Komunitet

Zejadin Dedinca, një “hero i heshtur” i kohës së Pandemisë - Nga Ermir Dardha

  • Published in Komunitet

Ermir Dardha - Montréal

“Faza e parë e diturisë është heshtja, faza e dytë është dëgjimi, faza e tretë mësimi, ndërsa faza e katërt veprimi me të dhe faza e pestë dhe më e rëndësishme e saj është shpërndarja e saj” i kam lexuar diku këto fjalë që kohë pas kohe ua kam kuptuar mesazhin e gjerë. Viti që lamë pas provoi njerëzimin në shumë fusha, disa i paralizoi, disa i gjeti të papërgatitur por nuk i trembi me sfidat dhe të tjerë i bëri të çalë.

Në epokën moderne të pandemisë “heronjtë e heshtur” lidhën botën që ra në kllapi dhe mundësuan punën dhe mësimin në distancë. Askush nuk ua di vlerën e madhe IT-ve ose Specialistëve të Teknologjisë deri në momentin që s’kanë internet në zyrë, shtëpi apo telefon.

Rastësisht dëgjova për fazën e parë të Projektit “Lehtëso proçesin mësimor mësues-nxënës në distancë, dhuro një kompjuter”, i cili konsiston në donacionin e dhjetëra kompjuterave nxënësve shqiptarë që nuk kanë mundësi ekonomike për të patur një kompjuter ose një laptop në shtëpi.

Si një projekt të vogël individual e nisi idenë e tij Zejadin Dedinca, një anëtar i komunitetit tonë në Montreal, duke mos harruar sakrificat e veta për t’u arsimuar, ndaj modestisht jam ulur e po shkruaj keto rreshta. Do t’ia heq kapakun stilolapsit sepse ia vlen, sepse shpërndarja e dijes është ideali më i lartë që mund të ketë një njeri për Shqipërinë dhe Kosovën.

Faleminderit dhe mirënjohje për ju Z. Zejadin Dedinca, jo vetëm për ideimin e një projekti të veçantë e të vështirë, por edhe për grumbullimin, përgatitjen e kompjuterave, transportimin dhe dërgimin e tyre nga Kanadaja drejt vendeve tona!

Falë përkushtimit të Zejadinit, sot një grup nxënësish në Prizren, Fushë-Kosovë, Prishtinë dhe në Vlorë, ku bëhet mësimi i alternuar në distancë apo në ambientet fizike, kanë mundësi të marrin dijet mes mësimit online nga shtëpia. Ky është një kontribut ndaj një misioni dhe ideali shumë të madh, shpërndarjes pa ndërprerje të dijes në këtë periudhë të vështirë pandemie.

Filantropët zakonisht qëndrojnë në heshtje dhe japin dorën pa shumë bujë, por një një kohë si kjo që po kalojmë, ata të cilët janë të tillë, sigurisht që do e tregojnë veten me vepra konkrete.

©Ermir Dardha