Komunitet

Shqiptarët ia dalin në çdo rrethanë - Rrugëtimi kanadez i Prend Tanushit, studentit mirditor të Dhjetorit 1990

  • Published in Komunitet
Nga: Taulant Dedja

Në një shtet si Kanadaja, që shtrihet nga një oqean në tjetrin, është e pamundur t’ njohësh të gjithë shqiptarët që jetojnë aty. Por kur ke miq si Ajet Nuro prej ditës së parë, mundimi të zvogëlohet. Ajeti mbetet një njohës i komunitetit shqiptar të Québec dhe jo vetëm, si rrallëkush. Prej tij pata fatin të njihem e të bisedoj nga afër me Prend Tanushin, mirditorin që jeton në Montréal prej plot një çerek shekulli sëbashku me familjen, bashkëshorten Marije Gjoka dhe vajzën e tyre 7 vjeçare Eliana. Prendi të lë menjeherë përshtypjen e një njeriu të drejtpërdrejtë, që kur bisedon me të, të sheh drejt e në sy. Matematicieni, student i Dhjetorit 1990, i cili sot drejton një nga bizneset më të suksesshme shqiptare në metropolin frankofon kanadez, pranoi të ndajë me Flasshqip, në një rrëfim të sinqertë, modest e fjalëkursyer, një pjesë të historisë së jetës së tij. Vendimi për të emigruar ka qenë krejt spontan, siç shprehet ai, i nxitur nga euforia, entuziazmi, hovi dhe guximi i moshës, nxitimi dhe dëshira e pamatë për të shijuar e jetuar liritë e munguara. Në kushtet e emigrimit, sipas tij sfida më e rëndësishme mbetet deshifrimi i shoqerisë së re ku jeton, për të kuptuar si funksionon ajo, që të mund të bësh një plan për t'u integruar sa më mirë në të ardhmen. Prendi beson vërtet që ne shqiptarët jemi vitalë, dimë të mbijetojmë e t’ia dalim në çdo rrethanë. Ai pohon që historia e emigrantëve shqiptarë në Kanada është e gjitha histori suksesi, në një kohë rekord, në çdo aspekt! Ai gjithashtu nuk nguron të pohojë që Kanadaja është një vend që të bën shumë shpejt të ndjehesh në shtepinë tënde, një vend që të jep mundësitë e demonstrimit të aftësive individuale pa asnjë kufi dhe ku rezultati merr vlerë më të madhe, kur arrihet me sakrificë, me djersë e pa ndihmën e askujt. Në biznesin që ushtron prej vitesh, Prendi është partner me bashkëshorten. Është pikërisht ajo, pohon ai, që e inkurajoi dhe mbështeti në këtë projekt hap pas hapi, e në mënyrë të pandërprerë, megjithëse ka patur edhe angazhimet e veta profesionale. Maria nga ana e saj është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Shkodrës por gjithashtu ka studjuar edhe këtu në Montréal, fillimisht në Dawson College e më pas në McGill University. Profesioni i saj është Infermiere Kliniciste dhe Konsulente e çertifikuar për ushqyerjen e të sapolindurve (Lactation Consultant). Ajo ka punuar fillimisht në St Marie Hospital e më pas në CLSC René-Cassin e Cavendish...

Flasshqip: Ku ke lindur dhe je rritur Prend? Më thuaj pak fjalë për familjen të lutem…

Prend Tanushi: Jam nga Mirdita, lindur në një familje tradicionale mirditore, brenda të cilës kemi arritur fatmirësisht të ruajmë traditat dhe zakonet tona krahinore, edhe pse kemi qenë në shënjestër nga persekutimi sistemik i diktaturës komuniste, si familje në veçanti dhe si krahinë në pergjithësi.

Flasshqip: Çfarë kujton në veçanti nga fëmijëria dhe rinia?

Prend Tanushi: Femijëria dhe rinia ime kanë qene modeste, me shumë pak vlera social-shoqërore dhe vetëm me disa vlera të cunguara akademike, që ia vlen për t’i kujtuar vetëm për të mos harruar…

Flasshqip: … po shkollimi në Shqipëri…

Prend Tanushi: Unë jam diplomuar për mesues matematike, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në vitin 1994.

Flasshqip: Le të flasim pak mbi historinë tënde të emigrimit… si do ta përshkruaje atë sot pas një çerek shekulli? Si vendose të largohesh nga atdheu e cilat ishin arsyet?

Prend Tanushi: Menjëherë pasi mbarova studimet e larta dhe pa provuar të punoj në Shqipëri vendosa të emigroj në Kanada. Kështu, në Prill të vitit 1995 kam arritur në Montréal, pra kam 25 vjet që jetoj këtu. Unë jam student i Dhjetorit 1990 dhe kam patur shansin e mirë që të isha pjesë e Lëvizjes studentore për demokraci. Ato vite janë të paharruara pë mua. Ishin ndër të paktat vite të bukura nga koha e rinisë time. Asokohe shpresonim ndryshimin drejt një shoqërie të hapur dhe konkurente. Një sistem me ekonomi tregu të lirë për të gjithë, ne e shikonim si një mundësi të pakontestueshme. Natyrisht, vendimi për të emigruar ishte krejt spontan, nga euforia, entuziazmi, hovi dhe guximi i moshës, nxitimi dhe dëshira e pamatë për të shijuar e jetuar liritë e munguara…

Flashshqip: Po pse zgjodhe pikërisht Kanadanë, çfarë ndikoi në këtë rast?

Prend Tanushi: Per mua zgjedhja e Kanadase ishte krejt natyrale. Së pari kisha lexuar që është ndër vendet më demokratike dhe ndër demokracitë më moderne, një shoqëri e emancipuar dhe e hapur për të gjithë. Së dyti, une e kisha mësuar frengjishten në shkollë dhe kjo më ndihmoi shumë për t’u integruar në Montréal.

Flasshqip: Në ato fillime a të ndihmoi dikush në hapat e para të sistemimit?

Prend Tanushi: Në kohën që kam arritur unë, këtu nuk ka pasur shumë shqiptarë, megjithatë kam takuar disa nga ata të paktët që ishin, të cilët kuptohet më ndihmuan për fillimin, sidomos në nivelin e informacionit, që sipas meje është shumë i rëndësishëm për dikë që sapo ka imigruar.

Flasshqip: Cilat ishin punët e para që bëre? Po vështirësitë që hase në fillim në se mund të flitet për të tilla dhe si i përballove?

Prend Tanushi: Rastësia e solli që puna e parë të ishtë në restorant. Sigurisht, vështirësi ka gjithmonë edhe kur ndërron qytet e aq më shumë kur largohesh në një kontinent tjetër ku çdo gjë fillon nga zero si rregull. Ato të parat kuptohet që lidhen me strehimin, punësimin dhe pastaj sfida më e rëndësishme mbetet deshifrimi i shoqerisë së re ku jeton, për të kuptuar si funksionon ajo, që të mund të bësh një plan për t'u integruar sa më mirë në të ardhmen. Shkurt mund të them që këtë etapë e përballova me punë, me kurajo e me vendosmëri. Ne shqiptarët jemi vitalë, dimë të mbijetojmë e t’ia dalim në çdo rrethanë. Historia e emigrantëve shqiptarë në Kanada është e gjitha histori suksesi, në një kohë rekord, në çdo aspekt!

Flasshqip: Na përshkruaj pak rrugëtimin profesional, punën dhe aktivitetin tënd aktualisht…

Prend Tanushi: Siç thashë edhe më sipër, në Shqipëri studiova për mësues matematike ndërsa këtu vazhdova gjithashtu të shkollohem në fushën e informatikës dhe u diplomova si programues/analist në vitin 2004. Megjithatë, puna dhe aktiviteti që kam ushtruar dhe që vazhdoj të ushtroj nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me fushën e studimeve të mia, por duhet thënë që indirekt ose direkt çdo biznes është i lidhur me matematikën dhe informatikën. Që ta shpjegoj më qartë, unë prej viti 2005 jam i vetëpunesuar dhe kam krijuar biznesin tim të parë familjar, “Pizza Gourmande” në Laval, ndërsa në vitin 2018 hapa biznesin e dytë, kuptohet në të njëjtën fushë dhe me të njejtin emër “Patisserie-Boulangerie-Pizza Gourmande” (kryesisht traditë produktesh italiane dhe vendase, rreth 230 të tilla), por kësaj radhe në bregun jugor përballë Montréal-it, në Longueuil.

Flasshqip: Le të kthehemi përsëri pak prapa në kohë. Si ishte ballafaqimi i parë me Kanadanë? Si e përshkruan shoqërinë kanadeze dhe a je i bindur sot që ke bërë zgjedhjen e duhur?

Prend Tanushi: Sigurisht që jam shumë i bindur që kam bërë zgjedhjen më të mirë. Prej fillimit përshtypjet kanë qenë mjaft pozitive dhe mbi këtë pozitivitet kam ndërtuar jetën time dhe të familjes, me uljet e ngjitjet që jemi detyruar të përballemi. Ditën kur kam arritur këtu e kam quajtur fitore dhe kjo mendoj se është fitorja e parë dhe më e madhja. Shoqëria kanadeze është një shoqëri e hapur, multikulturore, multietnike, ku njerëz me diferenca të ndryshme, kanë të drejta të barabarta dhe jetojnë në harmoni të plotë. Kanadaja është një vend që të bën shumë shpejt të ndjehesh në shtepinë tënde, një vend që të jep mundësitë e demonstrimit të aftësive individuale pa asnjë kufi.

Flasshqip: Prend, a ka patur momente që ke menduar kthimin në atdhe?

Prend Tanushi: Të jem i sinqertë, jo. Asnjëherë nuk e kam menduar kthimin përgjatë gjithë këtyre 25 viteve.

Flasshqip: Cila është kënaqësia më e madhe që ke ndjerë gjatë rrugëtimit tënd të emigrimit?

Familja, arritjet, intervali midis pikës së nisjes dhe ku jam sot, një rrugë e vështirë, e gjatë, me plot enigma, por që më bën të vlerësoj më shumë atë çfarë kam krijuar, pra rezultati merr vlerë më të madhe, kur arrihet me sakrificë, me djersë, pa ndihmën e askujt.

Flasshqip: Si ka ndikuar emigracioni në raport me marrëdhëniet në familje apo shoqëri? Janë forcuar apo dobësuar këto lidhje?

Prend Tanushi: Shprehja “larg syve larg zemres” nuk ekziston pa një arsye… Patjetër që largësia ka bërë punën e vet në mënyre regresive në lidhje me marrëdhëniet me familjen e shoqërinë në përgjithesi, por mundohem të bëj atë që kam mundësi nga larg. Të paktën Interneti dhe rrjetet sociale e kanë lehtësuar mjaft komunikimin në çdo kohë me çdo lloj distance…

Flasshqip: Si e vlerëson komunitetin shqiptar në Montréal?

Prend Tanushi: Komuniteti këtu është i vogël në numër, por cilësor. Është për tu vlerësuar që bëhen përpjekje për të jetuar në mënyre komunitare, për të mbajtur të gjallë gjuhën, kulturen, traditat tona, nëpërmjet grupimeve, aktiviteteve, festave kombëtare dhe familjare, një mënyre kjo efikase për të tramsmetuar këto vlera tek të rinjtë.

Flasshqip: A mendon se shqiptarët këtu janë më të lirë në mendime se në atdhe?

Prend Tanushi: Jam i sigurt, që këtu jemi më të lirë të shprehemi, të dëgjohemi dhe të aplikojmë aftesitë tona intelektuale e profesionale më mirë se në atdheun tonë me një demokraci akoma të brishtë…

Flasshqip: Vihet re që fëmijët e shqiptarëve që lindin në emigracion humbin pak nga pak gjuhën dhe traditat? Ç’mendon për këtë ?

Prend Tanushi: Është një problem shumë i ndjeshëm mendoj, që duhet të angazhohemi për ta përballuar të gjithë në mënyrë individuale në familjet tona, në mënyrë që t’u mesojmë gjuhen shqipe femijëve. Gjuha është çelësi i ruajtjes së kulturës, traditave dhe zakoneve kombëtare dhe i transmetimit të tyre tek brezat e ardhshëm.

Flasshqip: Duke patur parasysh që vitet kalojnë, a duhet të asimilohet në një mënyrë apo në një tjetër një komunitet në raport me kulturën e vendit që e mirëpret? Në rastin e hebrejve për dhembull, identiteti ruhet prej shumë e shumë viteve në Amerikën e Veriut, por jo vetëm….

Prend Tanushi: Nga njera anë, ne si shqiptarë, ashtu sikurse shumë komunitete të tjerë që formojnë Kanadanë e sotme, duhet të integrohemi sa më shumë këtu dhe këtë mendoj se e bëjmë më së miri, por nga ana tjetër asnjëherë nuk duhet të harrojmë rrënjët tona, duhet të jemi krenarë për origjinën tonë, pra edhe fëmijët  që lindin këtu, vërtet janë kanadezë, por duhet ta ndjejnë dhe të mos harrojnë prejardhjen e tyre shqiptare, ashtu sikurse nuk e kanë harruar edhe ato komunitete që emigruan këtu prej katër shekujsh apo më vonë. Vetë provinca e Québec-ut eshtë një shëmbull shumë domethënës ruajtjeje identiteti… apo edhe komuniteti hebre që u përmend në pyetjen e mësipërme.

Flasshqip: Pra sipas teje, cila mund të jetë forma më e mirë e ruajtjes së kulturës tonë në Kanada?

Prend Tanushi: Gjuha, shkolla shqipe, media e shkruar shqip, radio apo TV shqip, organizimi i evenimenteve të ndryshme, jo vetëm në raste festash, por në mënyrë të vazhdueshme gjithë vitin. Duhet të përpiqemi të jemi sa më kreativë në këtë drejtim…

Flasshqip: Çfarë do dëshiroje të ndaje akoma në këtë bashkëbisedim me lexuesit e Flasshqip…

Prend Tanushi: Dua t’ju falenderoj për mundësinë që më dhatë për të zhvilluar këtë bisedë të ngrohtë. Njëherazi ju uroj sukses si media dhe ju përgëzoj për hapjen e kësaj rubrike në Flasshqip. Duke e mbyllur i ftoj të gjithë bashkëkombasit që jetojnë në Kanada të mbështesin iniciativa të tilla dhe çdo iniciativë që i shërben komunitetit në mënyrë gjithpërfshirëse!

Flasshqip: Falemnderit Prend që ndave me ne historinë tënde. Njëkohësisht i ftojmë lexuesit tanë në Montréal e rrethina, por edhe vizitorët nga qytete e provinca të tjera, të mos e humbasin rastin pë të shijuar produktet e shumëllojshme dhe tejet cilësore nga «Patisserie-Boulangerie-Pizza Gourmande» në adresat si më poshtë:

Laval

Pizza Gourmande

2888 Ave du Cosmodôme

Laval (Quebec) H7T 2X1

450 688-3544

Longueuil

Pâtisserie-Boulangerie-Pizza Gourmande

3840, Boul. Taschereau, Greenfield Park

Longueuil (Quebec) J4V 2H9

450 671-5774

E hapur 7 ditë në javë

E Hënë - E Mërkurë 9:00 deri 18:00

E Enjte - E Premte 9:00 deri 21:00

E Shtunë - E Diel 9:00 deri 18:00

Website: https://www.patisseriegourmande.com/en/

©Flasshqip