Komunitet

“Hasa Avocats-Attorneys”, një studio ligjore shqiptare në Montréal

  • Published in Komunitet

Gjergji Hasa ka lindur në vitin 1983 në Lushnje. Pas përfundimit të arsimit 8 vjeçar, në vitin e trazuar 1997, Gjergji largohet nga vëndlindja dhe për 4 vjet ndjek studimet kolegjiale në Bukuresht të Rumanisë nga ku emigroi i vetëm drejt Kanadasë për t’u vendosur në Montréal ku dhe jeton e punon prej dy dekadash. Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera në Degën e Shkencave Politike të Universitetit Concordia më 2007, ai pranohet në Fakultetin Juridik të Universitetit McGill ku përfundon studimet si jurist në Common Law dhe Civil Law, në vitin akademik 2012-2013. Pasi kreu me sukses të gjitha procedurat përkatëse, Gjergji anëtarësohet dhe liçensohet si avokat nga Dhoma e Avokatëve të Québec-ut. Fillimisht ai e ka ushtruar avokatinë si partner i Zyrës Ferdoussi-Hasa ndërsa para disa kohësh krijoi studion e tij ligjore “Hasa Avocats-Attorneys”.

Aktivist në jetën komunitare në Montréal, si student i McGill, Gjergji është laureat i Çmimit për Drejtësi Sociale dhe Lidership, “Award for social justice for contribution to the Faculty Community through Commitment and Leadership in the fields of Law and Social Justice”, laureat i bursës së ekselencës nga Canada Millenium Scholarship Foundation si dhe ka kryer një stazh pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë në vitin 2012. Ai ka punuar gjithashtu për “Center for Human Rights and Legal Pluralism”. Njëherazi kontribues aktiv në gjirin e komunitetit shqiptar në Montréal (i vlerësuar gjithashtu me çmim nga Shoqata Bashkësia Shqiptare e Québec, Montréal), Gjergji ushtron vullnetarisht rolin e këshilltarit ligjor pranë Shoqatës Kulturore Shqiptare të këtij qyteti. Ai prej disa vitesh ka krijuar dhe familjen e tij. Bashkëshortja Stela, edhe ajo studente e shkëlqyer shqiptare dhe me profesion avokate, aktualisht punon për institucionet e qeverisë së Québec-ut. Të dy janë prindër të lumtur të një vajze me emrin Iris, e cila ua heq si me dorë lodhjen e ditës së ngarkuar me punë kur kthehen në shtëpi.

Flasshqip: Gjergji, së pari urimet më të përzemërta nga Flasshqip për këtë arritje madhore profesionale siç mund të konsiderohet hapja e një studioje ligjore, pikërisht në metropolin frankofon të Kanadasë, Montréal, ku ti je vendosur prej gati dy dekadash. Pas përfundimit të studimeve në McGill University (Common Law dhe Civil Law) dhe nga momenti i anëtarësimit në Dhomën e Avokatëve të Québec-ut si do ta përshkruaje eksperiencën e mëpasme? A ka momente të veçanta për t’u kujtuar?

Gjergji Hasa: Duke falenderuar Portalin Flasshqip, jo vetëm për ketë urim por edhe për bashkëpunimin që kemi vendosur prej kohësh do të pohoja që fillimi i eksperiencës si avokat ishte një për mua një sfide tjetër, apo më saktë sfida e radhës pas shumë të tjerave sfida që i paraprinë asaj. Sigurisht, gjetja e një kabineti ku duhet të bëja stazhin nuk ishte e lehtë. Të shumta janë zyrat që ushtrojnë të drejtën korporative apo civile, por unë bazuar në objektivat e mia profesionale kërkoja një studio që ushtronte aktivitetin në fushat e të Drejtës penale dhe asaj të emigracionit. Sigurisht këtu bashkohej dhe dëshira për të mos u larguar nga Montréal, qyteti ku kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës time deri më sot.

Nëse do të flisnim për momentet e veçanta, aty sigurisht renditen hapat e progresit profesional nga roli i stazhierit, më pas avokatit, partnerit me avokatin që më ofroi stazhin në fillim e së fundi krijimi i Studios Ligjore “Hasa Avocats-Attorneys”. Po aq të veçanta janë ato momente të bukura, kur dikujt nuk i aplikohet ligji me gjithë ashpersinë e tij në dosjet penale apo kur dikush merr mbrojtjen nga Kanadaja, merr rezidencën apo nuk humbet rezidencen, etj. Kuptohet, gëzimi por edhe hidhërimi ndahet me klientin.

Flasshqip: Duke dëgjuar këtë përgjigje ku ndihet ekuilibri mes logjikës profesionale dhe emocioneve si njeri, si individ, natyrshëm vijnë në mendje parimet e rëndësishme tek të cilat duhet të mbështetet dhe referohet çdo avokat, si çdo profesionist në marrëdhënie me qytetarët dhe institucionet gjatë ushtrimit të profesionit të tij…

Gjergji Hasa: E vërtetë dhe në krye të radhës unë do përmendja etikën. Etika profesionale është themeli i profesionit. Po citoj me këtë rast dy prej “cornerstone principles” të profesionit të avokatit që janë “Solicitor-client privilege” dhe detyrimi për të qenë transparent me klientin.

Së pari, “Solicitor-client privilege” është një e drejtë e garantuar nga neni 7 i Konventës Kanadeze të të Drejtave të Njeriut (Canadian Charter of Rights and Freedoms) që do të thote se çdo informacion që ndahet me avokatin nuk mund të dalë nga zyra e avokatit. As institucionet më të larta të policisë kanadeze nuk hyjnë dot në zyrën e avokatit për të marre informacion rreth një klienti. Nga ana tjetër, një avokat e humbet liçencën në mënyrë të menjëhershme në qoftë se thyen këtë rregull themelor të profesionit. Në rastin tim konkret, për ta bërë më të kuptueshme atë që sapo përmenda, klientët e mi janë dëshmitare qe as emrat e klientëve të tjerë nuk i përmend kurrë para tyre dhe jo më problemet që kanë ndarë me mua në zyrën time në mirëbesim të plotë.

Së dyti, vjen detyrimi për të qenë transparent. Një avokat në Kanada nuk ka të drejtë të premtojë rezultat për punën e tij edhe sikur të jetë njëqind përqind i sigurt që klienti i tij ka ligjin në krahun e vet. Vendimin nuk e merr avokati, por gjykatësi apo një administrator i shtetit, pra roli i avokatit nuk është që të premtojë vendimin që i përket dikujt tjetër. Avokati ka për detyrë të sigurojë që e gjithë procedura ligjore dhe mbrojtja e të drejtave të klientit kryhet me rigorozitet, por jo të premtojë rezultat. Fatkeqësisht, ndodh shpesh që avokatët premtojnë rezultate për fitime personale, por kjo shkon kundër etikës së profesionit dhe detyrimit të besnikërisë kundrejt klientit. Ndofta do gjej kohën të përgatis në të ardhmen një artikull më të detajuar mbi rrëgullat për të cilat po flasim, sepse sigurisht në një intervistë të tillë është e pamundur që ato të ezaurohen vetëm më një përgjigje.

Flasshqip: Do të ishtë vërtet me interes për lexuesit dhe anëtarët e komunitetit tonë shtjellimi më në detaje i kësaj pjese të profesionit, aq më tepër që në ditët e sotme prania e avokatit është thuajse e pashmangshme në jetën e secilit, në një moment apo një tjetër, për arsye nga më të ndryshmet. Tani le të kthehemi të objekti kryesor i intervistës së sotme. Si u arrit deri tek vendimi për krijimin e zyrës “Hasa Avocats-Attorneys”? Sigurisht që kjo duhet të kete qenë një tjetër sfide më vete…

Gjergji Hasa: Krijimi i “Hasa Avocats-Attorneys” ishte një rrjedhë e natyrshme e karrierës për shkak mbi të gjitha të mentalitetit të vetë profesionit. Më kujtohet që në muret e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit McGill shkruhej «To leave no stone unturned», që përveç përkthimit fjalë për fjalë “mos lër asnjë gurë pa lëvizur”, do të thotë më saktë mos hiq dorë nga problemi i klientit deri kur t’i kesh ezauruar të gjitha mundësitë ligjore për të gjetur një zgjidhje për të. Kur ky është pikësynimi i një avokati, kuptohet që çdo klient do mbetet i kënaqur nga shërbimi dhe madje do referojë familjarët dhe miqte e tij dhe kështu ndërtohet një klientelë solide që vjen duke u rritur. Në rastin konkret, klientela tashmë solide, ndër të tjerë, ishte një motiv nxitës parësor për të hedhur hapin vendimtar që u konkretizua me themelimin e Studios Ligjore “Hasa Avocats-Attorneys”.

Flasshqip: A mund të flasim pak më në detaje mbi menyrën e funksionimit dhe organizimit të zyrës apo edhe për fushat e së Drejtës që praktikohen prej ekipit tënd…

Gjergji Hasa: Çdo gjë në programin tonë ditor fillon me fokusimin deri në detajet e çdo dosjeje dhe bazohet te investimi i përditshëm në njohuritë ligjore të cilat pasurohen rregullisht për shkak të jurisprudencës që buron nga vendimet e gjykatave të të gjithë niveleve apo dhe nga ndryshimet që pëson legjislacioni në fuqi.

Tashmë jemi pesë avokatë, nje “stagiaire en droit/articling student” dhe qysh prej tre javesh na u bashkua edhe një sekretare e cila është shqiptare. Stafi pra duket se po rritet shumë më shpejt se sa e kisha menduar në fillim. Në studio kemi avokat specialist të fushës së emigracionit, avokat specialist të çështjeve penale dhe kriminale si dhe avokat ekspert të të dyja fushave. Specializimi i zyrës tonë është kryqëzimi i të Drejtës së emigracionit dhe të Drejtës penale/kriminale. Shërbejmë një klientelë nga të katër anët e botës, duke përfshirë Europën, Australinë, Afrikën, dhe Amerikën e Jugut.

Përfitoj nga rasti i kësaj bisede të sugjeroj me këmbëngulje që emigrantët të cilëve jeta u sjell të kenë akuza kriminale në Kanada, duhet që patjetër të konsultojnë një kabinet që është i specializuar në të dyja këto fusha. Akuzat kriminale mund të kenë pasoja të rënda për ata që nuk janë bërë ende shtetas kanadezë. Kësisoj, një avokat që i njeh të dyja këto fusha mund të arrijë të shmangë ndëshkimet e institucioneve të emigracionit pas akuzave kriminale.  

Në zyrën tonë kemi gjithashtu avokat të specializuar që merret me dosje jo të komplikuara divorci, si për shembull rastet kur të dyja palet bien dakord për t’u ndarë, me dosje të taksave, kur institucionet kanadeze mendojnë se nuk janë paguar mjaftueshëm taksa, me apelime administrative te Gjykata Federale kundrejt vendimeve të zyrtarëve vendim-marres të emigracionit. Mbulojmë gjithashtu edhe dosje “civil litigation” për të cilat bashkëpunojmë me avokatë jashtë zyrës tonë, të specializuar në kete fushe. Për të bërë një përmbledhje, do t’i përcillja paraprakisht me transparencë të plotë mesazhin cilitdo që do të më kontaktonte për një konsulencë apo çdo problem ligjor që mund të këtë, të mbajë parasysh që në rastin më të keq, në qoftë se nuk mundem që ta përfaqesoj, do e referoj te një avokat profesionist në fushën përkatëse.

Flasshqip: Pasi qartësuam këtë pjesë, a mund të pershkruash pak më në detaje ekipin… a njiheshit më pare si kolegë dhe çfarë e bën të veçantë atë?

Gjergji Hasa: Ekipi ynë eshtë miks, multikulturor, është i përbërë në se më lejon të shprehem më qarte me vëndalinj dhe me emigrantë. Kriteri kryesor për t’u bërë pjesë e zyrës është meritokracia. Kemi katër avokatë të lindur e të rritur në Montréal, tre kanë frengjishten gjuhë të parë, një ka anglishten gjuhë të parë, kemi një avokate nga Franca, jam unë dhe siç e thashë më lart edhe sekretarja nga Shqipëria. Që të gjithë avokatët flasin anglisht dhe frengjisht në nivel profesional dhe ofrojnë shërbime në të dyja gjuhët zyrtare të Kanadasë. Me avokaten nga Franca jam njohur në shkollë dhe vendosëm të bashkonim eksperiencat dhe ekspertizën para disa muajsh, ndërsa avokatët e tjerë i kam zgjedhur dhe trajnuar vetë prej disa vitesh.

Flasshqip: Vërtet interesante ajo që sapo spjegove. Tani a mund të ndash me ne shkurtimisht se me çfarë ngjan një ditë pune e avokatit Gjergji Hasa?

Gjergji Hasa: Një ditë e imja është shumë e gjatë me orë reale pune, por që duket shumë e shkurtër. Mund të kem nga katër deri në shtaë takime në ditë, kam një komunikim të përditshem me secilin avokat të zyres rreth dosjeve që iu kam besuar, çdo të hënë kemi takim i gjithë ekipi, disa gjyqe në muaj secili prej nesh, negociata të përditshme, gëzime të shpeshta dhe mërzitje më të rralla (…qesh)…  

Flasshqip: Pesha dhe përgjegjësia e profesionit kuptohet është e madhe për çdo njeri të ligjit… sipas teje cili mbetet momenti më i vështirë në një mandat përfaqësimi? Natyrisht momenti më i bukur duhet të jetë kur fitohet një çështje… apo jo? Si e përjeton ti atë?

Gjergji Hasa: Gjithmonë e vë veten në vendin e klientit. Çfarë do të thotë për atë klient të humbasë lirinë, të humbasë të drejtën për të qëndruar në Kanada, të ndahet nga familja, të kthehet në një vend ku i rrezikohet jeta, të humbasë të drejtën për të studiuar apo punuar në Kanada… Jam në një profesion ku ndaj edhe gëzimin kur ia dalim mbanë, por edhe dëshperimin gjatë procesit që shpesh është i gjatë dhe gati shkaterrues emocionalisht për klientin…  Gjithsesi, mundohem të mos implikohem emocionalisht në dosjet e klientëve që mos të më zbehet logjika në aplikimin e ligjit dhe analiza e fakteve që janë të rëndësishme. Argumentet e avokatit para gjykatesit duhet të jenë të bazuara në fakte dhe në ligj, jo në emocione. Si ajo shprehja “Cooler heads prevail”. Po nuk qëndroi avokati i fortë dhe i përqëndruar dosja rrezikohet…

Flasshqip: Gjergji, meqënëse i ezauruam temat për të cilat ramë dakord të shtjellohen në këtë bisedë, le ta mbyllim për këtë radhe me synimet dhe objektivat profesionale për të ardhmen… që janë…

Gjergji Hasa: Të vazhdoj të jap një shërbim sa më të përkryer tek sa më shumë njerëz. Praktikoj ligjin në ato fusha që më pasionojnë dhe nuk kam ndërmend të ndryshoj profesion (…qesh)... E vetmja gjë që më mbetet peng dhe më shkon mendja shpesh është Shqiperia. Si do arrij një ditë të bëj diçka për vendin amë. Ky është i vetmi synim apo objektiv që del jashtë asaj që bëj përditë te “Hasa Avocats-Attorneys”. Shpresoj gjithashtu që së shpejti të krijojmë edhe në Quebéc degën e Canadian Albanian Lawyer’s Association.

Flasshqip: Falemnderit Gjergji për bisedën e çiltër dhe njëherazi profesionale. Ekipi i Flasshqip të uron suksese të mëtejshme ty personalisht dhe studios ligjore “Hasa Avocats-Attorneys”, pikërisht sot në ditën e Festës Kombëtare të atdheut tonë, Shqipërisë.

28 Nëntor 2020

©Flasshqip.ca

Për më shumë informacion rreth Studios Ligjore “Hasa Avocats-Attorneys” mund klikoni në linkun e faqes Web:

https://havocats.ca/en/hasa-attorneys-avocats/