Komunitet

Dr. Adriana Bejko: Këshilli Koordinativ i Diasporës nuk do jetë fasadë e qeverive që shkojnë e vijnë

  • Published in Komunitet
Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Në prag të mbledhjes së parë të Këshillit Koordinativ të Diasporës që do të mbahet më 18 Dhjetor në Tiranë, Dr. Adriana Bejko, anëtare e Këshillit Koordinativ të Diasporës, përfaqësuese e Kanadasë, vjen me një intervistë të zgjeruar në Flasshqip. Mësojmë njëkohësisht që në datën 13 dhjetor ajo do të jetë në Toronto, ku sëbashku me anëtarin tjetër të KKD, Ing. Ardian Radovicka, në një tryezë të rrumbullakët konsultative, do takohen më përfaqësues të shoqatave shqiptare që veprojnë në Ontario dhe Ambasadorët e Kombit nga radhët e diasporës shqiptaro-kanadeze.

Flasshqip: Në datën 18 dhjetor, pas disa ditësh, do të mblidhet për herë të parë në Tiranë Këshilli Koordinativ i Diasporës, strukturë e krijuar më ligj nga shteti shqiptar. Ju u propozuat nga Shoqata Shqiptaro-Kanadeze e Calgary-t në Alberta dhe ndër 19 kandidatët e Kanadasë u përzgjodhët nga Ministri Majko, sëbashku me zotin Radovicka si përfaqësues të disasporës shqiptaro-kanadeze. Duke patur parasysh që në Kanada procesi i propozimit të kandidaturave u bë me transparencë të plotë, si e vlerësoni përgjegjësinë që ju është besuar? Në optikën tuaj, çfarë domethënie ka të jesh përfaqësues i një komuniteti si ai i shqiptarëve të Kanadasë?

Adriana Bejko: Ju falёnderoj qё më jepet mundёsia tё ndajmё disa mendime me lexuesit tuaj. Gjithashtu, pёrfitoj nga rasti tё falёnderoj Portalin Flasshqip pёr artikujt interesantë qё boton dhe per kontributin e vyer nё ndihmё tё diasporёs shqiptaro-kanadeze.  Qё nё fillim dua tё theksoj se kjo detyrё si anëtare e Kёshillit Koordinues tё Diasporёs (KKD) ёshtё sa privilegj aq edhe pёrgjegjёsi qytetare pёr mua. Si unё ashtu edhe z. Radovicka, iu jemi shumё mirёnjohёs bashkёkombёsve tanё qё n’a dhanё njё besim tё tillё duke propozuar emrat tanё nё listёn shumё dinjitoze tё 19 kandidatёve pёr tё pёrfaqёsuar diasporёn e Kanadasё nё njё strukturё tё tillё si KKD. Ne e kemi marrё kёtё detyrё me shumё pёrgjegjёsi dhe seriozitet, megjithёse jemi tё bindur qё nuk ёshtё e lehtё pёr shumё arsye: kjo ёshtё njё strukturё qё nuk ka ekzistuar më pёrpara dhe nuk ka asnjё pёrvojё; qeveria shqiptare i merr gjёrat pak “shtruar” dhe koha nuk pret; gjёndja nё Shqipёri, sidomos pas termetit të 26 Nentorit, nuk ёshtё e lehtё dhe fatkeqesisht, diaspora shqiptare ka humbur besimin se qeveria dhe strukturat e saj janё vёrtetё dhe sinqerisht tё interesuara tё ndёrtojnё ura dhe jo mure me diasporёn.

Flasshqip: Cili është mendimi juaj për nivelin e integrimit të komunitetit shqiptar në shoqërine kanadeze? Po për stadin aktual të organizimin komunitar në nivel shoqatash?

Adriana Bejko: Diaspora shqiptare nё Kanada ёshtё pak mё specifike se nё vendet e tjera pёr faktin se politika e emigracionit e Kanadasё ёshtё e tillё qё mbledh “trurin” e botёs nёpёrmjet ligjeve nё fuqi. Pra, ai “brain drain” nga Shqipёria, pёrbёn “brain gain” pёr Kanadanё. Fakti qё Kanadaja ёshtё vend i ndёrtuar nga emigrantët dhe fenomenet e diskriminimit qё mund tё hasen nё vende tё tjera  kёtu nuk janё aq te dukshme, e bёn mё tё lehtё integrimin tonё nё “pёlhurёn” e shoqёrisё Kanadeze. Si rezultat, diaspora jonё kёtu nё Kanada ka kushte pak mё  optimale pёr t’u integruar bukur (pas disa vitesh shkollё e punёsim nё punё tё rёndomta) nё shoqёrinё Kanadeze.

Ne kemi plot shoqata nё provinca e qytete tё ndryshme, tё cilat pёrpiqen tё organizohen dhe tё unifikojnё bashkёatdhetarёt kudo nё Kanada. Niveli i suksesit tё kёtyre shoqatave nё raport me konsolidimin e komunitetit ёshtё ҫeshtje tjetёr qё mbetet pёr t’u diskutuar. Personalisht nuk jam e sigurt nёse me 2-3 veprimtari argёtuese vjetore kёto grumbullime krijojnё atё komunitet qё n’a duhet.  Kёto kohёt e fundit, nё mёnyrё tё vecantё janё shtuar veprimtaritё nё prag tё Festave tё Nёntorit. Njё arritje nё kёtё drejtim ёshtё ngritja e flamurit para bashkive tё disa qyteteve, aprovimi zyrtar i muajit Nёntor si Muaji i Trashёgimisё Shqiptare (Saskatchewan, Ontario), vendosja e monumentit tё Nёnё Terezёs në Montréal, përurimi i Shtёpisё sё Shqiptarit në Hamilton, iniciativat për vendosje busti apo monumenti të Skёnderbeut, për emёrtim rrugёsh, veprimtari tё ndryshme artistike, etj.

Nё mёnyrё tё veçantё, komuniteti u bashkua si kurrё ndonjёherё nё veprimtaritё e shumta qё u organizuan per tё mledhur fonde dhe dёrguar ndihma pёr tё lehtёsuar fatkeqësinë e madhe qё goditi Shqipёrinё, tёrmetin e para pak ditёve. Ky ёshtё njё tregues qё ҫdo mёrgimtar e lё “kokёn mbrapa” kur ikёn dhe e mban atdheun thellё në zemrёn e tij. 

Tё gjitha sa përmenda më lart, janё shumё tё rёndёsishme, pёr ruajtur identitetin tonё edhe kaq larg atdheut. Edhe integrimi nё vendet pritёse ёshtё i domosdoshёm, por ajo qё ёshtё jetike dhe duhet tё jetё pёrparёsi pёr secilin bashkёkombas ёshtё tё parandalohet RREZIKU I ASIMILIMIT! Fatkeqёsisht, vihet re njё tendencё e shёmtuar nё disa nga ne, qё kёrkojmё tё flasim anglisht vend e pa vend, dhe nё menyrё tё veҫantё me fёmijёt tanё. Kjo bёhet nёn preteksin se po “ndihmoj fёmijёn tё integrohet nё shkollёn kanadeze”.

Ky ёshtё njё shqetёsim i natyrshёm i ҫdo prindi, por ka njё problem dhe ne duhet tё shohim “elefantin nё mes tё dhomёs” e tё fillojmё tё reflektojmё.  Miq ju dua shumё dhe jam shumё e lumtur pёr arritjet tona dhe pёr integrimin nё shoqёritё qё n’a kanё pritur, por le tё jemi realist - niveli i anglishtes akademike (tё librave shkollorë) tё shumё prindёrve lё shumё pёr tё dёshёruar dhe jo vetёm nuk i ndihmon fёmijet nё shkollё, por edhe mund tё krijojё probleme pёr ta. Pra, nuk ёshtё “faji” i gjuhёs shqipe qё pengon pёrparimin e fёmijёve nё shkollat kanadeze.

Ajo qё ёshtё edhe mё shqetёsuese, ёshtё mungesa e dёshirёs nga ana e disa bashkёatdhetarёve pёr tё ҫuar fёmijёt nё shkollat shqipe qё hapen dhe mbahen me shumё sakrifica nga mёsuesit tanё te nderuar dhe shoqatat pёrkatёse. Kjo ёshtё vёrtetё shqetёsuese sepse, duam apo nuk duam ne, nёqoftёse nuk vazhdojmё mёsimin e kulturёs dhe gjuhёs shqipe nё shkollat e diasporёs, kjo do tё sjellё asimilimin tone të plotë në vendet ku kemi emigruar.

Gjithashtu, duhet tё ndryshojmё sё menduari se vetёm takimet pёr “aheng” konsolidojnë komunitetin. Duhet shumё mё tepёr pjesmarrje konkrete duke filluar nga anëtarёsimi nё shoqatat shqiptare dhe pjesëmarrje aktive në veprimtaritë e tyre, deri nё bashkёpunimin e ngushtё nё diskutimet pёr problemet dhe ndryshimet qё kёrkon dhe propozon diaspora. Pra, nё se nuk reflektojmё dhe ndryshojmё, rrezikohemi tё mos “egzistojmё” nё 2-3 dekada tё ardhёshme, sidomos nёse vazhdojmё tё mos pёrdorim dhe tё ruajmё gjuhёn dhe kulturën shqiptare.

Flasshqip: Cila sipas jush është sot sfida më e rëndësishme për komunitetin tonë duke gjykuar në raport me Kanadanë multikulturale?

Adriana Bejko: Sfida e parё nё kёtё drejtim ёshtё ajo që sapo thashë, ruajtja e identitetit kombёtar, nёpёrmjet ruajtjes sё gjuhёs. Kanadaja ёshtё i vetmi vёnd nё botё qё ka njё nen tё veçantё nё kushtetutё pёr tё garantuar mbrojtjen e kulturave dhe gjuhёve te ndryshme. Si rezultat, ndryshe nga ndonjё vend tjetёr nё botё, diaspora shqiptare nё Kanada nuk ka asnjё arsye pse mos tё rregjistrojё 100% tё fёmijёve tё moshёs shkollore nё shkollat shqip.  Aty fёmijёt tanё jo vetёm do tё mbajnё tё gjallё gjuhёn por do tё mёsojne kulturёn dhe historinё tonё, do tё luajnё me shokёt shqiptarë dhe do tё mbajnё tё gjallё komunitetin shqiptar edhe nё tё ardhmen.

Unё jam e bindur qё secili nga ne ka patur njё arsye tё fortё qё ka lёnё atdheun, familjen, “tё njohurёn”, pёr tё filluar jetёn nё njё vend tё panjohur me temperatura tё Arktikut, qё nuk mund tё krasohen me ngrohtёsinё mesdhetare tё Shqipёrisё. Dikush ua ka bёrё jetёn tё pamundur dhe ata marrin vendimin e vёshtirё pёr t’u nisur drejt rrugёs së kurbetit. Por duhet tё kuptojmё qё pёr kёtё “fajin” nuk e ka as Shqipёria dhe as gjuha shqipe.  Prandaj ato mbeten tё shenjta pёr ne dhe e vetmja mёnyrё pёr tё ruajtur identitetin kombёtar.

Flasshqip: Si do ta vlerësonit nivelin aktual të marrëdhënieve mes Kanadasë dhe Shqipërisë? Çfarë mund të bëjë vetë diaspora shqiptaro-kanadeze për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve?

Adriana Bejko: Pёr hir tё sё vёrtetёs, duhet thёnё se marrëdhёniet zyrtare nё mes tё dy vendeve duket sikur kishin njё “cool off” pёr disa vite dhe investimet kanadeze nё Shqipёri mund tё konsiderohen shumё modeste - nё vitin 2018 eksportet ishin vetёm $39.3 milion, kurse importet nga Shqipёria ishin vetёm 12.3 milion. Megjithatё, kohёt e fundit duket njё ri-intensifikim i kёtyre marrëdhёnieve. Duhet theksuar se kjo i dedikohet, ndёrmjet tё tjerave, edhe punёs sё palodhur tё ambasadorit tonё, z. Muça dhe stafit tё tij, si dhe punёs sё njё numёri shoqatash qё kanё arritur tё ndёrtojnё marrëdhёnie shumё pozitive me institucione drejtuese nё Kanada. Jam e mendimit qё edhe ҫdo shqiptar nё mёnyrё individuale, me ndershmёrinё, korrektesёn dhe dinjitetin e tij/saj nё vendet ku punon, e forcon reputacioni pozitiv pёr Shqipёrinё.

Diaspora jonё mund tё bёjё shumё punё pёr kooperim ekonomik, shkёmbime kulturore dhe sportive, si dhe lobim pёr forcimin e marrëdhёnieve nё mes tё dy vendeve. Njёkohёsisht, edhe qeveria dhe institucionet shqiptare duhet ta vlerёsojnё diasporёn si njё vlerё e shtuar, pa tё cilёn kombi nuk mund tё ecё pёrpara. Pёr kёtё, qeveria mund tё krijojë lehtёsira pёr bizneset nga diaspora duke thjeshtuar procedurat burokratike dhe duke i mbёshtetur ato. Duhet vlerësuar që para pak ditësh, Ministri i Shtetit e Diasporёs krijoi Dhomёn e zhvillimit, pikёrisht pёr tё ndihmuar bizneset e diasporёs. 

Duke patur parasysh se shumё bashkёatdhetarё nё Kanada, janё specialistё tё fushave tё ndryshme, ata mund tё trajnojnё bisneset shqiptare me metoda tё reja dhe bashkёkohore qё pёrdoren nё Kanada. Nё rastin e vёshtirё tё termetit, diaspora mund tё krijojё ekipe tё ndryshme specialistёsh tё fushёs sё ndёrtimit qё tё bёjnё punё vullnetare nё rindёrtimin e zonave tё dёmtuara; apo grupe mёsuesisht dhe psikologёsh qё tё ndihmojnё nё ri-mёkёmbjen e kapitalit njerëzor duke bёrё kёshillim psikologjik apo edukativ.

Flasshqip: Keni qenë kritike në disa raste duke dëshmuar integritet e pavarësi mendimi, sidomos për menyrën si u zhvillua Samiti i Dytë Diasporës por edhe për ngjarje të rëndësishme në atdhe, i cili këtë vit po përjeton një krizë politike që ende nuk duket se ka zgjidhje të shpejtë. Për çfarë ka nevojë më shumë Shqipëria në keto momente sipas jush?

Adriana Bejko: Sё pari, dua tё sqaroj qё Kёshilli Koordinues i Diasporёs nuk pranon tё jetё as fasadё dhe as “appendix” i asnjё strukture politike apo qeveritare nё   Shqipёri. Qeveritё dhe partitё i respektojmё, por ato shkojnё e vijnё.  Ajo qё mbetet konstante pёr ne ёshtё diaspora qё na besoi detyrёn pёr ta pёrfaqёsuar dhe ne do ta kryejmё kёtё detyrё pa diskutim dhe me shumё devocion.

Pёr kёtё arsye dhe si pjesё e mandatit tim si pёrfaqёsuese e diasporёs kanadeze, unё e ndjeva pёr detyrё tё bojkotoj samitin e vitit tё kaluar. Kuptohet, samiti ёshtё njё ngjarje shumё e rёndёsishme pёr diasporёn, ёshtё njё Homecoming apo Family Reunion i mrekullueshёm, por mua mё shqetёsoi fakti qё, duke ditur qё Shqipёria ёshtё nё kushte shumё tё vёshtira ekonomike, buxheti prej 600 mijë euro pёr dy ditё tё punimeve tё samitit, ishte njё shpenzim i papranueshёm dhe unё vendosa tё mos jem pjesё e njё shpenzimi pa kriter.

Mendoj qё nёse e konceptojmё samitin si njё veprimtari tё diasporёs, atёhere i duhet lёnё diasporёs ta organizojё atё.  Kjo tani ёshtё plotёsisht e mundshme sepse kemi pёrfaqёsinё tonё nё Kёshillin Koordinues tё Diasporёs (KKD), i cili nё bashkёpunim me Agjencinё e Disporёs mund ta organizojё kёtё veprimtari ndryshe nga dy samitet e mёparshme duke filluar qё nga ndryshimi i emrit “samit”, i cili eshte njё emer i huazuar. Nga ana tjetёr, tё gjithe shqiptarёt qё jetojnё jashtё atdheut duhet tё planifikojnё tё marrin pjesё dhe tё kontribuojnё nё kёtё tubim tё bijve qё kthehen nё shtёpi.

Flasshqip: Besojmë që gjatë kësaj periudhe keni patur kontakte të shumta me bashkatdhetarë nga të gjitha provincat e Kanadasë ku jetojnë shqiptarë falë edhe lehtësive në komunikim të krijuara prej teknologjive të reja që i kanë zbehur thuajse fare distancat nga njeri oqean në tjetrin por jo vetëm. Çfarë mendoni se i preokupon më shumë shqiptarët e Kanadasë në raport me shtetin shqiptar, veçanërisht me sherbimet që duhet të ofrojë shteti për qytetarët e tij që jetojnë në emigracion?

Adriana Bejko: Unё kam patur fatin dhe privilegjin tё bashkёbisedoj me dhjetra pjestarё tё komuniteteve tona. Dhe janё disa gjёra qё diaspora shqiptaro-kanadeze kёrkon nga qeverija shqiptare. Mё lejoni t’i rendis sipas numrit tё personave qё kanё ngritur tё njёjtёn ҫёshtje. 

Së pari, “de jure”, shqiptarёt qё jetojnë jashtё atdheut gёzojnё tё drejtёn e votёs dhe pjesëmarrjen nё zgjedhje. Por “de facto” kjo e drejtё nuk ёshtё marrё seriozisht nga qeveria shqiptare. Ne kёrkojmё qё kjo ҫёshtje tё shqyrtohet me seriozitetin e duhur pёr zgjedhjet e ardhёshme. Zgjedhjet e 6 Tetorit nё Kosovё mund tё konsiderohen njё pёrvojё e mirё nё kёtё drejtim.

Së dyti, duhet bёrё regjistrimi zyrtar dhe i saktё i shtetasve shqiptarë tё diasporёs.  Kjo ka njё rёndёsi tё veҫantё pёr tё krijuar rrjetin e shёrbimeve si dhe pёr tё patur statistika tё sakta qё do tё ishin njё ndihmё e madhe pёr shoqatat qё tё lidhen me komunitetin, do tё ndihmonte gjithashtu nё mbarёvajtjen e shkollave shqipe nё diasporё.

Së treti, duhet urgjentisht tё sigurohen mjetet e nevojshme pёr tё mbuluar kërkesat pёr shёrbimin konsullor të pajisjes me pasaporta nga ambasada jonё nё Ottawa, pa patur nevojё tё shkojmё nё New York pёr të rinovuar dokumentet e identitetit.

Flasshqip: Me sa jemi të informuar, edhe pse nuk jeni mbledhur ende zyrtarisht, anëtarët e KKD kanë vendosur një raport komunikimi, madje në disa raste një pjesë e tyre kanë arritur të shprehen në publik duke mbajtur qëndrime për çështje me rëndësi të veçantë. Si ju duket kjo eksperiencë paraprake? A mendoni që KKD do mund të krijojë një profil dhe autoritet për të vepruar si partner me qeverinë shqiptare?

Adriana Bejko: Anëtarёt e KKD janё tё gjithё njerёz qё kanё arritur suksese nё fusha tё ndryshme nё vendet ku kanë emigruar. Njёkohёsisht, ata janё figura shumё tё njohura ne diasporё, por edhe nё nivel ndёrkombёtar.  Pra profili i KKD ka filluar tё ndёrtohet, edhe pse KKD nuk ёshtё “pagёzuar” akoma zyrtarisht. Kjo ёshtё arritur nepёrmjet prononcimit publik pёr disa ҫёshtje kombёtare dhe punёs sё palodhur tё antarёve tё KKD nё shtetet ku jetojnё.

Ne e konceptojmë veprimtarinё tonё si partneritet ndёrmjet diasporёs dhe qeverisё, por gjithmonё duke mbajtur qёndrim kritik ndaj qeverisë nё mbrojtje tё interesave tё diasporёs. Ne kemi zgjedhur rrugёn tonё, mbrojtjen e tё drejtave tё diasporёs duke ndёrtuar urat me vendin amё. Por kёtё nuk mund ta bёjmё vetёm dhe kemi nevojё pёr mbёshtetjen e anëtarëve të diasporёs duke na dhёnё kёshilla dhe propozime konkrete pёr shqetësimet e tyre dhe jo duke hedhur baltё mbi njёrin apo tjetrin individ, çka cili ёshtё njё fenomen jo i rrallё nё mes nesh. 

Flasshqip: Në mbledhjen e parë zyrtare me sa dimë është parashikuar jo vetëm konstituimi i KKD por edhe dhe zgjedhja e kryesisë. Si e parashikoni këtë proces dhe a mendoni se në vazhdim ky këshill do të jetë kolegjial në vendimarrje?

Adriana Bejko: Pёrsa i pёrket zgjedhjes sё kryesisё sё KKD, ne po perpiqemi tё zgjedhim modelin mё tё mirё dhe tё provuar e tё pёrdorur me sukses nё fusha tё ndryshme. Janё propozuar disa modele tё cilat do tё diskutohen në mbledhjen e 18 Dhjetorit. Përfaqёsuesit e Kanadasё kanё propozuar modelin zviceran tё drejtimit tё organizatave me njё drejtim me “rotacion” dhe me afat tё shkurtёr dhe tё kontrolluar tё rolit drejtues tё njё individi.  Kjo do tё ishte njё mёnyrё e mirё pёr tё evituar “protagonizmin” qё ёshtё karakteristike nё shumё drejtues institucionesh dhe organizatash nё Shqipёri.  Po ashtu, kjo ёshtё dhe njё mendёsi qё e hasim edhe nё diasporё. Tё shohim se cili model do tё pranohet nga shumica e KKD.  Mendojmë qё kjo do tё forcojё kolegjialitetin nё marrjen e vendimeve tё Kёshillit Koordinues te Diasporёs. Por pёr ne, zgjedhja e kryesisё nuk ёshtё kaq e rёndёsishme pasi ne besojmё qё tё gjithё antarёt e KKD janё tё barabartё nё mes tё barabartё dhe vijnё nё kёtё forum me konceptin e asaj qё njihet si “servant leadership” dhe jo “hierarchy leadership”.

Flasshqip: Tema e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet shqiptare është diskutuar shumë. Cili është opinion juaj për këtë temë dhe cila sipas jush është formula më e mirë që garanton pjesëmarrjen, numërimin më korrektesë të votave por edhe përfaqësimin e drejtpërdrejtë të diasporës? A ka kuptim që listat ti bëjnë partitë dhe diaspora vetëm të votojë?

Adriana Bejko: Personalisht, e kam shumё të vёshtirё të jap mendim pёr kёtё temё pёr faktin qё nuk jam eksperte nё kёtё fushё dhe gjithashtu kam 25 vite qё jam larguar nga Shqipёria dhe nuk e kam të lehtë tё kuptoj tё gjitha modalitet e politikës atje. Unё nuk besoj nё pjesmarrjen nё zgjedhje politike me frymё “tifozllёku” pёr njё parti apo njё tjetёr, pёr njё person apo njё tjetёr.  Une jam shkencëtare dhe besoj nё platformat politike qё i shёrbejnё ose jo kombit dhe pёrparimit tё tij.  Unё i besoj mendimit tё ekspertёve dhe jo sahanlёpirёsve tё pashkollё qё fetishizojnё partitё apo individёt.

Megjithatё, nё detyrёn e re si anëtare e KKD, mund tё jam mendimin nё parim. Diaspora duhet tё marrё pjesё aktive nё zgjedhje dhe tё kthehet nё forcё me shumё influencё. Gjithashtu, mendoj qё diaspora tё ketё njё pёrfaqёsim tё drejtpёrdrejtё nё Parlamentin Shqiptar dhe tё  sjellё atje edhe zёrin e saj, por njёkohёsisht edhe “zёrin” e modeleve mё tё sukseshme tё ushtrimit tё demokracisё qё kanë dёshmuar sukses nё vёndet ku jetojmë.

Flasshqip: A po bëni ndonjë përgatitje të veçantë për mbledhjen e parë të KKD dhe a mund të përmblidhni disa çështje apo mesazhe që mendoni ti përcillni qeverisë në emër të diasporës shqiptaro-kanadeze?

Adriana Bejko: Z.Radovicka dhe unё kemi komunikuar me tё gjitha provincat ku kemi shoqata ne Kanada dhe kemi organizuar disa tryeza tё rrumbullakta ku bashkёatdhetarёt na kanё dhёnё kёshilla dhe propozime konkrete si pёr nevojat ashtu edhe pёr mёnyrat se si mund tё zgjidhen problemet tona. Tryeza të rrumbullakta janё organizuar ne Calgary, në Winnipeg dhe nё datёn 13 Dhjetor, para nisjes sonё pёr nё Shqipёri, ne kemi planifikuar njё tryezё tё rrumbullakёt nё Toronto me Ambasadorёt e Kombit dhe pёrfaqёsues tё shoqatave tё Ontarios. Kёto takime me miq e shokё tё diasporёs do tё na përgatisin mё sё miri per mbledhjen e parё tё KKD më datёn 18 Dhjetor nё Tiranё.

Flasshqip: Si e pёrjetuat atё qё ndodhi nё 26 Nёntor kur Shqipëria u godit nga njё tёrmet i rёndё që solli dhe pasoja shumë të rënda?

Adriana Bejko: Tёrmeti i 26 Nёntorit nuk tronditi vetёm tokёn por edhe zemrat tona.  Eshtё njё ngjarje sa e dhimbёshme aq edhe njё moment qё tё reflektojmё ku po e ҫon vendin tonё mediokriteti, “nepotizmi” politik dhe protagonizmi.  Shpresoj qё ky reflektim tё bёhet njё mёsim i mirё pёr tё gjithё ne dhe t’i shpallim luftё pa kompromis mediokritetit dhe nivelit tё ulёt intelektual tё atyre qё kanё marrё detyrёn e vёshtirё qё tё drejtojnё kombin tonё.

Para pak kohёve u bё shumё bujё nё rrjetet sociale pёr fjalimin skandaloz dhe nivelin intelektual qesharak tё njё deputetje “bjonde” tё parlamentit. Fatkeqёsisht, ajo vazhdon tё jetё vendimarrёsja jonё pёr ҫёshtje jetike kombёtare dhe ajo nuk ёshtё e vetmja me kёtё nivel. Tё tillё mediokёr dhe politikane “karagjozё” natyrisht mbledhin rreth tyre mediokrёt qё drejtojnё dikasteret dhe institutet tona shkencore, pёrndryshe intelektualёt e kualifikuar do t’i bёnin tё tillё pseudo-drejtues tё duken ashtu si janё nё tё vertetё – tё paaftё qё drejtojnё me tarafllёqe dhe mendojnё mё shumё pёr karrigen e tyre dhe jo pёr bazat shkencore tё vendimeve qё marrin.  Ky tёrmet ёshtё njё fenonmen i natyrёs por duhet tё “shkundë” mediokritetin qё lejoi fallsifikimin e standarteve tё ndёrtimit apo dha leje ndёrtimi nё kёneta. Kjo solli humbje jetёsh tё shtrenjta dhe shkatёrrim qё mund tё ishte parandaluar deri diku. 

Flasshqip: Si e vlerёsoni angazhimin e komunitetit shqiptar nё Kanada gjatё kёtyre ditёve pёr tё grumbulluar ndihma materiale dhe financiare?

Adriana Bejko: Komuniteti shqiptar nё Kanada ka treguar njё solidaritet dhe dashuri pa kufij pёr atdheun dhe vёllezërit e motrat e dёmtuar nga kjo fatkeqёsi e madhe. Me qindra individё kanё dhёnё kontribut nё mbledhjen e fondeve dhe tё ndihmave pёr Shqipёrinё.  Nё mёnyrё tё veҫantё, shoqatat tona kudo nё Kanada janё organizuar pёr tё gjetur mёnyrat mё tё mira pёr tё ndihmuar. Nё shumicёn e provincave u anulluan mbrёmjet festive pёr Festёn e Flamurit nё shenjё zije dhe respekti pёr atë që ndodhi, sidomos për jetët e humbura.

Flasshqip: A mendoni qё kёto donacione duhen grumbulluar si njё paketё e vetme dhe tё ofrohen si kontribut i pёrbashkёt i shqiptarёve tё Kanadasё nё njё projekt rindёrtimi specifi, realizimi i tё cilit mund tё monitorohet nga komuniteti i kёtushёm duke deleguar njё grup pёrfaqёsuesish tё tij, apo thjesht tё derdhen pёr llogari tё Kryqit tё Kuq Kanadez si struktura qё do tё manaxhojё ndihmёn e qeverisë kanadeze por dhe kontribute individuale?

Adriana Bejko: Duhet kuptuar njё gjё qё nё fillim. Donacionet janё kontribute vullnetare qё personi i jep me dёshirё dhe ёshtё mira tё mos pёrmenden. Secili individ ka tё drejtё tё zgjedhё sasinё dhe vendin ku bёn donacionin. Secili vendos vetё nёse do tё dhurojё, sa do tё dhurojё dhe si do ti dhurojё. Shumё njerёz dhurojnё nё mёnyrё anonime dhe nuk kerkojnё mirёnjohje.  Fatkeqёsisht, disa tё tjerё kёrkojnё “dekorata” nё kёto kushte dhimbje tё paparё. Njё antar i KKD ka dhuruar 3 milion euro dhe kёrkon tё mbetet anonym sepse kёshtu tregohet humanizmi i pastёr. Njё tjetёr person jep 45 dollarë dhe bёrtet i vodhёn! Kёto janё zgjedhje personale.

Pёrsa i pёrket donacioneve tё mbledhura nga shoqatat, mendimi im modest ёshtё: tё presim pak qё tё pёrfundojё faza e parё, URGJENCA, dhe pastaj tё marrim vendim pёr pjesmarrje nё fazёn e dytё, RIMËKËMBJEN, pasi ajo do tё jetё edhe mё e gjata. Ne mund tё marrim pёrsipёr njё projekt qё e kemi mё pranё zemrёs: tё ndёrtojmё njё shkollё apo njё kopёsht fёmijёsh, njё qёndёr shёndetёsore apo njё konsultore pёr sindromёn post-traumatike etj. nё emёr tё shoqatёs qё dhuron.  Do tё ishte ideale qё tё bashkoheshin tё gjitha shoqatat shqiptaro-kanadeze dhe tё kishin njё projekt tё pёrbashkёt, por logjistika e njё iniciative tё tillё dhe fakti qё ne shqiptarёt nuk shkёlqejme nё fushёn e kolegjialitetit, mund tё jetё pak problem. 

Sё fundi, dua tё them se ka ardhur koha tё ndryshojmё “ngjyrёn” e syzeve me tё cilat i shikojmё gjёrat dhe tё vendosim Shqipёrinё nё qendёr tё vёmendjes. Le tё lemё politikanёt tё merren me politikё, inxhinierёt me inxhinieri, shkencetarёt me shkencё dhe mёsuesit me mёsimdhёnje, dhe tё mos bёhemi “specialistё pёr gjithҫka dhe mjeshtra pёr asgjё.” Tё gjithё e kemi njё arsye pse vendosёm tё ikim nga njё vend aq i bukur me klimё mesdhetare si atdheu ynё dhe tё pranojmё tё jetojmё nё njё vend afёr Polit tё Veriut. Por kёto arsye lidhen me individё apo politika qё nuk mund tё biem dakord, jo me Shqipёrinё tonё tё mirё.

©Flasshqip.ca