Komunitet

Etleva Sakajeva, një histori rikthimi në Kanada  

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Jeta Dedja

Etleva Sakajeva është më e madhja ndër tri vajzat e familjes Sakajeva. E lindur e rritur në Tiranë, Etleva ka kryer studimet në Fakultetin Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe programim kompjuterik në Kolegjin St.Clair në Windsor, Ontario. Etleva ka punuar pedagoge e morfologjisë dhe drejtshkrimit në Universitetin e Tiranës, Departamenti i Gjuhës Shqipe. Ka qenë përkthyese e Shtëpisë Botuese 55, ku 12 vepra të rëndësishme mbajnë emrin e saj si shqipëruese e tyre nga anglishtja në shqip. Në vitet 2008-2016 ka punuar për Tirana Business Park dhe ka qenë Drejtoreshë e Përgjithshme e këtij projekti gjerman nga viti 2014 deri në vitin 2016. Prej tri vitesh është rikthyer në Kanada bashkë me vajzën e saj Ilioena. 

Etleva, më the që je rikthyer në Kanada. Si është historia e emigrimit tënd?

Ardhja ime në Kanada daton që në dhjetor të vitit 1999. Aso kohe, Shqipëria kalonte vite të vështira dhe për arsye ekonomike emigrova në Kanada. U vendosa në qytetin e Windsor, ku kam jetuar për rreth 8 vjet. Në Windsor kam punuar për Muzeun dhe Bibliotekën e qytetit, për ndërtimin e një website të komunitetit italian, si dhe kam kontribuar në botimin e librit për komunitetin italian në Windsor. Ndër të tjera, kam punuar edhe asistente mësuese për shkollën Montessori, si edhe për një kompani logjistike. Pas tetë vitesh u riktheva në Tiranë. Dhe, 10 vite më pas rinisa jetën time bashkë me vajzën në Ottawa, ku jemi vendosur përgjithnjë.

Si do ta përshkruaje procesin e përshtatjes?

Procesi im i përshtatjes në Kanada ka dy faza. Faza e parë-prej tetë vjetësh-ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, plot dhimbje, sakrifica, mundime, lot e mospërshtatje. Por, pas gjithë atij mundi, vjen shpërblimi. Asgjë e bërë drejtë e mbarë nuk shkon dëm. Im atë më përmend gjithnjë një fjalë të gjyshes: yzmeti dhe kismeti rrinë bashkë. Dhe kështu ka ndodhur. Ato tetë vite sakrifice u shpërblyen në vitin 2017, kur vendosëm bashkë me vajzën të rikthehemi në Kanada. Këtu nis faza e dytë. Rikthimi erdhi me frikën se gjithçka ndryshon e nuk është më si dikur e, bashkë me të, edhe shpresa se këtë herë ajo që ka ndryshuar je në të vërtetë ti si individ, dhe do t'ia dalësh mbanë më mirë sesa e ke menduar. Që prej tri vitesh jetojmë në Ottawa, dhe duket sikur kemi jetuar këtu gjithnjë. Përshtatja do forcë mendore e shpirtërore, durim, maturi, punë të fortë e rrethana të duhura, në kohën e duhur.

Çfarë është emigracioni për ty?

Emigracioni, e thënë shqip, mërgimi, është dukuri e lashtë sa njerëzimi. Dikur-ende në adoleshencë-nxënëse e shkollës së mesme Petro Nini Luarasi, kam pasur dëshirë të udhëtoja në tri vende: Kosovë, Stamboll dhe Amerikë. Të kishe dëshira udhëtimi në një kohë kur kufijtë fizikë e ideologjikë kanë qenë të mbyllur ishte veçse ëndërr e pamundur, por njeriu jeton, shpreson e punon fort që një ditë t'i realizojë ato. Të tria këto vende janë të lidhura ngushtësisht me origjinën: të shkuarën, të tashmen e të ardhmen time. Kosova është një prej degëve të ADN-së sime, prej gjyshërve që mërguan nga rrethinat e Pejës drejt Shqipërisë. Stambolli është dega tjetër e origjinës sime nga babai. Stërgjyshi im ka rënë dëshmor në Luftën e Çanakalasë dhe pas vdekjes së tij, gjyshi im bashkë me nënën dhe motrën mërguan nga Stambolli në Shqipëri. Amerika, më saktë kontinenti i Amerikës së Veriut, është e tashmja dhe e ardhmja ime. Në Kanada erdha për një jetë më të mirë, për të përmbushur premtimin që i kam bërë vajzës sime, Ila, që më 15 dhjetor të vitit 1999, se do t'i jepja asaj një të ardhme që të mos vuante kurrë. E megjithatë, unë mund të them padyshim diçka që më vjen nga përjetimi vetjak: sado vite të jetoj në Kanada, sado mirë të përshtatem, përsëri gjysma ime mbetet përtej oqeanit, në Tiranë, që do të thotë se, po u bëre mërgimtar, gjithë jetën mbetesh i tillë.

Si do t’ia përkufizoje Ottawa-n dikujt që nuk e njeh?

Ottawa është e madhe sa Tirana, me një popullsi rreth 1 milionë banorë, por nuk është e zhurmshme dhe e rrëmujshme si Tirana. Ottawa është qytet i qetë, i pastër, miqësor, i ftohtë në dimër (temperaturat shkojnë deri në -40 gradë C dhe bie shumë borë), por i gjelbër e plot lule në pranverë e verë. Stina ime e preferuar është vjeshta me nuancat e shumëllojshme të së kuqes. Ottawa ka nisur të tërheqë vëmendjen e të rinjve, sidomos në fushën e teknologjisë. Ottawa është qytet universitar, me tri kampuse të mëdha, Universiteti i Ottawa-s, Universiteti i Carleton-it dhe Kolegji Algonquin, kryeqytet ku njëri vesh të dëgjon anglisht e tjetri frëngjisht, shtëpia e Shopify si dhe një prej qendrave të Amazon, vendndodhja e qeverisë federale dhe nga ana tjetër, synimi i shumë të tjerëve që duan të krijojnë e rrisin familje në një qytet të qetë e të sigurt.

Çfarë të mungon nga Tirana më tepër?

Kafeja e mëngjesit, pamja e Dajtit, shëtitjet dhe bisedat me tim atë mëngjeseve nga pylli i Liqenit artificial, daljet me mamin dhe vajzën nga rruga Myslym Shyri dhe Tiranën e Re, motrat dhe nipat dhe ata pak miq që i ruaj e kam mall për ta.

Si do ta komentoje jetën shoqërore këtu, në krahasim me atë në Shqipëri?

Aq sa të ndryshme, po aq duken të njëjta, sepse karakteret njerëzorë ngjasojnë pavarësisht se çfarë gjuhe flasin. Rrethanat ekonomike, zhvillimi e përparimi teknologjik dhe mënyra sesi janë të ndërtuara institucionet janë ato që bëjnë ndryshimin.

Për çfarë ia ka vlejtur emigrimi në Kanada?

Ardhja në Kanada e merr vlerën më të madhe kur sheh shkollimin e duhur të fëmijëve. Kanadaja renditet në vendin e parë për cilësinë e jetës, numrin e lartë të të rinjve që studiojnë në universitet, si dhe ndër tri vendet e para në botë që mbështesin të drejtat e grave.

Kështu që vajza jote është fiks në vendin e duhur sa i përket studimeve që po ndjek, në mos gaboj. Më fol pak për vajzën?

Ilioena, ose siç e thërrasim shkurt Ila, është studente në vitin e fundit në Universitetin e Ottawa-s, në dy degë: Kriminologji dhe Shkencat e Grave. Dega që ka zgjedhur është e vështirë dhe tepër sfiduese, por Ila duket se është e prerë për këtë profil, i shkon për shtat dhe ia ka dalë me shumë sukses deri më sot. Ilën do ta përmblidhja vetem me pesë fjalë: e mençur, luftarake, me shpirt të madh, e sakrificës dhe me këmbë në tokë. Ila është kurora e suksesit tim si njeri, grua dhe nënë. 

Ke patur jo pak sukses edhe si profesioniste në Tiranë. Duke më bërë edhe një përmbledhje të arritjeve të mëparshme, më thuaj si po të shkon këtu karriera ? 

Jeta ime profesionale ndahet në dy periudha. Sa i përket pjesës së parë, viteve të jetuara në Shqipëri, unë e kam arritur përmbushjen time profesionale, qoftë si drejtuese e një prej investimeve më të mëdha të huaja në Shqipëri, Tirana Business Park; qoftë si përkthyese duke bërë vepra të rëndësishme të flasin shqip si: Jeruzalemi, Komploti kundër Kishës, Vetëvrasja Serbe, Mos ki frikë ke djemtë në Amerikë, Zemra e patriotit, Monstrat etj.

 

Ottawa është nisja e periudhës së dytë, ku prej dy vjetësh punoj në menaxhimin administrativ të zyrës qendrore të kompanisë, The Lake Partnership Inc., e cila merret me ndërtimin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme si dhe menaxhimin e projekteve të ndërtimit.

Pse të kanë zgjedhur ty për këtë pozicion?

Të zgjedhësh punonjësin e duhur është shumë e vështirë. Te kesh punonjës të mirë është dhuratë për kompaninë, cilado qoftë ajo. Unë besoj se, përtej përvojës, dijeve dhe aftësive, në përzgjedhjen e bërë nga partnerët e kompanisë ka ndikuar pasqyrimi i karakterit të duhur njerëzor. 

Ku e sheh veten pas ca vitesh?

Tek unë kanë ndryshuar përparësitë e jetës. Në Shqipëri më mbushet shpirti kur dikush thotë: "Kjo është Etleva, bija e gazetarit të njohur Qemal Sakajeva". Pas disa vitesh, në Kanada do ta kem zemrën plot kur të më thonë: "Kjo është Etleva, mamaja e Ilioenës". Suksesi im matet tashmë vetëm me suksesin e sime bije. Kur ajo është e plotësuar dhe e realizuar profesionalisht, unë e kam arritur suksesin tim dyfish, për vete dhe për të. 

12 Qershor, 2020

©FlasShqip.ca