Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Mimoza Kallamata

  • Published in Komunitet
Nga: Jeta Dedja

“Pyetësori i Jetës” është një listim prej 31 pyetjesh të krijuara në një moment kur çdo pjesëtar i familjes sime ishte duke u marrë me punët e veta në kompjuter, (helbete po jetojmë kohët e jetës online) ndërsa unë isha duke u hedhur një sy “my notes” në telefonin tim, ku hedh idetë për shkrime. Kur, hop, më zë syri titullin “Pyetësori i Jetës”. E hap dokumentin dhe gjej vetëm një fjali. "Ndërto një intervistë argëtuese, ngacmuese dhe dinamike, sa personale aq edhe të përgjithshme, tip pyetësori". Hmmm, ok, po e ndërtoj tani. Për 10 minuta kisha në telefon pyetësorin. Pasi i bëra një testim duke intervistuar të parin Taulantin, ftova disa anëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez, të cilët do doja t’i kisha të pranishëm në FlasShqip, t’u përgjigjeshin 31 pyetjeve. 

Zgjodha ta çel rubrikën “Pyetësori i Jetës” me Mimoza Kallamatën, të cilën e falenderoj që pranoi të ndajë mendimet e saj për herë të parë në publik përmes FlasShqip. 

Mimoza Kallamata: Mësuese (Mississauga, Ontario)

  1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Nuk para i lidh emocionet e mia me ngjyrat, por duke pasur parasysh që e bardha simbolizon paqe dhe qetësi, mund të them e bardhë.

  1. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Me shpejtësi marramendëse. Në këto 10 vitet e fundit kanë ndodhur kaq shumë gjëra: nga e qënura mamaja e fëmijëve të mi që kishin akoma nevojë për mua, tek fëmijët që kanë ndërtuar jetën e tyre të pavarur, e deri tek e bëra gjyshe. Megjithatë më duket sikur të gjitha kanë ndodhur brenda një dite.

  1. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Nuk jam e sigurt për përgjigjen e kësaj pyetjeje. Mendoj se ka qenë vendimi që të jetoja me prindërit e mi këtu në Kanada. Nga njëra anë e kam ndjerë veten mirë që i kam pasur pranë. Nga ana tjetër, i kam parë para syve të mi të plaken, të dobësohen si dhe të vuaj humbjen e njerit prej tyre.

  1. Humbja më e vogël?

Ndonëse e përkohshme: restorantet.

  1. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Shëndeti i nënës time.

  1. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Ndjenjës se ankthit se çfarë do të ndodhë nesër.

  1. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Përvoja që fiton duke u përballur me atë që ta shkakton mërzinë si dhe gjendja e lehtësimit pasi e kalon atë.

  1. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Mendoj që me kalimin e moshës edhe stimulantët ndryshojnë. Në këtë moment, padyshim është mbesa ime e vogël. Mjafton ta shikoj pak dhe të ndjehem si njeri tjetër.

  1. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

E vetmja gjë që unë bëj për gjendjen time fizike është ecja, zakonisht e shpejtë. Një ecje në ditë më përmbush nevojën për ushtrim fizik. Gjithashtu, e folura për gjëra të bukura që edhe mund të mos realizohen ndonjëherë më bën të ndjehem mirë shpirtërisht.

  1. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Varet se për çfarë pres. Nuk mendoj se jam njeri që e kam shumë të gjatë durimin. Por për gjëra me rëndësi jetësore mund të pres pa fund.

  1. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Nga mungesa e komplekseve dhe nevojës për të provuar mençurinë.

  1. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Kur jam me miq më pëlqen thjesht fakti që flas, jo tema për të cilën flas. Pra me miqtë mund të flas me kënaqësi për gjithçka, ndoshta me përjashtim të politikës.

  1. Profili i "mikut" të padëshiruar?

Ndihem e lehtësuar kur ikën dhe s’kam më dëshirë ta ftoj.

  1. Cila është formula e njeriut të mirë?

Njeri i mirë për mua është dikush që nuk të lëndon, të bën të ndjehesh mirë dhe këto i bën në mënyrë të sinqertë.

  1. Përkufizimi i budallallëkut?

Një gjë që më bën më shumë të qesh sesa të inatosem.

  1. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Të mbijetonte fëmijët e vet.

  1. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Më duket se e kam humbur këtë ndjesi. Nuk e di nga që s’më vjen rasti apo s’më jep asnjë kënaqësi.

  1. Urimi që merr e jep më shpesh?

Asgjë të veçantë. Si shumë njerëz shëndetin e mendoj të parin. E jap me gjithë shpirt atë urim për këdo. Urimet e tjera janë për mirësjellje.

  1. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd? 

Deti i Karaibeve.

  1. Po libri që ke për zemër?

“Three weeks with my brother” nga Nicholas Sparks.

  1. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

“Always on my mind” nga Elvis Presley. 

  1. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Ndoshta Islanda. Do kisha qejf të shikoja Aurora Borealis, akullnajat dhe burimet e nxehta.

  1. Pema që të kënaq syrin?

Japanese Maple (Panja Japoneze).

  1. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Në shtëpi me miq duke ngrënë, pirë diçka dhe ndoshta duke kënduar karaoke.

  1. Pija që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Nuk kam absolutisht asnjë parapëlqim. Kam përshtypjen se as ujin s’e kam shumë të nevojshëm.

  1. Pjata që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Pa asnjë mëdyshje: krem karameli.

  1. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Nuk do doja të më bezdistin parregullsitë e vogla. Ta bën jetën të vështirë.

  1. Aftësia që do doje të kishe?

Të buzëqeshja dhe sillesha natyrshëm edhe kur jam në siklet ose e pakënaqur.

  1. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Pas afro 40 viteve si mësuese, për herë të parë kam filluar të mendoj se, ashtu si shumë profesione të tjera edhe ky nuk do t’i shpëtojë ndryshimeve të kohës. Mësimi i nxënësve nga distanca nga një gjë e papërfytyrueshme më parë, po kthehet në diçka të zakonshme.

  1. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Mendoj se për mua arritje është përshtatja ndaj nevojave të studentëve të mi këtu, që janë të rritur në dallim nga ata të Shqipërisë.  Ndihem mirë edhe për raportet që kam krijuar me ta dhe mënyrën se si vlerësohem prej tyre.   

  1. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

E kënaqur që mund të shprehja disa nga mendimet e mia dhe me shpresë që do të kuptohem drejt.

 

06/02/2021

©Jeta Dedja