Komunitet

Jeta dhe suksesi në Kanada i dy kampionëve të atletikës Tatjana dhe Besnik Meçe

  • Published in Komunitet
Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Është kënaqësi e rrallë besoj për cilindo, të kesh mundësi pas shumë vitesh shkëputjeje (e ku nuk na hodhi tranzicioni i gjatë) të rikrijosh kontakte me ish-mësuesit. Ja që e pata fatin ta përjetoj këtë kënaqësi në këtë bashkëbisedim, pas 40 e ca vitesh, në një raport tjetër (intervistues) me Z. Besnik Meçe, ish-mësuesin tim të nderuar të fizkulturës në vitet 1975-1977, kur isha nxënës në shkollën 8-vjeçare “20 vjetori” në Tiranë. Merita për këtë takim-surprizë në fakt i takon Ardian Lagjit, kryetarit të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në British Columbia. Ishte ai që më tregoi për çiftin Tatjana dhe Besnik Meçe, ish-kampionët e atletikës, të vendosur prej vitesh në qytetin e provincës së Oqeanit Paqësor, New Westminster. Aty, falë aftësive të tyre të spikatura dhe eksperiencës profesionale, ata janë bërë të njohur si trajnerë shumë të suksesshëm atletësh deri në nivelin e ekipeve kombëtare kanadeze (pjesëmarrës edhe në kampionate botërore). Presor Besniku (siç e thërrisnim dikur ne nxënësit e tij), sapo ka mbushur 70 vjeç, pikërisht më 1 Korrik, ditën e festës kombëtare të Kanadasë. Ai në vitin 2019 u vlerësua me Çmimin Trajneri i Vitit për U16 e U18 për Provincën e British Columbia (çmim të cilin gjithashtu e ka marrë edhe Tatjana në vitin 2013, për kategorinë të rritur) ndërsa më 9 Qershor të këtij viti, u vleresua nga Athletics Canada me Çmimin “Jane and Gerry Swan Awards” Development Coach of the Year. Kushtuar suksesit të dy sportistëve të shquar Tatjana dhe Besnik Meçe, dy kanalet televizive CBC dhe CTV kanë transmetuar emisione të posaçme, ku është folur për aktivitetin e tyre në Shqipëri si dhe për kontributin në sportin e atletikës në Kanada. Le ta fillojmë bashkëbisedimin…

Mirësevini në Flasshqip, na rrëfeni pak ju lutem cila është në mënyrë të përmbledhur historia e familjes tuaj para emigrimit, vendlindja, shkollimi, profesioni, kujtimet etj.

Besnik Meçe: Une e Tatjana jemi diplomuar si mësues të Edukimit Fizik, në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” nga një staf pedagogjik dinjitoz e profesional. Më pas kemi punuar si mësues të klasave sportive të atletikës në Tiranë Unë në Shkollën “20 Vjetori i Çlirimit”, fidanishte e ekipit “17 Nëntori” dhe ekipit kombëtar të atletikës ku kam pasur fatin të punoj prane ikonës së sportit shqiptar, Petrit Qendro, ndërsa Tatjana, bashkëshortja, në Shkollën “11 Janari”.

Kemi qenë të dy atletë të ekipit “17 Nëntori” i Tiranës, ku kryetrajneri i atletikës Sokol Morina, një nga drejtuesit më me vlera të sportit shqiptar, e më vonë kryetar i Komitetit të Fizkuturës, organizoi sistemin me grup-mosha e gara si dhe zbatoi metoda bashkëkohore të stërvitjes, eksperiencë kjo që na vlen edhe sot  në drejtimin e punës sonë ketu në Kanada.

Unë kam qënë kampion kombëtar i 3,000 m me pengesa dhe anëtar i ekipit kombëtar të atletikës gjatë viteve 1973-1975. Kam fituar edhe garën e 1,500 m në takimin ndërkombëtar Shqipëri-Kinë. Tatjana, nga ana e saj, është 6 herë kampione e kërcimit së larti, e shumgarëshit si dhe anëtare e ekipit kombëtar duke marrë pjesë në shume veprimtari ndërkombëtare jashtë vëndit. Ne vitin 1987, Tatjana u emërua pedagoge e edukimit fizik në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Nuk kam drojtje ta pohoj që, gjatë karrierës sportive (falë edhe nivelit të arsimimit e eksperiencës në punë) unë u perkraha pa kufi nga drejtuesit e sportit të kohës, nga Kryetari i KBFSH, Mehdi Bushati (i cili i dha një zhvillim te veçantë sportit shqiptar, drejt një vizioni te ri në nivelet ndërkombëtare) si dhe nga Zv. kryetari, i ndjeri Aziz Tahiri, një administrator i talentuar. Kësisoj, me mbështetjen e tyre u emërova në Federatën e Atletikës pranë Ministrisë së Arsimit në Shkurt të viti 1982. Gjatë viteve kam pasur një bashkepunim mjaft frytdhënës edhe me kryetarin pasardhës, Ali Vukatana.

Çfarë mbresash keni nga periudha e punës pranë Federatës së Atletikës? Në ato vite Shqipëria mori pjesë në jo pak aktivitete ndërkombëtare, e përfaqësuar nga sportistë me talent…

Besnik Meçe: Në këtë institucion, fillimisht kam punuar si inspektor i atletikës, e më vonë si Sekretar i Përgjithshem i Federatës e Përgjegjës i Sektorit të Sporteve bazë, Atletikë, Gjimnastikë, Not e Shah. Frytet e kësaj pune të përbashkët me të gjitha strukturat e “familjes” së atletikës janë rezultatet e larta në arenën kombëtare e ndërkombëtare të shumë atletëve si Pavlina Evro, Ajet Toska, Krenar Meçani, Sazan Fisheku, Klodeta Gjini, etj.

Asokohe vendosëm komunikim e kontakte me institucione sportive të vendeve me atletikë të përparuar si RDGJ, Itali, Francë, Suedi, RFGJ e me Rumaninë. Personalisht kam qenë anëtar i tre delegacioneve për negocim marëveshjesh sportive, duke pasur fatin të nënshkruaj atë me Rumaninë në 1990.

Në bazë të këtyre marëveshjeve patëm sjellë trajnerë të nivelit të lartë ndërkombetar nga RDGJ e Franca, dhe kemi organizuar kurset e kualifikimit nën drejtimin e tyre përfshi këtu edhe organizimin e qendrave e kampeve stërvitore me atletët e përparësise në Tiranë, Korçë e Peshkopi. Një drejtim i rëndësishem i punës ka qenë edhe kualifikimi i trajnerëve jashtë vendit (Itali, Suedi, Germani, BRSS) Në Itali, Rauf Dimraj, (“Scuola Dello Sport” CONI-Romë), në Suedi, Fatmir Bajraktari për hedhjet, në Gjermani, Dhimitraq Dhjaku me një dizertacion për periudhën e periodizimit, në BRSS për një stërvitje të specializuar një-mujore me trajnerët Petrit Qendro,Vaso Selenica dhe me atletët Ajet Toska e Sazan Fisheku.

Kam organizuar gjithashtu në ndeshjet derbi të futbollit në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, gara të nivelit të lartë ku spektakolare kanë qënë rekordet e Klodeta Gjinit në kërcim së larti. Mund të përmend edhe pjesëmarrjen për herë të parë në Kampionate Ballkanike të sallave të mbyllura, si dhe aktivizimin e gjyqtarëve në veprimtari ndërkombëtare me drejtues mjeshtrin e pedagogun Petrit Keta. Të gjitha këto arritje i konsideroj fryt i përpjekjeve të gjithë “familjes” së atletikës e sportit shqiptar në breza, të atletëve, trajnerëve e drejtuesve të pasionuar e të përkushtuar në sport.

E me këtë rast (ndjesë që nuk po përmend emra nga ndrojtja se mund të harroj ndonjë), dua të shpreh falenderimin e mirënjohjen pa kufi për mësuesit, drejtuesit e kolegët tanë në Shqiperi për edukimin dhe kontributin e tyre në arritjet tona në Kanada, mirënjohje të cilën e kam shprehur edhe në intervistat dhënë mediave kanadeze.  Në periudhën e fundit para emigrimit, kam punuar në pozicionin e Drejtorit të Organizimit e Personelit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në atë pozicion pata nderin e veçantë të jem organizatori dhe drejtuesi i ceremonisë së kthimit të eshtrave të të madhit Faik Konica në atdhe…

Si ndodhi që vendosët të emigroni, cilat motive iu shtynë dhe si u realizua ardhja në Kanada?

Besnik Meçe: Nga Shqipëria u larguam përfundimisht pas situatave të vitit 1997. Në atë kohë e gjithë familja kishte viza Shengen një vjeçare. Ne kemi pasur njerëz të familjes apo miq të afërt të vendosur prej vitësh në Europë, të cilët na kishin ofruar disa herë të stabilizoheshim pranë tyre, duke na siguruar edhe dukumentacionin e qëndrimit si dhe punësimin. Me eksperiencën që zotëronim e me njohjet e mëdha që kishim, ne mund të qëndronim në çdo vend të Europes, të vazhdonim me sukses karrierën, por me një kurajo shumë të madhe, vendosëm të marrin rrugën e largët e plot dhimbje të mërgimit në Kanada, ku realisht gjetëm një mbështetje të paçmuar. Ishte Fati ose Destiny me sa duket, që na pruri këtu dhe falë këtij vendi me mundësi të jashtëzakonshme për cilindo ka dëshirë dhe vullnet të integrohet, ia dolëm duke përballuar sigurisht sfida te mëdha…

Çfarë kujtoni nga kohët e fillimit, pas vendosjes këtu? Punët e para, kontaktet e para…

Besnik Meçe: Ne jetojmë në qytetin New Westminster, në provincën e British Columbia. Si gjithë emigrantët, kemi perballuar vështirësite e para të fillimit, por kemi pasur përkrahje nga miq e nga të gjitha instancat përkatese shtetërore për t’u integruar me dinjitet në shoqërinë kanadeze. Dua të permend veçanërisht familjen e Bajram Ballanit që na ka mbështetur fuqimisht e na ka dhënë një përkrahje të pakursyer gjë për të cilën i jemi mirënjohës përjetë.

Në periudhën e parë nisa të punoj në kompaninë e shpërdarjes së librit “Raincoast Book” si dhe bëra shumë punë të tjera, si shpërndarje picash dhe ngrita madje një biznes te vogël pastrimi (vetëpunësim). Pavarësisht punëve që bënim, me insistimin e dy djemve tanë, sëbashku me Tatjanën, që në vitet e para filluam si trajnerë vullnetarë të atletikës në shkollat e tyre e të qytetit tonë, duke krijuar kështu kontaktet profesionale dhe intelektuale.

Si mund ta përshkruani rrugëtimin tuaj drejt integrimit social e profesional në Kanada? A ishte kjo një sfidë e veçantë në vetvete?

Besnik Meçe: Kur u larguam nga Shqipëria, nuk e mendonim të aktivizoheshim në atletikë pasi siç dihet atletika e Kanadasë është në nivelet më të larta ndërkombëtare, me trajnerë ish-kampionë olimpikë e botërorë, të përgatitur nga shkollat më prestigjioze. Nuk e kishim të lehtë por ia dolëm. Pas disa rezultateve tona të para me shkollat, ne filluam të afirmoheshim si trajnerë e të kishim oferta punësimi në klube të ndryshme. Në vitin 2001, në një miting të shkollave të mesme, mu afrua trajneri i UBC (University of British Columbia,) Marek Jedrzejek, që ishte edhe trajner i ekipit kombëtar për distancat si dhe drejtor i grup-garave të gjata në “Athletics Canada” dhe më propozoi të punoj më të si asistent i ekipit të UBC. Kur filluam të punojmë së bashku, ai më dhuroi një manual vjetor të IAAF, ku ishte struktura e Federatës Shqiptare të Atletikës me emrin e kryetarit Pandi Carapuli si dhe emrin tim si Sekretar, kujtim që e ruaj edhe sot. Më pas, edhe Tatjana, një metodiste e nivelit ndërkombetar në atletikë, u integrua si trajnere e kërcimeve në UBC, e kështu vit pas viti, spikatën aftesitë tona profesionale, e së bashku arritëm rezultate pozitive duke përgatitur atletë të niveleve të larta kombëtare e ndërkombëtare. Bashkë me Tatjanën, kemi drejtuar programet e atletikës në shumë shkolla në Vancouver.

Këto programe shkollore të atletikës ishin ekzistues, pra të hartuar nga specialistët e fushës?

Besnik Meçe: Jo, ishim ne ideatorët, strukturuesit dhe drejtuesit. Ndër to si më të suksesshëm mund të veçoja:

-New Westminster Junior Development Program; 

-New West Spartans Track and Field Club;

-Harry Jerome Outreach Program (për këtë program kam mbajtur fjalën e hapjes në takimin bilateral të atletikës Kanada - Kinë);

-Douglas College Running Club.

-Vancouver Olympic Club (organizator i rimëkëmbjes së këtij klubi, si i pari klub i atletikës në British Columbia).

Duke kërkuar më shumë në internet rreth aktivitetit tuaj, në mësuam që keni drejtuar dhe takime ndërkombëtare atletike në nivelin e Amerikës së Veriut …

Besnik Meçe: Po, është e vërtetë, kemi drejtuar gjithashtu me sukses disa takime ndërkombëtare të atletikës në New Westminster, ku mund të përmend takimin e NAIA Regional Cross Country të Zonës Veriperëndimore  të Amerikës  së Veriut  (North West, USA-Canada) si dhe kam qënë menaxher teknik i Takimit Ndërkombëtar të Atletikës "Harry Jerome Track Classic" në Vancouver e Burnaby, një ndër takimet më në zë në Amerikën e Veriut.  Bazuar në rezultatet e atletëve, jemi aktivizuar disa herë si trajnerë të ekipit përfaqësues të British Columbia U16 e U18, në kampionatet kombëtare të Kanadasë. Unë gjithashtu kam drejtuar edhe një grup atletësh përfaqesues të UBC në krosin e madh ndërkombëtar në Chiba, Japoni. (IAAF X-C Meeting).

Me çfarë aktiviteti merreni aktualisht? Cilat do të veçonit si arritjet tuaja më të spikatura?

Besnik Meçe: Tani jam 70 vjeç, në moshë pensioni, por vazhdoj të trajnoj dy klube: VOC (Vancouver Olympic Club) e New West Spartans T&F Club, me rreth 100 atletë, në pozicionin e Drejtorit Teknik, (i vetëpunesuar)

Bashkë me Tatjanën, kemi trajnuar e përgatitur 35 kampionë të Kanadasë për U18 e U20 me 17 përfaqësime në ekipin kombëtar kanadez, pesë prej tyre në Kampionatet Botërore, e tre atletë të renditur në top 10, në listën botërore të IAAF në kategoritë e vitet përkatese. Disa nga atletët tanë kanë fituar medalje në veprimtari të nivelit të lartë ndërkombëtar. Me rezultatet e arritura nga atletët tanë, jam vleresuar me Çmimin Trajner i Vitit 2010 per Junior Development kategori si dhe 2019 Trajneri i Vitit per U16 e U18 per Provincen e British Columbia, çmime të cilat edhe Tatjana i ka fituar dy here, Trajner i Vitit 2007 dhe në 2013 përfshirë këtu edhe atë të kategorisë për të rritur.

Në 2017, nje nga atletët tanë fitoi medaljen e argjendit në Pan-Am Junior Games në 110m/p duke thyer rekordin e Kanadasë me kohën 13.36.

Në vitin 2018, për hërë të parë në historinë e shkollave të mesme në Vancouver, një atlete e jona u kualifikua për Youth Olympic Games në Buenos-Aires dhe u rendit e 9-ta në 1500m. Në vitin 2019, atletët tanë fituan 5 tituj kampioni të Kanadasë për grup moshat U18 e U20 e dy atletë perfaqësuan Kanadanë për U18 në veprimtaritë ndërkombëtare duke fituar një medalje ari në 1500m, e një vend të 4-t në 2000m/pengesa në NACAC U18 Championships. Më 9 Qershor të këtij viti, u nderova nga Athletics Canada me Çmimin “Jane and Gerry Swan Awards” 2019 Development Coach of the Year.

Urime të përzemërta Profesor Besniku! Si do ta konsideronit këtë arritje për ju personalisht dhe çfarë simbolike ka ky vlerësim?

Besnik Meçe: Ky çmim është një vlerësim i madh. Dua të falenderoj komitetin seleksionues si dhe Athletics Canada për këtë nder të veçantë që më bëri krahas figurave më të shquara të atletikës Kanadeze si Andrew De Grasse, Alysha Newman, Damian Warner, Muhammed Ahmed, Evan Dunfee, etj, medalistë në Olimpiada e kampionate botërore. Ky çmim ka emrin e dy ikonave të atletikës kanadeze dhe është privilegj i madh e historik të vlerësohesh me të. Ja si e komentoi ish-kryetrajneri i ekipit perfaqësues të Skocisë, Laurier Primeau, tani kryetrajner i UBC: “Lista e atletëve të niveleve ndërkombëtare që kanë përgatitur Besniku e Tatjana është e gjatë. Kujtoj se në 2017 kishin tre atletë në 10 më të mirët në renditjen botërore të IAAF U20”.

Sa ndikoi këto kohë në aktivitetin tuaj të përditshëm Pandemia COVID-19?

Besnik Meçe: Ndihemi pak të pezmatuar por optimistë. Covid-19 ndikoi edhe në ceremoninë e marrjes së çmimit tim. Ceremonia do të bëhej në Stadiumin e Montréal-it, gjatë Finaleve të Kampionatit Kombëtar dhe seleksionimit të ekipit olimpik kanadez për Tokio 2020. Por me që Olimpiada e Tokios u shty, garat u anulluan dhe çmimi do të më dërgohet me postë.

Gjatë kësaj kohe të trishtë ne kemi vazhduar stërvitjet virtuale via Zoom dhe kemi përfunduar protokollet për fazën “Kthim në Sport” dhe këto ditë kemi filluar me optimizëm stërvitjet në natyrë.

Çfarë kontaktesh keni me kolegët tuaj në Shqipëri dhe si e gjykoni aktualisht gjendjen e sektorit të sportit atje? Ju ka ndodhur të realizoni apo të diskutoni për projekte të përbashkëta?

Besnik Meçe: Që nga viti 2001 deri në 2016, kam pasur emocione të veçanta duke qenë pranë ekipeve kombëtare shqiptare që kanë konkuruar në Kanada, si me Atletikën në Edmonton në 2001, Peshëngritjen në Vancouver në 2003, Mundjen në Vancouver në 2004, si dhe Olimpiadën Dimërore në Vancouver në 2010. Përfitoj nga rasti të falenderoj ish-Presidentin e KOKSH Agim Fagu e Sekretarin Stavri Bello që na akredituan të jemi pjesë e ekipit Olimpik duke pasur mundësinë të shohim të gjitha garat. Me përkrahjen e Presidentit të FSHA Gjergj Ruli dhe Sekretarit të saj Nikolin Dionisi, kemi shoqeruar ekipin e Atletikës në Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura në 2016 në Portland, USA.

Me të gjithë miqtë tanë në Shqiperi kemi kontakte të vazhdueshme profesionale duke shkëmbyer pervojat tona sportive. Aktualisht po punoj dhe jam në fazën e mbledhjes së statistikave për projektin e strategjisë afatgjatë (tetë vjecare) të atletikës shqiptare deri në Lojrat Olimpike 2028, e cila besoj se do të ketë edhe mbështjen e Komitetit Olimpik Shqiptar.

Si i vlerësoni politikat e shtetit kanadez në favor të sportit? Çfarë peshe ka aktualisht Kanadaja në arenën e kompeticioneve ndërkombëtare sportive, jo vetëm në aspektin statistikor, por edhe për nga mënyra si punohet në këtë sektor. A mund të flitet për një model kanadez në fushën e sportit?

Besnik Meçe: Politikat kanadeze të sportit janë progresive dhe me vizion të qartë. Kanadaja renditet në vëndet më të përparuara në sport si në Lojrat Olimpike Dimërore dhe në ato Verore. Modeli sportiv eshtë i kompletuar e funksional, por kam mendimin se duhet rritur niveli i punës në shkolla nga mësuesit e edukimit fizik, si hallka e parë e procesit të identifikimit të talenteve.  Kanadaja ka një vlerësim të veçantë për sportin, me shumë institucione sportive të specializuara, terrenet sportive pranë çdo shkolle dhe komuniteti ku organizohen aktivitete nga më të ndryshmet e për çdo grup moshe, ka ambiente sportive e parqe të mëdha ku ke mundësi të stërvitesh e të merresh me sport.

Në çdo sport, përveç garave të klubeve, organizohen kampionatet e shkollave elementare, të mesme si dhe të shkollave të larta. Këto aktivitete fillojnë me kampionatet e qyteteve dhe finalizohen me kampionatet e provincës. Për informacionin tuaj, buxheti i federatës së British Columbia eshte 1.5 milion CAD, ndërsa klubet kanë buxhetet e tyre të veçanta me një përqindje të vogël financimi nga shteti. Kam konstatuar se në BC ka shumë trajnerë prindër që stërvisin fëmijët në futboll. Për mendimin tim me këto grupmosha duhet patjetër të punojnë trajnerë të kualifikuar.

“University Sports” është organi ose institucioni drejtues për sportet universitare, ndërsa “Shoqata e Atletikës e Kolegjit Kanadez” është institucioni që organizon sportet e kolegjeve. Një faktor që ndikon në nivelin e pjesëmarrjes së sportistëve në institucionet anëtare të “U Sport” është financimi jo i lartë i bursave studentore për ta duke detyruar që shumë sportistë të nivelit të lartë, më të mirët në Kanada të preferojnë universitetet në USA (NCAA) që japin mbështetje me bursa të plota. Disa nga atletët tanë marrin NCAA shcholarship nga $50,000.00 deri $70,000.00 US në vit.

 

Po vlerësimi juaj për shoqërinë multikulturale kanadeze cili është?

Besnik Meçe: Shoqëria Kanadeze është nje shoqëri me vlera të barazisë dhe respektit reciprok. Por nuk jane te pakta edhe rastet e racizmit e dhunës. Në situatat që ne po kalojmë dhe veçanërisht ato në USA, si dhe ato globale, mendoj se është e domosdoshme të promovojmë vlerat e multikulturalizmit si një faktor i rëndësishëm e ekzistencial i shoqërise kanadeze. Kjo mund të na vlejë edhe ne si komunitet për të qenë më tolerantë më njeri-tjetrin e për të eleminuar çdo mosmarrëveshje si në aspektin sociologjik e në atë ideologjik duke përkrahur e ndihmuar çdo bashkëkombas drejt integrimit dinjitoz në shoqërinë kanadeze. Në këtë drejtim, mendoj gjithashtu se eksperienca shqiptare e tolerancës fetare është një model perfekt që duhet të na shërbejë të gjithëve si komunitet. Ne e kemi dhënë vazhdimisht shembullin tonë, e ilustrim për këtë mund të konsideroni përbërjen e ekipeve tona si dhe kampionët e rekordmenët e Kanadasë që kemi përgatitur, të cilët janë me origjinë nga Kina, Serbia, Greqia, Rumania, Irlanda, etj, duke pritur të na jepet mundësia për një kampion shqiptar…

Një shembull në këtë drejtim mund të jetë edhe kontibuti ynë që përshkruhet në librin e botuar këtu në vitin 2011, “From Bombs to Books” i autorit David Starr, i shpërndarë në Kanada e në shumë vende të tjera, ku komentohet veprimtaria jonë në ndihmë të femijëvë emigrantë për aktivizimin e tyre në atletikë e sport.

A keni informacion për sportistë të tjerë e profesionistë të sportit me origjinë shqiptare që ushtrojne aktivitetin në Kanada si ju?

Besnik Meçe: Kam lidhje të vazhueshme më miqtë e mij të vjetër të atletikës Dhimitraq Dhjaku, nje ish-atlet klasi, ish-drejtor i Drejtorisë së Sporteve në Ministrinë e Kulturës që tani jeton në Toronto (fizioterapist e personal trainer me nivel) si dhe me Rexhep Zebin, trajner i atletikës i Korabit të Peshkopisë dhe ekipit kombëtar të distancave në Shqipëri që tani është personal trajner e drejton një biznes e një palester në North Vancouver.  Në London, Ontario, banon edhe Pëllumb Shaqiri, ish-futbollist i Partizanit e tani një trajner klasi i futbollit.

Lutemi na rrefeni shkurt diçka mbi komunitetin shqiptar ne British Columbia…

Besnik Meçe: Është një komunitet kompakt që drejtohet nga një kryesi aktive e që organizon mjaft veprimtari më një pjesëmarrje të gjerë.

Sa shpesh ju ndodh të shkoni në Shqipëri? Kur keni shkuar më çfarë përshtypjesh jeni kthyer? Në se do kujtonit kohën 20 vjet përpara, çfarë ka ndryshuar atje për mirë apo për keq?

Besnik Meçe: Ne kemi pasur dhe kemi gjatë gjithë vitit një program të dendur me gara e kampionate në BC, Kanada e USA. Kur na jepet mundësia, në shkojme në Shqipëri sepse atje, në atë tokë, ne gjejmë frymëzimin. Hmmm…ndryshimet… vë re një bipolarizim të tejskajshëm financiar…e betonizim kudo.

Ishte iniciativë mjaft progresive platforma e edukimit fizik e drejtuar nga ish-Zv. Ministri R. Dimraj për rioganizimin e kësaj lënde në shkolla me tre orë në javë si dhe përgatitja praktike e teorike e mësuesve nga ana e tij, por kjo iniciative duhet ndjekur në dinamike e të zhvillohet më tej. Kujtoj gjithashtu që Tirana është i vetmi kryeqytet tashmë pa piste tartani. Stadiumi i ri është një objekt modern e i kohës që i duhej vendit e Tiranës, por nuk ka më pistë atletike, e atje diku nën ato konstruksione janë betonuar kujtimet tona në stërvitje, gara, rezultatet, e fitoret e medaljeve.

U rindërtua edhe Stadium Bislett në Oslo ku unë kam qënë dy herë në 85-86, e ku Pavlina Evro shpalosi vlerat e atletikës shqiptare, por pista nga 6 korsi u bë me 8 korsi dhe tani vazhdon tradicionalisht një nga mitingjet më të mëdhenj të Diamond League.  Maratona e Tiranës, është një eksperiencë pozitive, por është domosdoshmëri që çdo muaj të organizohen gara te tilla në qytetet kryesore ku të aktivizohen edhe sponsorë të ndryshëm. Të mos harrojmë, vrapimit në rrugë po i kushtohet një vemendje shumë e madhe ndërkombëtare…

E tani që i erdhi fundi bisedës a do të preferonit të ndanit me lexuesit e Flasshqip diçka tjetër?

Besnik Meçe: Nga ekperienca ime personale mendoj se ne shqiptarët kemi në AND-në tonë elementë që kur arrijmë ti aktivizojmë na japin fuqinë të kalojmë kufijtë e durimit. E me ketë dua të shpreh bindjen se gjithë komuniteti shqiptar do të njohë arritje të mëtejshme hap pas hapi duke mbështetur njeri-tjetrin.

I uroj të gjithë bashkëkombasve të kenë shëndet, çdo të mirë, e ç’tu dëshërojë zëmra. Ju falenderoj përzemërsisht për ftesën për të bashkëbiseduar!

Shëndet dhe suksese edhe për ju familjarisht Profesor Besniku!

4 Korrik 2020