Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Atena Bishka

  • Published in Komunitet
Nga: Jeta Dedja

“Pyetësori i Jetës” është përgatitur nga Jeta Dedja, kryeredaktore e FlasShqip. Çdo javë, personazhe nga diaspora Shqiptaro-Kanadeze do të ndajnë mendimet e tyre me lexuesit e FlasShqip. Sot e ftuar është Atena Bishka, konsulente e teknologjisë së edukimit dhe zhvillimit organizativ në Toronto, Ontario.

  1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Si e arta farfuritëse dhe shpresëndjellëse e agimit të sotëm.

  1. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tuaj?

Koha ështe përrua, rrjedha e të cilit në perceptimin tonë vjen duke u përshpejtuar, ngase ne s’jemi veç projekte në proces me afat skadence - afat të cilin e duam të jetë sa më i gjatë, teksa i afrohemi gjithnjë e më shumë, ashtu si përroi që dikur e përfundon turravrapin në oqeanin e pafund ose në ndonjë liman të qetë a liqen piktoresk. Vetëm në fëmijëri koha çapitet ngadalshëm e gati përtueshëm, ndoshta për shkak të kërshërisë fëmijërore, që kurdisur prej fantazisë, s’i pritet të zbulojë se çfarë pikërisht mban fati në ruajtje për ne, si të ishte sënduk që i ka humbur çelësi ose film me aventura që s’na durohet sa t’i zbulojmë e përjetojmë. Me kohë, nga një 10-vjeçar në tjetrin, sënduku vjen duke u zbular pak nga pak dhe filmi ka ende për të na rrëfyer. Ndërkaq, ajo që mësojmë më mirë e shqeto është përkohësia dhe brishtësia e jetës. Kuptojmë se kemi veç një hapësirë të kufizuar për të mësuar, për të kontribuar, për të njohur veten, njeri-tjetrin dhe botën. Dhe e bëjmë këtë ndërsa bota së bashku me ne turret si e çmendur nën komandën teknologjike drejt ndryshimesh të pandalshme përgjatë spirales së ndërlikuar të përparimit, ku garojnë pambarimisht ngjitje, arritje e suksese të pashoqe me ngecje e hendeqe, rreziqe e kurthe, kthime mbrapsht e rrokullima nëpër humbella e mynxyra, sikurse është pandemia e Covid-19-ës. Sa më përket mua, 10-vjeçari i fundit jo vetëm ka qenë i ngjeshur në ngjarje, por ka qenë doemos edhe më i shpejti që kam përjetuar. Ankthin që më shkakton kjo shpejtësi, rrekem ta qetësoj e neutralizoj duke i kujtuar vetes se jeta, koha, dekadat, madje çdo ditë e re janë dhuratë paçka se është njëkahëshe. E rëndësishme është që rrugëtimin tonë të shkurtër ta bëjmë sa më kuptimplotë, të pasur e mundësisht të bukur në shërbim të angazhimeve që ndërmarrim për vete dhe ata që na rrethojnë, duke u përpjekur ta kullandrisim kohën me nikoqirllëk e urtësi me aq mundësi, dije dhe aftësi sa kemi për t’u bërë të dobishëm.

  1. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Gjysmën e parë të jetës, e kam kaluar në pjesën më të madhe në Shqipëri. Në atë periudhë liria e zgjedhjes (përveç asaj jetëze të heshtur e të taposur brenda botës së brendshme, që farkëtohej prej letërsisë, muzikës, artit dhe dijeve të përkapura në mënyra që nuk përpuqeshin, madje binin ndesh me atë që më mëkonin programet shkollore) praktikisht nuk ekzistonte për mua. Kam parasysh këtu sidomos dy stacione kyçe: liria për të zgjedhur fushën e studimeve sipas dëshirave, prirjeve dhe ambicieve vetiake dhe lirinë për të patur mundësi zgjedhjeje sa i takon punësimit. Këto dy liri të rëndësishme, ose ishin skajshmërisht të kufizuara ose nuk ekzistonin. Gjysmën e dytë të jetës e kam jetuar në ShBA dhe Kanada, ku kam ushtruar lirinë e çmuar të zgjedhjes, liri që sidoqoftë kushton e vjen me përgjegjësi. Shqipëria mbetet gjithësesi shtëpia fillestare e botës dhe e gjuhës, e skalitjes në dorë të parë e shpirtit dhe e mendjes, e pafajësisë fëmijërore dhe e dashurisë. Prandaj, vendimi me koston më të lartë ka qenë ai që lidhej me zgjedhjen e një shteti të huaj, por me botë të lirë (paçka se me liri që mbeten të brishta, të kanosura dhe të korruptueshme, gjithësesi), pasuri mundësish e formash të vetë-përmbushjes, ku do të rrënjëzohej dhe integrohej familja ime, ku do të ushtroja profesionin e ku do të kontribuoja me të drejtat dhe detyrimet që më takojnë si qytetare e lirë. Mendoj se kostoja dhe investimi kanë qenë të larta, ndonjëherë dhimbshëm të larta, por e kanë përligjur zgjedhjen. Me kanë mësuar veçanërisht e pastërtisht se çfarë vlerësoj aq shumë, sa të mos heq dorë.

  1. Humbja më e vogël?

Ajo humbje personale që mund t’i sjellë diçka të mirë dikujt.

  1. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Vulnerabiliteti i jetës në përgjithësi. Kontrolli i pakët që kemi ndaj fuqisë, zemërimit dhe hakmarrjes së natyrës.

  1. Cilës ndjesi/ gjendjeje do doje t'i arratiseshe? 

E kam zët punën përsëritëse që të shpie pambarimisht po në të njejtën pikënisje. Më mërzit monotonia, puna pa pikësynim e pritshmëri të qartë. S’kam tolerancë për situatat ku rregullat e lojës ndryshojnë gjatë lojës duke të çorientuar dhe shkurajuar. Më sëkëlldisin situatat ku të gjithë e dallojnë elefantin në dhomë, por bëjnë sikur nuk e vëne re.  Më bezdisisin situatat kur pisllëqet fshihen poshtë qilimit ku ecet pa të keq. Më zemërojnë pyetjet që përdoren si çark për të të zënë brenda si miun. Më sikletos komunikimi me njerëz që janë kthyer në magnetofonë ose megafonë ideologjikë, të cilët janë skllevër të një grushti idesh të patjetërsueshme, me të cilët bashkëbisedimi është i pamundur sepse e di që s’kanë veshë të dëgjojnë e sy të shikojnë, sepse e kanë transhenë të deklaruar dhe e kanë të pamundur qoftë edhe të përfytyrojnë sesi mund të jetë jeta dhe bota jashtë transhesë ideologjike ku janë çimentuar. Por, nuk e di nëse do të mund të arratisesha.

  1. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Nuk besoj se mërzia sjell ndonjë dobi. Përkundrazi, mërzia atrofizon mendjen dhe shpirtin. Siç përpiqem ta kuptoj unë këtë koncept, mërzia (duke e dalluar prej ‘dëshpërimit’ dhe ‘depresionit’, edhe pse mund të jetë pararendëse e tyre) lidhet me pakënaqësi, limonti dhe shpërdorim të kohës dhe energjive. Këto s’janë gjëra aspak të mira (dhe kanë shkaqet e tyre psikologjike). Në format më ekstreme dhe patologjike mërzia dhe amullia pleksur me zili e ndjenja hakmarrjeje shpien në sëmundje, shkatërrim, keqbërje e deri edhe në vetëvrasje, vrasje dhe vrasje në masë. Mjafton të sjellim në vëmendje ditaret dhe historitë e vrasësve në masë ndër dekada. Nga ana tjetër, nëse njeriu kërkon ta kuptojë veten dhe priret për nga vetëdijshmëria e lartë mund t’ia gjejë shkaqet mërzisë. Në këtë rast, vetëshqyrtimi mund të shpjerë në zbulimin e shkaqeve dhe ndërmarrjen e veprimeve që shpien në ndreqje të asaj që s’shkon, brenda ose jashtë vetes. Në këtë rast, mund të flitet për dobi, sikurse mund të jenë kthesat e forta që të shpien në shtigje plot dritë ku mund të vetërealizohesh duke kontribuar e shfrytëzuar më së miri aftësitë dhe prirjet vetiake.

  1. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Asnjë stimulant nuk më ngacmon më fort sesa një ide që më sfidon kornizat mendore, pandehmat dhe bindjet vetiake; një arsyetim ose argument që më vë në mendime e më zgjon dyshime; një metaforë artistike që më elektrizon a më edukon ndjenja e përshtypje; një qasje që më ve mendjen e shpirtin në punë për ditë e javë të tëra. Asgjë nuk më bën të ndihem më e gjallë dhe energjike sesa një pyetje që më cyt aq fort, sa të më bëjë të ulem për ta përsiatur si të isha duke u rrekur që të lëshoja një shkulm sado modest drite mbi një skutë të errët ku mund të struket diçka që dua ta zbuloj, pa e vrarë mendjen fort se ku do të më shpjerë shtegu e në ç’përfundim do të mbërrij. Më ngacmon veçanërisht tema e së mirës dhe e së keqes, bashkekzistenca dhe vallëzimi i këtyre dy poleve në shpirtin dhe veprimet tona.

  1. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/ shpirtërore?

Eci dhe vrapoj në natyrë duke dëgjuar biseda e ligjërata, por edhe muzikë ose libra. Udhëtoj drejt vendeve me kulturë e histori të pasur, muzeume e galeri, bukuri natyrore me male të larta ose bregdete mundësisht shkëmbore. Nuk mund të jetoj pa parë filma artistikë.

  1. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Reagimi varet nga konteksti dhe se për ç’lloj pritjeje është fjala. Të marrim, për shembull, rastin kur je në pritje të një vendimi a rezultati me rëndësi jetike. Kredhja në punë ose angazhimi në një aktivitet që kërkon përqendrim të vëmendjes më ndihmojnë që ta zhvendos vëmendjen përkohësisht prej pritjes dhe efektit anksioz të saj. Aktiviteti fizik më ndihmon të shmang ankthin a padurimin që sjell pritja, duke nxjerrë jashtë sistemit ose duke kontrolluar rolin negativ të kortisolit (substanca që çlirojmë në kushte stresi). 

  1. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Varet se si e përkufizojmë mençurinë. Dhe në ditët e sotme vështirë që dy kokë të kenë të njejtin mendim. Gjithësekush duket se ka një përkufizim sipas midesë për mençurinë. Unë po e marr sikur të jetë fjala për “zgjuarsi dhe urtësi”. Dhe po pranoj, gjithashtu, se mençuria shfaqet në forma të ndryshme. Njerëzit që dinë të bëjnë humor, janë zakonisht të mprehtë. Humori është ndoshta zhanri më i vështirë. Humoristët e talentuar, gaztorët, lolot dhe kllounët, profili i të cilëvë pothuaj gjithnjë shënohet thekshëm edhe nga një tipar i spikatur tragjizmi, janë nga njerëzit më të mençur, nga filozofët më të vyer, të cilët na ndihmojnë më mirë se kushdo të pranojmë të vërtetat, të kuptojmë veten dhe botën, të zbresim në realitet me këmbë në tokë, ngaqë dinë ta thonë të vërtetën kur ne s’guxojmë. Interesi për të lexuar e për t’u informuar, në varësi të asaj që zgjidhet për të lexuar a për t’u ndjekur është tregues i mençurisë. Për mua është me rëndësi dhe interes mençuria që shpalohet përmes aftësisë për të artikuluar mendimin me shkrim, sepse të shkruash do të thotë të mendosh dhe natyrisht të shkruarit si formë artikulimi është më i zorshëm se të folurit. Pra, më thuaj se çfarë lexon dhe çfarë dhe si shkruan, që të të them se sa i mençur je.

  1. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Për çdo temë. Kam interes të mësoj për jetën dhe përvojat e tyre dhe në përgjithësi përpiqem të mësoj sa më shumë përmes rrëfimeve të tyre dhe ua vlerësoj këshillat. Nuk më pëlqejnë shumë bisedat që merren me hamendësime rreth motivimit të njerëzve të tjerë ose që rreken të parashikojnë veprimet që do të ndërmarrin e që rreken të shpjegojnë gjithçka në mënyrë transaksionale. Gjëra të tilla më duken të mërzitshme dhe ma fikin interesin për të dëgjuar. 

  1. Profili i "mikut" të padëshiruar?

Më shumë se të padëshiruar do ta quaja të mërzitshëm. I tillë është miku që më tregon se sa shtëpi ka blerë dhe shitur, ç’markë e ka sahatin dhe çikërrima të tjera, që s’lë rast pa më rrëfyer se me sa njerëz të shquar ka dalë në fotografi dhe që natyrisht rreh gjoksin patriotik sa e bën plagë.

  1. Cila është formula e njeriut të mirë?

Të kuptosh nëse një njeri është i mirë, është ta njohësh përmes veprimeve. Nëse veprimet e rezultatet, përpjekjet e sakrificat përkojnë me fjalët, dhe janë të mira, atëhere ke të bësh me një njeri të mirë. Nëse e ndesh, je me fat.

  1. Përkufizimi i budallallëkut?

Format e budallallëkut janë të pafundme. Është më lehtë të nxjerrësh një budallallëk nga goja, sesa një fjalë të mençur. Zgjuarsinë nga budallallëku një hap i ndan, thonë. Pak njerëz do të jenë ata që s’kanë rënë të paktën një herë në grackën e budallallëkut. Së fundmi, në mediat sociale, pa u munduar fare, më parakalojnë sysh njerëz që i kam pandehur si të mençur (kushedi edhe janë po të gjykosh nga numri dhe inkurajimi i ndjekësve) që më bëjnë të ve buzën në gaz. Më duken si ofiçina që s’lodhen së prodhuari budallallëqe të sherbetosura në vetëkënaqësi dhe pseudovirtyt që vjen në formën e shpalljes së dashurisë për universin, zemrës së llagartë që s’lodhet së derdhuri dashuri për njerëzimin, mirësisë që kullon si mjaltë nga shpirti. Është mënçuria ajo që ndeshet më rrallë, e që duke mos ia patur nevojën pompozitetit, ndonjëherë shpërfillet dhe është e padallueshme.

  1. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Të keqen që dikush i shkakton dikujt thjesht sepse e ka mundësinë ta shkaktojë, qoftë ndoshta nga mërzia dhe apatia me të cilën e çon jetën, dhe ngaqë kushedi s’i shkon ndër mend diçka tjetër më e mirë për të bërë. Ndër ato gjëra që s’do t’ia uroja as hasmit, fus edhe sëmundjet mendore që bashkë me të sëmurin, shkatërrojnë krejt familjen.

  1. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Kur dikush gënjen. Të tjerët e dinë se po gënjen. Sëbashku duartrokasin të gjithë në kor. Më vjen për të sharë, për të qeshur dhe për të qarë. 

  1. Urimi që merr e jep më shpesh?

Qofsh mirë.

  1. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndër mend?

Shtëpia e gjyshes tek më pret në dritare te muri i veshur me gjethnajë të smeraldë e trëndafila të egër.

  1. Po libri që ke përzemër?

Kam shumë të tillë. Ato që më vijnë tani në mendje janë: Shënime nga Nëntoka e Dostojevskit, Për Kë Bie Këmbana e Hemingëay-it, Tregime të Moçme Shqiptare e Kutelit, Terr në Mesditë e Koestler-it, Burra dhe Minj e Steinbeck-ut.

  1. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

Like a Bird in the Wire 

  1. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Një udhëtim në veri të Shqipërisë.

  1. Pema që të kënaq syrin?

Qiparisi. 

  1. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Nata e qetë me qiell të pastër e hënë të plotë pasi bora ka pushuar.

  1. Pija që do doje mos të mungonte kurrë në dyqan?

Uji dhe kafeja.

  1. Pjata që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Fërgesa me djath të bardhë, domate, speca dhe erëza, aroma e së cilës ndihej deri në rrugë, në netët e ngrohta verore shqiptare, pas kthimit nga shëtitja, përpara fimit të shumëpritur artistik të orës 21:00 në kanalin e vetëm shtetëror televiziv.

  1. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Do të doja të bija më herët për të fjetur dhe të zgjohesha më herët. Do të dëshiroja ta kisha më të mprehtë vemendjen dhe më të stërvitur aftësinë për të dëgjuar, kuptuar e mësuar nga të tjerët.

  1. Aftësia që do doje të kishe?

Të isha pianiste.

  1. Parashikimi juaj për të ardhmen e profesionit që ushtroni?

Profesioni im është ai i konsulentes së teknologjisë së edukimit dhe zhvillimit organizativ. Deri përpara pak kohësh kisha bindjen se lënda/përmbajtja është përcaktuese dhe dikton zgjedhjen e mediumit dhe formatin e komunikimit, pavarësisht se Marshall McLuhan me parashikueshmëri e pagabueshmëri prej gjeniu ka shtjelluar gjerë e gjatë qysh në vitet 60-të se “Mediumi është Mesazhi”. Mendoj se kjo shprehje është sot më e vërtetë se kurrë, madje shumë më përtej se ajo që mund të ketë patur në mendje Marshall McLuhan, Harold Innes, Neil Postman e të tjerë mendimtarë. Sot, sidomos në kushtet e pandemisë që ka gjunjëzuar globin, çështja nuk shtrohet më “Cili format-ai tradicional (studentë e instruktorë brenda klasës me mure e tulla) apo ai teknologjik (kompjuterik/digjital)-i përshtatet më mirë lëndës dhe të nxënit?”. Sot, dhe me siguri në të ardhmen kryepyetja shtrohet kështu: “Pavarësisht se ku ndodhemi, cili format ose kombinim formatesh teknologjike dhe digjitale na zgjedh, na kushtëzon, duke e bërë të domosdoshme të dimë ta përdorim duke njohur sa më shumë ndikimet pozitive dhe negative?” Teknologjia sot jo vetëm që është dominuese (sidomos në kushtet e pandemisë ku pa teknologjinë, profesioni im si edhe shumë profesione me profil shërbimi ose këshillimi, do të ishin në krizë ekzistenciale) por po ecën me shpejtësi të tillë, që e kapërcen shpejtësinë me të cilën mendojmë. Kështu teknologjizimi i jetës po e kushtëzon dhe po e riprogramon mendjen njerëzore, dhe atësitë tona të nxënies, gjithnjë e më fort. Një gjë e tillë, sa mrekulluese, është edhe e frikshme, për nga pasojat afatshkurtra dhe afatgjata. Ende nuk ia njohim mirë efektet.

  1. Arritja juaj më e madhe?

Mundësia për të bashkëpunuar në larmi projektesh që më japin mundësi të testoj kufijtë vetiakë dhe të mësoj prej të tjerëve.

  1. Si u ndjeve në fund të pyetësorit të Jetës?

Si pas mbarimit të një séance stërvitjeje në një palestër të mendjes, nën drejtimin e trajneres Jeta.

 

©JetaDedja

FlasShqip 2021