Komunitet

Diasporën nuk mund ta përfaqësojë konformizmi i KKD - Nga Toronto, flet Nador Bakalli i Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e lirë”

  • Published in Komunitet

Intervistoi Taulant Dedja

Flasshqip: Cila është shkurtimisht historia e jetës dhe e emigrimit në Kanada të Nador Bakallit?

Nador Bakalli: Kam lindur në Tiranë në vitin 1983 në një familje autoktone qytetare tiranase. Kam kryer shkollën 8-vjeçare tek “Dora d’Istria” dhe më pas kam ndjekur studimet prane institutit “Harry T. Fultz” në degën “Biznes”. Rrugëtimi im në Kanada ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdon sot e kësaj dite. Emigrimi ka qënë kryesisht per arsye studimi ku per fat të mirë mu dha mundësia të ndiqja studimet e larta në York University në Toronto në degën “Commerce”. Jetoj në Toronto, jam i martuar me Enisën dhe, falë Zotit, jemi prindër të dy fëmijëve të vegjël të moshës 5 (vajza Vivienne) dhe 2 vjeç (djali Lukas).

Flasshqip: Nëse kthehemi pak prapa në kohë, çfarë kujtoni më shumë nga Shqipëria dhe Tirana?

Nador Bakalli: Kujtoj shumë nga Shqipëria… Kujtoj me mall shtepinë time të vjetër prej qerpiçi, e thjeshtë dhe modeste, por për mua më e plotë dhe më e ngrohtë se çdo strehë tjeter. Kujtoj rrugicat e vjetra ku jam rritur dhe kam luajtur me shokët dhe shoqet e fëmijërise.

Kujtoj gjyshin dhe gjyshen me shumë dashuri, të cilët edhe pse të vuajtur nga kërbaçi i diktaturës, nuk lejonin që e keqja që kishin hequr të ndikonte tek unë. Kujtoj edhe komshinjtë e fisshëm, që sa herë dëgjohesha duke kënduar kënge tallëse për diktatorin në mes të rrugës, më vinin nga mbrapa me nxitim dhe më zinin gojën duke më tërhequr, në mënyre që familja ime të mos e pësonte edhe më keq nga pëshpëritjet që do lëshonin veshët dashakeqe që mund te ishin aty pranë.

Kujtoj ngjitjet klandestine tek muret e kalasë së Tiranes, ku na duhej të prisnim me orë qe ushtari që nuk na kishte fort për zemër të mbaronte shërbimin dhe të vinte një tjetër më i “bute” në mënyrë që të zbrisnim pa u bërë zap. Kujtoj dhe lojërat rreth godinës së Teatrit Kombëtar, së bashku me shokë fëmijërie, që sot janë intelektualë në zë si Flori Haçkaj apo Endrit Yzeiraj.

Kujtoj dhe udhëtimet drejt detit me familjen, me shumë peripeci dhe po aq bagazhe. Kujtoj shokët e futbollit dhe 7 vitet e mrekullueshme tek Sport Klub Tirana.

Në shkollë të mesme kujtoj pidet e pushimit te madh dhe justifikimet e çuditshme për lënien e orëve te mesimit. Kujtoj dhe interpretimet që kam bërë në Rinfest dhe skeçet që vinim në skenë tek salla e madhe e Piramidës, pa harruar rrëshkitjet e çmendura nga maja e saj.

Kam dhe kujtime të trishta, si humbja e gjyshit, viti 97 apo lufta e Kosovës kur dërgonim batanije dhe këndonim këngë për moshatarët tanë tek Pallati i Sportit. Por më mire të mos zgjatem për to…

Flasshqip: Gjatë viteve në Kanada, sa herë jeni kthyer në atdhe dhe çfarë keni gjetur ndryshe për mirë ose për keq?

Nador Bakalli: Jam kthyer shpesh, sidomos në fillimet e ardhjes sime në Kanada.  Vitet e fundit udhëtimet janë rralluar për shkak të angazhimeve profesionale dhe personale. Herën e fundit që kam qënë në Shqipëri ishte viti 2016, ku kam ndjekur dhe kombëtaren shqiptare në stadium në aventurën e Europianit te Francës.

Gjatë viteve mund të them se kam gjetur ndryshime pozitive dhe negative në të njejtën kohë. Nga një anë kam parë ndryshime pozitive në infrastrukturën rrugore kombëtare dhe ndërqytetase, shtim të turizmit të huaj dhe përmirësim të infrastrukturës turistike. Vende si zonat e Alpeve në Veri, që janë perla natyrore, sot janë te vizitueshme, ndërkohe që për vite me radhe, është parë vetëm bregu si potenciali i vetëm turistik i vendit. Nga ana tjeter ka patur goxha përkeqësime në drejtime të tjera sic janë betonizimi i qyteteve, ndërtimet pa kriter, kufizimi i hapësirave publike të gjelbra, privatizimi i plazheve publike, shkatërrimi i trashëgimise kulturore për të mos dalë te probleme të natyrës madhore si autokracia, kanabizimi i vendit, korrupsioni apo kriminalizimi i politikës.

Flasshqip: Cili është aktualisht aktiviteti profesional i Nador Bakallit?

Nador Bakalli: Unë punoj për kompaninë angleze “Serco”, një kompani ndërkombëtare, që është nën-kontraktor i Ministrisë së Transporteve të Ontarios per menaxhimin e sistemit të patentave në gjithë provincën. Kam rreth 13 vjet që punoj në të njejtën fushë dhe kam kaluar nëpër shumë role, duke përfshirë menaxhimin e qendrave të veçanta me një numër të lartë punonjësish. Aktualisht mbuloj rolin e analistit për atë që quhet “Business Intelligence” dhe “Governance” dhe kam një eksperiencë të veçantë në marrëdhëniet dhe negociatat me institucionet publike. Për shumë vite, unë kam mbuluar edhe pjesen e etikës në kompani, ku përfshihet lufta kundër korrupsionit dhe mitmarrjes, me një nivel të lartë suksesi në uljen drastike të këtij fenomeni.

Unë jam pjestari i pare i komunitetit tonë (në dijeninë time) që kam punuar në sistemin e patentave por, edhe në sajë të rekomandimeve që kam bërë, ndër vite kanë punuar edhe shumë shqiptarë të tjerë në role të ndryshme.

Profili i punës ka bërë që pjestarët e komunitetit të më kontaktojnë shpesh me pyetje dhe nevoja rreth marrjes së patentës. Gjithmonë jam ofruar për t’i ndihmuar me orientimet e nevojshme, sidomos të sapoardhurit në Kanada për të cilët marrja e patentës është një hap shumë i rëndësishëm. Sigurisht që çdo ndihmë e kam ofruar gjithmonë pa pranuar asnjë lloj forme kompensimi, madje e kam bërë shumë të qartë këtë që në fillimet e komunikimit që të mos kishte kurrë keqkuptime

Flasshqip: Kemi parë që jeni angazhuar kohët e fundit me Lëvizjen “Diaspora për Shqipërine e Lirë”. A mund të rrefeni pak më shumë, çfarë përfaqëson kjo iniciative, motivet tuaj pse iu bashkuat, objektivat e saj. Kur thuhet “për Shqipërine e lirë” çfarë kihet parasysh, e lirë nga çfarë?

Nador Bakalli: Përpara se të flas rreth angazhimit tim, dua të them se unë nuk kam qenë aktiv rreth zhvillimeve në vend, kam qenë ndjekës i rregullt, por jo aktiv në reagime apo angazhim.

Me sinqeritet të plote më lejoni të them se nuk jam krenar për heshtjen time! Nga pozitat e sotme gjykoj se heshtja e çdo njeriu që vlerat dhe ndershmërine i ka bosht të jetës së tij, shërben si “karburant” në “serbatorin” e zullumqarëve që e kanë degdisur vendin aty ku është sot.

Iniciativa “Diaspora për Shqiperinë e lirë” lindi menjëhere pas prishej së godinës së Teatrit Kombëtar dhe shërbeu si katalizatori më i mirë për t’i dhënë fund heshtjes. Ajo lindi si një lëvizje për të mundësuar rikthimin e vlerave dhe dinjitetit në vend nëpërmjet mbulimit të vakumit të pashpjegueshëm të mospërfaqësimit të Diasporës në politikëbërjen dhe zërin e influencës në Shqipëri.

Kjo është një iniciativë qytetare, pa parti, e nisur nga individë të papërzgjedhur nga askush dhe me asnjë lloj lidhje me forcat aktuale politike. Ne jemi një grup njerëzish të thjeshtë dhe të përkushtuar që një pjesë të kohës sonë kemi vendosur ta dedikojmë për të mirën e vendit. Lëvizja aktualisht është pa financime dhe e bazuar krejtësisht në përpjekje vullnetare dhe rritje organike.

Qëllimet e lëvizjes janë të thjeshta dhe të qarta; faktorizimi i zërit të Diasporës në politikëbërjen e sotme shqiptare, me bindjen e plotë se Diaspora ka rol dhe peshë parësore në vendosjen e balancave politike dhe rikthimin e vendit në shinat e demokracisë funksionale.  

Përsa i përket emrit, ne gjykojme që sot Shqipëria nuk është e lirë për shumë arsye:

Media nuk është e lirë. Liria e saj është e cunguar, ku pak zëra kritikues që kanë mbetur operojnë nën presion konstant. Shembuj si rasti i mbylljes së “Agon Channel” (me nje faturë mbi 140 milion Euro për taksapaguesin e stërmunduar shqiptar) apo kercënimi me mbyllje i “Ora TV” janë flagrante.

Administrata shtetërore nuk është e lirë. Nuk ka si të jetë kur i punësuari përjeton përditë kërkesën e llogarisë nëpërmjet apelit të “qokave” në rrjete sociale për postimet e drejtorit apo kryetarit.

Gjyqësori nuk është i lirë. Nuk ka si të jetë kur vendit i mungojnë tashmë prej tre vitesh Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Ku nuk ka drejtësi, nuk ka liri.

Nuk ka si te jemi të lirë kur kemi parë me sytë tanë kanabizimin e vendit nga të katër anët dhe, për turpin tonë, jemi kthyer në hambar të drogës për Europën dhe më gjerë. Kam frikë të shfletoj lajmet italiane ditore se sinqerisht turpërohem shumë kur shoh që dalin të dhëna për tonelatat me drogë të kapura që nisen nga Shqipëria duke çarë tallazin e detit drejt brigjeve të tyre.

Rinia nuk është e lirë. Pasurimi i shpejtë i disa individëve me metoda jo të ligjshme ka sjellë idealizimin e tyre në sytë e rinisë së sotme, duke dëmtuar një brez të tërë nëpërmjet premtimit se “rruga e shkurtër” është ajo e duhura dhe se “rruga e gjatë” e meritokracisë është e panevojshme, për të mos thënë një iluzion pa-arritshëm.

Diaspora nuk është e lirë të japë mendimin e saj me votë. Mbi 1.6 milionë shqiptarë jetojnë dhe punojnë sot jashtë kufijve të Shqiperisë administrative, praktikisht më shumë se gjysma e popullsisë vendase, dhe nuk kanë asnjë zë në politikëbërjen e vendit. “Zëri” i vetem janë 1.2 miliardë USD remitanca që dërgohen çdo vit si serum për të mbajtur gjallë familjet shqiptare.

Mund të shpenzoj edhe fjalë për parlamentin, oligarkinë, arbitraritetin, korrupsionin, por ka aq shumë për të shkruar dhe aq pak njerëz që nuk i dinë këto gjëra sa nuk ia vlen të zgjatem. Për gjithë ato që thash më sipër, Shqiperia jonë, sot e gjithë ditën, nuk është e lire.

Flasshqip: Ndërkohë mazhoranca aktuale ka miratuar një legjislacion të caktuar për Diasporën dhe një strukturë që quhet KKD. Cili është mendimi juaj? A krijon kjo përshtypjen që ka një tendencë për ta futur nën kontroll dhe tutelë diasporën përmes njerëzve në dukje sikur janë përzgjedhur nga komuniteti por në fakt janë emëruar nga qeveria dhe funksionojnë mbi bazën e rregullave qeveritare?

Nador Bakalli: Kjo pyetje kërkon një përgjigje të shtjelluar dhe, duke ju kërkuar ndjesë, do të zgjatem pak.

Dua në fillim të shpreh respektin tim rreth disa anëtareve të KKD si individë që, pavarësisht mënyres së përzgjedhjes, kush më shumë e kush më pak, mbi baza vullnetare, janë përpjekur të bëjnë punë të mira dhe të dobishme për diasporën në përgjithësi. Në vazhdim të kësaj duhet thënë që janë intelektualë dhe njerëz të suksesshem në profesionet e tyre.

Megjithatë, nuk do të isha i sinqertë me veten dhe lexuesit sikur të mos i thoja disa të vërteta të cilat i kam shprehur edhe drejpërdrejtë në intervista të mëparshme.

Shpeshherë në qarqet akademike përdoret shprehja e “elefantit në dhomë” për të përshkruar një prezencë domethënëse por që pakkush e adreson dhe flet për të.

Nuk bëjmë mire nëse nuk flasim për “elefantin e madh” që kemi në dhomën tonë të Diasporës. Ky elefant, në rastin e KKD, ka te bëjë me besueshmërinë.

Problemi fillon kur në vend të zgjedhjes kemi të bëjmë me përzgjedhje. Këto dy koncepte kanë diferencë të madhe me njëra tjetrën. Po të ndjekim linjën e argumentit të paraqitur në VKM për krijimin e KKD-së, shohim se, praktikisht, përfaqësuesit tanë (sipas asaj VKM-je) konsultohen me shoqatat dhe japin propozime konkrete. Ministri i Diasporës përzgjedh. Kaq.

Flasshqip: Çfarë ju duket se nuk shkon në këtë rast…

Nador Bakalli: Nuk besoj se jam i vetmi që ndjej fare pak aromë demokracie në këtë procedurë. Problemi tjetër madhor që u shfaq rishtas ishte qasja e qeverisë rreth kërkesave të KKD për votën e Diasporës. Këshilli (ose individë të caktuar si përfaqësuesit në Kanada p.sh. që duhen përgëzuar dhe falenderuar) ka kohë që merret me këtë punë dhe nëpërmjet një grupi avokatësh shqiptaro-kanadezë (të cilët gjej rastin ti falenderoj me gjithë zemër gjithashtu), ka përpiluar një draft propozimesh rreth kësaj çështjeje. Një zotëri, anëtar i KKD në Britaninë e Madhe, duke folur për draftin në fjalë, i tha kolegut tim Bledar Milaqi në përballje televizive direkte se zoti Taulant Balla i paskësh premtuar sy për sy se çështja e votës së Diasporës do të jetë e panegociueshme në tryezën e bisedimeve. Pra, deri këtu, duket se gjerat ishin kopsitur në drejtimin e duhur.

Për fatin e keq të të gjithëve ne, e vërteta e vetme e hidhur që na del në “mejdan”, që arrijmë ta shquajmë pa vështirësi në tymnajën e kesaj pune, është se ky draft u injorua totalisht nga qeveria.

Tani, të përmendurit e premtimeve të Z. Balla si garanci apo etalon i “fjalës së mbajtur” nuk gjykoj se i bën nder Këshillit, përkundrazi ndoshta e ul edhe më tepër besueshmërinë e institucionit, por kjo është çështje tjetër. Problemi qëndron në faktin se, influenca e KKD në politikëbërje, edhe pse organ i kornizuar nga, dhe me akses në qeveri, më rezulton shumë e kufizuar për të mos thënë inekzistente.

Flasshqip: Kur flisni për besueshmëri dhe influence a mund ta shtjelloni më tepër?

Nador Bakalli: Këtu kam parasysh si lindi dhe u iniciua peticioni i KKD, si “plumbi i fundit” në brezoren e KKD për t’i dhënë zgjidhje problemit. Nuk kam për qëllim ta kritikoj peticionin, unë jam firmëtar i tij dhe kam bërë thirrje që të firmoset, por as veten nuk e gënjejmë dot, siç bëri Ministri i Diasporës në mbledhjen e datës 22 Qershor midis qeverisë dhe këshillit (do ndalem pak më vone te kjo se është hall më vete), kur tha se peticioni pati përkrahje të madhe. Nga 1.6 milion bashkombas në Diasporë, 2780 vetë e kanë firmosur deri në momentin që po shkruaj!

Thënë troç dhe shkoqur, peticioni ishte “dëshmori” i parë i besueshmërisë së KKD në Diasporë. Nëse dikush di ndonjë arsye tjetër pse nuk u firmos masivisht, le të na e thotë.

Problemi tjetër, ai më madhori në këtë mesele, është kornizimi dhe konformizmi i KKD kundrejt qeverisë! Mbledhja e datës 22 Qershor 2020 hoqi disa dyshime për mua. Një Zot e di si e shtyva ta djek deri në fund atë mbledhje pa u sëkëlldisur deri aty sa telefoni të fluturonte nga dritarja. Mu duk vetja sikur po shihja Samitin e 3-të diasporës, që i ardhtë dita sa më shpejt! Mezi po pres të shoh se si bëhen lavde për sukseset imagjinare dhe duartrokitet Lideri masivisht, madje në sinkron dhe rrahje shputash të njëtrajtshme, siç e do ai vetë.

Flasshqip: A mund të ndani me lexuesit e Flasshqip disa detaje nga mbledhja e djeshme e KKD?

Nador Bakalli: Mbledhja filloi me fjalën e Liderit, i cili shprehu habi se pse qenkësh vënë ne dyshim fjala e tij që peshon sa malet, se vota e Diasporës “do të bëhet dhe do të bëhet”. Më pas vazhdoi me përmbledhjen e shefit “të çunavë problematikë” dhe me fjalën e Ministrit, që për hir të së vërtetës i tha 2-3 gjëra të sakta, ku një prej tyre ishte dhe pamjaftueshmëria në lënien e çështjes së votës në duart e KQZ nëpërmjet një akti normativ. Më pas e mori fjalen KKD dhe këtu filloi turi i lavdeve nga disa prej anëtarëve të saj. E filloi i pari kryetari duke bërë lavde deri sa u ngjir. E vazhdoi dikush tjetër, ku përvec një pyetje me vend rreth sigurisë së të dhënave për zgjedhësit e regjistruar, e falenderoi Liderin për prezencën dhe afrimitetin me ta dhe i tha shprehimisht se “sa më shumë afroheni tek Diaspora aq me shumë do ju simpatizojmë”. Po ua le ju t’a interpretoni këtë togfjalësh…

E kështu me rradhë vazhduan falenderimet e pa-kuptimta. Lutem që dikush të më tregojë ku janë sukseset e prekshme që të meritojnë këto lavde se unë sinqerisht nuk e di. Megjithatë aty kishte dhe nga ata që ngritën çështje me vend si zoteria në Kanada që nuk bëri lavde por kërkoi llogari se pse shërbimet konsullore nuk janë sjellë siç u premtuan. U bënë edhe disa pyetje të tjera interesante dhe me vend. Por, për fat të keq asnjë përgjigje nuk erdhi, të paktën aq sa na u lejua ne të shohim nga ekranet e Diasporës.

Flasshqip: Pra kaq ishte e gjithë mbledhja?

Nador Bakalli: Jo. Nuk mbaron me kaq. Aty na dolën edhe gjëra që askush nuk i dinte më parë. Njëra prej tyre ishte se qenkësh rënë dakord që vota e Diasporës të përmblidhet dhe të shkojë e gjitha e numëruar Që qarkun e Tiranës. Kur e dëgjova u shokova pa masë. Si mund të bëhet një gjë e tille? Si mund të motivohen bashkëatdhetarët tanë nga Kukësi, Vlora, Durrësi, Shkodra dhe e gjithë “Shqipëria jashtë Tiranës” për te votuar dikë, apo edhe më keq, një listë, ku ata dhe komunitetet autoktone ku përkasin dhe ndoshta kanë dhe familjet e tyre nuk përfaqësohen drejtpërdrejt? Po për listat e hapura dhe ndryshimin e sistemit që janë pika në peticionin që firmosëm çfarë u tha? Asgjë! Unë prisja që dikush të ngrinte zërin dhe të thoshte diçka për këto absurditete por aty na vrau veshët vetëm qetësia e konformizmit ku e gjithë KKD, në bllok dhe kokëulur, zgjodhi heshtjen. Kjo më la shije shumë të keqe.

Për t’a përmbledhur dua të them se ky keshill sot paraqet vështirësi në lidhje me besueshmerinë si rezultat i kornizimit nga normat qeveritare si dhe për shkak të metodologjisë së përzgjedhjes së anëtarëve të tij. Me disa përjashtime që i përmenda më siper, në mbledhje u pa qartë se aty sundon përulja ndaj qeverisë dhe madje u shpalos dhe ideja e monopolizimit të zërit të Diasporës. Rrjedhimisht, nuk është e pakonceptueshme që disa ta interpretojnë krijimin e KKD si tentativë e pushtetit për të vënë nën tutelë Diasporën nëpërmjet mbajtjes së saj brenda kufijve të pranueshmërisë sipas kandarit qeveritar.

Flasshqip: Sa janë mundësitë që kjo gjendje të vazhdojë në këtë lloj pamje që ju sapo e përshkruat, pra një Diasporë zëri i së cilës mund të monopolizohet…

Nador Bakalli: Ua premtoj sot haptazi se këtë nuk kanë për t’ia arritur kurrë! Diaspora është e lirë dhe do jetë gjithmonë e tillë, e perfaqësuar nga të gjithë dhe nga çdokush! Vetëm të zgjedhurit me votë nga diaspora për diasporën mund ta përfaqsojnë atë me tagër dhe në mënyre të drejtpërdrejtë. 

Megjithatë, mua më jep një fije shpresë fakti që edhe brenda KKD shoh zëra që thonë disa të vërteta siç i them une që jam i lirë nga kornizime të tilla. Unë si Nador, dhe “Diaspora për Shqipërinë e lirë” do mundohemi të gjejmë rrugët e bashkëpunimit me këdo, pa sakrifikuar kurrë të vërtetat që ne i dimë të gjithë. Është e vërtetë se për gjendjen ku ndodhet sot vendi, nuk ka më kohë që ne të fokusohemi tek ndasitë, por vetëm tek bashkepunimi për një të mirë të madhe të përbashkët.

Flasshqip: Sipas jush, si duhet konsideruar situata aktuale në Shqipëri? Cilat gjëra duhet të ndryshojnë? Për çfarë reformash ka nevojë Shqipëria?

Nador Bakalli: Shqiperia sot noton në ujërat e turbullta te autokracisë ose demokracisë hibride. Problemet janë madhore. Vendi lëngon nga një ekonomi e brishtë, ku biznesi i vogël si motor i zhvillimit ekonomik, është në kushtet e rrezikut ekzistencial dhe kjo gjendje ka kohë që vazhdon.

Korrupsioni është në nivele shkatërrimtare. Transparency International na rendit në vend të 106 nga 180 vende të renditura në 2019, një rënie prej 7 vendesh nga viti 2018.

Sot shohim një zbrazje masive të vendit dhe një erozion të frikshëm të trurit drejt vendeve të zhvilluara. Më këto ritme, disa projeksione e vendosin Shqipërinë me 800,000 banorë deri në vitin 2030. Deshira jone per emigrim eshte e njejte me sirianet që kërcënohen nga bombat. 51 mije maturantë kishte Shqipëria në 2013, ndërkohë që sot ka 30 mijë. Kjo më trishton shumë.

Kanabizimi i vendit dhe kriminalizimi i politikes ka dhënë efekte negative në çdo aspekt të jetës. Parlamenti i fillimviteve 90-të numëronte (nëse e mbaj mend si duhet) diku te mbi 140 libra apo botime shkencore me autorësi të deputetëve në ato ulëse. Ky i sotmi 5 apo 6 të tilla mezi i kap, edhe këto me shumë gjasa të njollosura nga plagjatura apo blerja e diplomave. Pa dashur te zgjatem dua te them se kemi nje pafundësi problemesh.

Gjërat kanë nevojë të ndryshojnë, dhe të ndryshojnë shpejt. Shqipëria ka nevojë për reformë të thellë në arsim, ku të rishikohen kredencialet e shumë institucioneve arsimore si dhe standardet mësimore. Rasti më i fundit me testin e matures në letërsi ishte në kufijtë e qesharakes.

Ka nevojë të perfundojë reforma në drejtesi dhë të funksionojnë gjykatat.  Ka nevojë për reformë zgjedhore domethënëse, ku të votohet drejpërdrejtë kandidati, të ndalohet shit-blerja dhe kriminalizimi i votes si dhe të mundësohet vota e emigranteve dhe perfaqësimi i tyre direkt në parlament.

Ka nevojë për reforma të thella ekonomike, si në taksim ashtu dhe në stimuj dhe burokraci. Vetëm Bashkia e Tiranës numëron sot mbi 30 lloje të ndryshme taksash dhe tarifash. Praktika e PPP, që në gjykimin tim nuk duhet demonizuar si e tillë (përdoret në vendet e zhvilluara), duhet të përdoret aty ku ka nevojë dhe jo vend e pa vend dhe në kushtet e abuzimit kolosal siç po shohim përditë.

Partitë kanë nevojë për demokratizim dhe largimin e kultit te kryetarëve. Sot shokohesh kur dëgjon që njëri prej tyre thirret “Skënderbe” nga servilët pranë tij…

Ka nevojë për reformë në shëndetësi, që spitalet të kenë kushte dhe ku edhe të pamundurit të gjejnë shërbim dinjitoz. Ka nevojë për reformë në mbrojtjen e konsumatorit dhe prodhimit vendas etj. Me pak fjalë ka nevojë për një bllok reformash të rëndësishme.

Unë nuk kam as besimin më të vogël se zgjidhja vjen nga politika aktuale. Zgjidhjen e shoh tek angazhimi i fortë i shoqërisë civile dhe bashkimi Diasporës, për të formuar një gur peshoreje themelor në reformat e nevojshme.

“Diaspora për Shqipërinë e lire” e ka të qartë misionin e saj në këtë drejtim dhe do t’i shkojë deri në fund.

Flasshqip: A keni dijeni në detaje për menyrën si zhvillohen zgjedhjet dhe për problematikën shumë të mprehtë të shit-blerjes apo asaj që duhet cilësuar troç vjedhje e votës dhe që ndikon direkt në manipulimin e rezultateve?

Nuk besoj se ka shqiptar me sy dhe veshë të pangjyrosur nga boja bajate e militantizmit që të mos ketë parë e dëgjuar përgjimet që provojnë katërcipërisht blerjen masive të votave dhe intimidimin e votuesve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kjo ka ndodhur rëndom edhe në zgjedhjet e mëparshme.

Praktika nuk u ndërpre as në zgjedhjet monopartiake lokale. Atyre u mungonte vetëm votimi me gogla që aplikohej dikur, ku në qendrën e votimit ishin vendosur dy kuti votimi, njëra për votën pro dhe tjetra për votën kundër. Një kuti kishte fundin e mbuluar me lesh, që gogla e hedhur nga të devotshmit të mos bënte zhurmë kur binte, dhe tjetra e kishte “taze”, që gogla të kërciste fort dhe partia të kuptonte nëse ndonje tinzar armik i klasës e kishte hedhur atë në kutinë e shejtanit. Të tjerat janë statistika pa vlere. Zgjedhjet e Dibrës ishin rast unik ndoshta edhe në Europë, ku me gjithë diskreditimin e kandidatit të një partie (detajet dihen), zëvendësuesi na del mrekullisht fitues me një diferencë prej katermijë votash ndërkohë që zona konsiderohej bastion i humbësve. Çudira të tilla nuk ndodhin në eter, janë të mirëorganizuara dhe planifikuara.

Problemi i shit-blerjes së votës është real dhe ndoshta nga kërcënuesit më të ashpër të demokracisë.

Flasshqip: Cilat janë hapat e ardhshme të Lëvizjes? A do të organizohet ajo në një parti politike me synimin për të marrë pjesë në jetën politike në Shqipëri? A ka filluar një organizim i Lëvizjes në Kanada dhe cilat janë kontaktet që keni krijuar? Po reagimi i personave që keni kontaktuar si ka qenë deri tani?

Nador Bakalli: Hapat e ardhshëm të Lëvizjes shtrihen në disa plane. I pari është përfundimi i aspekteve teknike që kanë lidhje me regjistrimin si entitet si dhe përpilimi i struktures me një qasje horizontale që do qëndroje larg modeleve të “kryetarëve”. Aktualisht janë krijuar grupe pune për fusha të ndryshme si IT, ekonomi, legjislacion etj. Pra, Lëvizja është në fazë organizimi dhe ne presim të kemi platformën e plotë, website si dhe kodin e vlerave (që për ne ka rëndësi jetike) brenda një periudhe shumë të shkurtër.

Plani tjeter i punës ka të bëjë me aspektin e zgjerimit ku do vazhdojmë të fokusohemi tek rritja organike. Paralelisht, do të vazhdojmë përpjekjet për rritjen e presionit ndaj qeverisë. Ne kemi nisur një ofensivë të fortë korrespondence drejt kancelarive kryesore të politikës europiane, duke përfshirë Parlamentin Evropian. Kemi marrë përgjigje inkurajuese prej shumë zërave me influencë, duke përfshirë takime të drejteperdrejta me disa Euro-deputetë.

Gjithashtu sapo filloi ofensiva e letrave në SHBA dhe në ditët në vijim do fillojmë edhe në Kanada.

Sot që flasim ne e shikojmë këtë nismë si Lëvizje civile, apartiake por me qëllime politike, sigurisht duke përjashtuar ekstremet si në njërin krah ashtu edhe në tjetrin.

Sa i përket Kanadasë, lëvizja ka një bazë të shëndetshme suporti dhe kemi marrë kontakte me personazhe të njohur të Diaspores këtu të cilët na kane ofruar ndihmë dhe përkrahje. Disa janë edhe të përfshire drejtpërdrejtë në Lëvizje. Dihet tashmë se Kanadaja ka thithur një pjesë të mirë të trurit të larguar nga vendi dhe vështirë të gjesh vend më të përshtatshëm për të siguruar mbështetje për një Lëvizje vlerash si e jona. Reagimet e njerezve kane qene te jashtëzakonshme në mbështetje dhe kanë kaluar çdo pritshmëri. Sot kemi një bërthamë njerëzish që janë të angazhuar plotesisht, së bashku me mua, për ta çuar përpara këtë Lëvizje.

Flasshqip: Si e ndjeni veten si shqiptar në Kanadanë multikulturale?

Nador Bakalli: E ndjej veten krenar për origjinën time dhe krenar që i them vetes shqiptaro-kanadez. Kanadaja është vend i bekuar, që ka hapur dyert e veta për njerëz nga e gjithe bota dhe këdo e bën të ndjehet bir apo bijë e saj. Multikulturalizmi na mundëson që njerëzit të kuptojnë drejt ndarjen e zemrës midis vendit të origjinës dhe kombit të dytë për ne, Kanadasë. Askush nuk na gjykon se jemi shqiptarë dhe askush nuk na gjykon se kemi edhe Kanadanë në zemër. Sot na e ka nevojën Shqipëria dhe sytë dhe shpatullat i kemi të drejtuara andej. Por mund t’u them se nëse një ditë Kanadaja do të ndodhej perballë së keqes, do te isha nga të paret që do vija krahët në punë apo hidhja pushkën në krah dhe do dilja në vijën e parë të frontit për t’a mbrojtur!

Flasshqip: Nëse do të pyesnin çfarë eksperience mund të marrë Shqipëria nga Kanadaja si do t’i përgjigjeshit pyetjes? Nëse do të lindë nevoja, a jeni i gatshëm të ktheheni në Shqipëri për të kontribuar atje për ndryshim dhe progres?

Nador Bakalli: Shqipëria mund të mësojë shumë nga Kanadaja. Mund t’ia fillojmë nga toleranca dhe mirëkuptimi i njerëzve me njëri tjetrin, për të shkuar deri tek vlerat e larta demokratike që ofron ky vend. Gjithashtu mund të flasim për funksionimin e shtetit ligjor, rregullave të qarta dhe zbatimin e ligjit në përgjithësi. Programet sociale në Kanada janë nga më zemërbardhët në botë dhe një vend i varfër si Shqipëria ka nevojë jetike për të mësuar nga këto praktika thelbësore në rrugën e saj drejt zhvillimit.

Përsa i përket pyetjes në lidhje me mua personalisht dhe kthimit në Shqipëri, unë kam një ënderr që e mbaj në sirtarin e zemrës. Dua që një ditë të shoh Shqipërinë time të begatë dhe dinjitoze. Jam gati të shërbej kudo që kjo të arrihet.

Megjithatë dëshiroj shumë që një dite, kur të kemi realizuar objektivat tona për një Shqipëri të begatë dhe komuniteti shqiptaro-kanadez të përfaqësohet direkt në parlament, dikush tjetër dhe jo unë ta marrë në dorë flamurin e përfaqësimit. Ëndrra që fillon me Shqipërinë e begatë nuk përfundon me mua të ulur në ulëset e kuvendit, por përfundon me kthimin pranë gjirit të familjes, për t’i kthyer asaj kohën borxh që i kam marrë dhe do vazhdoj t’i marr me angazhimin në këtë lëvizje.

Por, nëse gjykohet se kontributi im do të nevojitet unë do të jem gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar kudo dhe kurdo, në të mirë të Shqiperisë dhe komunitetit tonë këtu, qoftë nga foltoret apo ulëset ose thjeshtë nga hija. Për mua njëra vlen sa tjetra dhe nuk shoh diferencë midis tyre.

Flasshqip: A keni dëshirë të shtoni diçka tjetër që mendoni se vlen për t’u ndare me lexuesit e Flasshqip...

Nador Bakalli: Unë dhe “Diaspora për Shqiperinë e lirë” gjejmë rastin për t’i bërë thirrje bashkatdhetarëve tanë që nuk e ndjejnë veten të perfaqësuar dhe që vlerat e të cilëve nuk përputhen me politikën e sotme shqiptare, të na bashkohen dhe të bëhen pjesë me mendimet dhe kontributin e tyre në këtë lëvizje qytetare. Këtu ka vend për çdo shqiptar të mirë që e do vendin e tij të origjinës të jetë i ngjashëm apo edhe më i begatë se vendi ku jeton. Siç Mërgata Rilindase shqiptare ndriçoi kombin 100 e kusur vjet më parë me veprën e saj, ashtu kemi edhe ne sot mundesinë e artë të bëjmë të njejtën gjë me përpjekjet tona të qytetëruara në funksion të vlerave dhe nderit të kombit.

Unë e kam zgjedhur rrugën time. Ejani ta përshkojmë së bashku rrugën tonë drejt Shqiperisë së begatë. Shqiptarët qofshin gjithmonë të nderuar kudo që janë.

Zoti i begatoftë!

Flasshqip: Ju falemnderit Nador dhe suksese paçi në këtë rrugëtim të gjatë që sapo ka nisur!

Toronto, 23 Qershor, 2020