngjiturit në Moravë, apo një kafe mes miqsh nga Parku «Rinia»…  

Flasshqip: Falemnderit për kohën Petro dhe paç gjithmonë vetëm të mira e suksese!

©Flasshqip.ca