Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Jori Rita

“Pyetësori i Jetës” është përgatitur nga Jeta Dedja, kryeredaktore e FlasShqip. Çdo javë, personazhe nga diaspora Shqiptaro-Kanadeze do të ndajnë mendimet e tyre me lexuesit e FlasShqip.

Sot e ftuar është Jori Rita-IT Senior Manager Wealth Management, Royal Bank of Canada, Toronto, Ontario.

  1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Nëse emocionet më bëjnë nostalgjike për të kaluarën, ngjyrën e perceptoj si në nuancat e një filmi bardh e zi, dhe nëse më bëjnë ëndërrimtare për një realizim në të ardhmen, dominojnë nuancat e ylberit.

  1. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tuaj?

Duke huazuar një shprehje të njohur nga sfera e informatikës, që në IT viti ka 12 javë, jo 12 muaj, të njëjtin impresion kam edhe unë në përgjithësi për këto 10 vitet e fundit

  1. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Sfida për të rifilluar një jetë të re duke lënë mbrapa me dhimbje një pjesë të shtrenjtë të jetës time.

  1. Humbja më e vogël?

Çdo humbje që nuk lë gjurmë në kujtesë.

  1. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Në këtë stad të jetës kam realizuar paqe me vetveten, duke reflektuar me mençurinë e fituar ndër vite nga gjumi i copëtuar dhe shpirti i trazuar.

  1. Cilës ndjesi/ gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Vetmisë.

  1. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Mërzia të mundëson të ri-lidhesh me miq të harruar ose të bësh miq të rinj.

  1. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Ato pasione që arrijnë të ndezin dashurinë për çdo gjë të bukur dhe me vlerë.

  1. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/ shpirtërore?

Muzika me komponentët e saj është ushqimi organik që mund të marr, ritmi i saj një stimulues i mirë për çdo aktivitet fizik dhe melodia një ndriçim për shpirtin.

  1. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Me padurim. 

  1. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Dëgjojnë me vëmendje dhe komunikojnë shkurt e me substancë.

  1. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Miqësia është një diversitet marrëdhëniesh që zhvillohet unike me çdo mik/mikeshë, e veçantë mbetet edhe preferenca e bisedave me secilin prej tyre.

  1. Profili i "mikut" të padëshiruar?

Për mua ekzistojnë vetëm miq të dëshiruar, përndryshe nuk konsiderohen miq.

  1. Cila është formula e njeriut të mirë?

Kur arrin të bëj dhe zemrën të flasë.

  1. Përkufizimi i budallallëkut?

Kur njerëzit i japin vetes të drejtën e fjalës në atë masë që ju duhet për të kompensuar të drejtën e të menduarit, e cila nuk iu funksionon.

  1. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Për të qenë më koherente, nuk do t’ia uroja infektimin nga Covid-19 se do t'i mundësonte të shpërndante infeksionin e tij.

  1. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Kur ndjek një ndeshje basketbolli të Raptors.

  1. Urimi që merr e jep më shpesh?

Çdo ditë sapo hap sytë marr “Mirëmëngjes” nga njerëzit e mi të dashur. Unë i uroj atyre “Një ditë të mbarë”. 

  1. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndër mend?

Plazhi i Durrësit në vitet 70-të, 80-të.  

  1. Po libri që ke për zemër?

Libri im i preferuar është ditari ku shkruaj çfarë lexoj nga jeta. 

  1. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

Kënga që i këndonte mamaja ime fëmijëve të mi kur ishin të vegjël. Pres me padurim ta këndoj edhe unë së shpejti. 

  1. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Një udhëtim në hapësirë nga projektet e Elon Musk ... shanset janë të jetë virtuale.

  1. Pema që të kënaq syrin?

Pema me lulet e pjeshkës që çelin në pranverë.

  1. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Nata perfekte kanadeze ka qenë për mua në dhomën e akullt te "Ice Hotel" në Quebec, katër vjet më parë. Eksperienca ishte rezonim me një përrallë që ruaja në imagjinatën time që nga fëmijëria. 

  1. Pija që do doje mos të mungonte kurrë në dyqan?

Uji nëse mund të kualifikohet si pije, përndryshe verë të bardhë "Pinot Grigio".

  1. Pjata që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Glikotë që servirte mamaja ime sipas traditës përmetare, veçanërisht atë të arrës nuk do ta refuzoja dot.

  1. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Padurimin.

  1. Aftësia që do doje të kishe? 

Të pikturoja të ardhmen.

  1. Parashikimi juaj për të ardhmen e profesionit që ushtroni?

AI-Artificial Intelligence, Machine Learning, IoT-Internet of Things, Robotic Process Automation, Blockchain, Cybersecurity, Cloud Computing ...etj

  1. Cila është arritja juaj më e madhe në aspektin profesional?

Konfidenca për të qenë prezente në mendim përkrah kolegëve me eksperiencë, dhe vitalizimi nga energjia që përftoj kur punoj me të rinjtë.

  1. Si u ndjeve në fund të pyetësorit të Jetës?

"Pyetësori i Jetës" vazhdon me dinamizëm drejt një finaleje, fundi i përket një të ardhmeje. Por sot mora një impuls shkëndijash për të konfirmuar vetveten paksa më shumë nga ç’të ofron rutina e përditshme.

©JetaDedja

FlasShqip 2021