Komunitet

Një histori shqiptare suksesi dhe profesioni i stomatologut në epokën e Coronavirus - Bisedë me Dr. Aulona Leskaj, Montréal

Si shumë familje shqiptare pas hapjes së Shqipërisë në vitin 1991, edhe bashkëshortët Mariola dhe Laze Leskaj tentuan për një jetë më të mirë për vete dhe dy fëmijët e tyre duke zgjedhur si destinacion Kanadanë, ku imigruan dhe u vendosën përfundimisht në Montréal, Québec. Sot, vajza e kësaj familjeje, mjekja stomatologe Aulona Leskaj, e cila e ushtron profesionin e saj në Kabinetin Dentar Nolet-Leskaj vjen në një bisedë në Flasshqip. Ajo rrëfen për shkollimin, familjen, pasionin për profesionin, dashurinë për vendlindjen, por tregon edhe për kushtet e jashtëzakonshme më të cilat po perballen profesionistët e stomatologjisë në situatën e pandemisë COVID-19, që më shumë se çdo provincë tjetër ka prekur Québec-un…

Flasshqip: Dr. Aulona, na thoni disa fjalë për familjen dhe si e kujtoni kohën kur emigruat në Kanada me prindërit?

Aulona Leskaj: Kemi mbërritur në Montréal, Kanada, në vitin 1992.  Prindërit e mi aplikuan për rezidencën permanente që nga Franca. Në fakt, mamaja ime, Mariola Leskaj, kishte fituar nje bursë te UNESCO-s për një stazh informatike në Bibliotekën Ndërkombëtare të Parisit në France.  Sëbashku me babain tim, Laze Leskaj, vendosën të bëjnë ç’është e mundur për të përmirësuar të ardhmen e fëmijëve tyre në momentin e rënies së regjimit të vjetër.  Ndenjëm në Paris gjithë familja deri sa u pranua kërkesa për imigrim në provincën e Kebekut.  Aty mësova frengjishten bashkë me vëllain tim, Taulant Leskaj.

Flasshqip: A mund të përshkruani shkurtimisht rrugën e shkollimit që keni ndjekur dhe si vendosët të zgjidhni profesionin e dentistes?

Aulona Leskaj: Shkurtimisht, mbarova shkollën fillore në Montréal dhe u ambientova me te tretin vënd brenda 2 vjetësh.  Në shkollën e mesme St-Luc, u pranova në një program më të fortë akademik me përqëndrim muzikor.  Falë këtij programi mjaft kërkues, mësova violinën dhe më emëruan violinë e parë (Concert master) në orkestrën simfonike të shkollës.  Me një bursë akademike, studjova në Institutin Ndërkombëtar te Marcelinave (International Institute of Marcelline) në shkencat e natyrës me çmimin e «Lieutenant Governor of Quebec».  Doktoratën në stomatologji e mbarova në Universitetin e Montréalit me çmimin e Akademisë dentare të Kebekut. Interesi për stomatologjinë më lindi në vitin e fundit të shkollës së mesme kur gjatë nje ekspozite shkencore (science expo), studjova diferencat midis pastave të dhëmbëve.  Mësuesja e kimisë me sugjeroi të filloj pjesën e parë të kërkimit me studimin e anatomisë së dhëmbëve.

Flasshqip: Cila është pjesa më e bukur e profesionit dhe cila më e vështira sipas jush?

Aulona Leskaj: Profesioni im me pasionon në shumë aspekte.  Aparati gojor është fillimi i sistemit tretës në organizmin tonë.  Njohuritë mjekësore të cilat janë të domosdoshme për të trajtuar një pacient stimulojnë fort kuriozitetin tim. Aspekti teknik i ndërthurur me aspektin artistik që përdor çdo ditë, më tërheqin shumë. Po ashtu, më pëlqen mjaft ana shoqërore dhe familjare e stomatologjisë. Kemi fatin të ndihmojmë familjet e qytetit tonë. Ndër pjesët e vështira të profesionit tim, më duket se është presioni i shkaktuar nga përgjegjësia e lartë për të arritur përsosmërinë për çdo pacient.  Nuk është e rastit që thuhet se dentistët kanë një nga profesionet më stresuese.  Por me kalimin e kohës, fitohet eksperiencë dhe stresi pakësohet.

Flasshqip: Pandemia COVID-19 është tema e ditës kudo ndërsa Québec është provinca më e prekur në Kanada. Deri në çfarë mase është afektuar për ju personalisht ushtrimi i profesionit në këto momente? Si po e përjetoni këtë periudhë dhe si do ta përshkruanit atë që bëni tani gjatë një dite?

Aulona Leskaj: Deri tani, besohet se një nga menyrat e transmetimit të COVID-19 është nëpërmjet piklave të ngarkuara me Sars-CoV-2.  Këto pikla dalin prej gojës dhe sipas madhësisë mund të qëndrojnë në ajër në sasi kohe të ndryshme. Dentistët punojnë disa centimetra larg gojës së pacientit. Megjithë pajisjet mbrojtëse që përdorim rregullisht, rreziku mbetet i lartë për punonjësit e një klinike dentare. Urdhëri i dentistëve të Kebekut dërgoi shumë herët, në fillim të pandemisë, udhëzime anëtarëve të tij.  Sigurisht që prej 13 marsit 2020, nuk kam pasur mundësi të ushtroj profesionin tim në mënyrën e zakonshme.  Fëmijët nuk janë kthyer në shkollë po ashtu. Si pasojë, rutina ime e një dite në kohën e pandemisë përbëhet nga konsulta telefonike me pacientë, me shkollimin e fëmijëve në shtëpi, një shëtitje me biçikletë rreth lagjes sonë, webinarë të ndryshëm në lidhje me profesionin tim (në mënyrë për tu përgatitur sa më mire për kthimin në klinikë) dhe sigurisht, si të gjithë, më shumë gatim në guzhinë se asnjëherë, derisa drekat dhe darkat ne restorante i përkasin kohës së kaluar.

Flasshqip: Çfarë ndodh nëse dikush nga pacientët tuaj të rregullt ka një nevojë urgjente për trajtim nga dentisti?

Aulona Leskaj: Tani duhet të trajtojmë vetëm urgjencat, fillimisht në telefon ose nëpërmjet videokonferencave.  Domethënë takimet për pastrimet, mbushjet, dhe trajtimet e tjera të zakonshme janë anulluar deri në 4 maj.  Nëqoftëse pacienti nuk mund të trajtohet me antibiotikë ose me qetësues dhimbjeje atëhere analizoj rrezikun nëse pacienti mund të jetë bartës i Covid-19.  Në rast dyshimi, unë e drejtoj në klinikat dentare të caktuara për Covid-19.  Për ndryshe, e trajtoj duke iu shmangur prodhimit të aerosolëve (piklat e ujit).    

Flasshqip: A parashikohen masa më të zbutura në ditët në vazhdim?

Aulona Leskaj: Sa më shumë zhvillohet kjo situatë, aq më shumë diskutojmë për një rikthim gradual dhe të sigurtë në klinikë.  Si në pjesët e tjera të shoqërisë, nuk mund të rrimë të mbyllur përgjithmonë.

Flasshqip: Le të kalojmë në një terren tjetër. Pas kaq vitesh në Kanada sa shqiptare ndiheni? Përveç familjes si i mbani kontaktet me Shqipërine dhe me kulturën e traditën shqiptare?

Aulona Leskaj: Isha nëntë vjeç kur ika nga Shqipëria. Gjithmonë do të ndjehem me shumë shqiptare se çdo gjë tjetër.  Po ashtu, jam shumë e lidhur me Kebekun dhe gjuhën frënge që për shkak të rrugëtimit dhe arsimimit tim e njoh më mirë se gjuhën shqipe.  Jam mjaft krenare që fëmijët e mi kuptojnë dhe flasin shumë mirë shqip falë familjes time dhe komunitetit shqiptar në Montreal.  Megjithëse kanë lindur në Montréal dhe kanë një baba nga Québec, kur i pyet, përgjigjen se janë shqiptarë.  Jam po ashtu anëtare e këshillit të Shoqatës Kulturore Shqiptare të Montrealit.

Flasshqip: Kur keni qënë për herë të fundit në Shqipëri dhe me çfarë mbresash jeni kthyer?

Aulona Leskaj: Fatkeqësisht, nuk kam pasur shumë mundësi për të udhëtuar në Shqipëri. Që prej vitit 1992 jam kthyer tre herë, në vitin 2000, 2007 dhe 2016.  Herën e fundit, fëmijët e mi prekën për herë të parë tokën shqiptare.  Sa herë që jam kthyer në vëndlindje, çmallem me familjen time dhe përfitoj plazhin e pakrahasueshëm të Shqipërisë.  Kam përshtypjen që vëndi përmirësohet, por pabarazitë dhe korrupsioni mbeten akoma një problem.

©Flasshqip.ca