Komunitet

SPECIALE COVID-19: Si po përjetohet nga shqiptarët në Halifax, Nova Scotia - Flasin Mira Shehu, Bedrije Rexhepi dhe Esad Rexhepi

  • Published in Komunitet

 

Mira Shehu

Lajmin e një virusi të ri të rëndë e mora në vendin e punës, në shkollë. Filluan menjëherë përgatitjet për informimin mbi situatën. Hapi i pare i kërkuar me rigorozitet edukimi: çfarë është ky virus, mënyra e përhapjes, masat për ta penguar marrjen tij. Edukim së pari stafi, pasuar me mësime për kërcënim të shendetit, vendosja e pankartava vizuale para çdo dere e brenda në klasa e zyra, për mbrojtjen nga infektimi. Masat organizative për ngritjen e klinikave të diagnostikimit dhe numri publik për t'u konsultuar nëpërmjet telefonit me personel mjekësor.

Një javë para se të shfaqej rasti i parë në Nova Scotia, shkollat u mbyllën dhe vijuan masa të tjera deri tek izolimi e ndejtja në shtëpi. Supermarketet kanë krijuar koridore hyrje ku mund të kalojë një njeri në një kohë e menjëherë të jepen dizinfektantë të dizinfektosh dorezën e karrocës. Në supermarket brenda ka tabela që rikujtojnë mbajtjen e distancës, punonjësit janë të furnizuar me doreza. Personalisht, por edhe nga bisedat virtuale tashmë me bashkëatdhetarë, mrekullohemi me masat e marra, dhe sigurisht është qeveria dhe kryeministri që flet përditë e thekson se shteti është në këtë moment me popullin e duke marrë masa që të minimizojë impaktin në ekonomi e sidomos mbi bizneset e vogla.

Vemendja e qeverisë ndihet nga çdo individ. Mendja na shkon te atdheu, familjet e të afermit, shoket e miqtë në Shqipëri por edhe në vende të tjera. Shumica e shqiptarëve këtu ndjekin rregullat e udhezimet e qeverisë. Komunikojmë nëpërmjet mediave sociale por edhe takojmë ndonjë që banon afër e del për shëtitje në parqet në afersi të vendbanimit. Këtu madje, rekomandohet dalja në ajër të pastër por duke ruajtur distancat. Para dy ditësh, isha duke ecur në park dhe ndalova mbi njerën nga ato urat e vogla prej druri mbi burime të vogla me ujë. Ndërsa po prisja një zog të ulej aty dhe unë ta filmoja, dy persona kishin ndaluar në anën tjetër të urës e po më prisnin të mbaroja punë e ta kaloja urën e ngushtë e para. Pra ruanin distancën. Qesha me vete. Nuk e prisja. Ja pra, aty mes pemëve, pa kontrolluar askush, njerëzit zbatojnë udhëzimet e respektojnë mjedisin e përbashkët. Unë mendoj se edukimi e ligji i barabartë për këdo që jeton në këtë vend, janë baza e progresit që shoqëria kanadeze ka arritur.

Mund të them se si pasojë e kësaj pandemie, jeta jonë është ndikuar e ndryshuar. Unë përgatitem për sfidën e mësimdhënies online. Dikush shfleton albumet e “lashta” bardh e zi e i ndan në Facebook. Unë po e gëzoj kohën e lirë dhe jam më tepër e zonja e vehtes, pa orarin e punës... Komunikimi vazhdon krejt nëpërmjet teknologjise. Shkëmbime infomacioni si të mbrohemi. Ndarje postimesh me humor. Revolta nervozizmi (nga bashkëatdhetarë në Shqipëri). Frikë. Politika e ditëve të fundit në Kosovë. Ditëlindje të festuara në shtëpi. Marrim informacion nga ata që punojnë në spital këtu. Është hera e parë më duket që bota është e gjitha në hall dhe shpresoj që njerëzit të nxjerrin mësime, pasi bota tani është një. Ndikohemi të gjithë nga keqtrajtimi e abuzimi i planetit tonë të vetëm. Shpresoj që njerëzit ta ngadalësojnë pak ritmin, të ulin grykësine për pasuri e pushtet, të gjejnë gëzimin në gjërat e thjeshta të përditshme, të duan më shumë e të urrejnë me pak. Ndonjë organizim të veçantë nga komuniteti nuk ka ende. Shkolla shqip është mbyllur sigurisht. Di që kryesia e shoqatës tonë do t'i drejtohet komunitetit me një mesazh inkurajues. Po komunikohet virtualisht gjerësisht, por ka tek tuk që edhe bëjnë vizita tek njeri-tjetri, me tepër ata që kanë familje këtu e banojnë pranë e pranë.

  

Bedrije Rexhepi

Gjëndja në Halifax është thuajse ashtu si në të gjitha provincat e tjera. Deri tani ka 21 raste të përfshira nga epidemia por për fat asnjë nga komuniteti ynë. Jemi të gjithë të vetëdijësuar që duhet qëndruar në shtëpi por vazhdojmë të komunikojmë me njëri-tjetrin në mënyrë që të jemi të informuar për gjithçka. Përjashtim nga qëndrimi brenda bëjnë ata që duhet të shërbejnë në spitale apo në bizneset ushqimorë që gjithsesi operojnë me orar të reduktuar. Uroj të kalojë sa më shpejt kjo situatë që ti kthehemi përseri jetës normale.

  

Esad Rexhepi

Fatkeqësisht ka raste të COVID-19 edhe në provincën tonë, por gjithsesi me progresivitet të ulët, mabse edhe për faktin se numri i banorëve në Nova Scotia nuk është shumë i madh. Ne si komunitet i kemi ndërprerë aktivitetet. Shkolla shqipe është mbyllur. Ka një numër të konsiderueshëm prej nesh që punojnë prej shtëpisë. Këtu ende është e hapur pothuajse gjithçka, por me orë të shkurtuara. Ka shqiptarë në biznese të ndryshme dhe prej tyre, nuk po punojnë vetëm ata të sektorit të ndërtimit.

Hera e fundit që jemi takuar si komunitet ishte javën e kaluar, ku një i moshuar ndërroi jetë (jo për shkak të pandemisë). Edhe pse situata ishte delikate, ia arritëm që ta dërgojmë trupin e të ndjerit në Kosovë, por familjarët që janë këtu nuk patën mundësi udhetimi. Nuk kemi vendosur ende për ndonjë organizim specifik si komunitet. Për momentin qëndrojmë nëpër shtëpi edhe pse nuk kemi patur ndonje thirrje prej autoriteteve lokale për shpallje të ndonje situate emergjence. Ende jo…

©Flasshqip.ca