Komunitet

Dr. Kozeta Miliku, shkencëtarja e përkushtuar ndaj komunitetit kuq e zi në Manitoba

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Jeta Dedja

Manitoba është një ndër 10 provincat e Kanadasë e cila për mijëra vjet ka qenë e banuar nga indigjenët. Në gjuhën e fisit Cree do të thotë “Ngushticat e Manitosë, shpirti i madhërishëm”.  Kush e kishte menduar se pas mijëra vitesh aty do të banonin edhe shqiptarë? Po pra, ja që është e vërtetë. Aktualisht, mbi 400 bashkëatdhetarë jetojnë në Manitoba, kryesisht në Winnipeg. Një prej tyre është edhe Dr. Kozeta Miliku, vajza e ëmbël dhe modeste korçare, e cila prej më shumë se dy vitesh, bashkë me bashkëshortin e saj, Enrin, janë shpërngulur nga Hollanda në Winnipeg. Kozeta është diplomuar si mjeke e përgjithshme në 2013 në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë dhe doktoruar në shkenca mjekësore në Erasmus University të Hollandës në 2017. Ajo është një nga themelueset dhe drejtueset e Albanian-Canadian Community of Manitoba. Gjithashtu drejtuese aktive e organizatave të tjera provinciale dhe nacionale si Obesity Canada-Student and New Professionals Manitoba Chapter; Co-chair i Trainee and Networking Committee DOHaD Canada; Trainee Research Program Lead of Devotion Network. Aktualisht Kozeta punon si Post-Doctoral Fellow në Children’s Hospital Research Institute, Universiteti i Manitobës. Puna e saj akademike mbulon fushën e pediatrisë dhe specifikisht atë të DOHaD, ose më shkoqur, origjina e hershme e zhvillimit të shëndetit dhe sëmundjeve.

Dr. Kozeta, ma shpjego pak më thjesht punën tënde, se unë kur vjen puna te mjekësia e gjej veten pa tekst.

Fusha që po punoj është e mrekullueshme dhe është duke lulëzuar. Me thënë të drejtën që në këtë status jam pozicionuar mirë dhe punoj krahas liderëve të fushës në Kanada. Unë studioj se si faktorë të ndryshëm gjatë shtatëzanisë (përfshi sëmundje të prindërve, ushqyerja gjatë shtatëzanisë, gjenetika, përbërësit e qumështit të gjirit) influencojnë rritjen dhe zhvillimin e fëmijës por edhe sëmundje të ndryshme si sëmundjet e veshkave, obeziteti, alergjitë apo astmën bronkiale. Për më tepër jam duke punuar në zbulimin e mekanizmave se si ndodhin këto procese dhe si mund t’i parandalojmë.

***

J.D. Pra Kozeta, nuk është thjesht ajo vajza “o korçare, o hiç fare”. Kozeta është më shumë “o shkencëtare shqiptare, o hiç fare”. Përtej arritjeve të shkëlqyera akademike, për të cilat Kozeta, si tepër modeste që është druhej të tregonte, shoqata që ajo drejton bashkë me shqiptarë të tjerë, po ecën me ritme të shpejta në konsolidimin e komunitetit shqiptar në Manitoba.  Në fakt, sa më të realizuar të jenë njerëzit në profesion e jetë, aq më të thjeshtë bëhen. Kështu është edhe Kozeta, për të cilën prej kohësh kisha rezervuar hapësirën në FlasShqip, qëkur konstatova prej disa fotove në Facebook se një shoqatë shqiptare po hidhte rrënjë në provincën e ftohtë kanadeze.

***

Dr. Kozeta, nga bisedat bashkë lehtësisht kam dalluar dashurinë dhe përkushtimin tënd të madh për komunitetin dhe Shqipërinë. Për lexuesit e FlasShqip, do doja të më tregoje pak lidhur me shoqatën që drejton. Si lindi ideja?

Dr.K.M. Faleminderit Jeta për mundësinë e dhënë për të folur rreth Shoqatës më të re Shqiptaro-Kanadeze në Kanada, asaj të Manitobës. Së bashku me bashkëshortin tim, Enrin, kemi 2 vjet e gjysëm që jemi shpërngulur në Winnipeg, Kanada dhe që prej zhvendosjes e ndjemë shumë mungesën e një shoqate apo komuniteti shqiptar të organizuar. Para se të shpërnguleshim në Kanada, kemi jetuar në Hollandë dhe kur kam kërkuar për herë të parë në Google “Shqiptarët e Manitobës” apo “Albanian Community in Manitoba”, por edhe shumë togfjalësha të tjerë, nuk më ka dalë asnjë rezultat. Në momentin e parë që kemi njohur shqiptarë të tjerë dhe u familiarizuam me klimën kulturore të provincës, kemi hedhur idenë e krijimit të një shoqate të mirëorganizuar dhe duke ndjekur gjithë procedurat ligjore me disa nga shqiptarët më aktivë në Winnipeg, Manitoba. Në festën e 28 Nëntorit të vitit 2018, shpallëm thirrjen për vullnetarë dhe gjithashtu kontaktuam ambasadën Shqiptare në Kanada.

Pse një shoqatë, shqiptarët mund të mblidhen e të festojnë edhe pa një organizim formal. Kishit ju ndonjë qëllim tjetër përveç socializimit?

Dr.K.M. Ne gjykuam që formalizimi ishte hap i rëndësishëm në përmbushjen e qëllimeve tona siç ishte njohja e Shqipërisë në komunitetin Kanadez. Nëpërmjet shoqatës ne synojmë synojmë lehtësimin e integrimit të shqiptarëve në shoqërinë kanadeze, kryesisht të porsaardhurve në Manitoba, ruajtjen e gjuhës, kulturës, historisë dhe traditës Shqiptare; si edhe prezantimin e Shqipërisë në një aktivitet vjetor multikulturor në provincë.

Oh, për çfarë aktiviteti bëhet fjalë?

Dr.K.M. Ne kemi nisur procedurat e regjistrimit të Shqipërisë për të marrë pjesë në aktivitetin e përvitshëm më të rëndësishëm multikulturor të provincës së Manitobës të njohur si Folklorama, ku çdo shtet gjatë muajit Gusht shpalos kulturën dhe traditat e tij, nëpërmjet artit, këngës, valles si edhe ushqimit. Projekti jonë i radhës është të hapim pavijonin shqiptar në Folklorama. E çfarë na mungon neve nga këto që të mos e prezantojmë denjësisht Shqipërinë e Kosovën? Për këtë i kemi kërkuar mbështetje edhe qeverisë lokale si edhe kemi organizuar takime me drejtues të Folkloramës. Duke qenë së është eventi më i madh dhe i rëndësishëm i provincës dhe se duam që ta prezantojmë sa më denjësisht Shqipërinë dhe Kosovën do të kërkojmë ndihmë nga shoqatat simotra.

Uau, fantastik ky projekt. Pres me padurim realizimin. E di që jam bërë shumë kurioze për shoqatën tuaj? Nga një bisedë edhe më nënkryetaren Albiana Bugujevci, kam krijuar mendimin se jeni të hapur dhe bashkëpunues, pa interesa të ngushta personale, duke vënë komunitetin në plan të parë. Ma shpjego pak strukturën apo organizimin?

Dr.K.M. Më vjen mirë që paskeni këtë perceptim. Në fakt, shoqata jonë nisi hapat nga një grup nismëtar vullnetarësh dhe tani drejtohet nga një bord fantastik prej 9 anëtarësh (të cilët doja t’i falenderoja për gjithë punën e palodhur që prej themelimit të ACCOM). Bordi është zgjedhur në asamblenë zgjedhore nga anëtarë aktivë të komunitetit, me përfaqësi nga Shqipëria dhe Kosova. Drejtuesit vazhdimisht këshillohen me një grup anëtarësh që kanë qenë nga më të parët në komunitet. Duke qenë një organizatë e re, shpesh herë konsultohemi me Ambasadën Shqiptare në Otava, ambasadorin Ermal Muça, si edhe me shoqata të tjera shqiptare që veprojnë në Kanada.

Kjo ndoshta shpjegon edhe sukseset dhe intensitetin që keni patur si shoqatë sa i përket aktiviteteve. Mund të m’i përmendësh disa prej tyre të lutem?

Dr.K.M. Me kënaqësi. Ndër aktivitetet që ACCOM ka realizuar nga Prill 2019 deri tani janë:

-Hapja e “Shkollës Shqipe” në Manitoba – të cilën do ta cilësoja si një nga arritjet tona më të mëdha deri tani. Kemi plot 22 fëmijë (numër në rritje) që vijnë çdo të shtunë për të mësuar gjuhën e bukur Shqipe. Është një emocion i papërshkrueshëm kur dëgjon fëmijët sa bukur recitojnë apo i këndojnë nënës Shqipëri.

-Ngritja për herë të parë e Flamurit Shqiptar para bashkisë së Winnipeg. 

-Pikniku i verës, ku synuam që përveçse kënaqësisë të mblidheshim si komunitet, të ruanim traditën tonë duke përgatitur ushqime tradicionale si fli, byreku, petulla, apo edhe t’u mësonim fëmijëve fjalë të urta popullore me anën e lojës së “telefonit të prishur”.

-Apelimi rreth padrejtësive ndaj popullit Shqiptar gjatë luftës së Kosovës, në muzeun e të Drejtave Njerëzore, prezantuar nga Zv. Kryetarja e bordit drejtues, Albiana Bugujevci.

Shumë e bukur ideja e “telefonit të prishur” dhe gjithashtu një ngjarje shumë e rëndësishme pjesëmarrja e shoqatës tuaj në Muzeun e të Drejtave të Njeriut, duke apeluar për padrejtësitë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Së shpejti FlasShqip, do t’i kushtojë një shkrim fjalës së Albianës në këtë event. Le të ecim më tej. Cilat janë sfidat më të mëdha për një komunitet imigrantësh në një vend si Kanadaja?

Dr.K.M. Sipas mendimit tim, Kanadaja është një vend mikpritës dhe ofron mundësi për të lehtësuar zhvendosjen. Megjithatë, emigrimi në vetvete ka sfidat e veta. Sfidat fillojnë që me integrimin në shoqërinë kanadeze, kultura e punës; për shembull shpesh herë nuk jemi të sigurt se si duhet të veprohet apo të sillemi në situata të ndryshme. Sfidë është gjithashtu përshtatja sa më e shpejtë me ambientin e ri (sistemi shëndetësor, ai bankar), apo edhe navigimi (sidomos në qytete të mëdha), teknologjia informative apo bota e internetit sidomos për gjeneratat më të vjetra. Te shqiptarët që kanë pasardhësit apo fëmijët e tyre në Kanada shoh një sfidë tjetër atë të identitetit (gjuha, kultura dhe tradita) apo sfidën e asimilimit (humbjes së gjuhës dhe kulturës). Ndaj edhe shoqata jonë po investon më së shumti në organizimin dhe mbarëvajtjen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Winnipeg. Komuniteti ynë në Manitoba është me fat sepse kemi katër mësuese vullnetare. Ne po punojmë që paralelisht me gjuhën fëmijët të marrin njohuri nga kultura, historia dhe gjeografia e Shqipërisë dhe Kosovës, çka iu tregon për identitetin e tyre.

Këtu doja të qartësoja diçka dhe mbase të përcillja një mesazh për prindërit që hezitojnë t’u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe me frikën se do ngelen prapa në gjuhën angleze apo se mund të ketë probleme në zhvillimin mendor. Nga eksperienca ime si mjeke dhe si akademike në shkencë e fokusuar në fushën pediatrike, por edhe duke e diskutuar këtë çështje gjerësisht me ekspertë të linguistikës si Dr. Adriana Bejko, këto janë thjesht mite dhe JO fakte. Disavantazh tjetër i Kanadasë është largësia: largësia me Shqipërinë, me familjen, miqtë dhe të afërmit.

Po avantazhet cilat janë?

Dr.K.M. Përsa i përket avantazheve, do të thoja se janë të shumta. Unë do e cilësoja Kanadanë si vendin e mundësive, vendin e zbulimit të talenteve dhe potencialeve të çdo individi. Në Kanada, stimulohet rritja në karrierë, merr suportin e nevojshëm për realizimin e ideve apo ëndrrave, normalisht kur punon dhe tregon interes. Cilësia e jetës (përfshi potencialin ekonomik) është më e mirë krahasuar me Shqipërinë. Dhe nëse do të veçoja diçka thelbësore që është avantazh krahasuar me Shqipërinë është, arsimi cilësor që ofrohet në universitete.

Si mund ta karakterizoni komunitetin shqiptar në Manitoba në aspektin e integrimit por edhe të organizimit?

Dr.K.M. Në Manitoba, numri i bashkatdhetarëve, sipas statistikave të vitit 2016, është rreth 400, por duke folur me anëtarë të komunitetit mendohet se jemi më shumë. Që prej Dhjetorit 2018, kam pasur mundësinë të njihem me shumë familje shqiptare dhe do të thoja që shqiptarët e Manitobës janë të mirëintegruar në shoqërinë Kanadeze; për shembull, në komunitetin tonë kemi inxhinierë, financierë, specialist IT, agjentë real estate apo komisionerë. Shumë bashkatdhetarë kanë bizneset e tyre, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Brezi i ri është ai që po integrohet më tepër në instancat shtetërore. Së fundmi një prej talenteve të komunitetit tone Cyma Tolaj u përzgjodh të drejtojë projekte në “Public Health Agency of Canada”. Shpresoj që së shpejti edhe unë t’i ofroj komunitetit tim shërbimin e mjekes J.

Shqiptarët e Manitobës gjithmonë kanë tentuar të mbajnë gjallë frymën patriotike duke organizuar festat e pavarësisë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Gjithashtu ka pasur disa herë tentativa për të formuar një shoqatë. Të gjitha këto përpjekje kanë hedhur gurët mbi të cilën u ngrit ACCOM, aktivitetet e të cilës po i përhapim edhe në nivel lokal dhe provincial, përveçse brenda komunitetit.

Po bashkëpunimi me shoqata të tjera të tjera si paraqitet?

Dr.K.M. Mbresëlënës dhe personalisht por edhe në emër të ACCOM ju jam mirënjohëse! Besoj se nuk do të kishim ecur me hapa kaq të shpejtë nëse nuk do të ishte për mbështetjen nga shoqatat e tjera dhe mbështetjes së Dr. Adriana Bejko, e cila ka ardhur personalisht për celjen e Shkollës Shqipe në Manitoba duke na sjellë shembuj dhe trajnuar mësueset tona me metodat koherente për mësimin e gjuhës Shqipe. Urojmë që të zgjerojmë bashkëpunimin me gjithë shoqatat e tjera dhe besoj se jemi në ujëra të mira. Jemi ftuar dhe kemi marrë pjesë në aktivitetet e shoqatës së Torontos dhe asaj të Montrealit. I mirëpresim edhe në Manitoba.

Cili është komenti juaj mbi krijimin e kongresit shqiptaro-kanadez propozim tashmë i hedhur dhe diskutuar në FlasShqip dhe i përkrahur pothuaj 100% nga shoqatat në mbarë Kanadanë?

Dr.K.M. Përgëzoj dhe plotësisht përkrah këtë iniciativë! Kongresi Shqiptaro-Kanadez do të jetë një urë lidhëse solide dhe do të zgjerojë bashkëpunimin midis gjithë shoqatave shqiptare në Kanada dhe institucionet përkatëse (Shqipërisë dhe Kanadasë). Mendoj se kjo iniciativë do të ndihmojë më tepër në ruajtjen e identitetit tonë kulturor. Gjithashtu mund të influencojë pozitivisht në aspektin ekonomik por edhe atë politik.

Në Shqipëri dhe Kosovë është miratuar kohët e fundit legjislacion i ri për Diasporën. Cili është komenti juaj lidhur me raportet midis diasporës dhe atdheut ?

Dr.K.M. Diaspora ka një rëndësi specifike në ndërtimin e marrdhënieve midis Kanadasë dhe Shqipërisë e Kosovës. Shoh një gatishmëri të shtetit për të bashkëpunuar me diasporën, kjo nga marrdhëniet me Ambasadën Shqiptare, ku gjej rastin të falenderoj ambasadorin Muça për përkrahjen e tij dhe punën e palodhur me komunitetin Shqiptar në mbarë Kanadanë. Jo më shumë se vitin e kaluar vizitat e ministrave Majko dhe Gashi, por edhe së fundmi me krijimin e Këshillit Koordinativ të Diasporës, ku do të thoja se jemi me fat që ne shqiptarët e Kanadasë, prezantohemi nga dy personalite që vërtet po punojnë për të prezantuar sa më denjësisht zërin e diasporës, si Dr. Bejko dhe Z. Radovicka.

E di, Kozeta, ne erdhëm në fund të intervistës dhe unë ende kam pyetje për të bërë. Por unë kam merakun e lexuesit online, i cili për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të celularit apo kompjuterit, lodhet nëse lexon gjatë.  Prandaj si për në fund, më thuaj ca udhëtimesh ke planifikuar së afërmi se e di pasionin tënd të fluturimit.

Dr.K.M. Hahaha, janë disa udhëtime brenda Kanadasë për 2020. Filloj me Shkurtin në Banff të Albertës ku jam e ftuar si folëse e sesionit në konferencën e “Canadian National Perinatal Research Meeeting”. Më pas në Prill në Niagara Falls, ku nderohem me çmimin “Michelle Harkness Mentorship Award”, përsëri në Toronto në Qershor dhe shpresoj është edhe një takim në Suedi.

Përgëzime e dashur. Mos harro të bësh disa foto duke marrë çmimin. Më duhen për FlasShqip. E di që nuk të pëlqen të flasësh për veten, se ke frikë mos dukesh sikur mburresh, por ca gjëra duhen nxjerrë në pah. Është kënaqësi kur bashkëatdhetarët tanë arrijnë suksese nëpër botë falë punës dhe talentit të tyre. Ti je një nga ato. Një shkencëtare modeste, e dashur dhe punëtore për të cilën është pak një artikull. Faleminderit që u bëre pjesë e FlasShqip.

 

Dhjetor 2019

©FlasShqip.ca