Komunitet

Toronto: Enxhi Kondi, infermierja që përballet çdo ditë me COVID-19

Intervistoi: Jeta Dedja

Enxhi Kondi është infermiere në seksionin e urgjencës në Mackenzie Health Hospital, Toronto. Ky është vendi i parë, barrikada e parë, me të cilën pacientët përballen kur shkojnë në spital. Ata vizitohen për ankesat dhe problemet që kanë, u bëhen analizat të gjakut, kardiograma zemre, u matet tensioni, temperatura dhe pulsi, dhe sidomos u jepen mjekimet, ilaçet dhe trajtimet përkatëse. Pra në këtë spital, ndryshe nga rutina e spitaleve të tjerë në Toronto, bëhet një vlerësim total i gjendjes së pacientit para se të shkojë në dorën e mjekut të urgjencës. Në spitalin ku punon Enxhi kontrollohen rreth 300 pacientë në ditë brenda urgjencës.

Enxhi je infermiere në vijën e parë, dhe e sheh çdo ditë Covid-19 me sytë e tu.  Më thuaj, si paraqitet situata në një nga spitalet më të mëdhenj në Toronto? A ka shtim a rënie të rasteve?

Në Toronto situata vazhdon të keqësohet me numra që vazhdojnë të rriten. Spitali jonë është në zonën York Region që duket se është epiqendra e Covid-19 për GTA. Njëlloj si në gjithë Ontarion, të tëra parqet, restorantet, shkollat, dhe shumica e bizneseve në Toronto janë mbyllur. Kryetari i shëndetësisë vazhdon të na lajmërojë që duhet të vazhdojmë me masat e distancimit shoqëror dhe larjen intensive dhe frekuente të duarve. Duken si masa të thjeshta, po sidomos tani që po hapet koha dhe po bëhet më e vështirë për t’u vazhduar, marin më tepër kuptim e rendësi, prandaj del primare më tepër se kurrë përmbajtja dhe respektimi i këtyre masave. 

Sa të sigurt ndiheni ju si punonjës të sektorit të shëndetit në punën e përditshme? 

Me thënë të drejtën, si punonjës të sektorit të shëndetit nuk kemi aq siguri sa na duhet. Nganjëherë na duket vetja si ushtarë pa armë në frontin e parë te luftës. Po hyjmë në një mungesë të rrezikshme të pajisjeve mbrojtëse, sidomos të maskave. Te spitali ku punoj unë, regullat po ndërrohen ditë për ditë, po për momentin, na japin vetëm 2 maska të thjeshta në fillim të turnit që duhet t’i ruajmë për t’i përdorur deri në fund të turnit.

Çfarë ndodh më pas me këto maska kur mbaroni turnin?  

Për maskat N95 që përdoren për raste specializuara, po na thonë që duhet t’i dorëzojmë pas përdorimit që t’i sterilizojnë dhe t’i shpërndajnë përsëri për ripërdorim. Deri tani këto maska nuk ishin prodhuar për ripërdorim. Në fakt, përdorimi i zakonshëm i këtyre maskave është për nja dy orë, jo për turnet tona dymbëdhjetë orëshe. Me gjithë ata që kontaktojmë gjatë ditës së punës, nganjëherë na vjen frikë që mund të sjellim virusin në shtëpitë tona dhe është një punë që është bërë vërtet shumë e rrezikshme dhe tensionuese. Llogjika është që në këto kohë të vështira, në këto kohë prove, në këto kohë epidemie, përdorimi i maskave është një minimum, një masë që s’të shkon dëm.  

Sa e ndjeni mbështetjen e qeverisë së Ontarios apo komunitetit në këtë drejtim ?

Në Ontario, sidomos në Toronto, jemi të lumtur si punonjës të sektorit të shëndetit që qeveria po na suporton dhe komuniteti iu përgjigj thirrjes tonë për ndihmë. Janë disa kompani që na kanë dhuruar maska dhe pajisje të nevojshme, por kemi akoma një rrugë të gjatë për të bërë para se të mbarojë kjo epidemi. Nuk mund të rri pa përmendur këtu luftën që po bën qeveria sidomos e Ontarios për të plotësuar mangësinë e deritanishme me këto mjete mbrojtëse. Më e rëndësishmja? Jemi në luftë, duhet të jetojmë dhe punojmë në një situatë të tillë. Sot është dita që ky vend kërkon këtë profesion human.

Si paraqitet situata me pajisjet respiratore dhe mjete të tjera të nevojshme?

Tani për tani, nuk kemi arritur te përdorimi maksimal i respiratorëve. Megjithatë, tek spitali jonë kemi 31 respiratorë në këtë moment në zonën intensive dhe rreth gjysma e këtyre janë në përdorim. Dëgjojmë se do na vijnë më shumë respiratorë, por nuk mundemi të mbështetemi në këtë deri sa duhen jo vetëm të kemi më mjete, por dhe infermiere që të dinë si t’i përdorin këto mjete. Duket se më imediate është kërkesa për punonjës shëndetësorë, infermierë, doktorë për këto seksione spitalore që po hapen për pacientët me koronavirus. Shpresoj që në Toronto dhe në gjithë Kanadanë nuk do na vijë momenti që t’i kemi maksimalizuar respiratorët. Për këtë arsye duhet që të tërë të vazhdojnë me masat parandaluese që mos të kemi një kulm të papritur në rastet e koronavirusit. E theksoj: Më mirë parandalim sesa kurim.

A ka patur raste me shqiptarë të infektuar me virusin Covid-19? 

Me sa jam në dijeni, nuk kam dëgjuar për pacientë shqiptarë të infektuar me koronavirus ne spitalin apo seksionin ku unë punoj, por nuk do të thotë që nuk ka ose që nuk ka mundësi të ketë. Ky virus nuk diskriminon. Çdo person, në çdo qytet, në çdo vend, dhe në çdo moshe mund të infektohet.

Në dijeninë tuaj, çfarë është bërë për ndërgjegjësimin e shqiptarëve të Torontos lidhur me zbatimin e masave mbrojtëse ndaj virusit, në nivel komunitar e kam fjalën? 

Si shqiptarë, ne e kemi pjesë të kulturës të mblidhemi, të shkojmë te shtëpitë e njërit tjetrit, të pijmë kafe bashkë, një dorë muhabet, kështu që nuk është e lehtë me këto masa të distancimit shoqëror. Megjithatë, unë e shikoj që shqiptarët e kuptojnë këtë krizë botërore dhe jam krenare që shqiptarët janë duke bërë gjënë e duhur. Theksoj: Sidomos në Kanada ku niveli edukativ, kulturor dhe arsimor i emigracionit shqiptar është tepër i admirueshëm. Në Facebook, unë postoj thuajse çdo ditë lajme të rëndësishme, këshilla ose informacion për t’u siguruar që shoqëria dhe komuniteti im është i mirëinformuar.

Si profesioniste që je në vijën e parë të luftës me epideminë, çfarë do doje të theksoje ose rekomandoje lidhur me masat ndaj COVID-19 ?

Si profesioniste... Unë e kuptoj dhe e vlerësoj pjesën time në ketë luftë, po kam vënë re që njerëzit mbyllur në shtëpi e kanë më të vështirë për ta kuptuar pjesën e tyre. Duke ditur që trajtimi i plotë, maksimal nuk ekziston akoma, duke ditur që përdorimi masiv i respiratorëve nuk është i thjeshtë dhe për më tepër nuk garanton shërimin apo rikuperimin e plotë, e vetmja zgjidhje për këtë pandemi është që të përpiqesh në maksimum të mos ta kapësh infeksionin fare. Tingëllon si një këshillë e dukshme, po është më lehtë të thuhet sesa të bëhet.

Më e rëndësishme për të luftuar ketë virus është të kuptosh që jo çdo person i infektuar do ketë simptoma. Prandaj ky virus shkaktoi tërë ketë pandemi - ishte në gjëndje të përhapej në mënyrë efektive sepse disa njerëz as nuk e kuptuan që ishin të infektuar. Edhe pse shumica e atyre që janë infektuar dhe kanë simptoma të komplikuara janë në mosha të vjetra, çdo moshë mund të infektohet. Drejtuesit e sektorëve të mjekësisë së Kanadasë rekomandojnë që çdo njeri duhet të sillet sikur e ka kapur virusin dhe mundet ta përhapë në qoftë se nuk merr masa të distancimin shoqëror.

Çfarë këshillash u ke dhënë miqve të tu, të cilat do të vlenin për të gjithë  bashkëatdhetarët në Ontario, pse jo dhe më gjerë?

Miqtë më telefonojnë shpesh në lidhje me këshillat ose shqetësimet e kësaj kohe dhe më thonë që po mërziten dhe ju duket bota e frikshme me tërë këto lajme të trishtuara. Siç na thotë neve manaxheri në punë, si infermieret, do ju them edhe juve, mos shikoni lajme tërë ditën. Po e jetoni, s’ka nevojë dhe ta lexoni. Qëndroni të informuar, pa tjetër, por lërini vetes dhe vënd për t’u shlodhur. Për të luftuar këtë krizë, duhet ta ruajmë mendjen e shëndoshë dhe trupin të fortë. Marrja e masave të distancimit shoqëror nuk do të thotë mos të dalësh fare nga shtëpia. Vazhdoni ta jetoni jetën tuaj normalisht siç mundeni, dilni për shëtitje, mbani kontakte me shoqërinë në telefon dhe online, vetëm kini vëmendjen të rrini 2 metër larg nga njëri-tjetri dhe t’i lani duart shpesh. 

Në fund të fundit, edhe kjo krizë është diçka që do ta kalojmë. Në Kinë, ku gjithë kjo filloi disa muaj më parë, kanë filluar të hapen bizneset dhe avash avash po vjen kthimi në jetën normale. Në Itali, e cila u godit më shumë, rënia e rasteve ka filluar dhe shpresojmë të vazhdojë të zbresë. Në Kanada, thonë që jemi në fillim të pikut. Duhet thënë se ndërhyrja qeveritare ishte jo e vonuar, bile në kohën e duhur. Kjo e pason detyrën tek masa e njerëzve, tek populli vetë për ndjekjen dhe zbatimin rigoroz të masave të parandalimit të infeksionit dhe mos të dorëzohemi deri sa t’i vijë fundi i pashmangshëm kësaj pandemie.

Faleminderit Enxhi për punën tënde të palodhur, kohën që gjete për këtë intervistë dhe informacionet e këshillat e vyera që ndave me lexuesit e FlasShqip.

 

*Shënim: Mendimet e shprehura në intervistë nga Enxhi Kondi janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e spitalit ku ajo punon.

 

10 Prill 2020, ©FlasShqip.ca