Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: I ftuar shkrimtari Faruk Myrtaj

“Pyetësori i Jetës” është përgatitur nga Jeta Dedja, kryeredaktore e FlasShqip.ca. Çdo javë, personazhe nga diaspora Shqiptaro-Kanadeze do të ndajnë mendimet e tyre me lexuesit e FlasShqip duke iu përgjigjur 31 pyetjeve.

Sot i ftuar është shkrimtari i njohur Faruk Myrtaj, i cili shumë vitesh banon në Toronto, Kanada. Kur pyetet për profesionin mjeshtri i letrave jep këto përcaktime; Ish - inxhinier miniere, gazetar, zëdhënës i Ministrisë së Kulturës, nëndrejtor i ATSH-së, dhe Mërgimtar, njeri që niset jo për të gjetur Atdhe të Dytë, por të provojë se si përballon Vetminë!

1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Nëse ka arsye origjinare si shenjë nga vendlindja, është Bluja e Gjirit të Vlorës, e kaltra e qiellit Ballkanik! Kjo ngjyrë më kthen gëzim të brendshëm, edhe nën qiell me re të rënda…

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Avashësimi vjen prej moshës, por edhe prej peshës së përvojës: kur erdha Këndej, kisha një diplomë inxhinieri por s’dija të rregulloja as siguresat. E kisha ushtruar gazetarinë, por edhe atë duhet ta harroja në anglisht. Dhjetë vjetët e fundit, së paku, si super-intendent po i gëzohesha ndjesisë së sigurt se për çdo problem në pallat do e gjeja zgjidhjen rrethanore!

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Mërgimi. 48 vjetët e jetës së Andej-shme provova t’i marr si paketim 120 kg, në s’gaboj, aq sa lejonte avioni për çdo individ që mërgonte. Në një nga rrëfimet te proza eseistike “Atdhe Tjetër” e kam bërë të zëshëm një shakanë time: Kur zbritëm në “Pearson Aeroport”, u thashë njerëzve të mi se do kthehesha andej nga erdha, me të njëjtin avion!

4. Humbja më e vogël?

Lënia pas e atij realiteti që kurrë nuk e kisha menduar ta lija, as në Ditët e Ambasadave, Ikje që qenkej e pashmangshme, edhe sot e kësaj dite rend dite për shqiptarët që ende dëgjojnë premtime elektorale për drejtësi në 100 ditët e para, mjekësi falas, aero/porte, super/porte për manadatin e tretë, rroga me euro pa hyrë në Europë, për ku, heshturazi, u sugjerohet mërgimi… Nëse viteve të para ngushëlloheshim se “erdhëm për fëmijët”, tanimë të ftuar të besojmë se “paskemi ardhur edhe për Veten!”

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Pandemia…! Zhvlerësimi i afërsisë njerëzore, i prekjes së njeriut prej njeriut, zbritja e maskës së teatrit në përditshmëri, rreziku për të mbyllur sytë pa lamtumirë, dyshimi te virusi si zëvendësim i Luftës Botërore të Radhës a, më keq, Ndëshkim Hyjnor…që kurrë s’mund të jetë kolektiv…

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Të qenit në miting, qofshin aty edhe qenie që përdorin të njëjtën gjuhë me timen. Afërsisë së detyruar me dikë që s’di të bëj asgjë dhe merr ngoje gjithçka. Njerëzve që kanë lexuar një libër, po aq sa atyre që admirojnë autor të vetëm. Vetes kur mezi pranoj të gjej te vetja atë që mezi-duroj te Tjetri…

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Për fat, Mërzia nuk është VES. Është gjendje. S’mund të vazhdoj pa fund. Pas saj vjen gjithnjë gëzimi! Që mund të jetë edhe më i kot se një mërzi fisnike, por ne e presim ndryshe.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qenien tënde?

Humori, i pazëshëm, e qeshura, në familje dhe në orët me miq të bukur, që mendojnë përtej Ditës, nëse jo doemos për filozofinë e Jetës. Nëse ndodh kështu, s’mungon asgjë. Padyshim leximet, muzika ulët, në sfond, në aparatet sjellë nga fëmijët, diku pas shpinës, vetmia kthehet në mrekulli, sado e gjatë, ulur para tastierës…

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Sa më shumë natyrë dhe natyrshmëri…t’u iki debateve me ata që besojnë se politika do zgjidhë problemet e Njeriut! Më bukur bëj ndonjë foto me imazhe të gjuajtura në Qiell, se sa debate me Ca që e kanë më kollaj të vënë në dyshim Zotin se politikanin që u ofron të njëjtin premtim, çdo sezon…Ngrihem i pa nginjur nga tryeza. Provoj të flas për gjithçka, sa më zë-ulët me time-shoqe…!

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Jam mësuar të pres. Prita 9 vite për t'u nisur student. Kur hyja në auditor, ditëve të para, ngriheshin më këmbë: u shkonte mendja se isha pedagogu! Në të vërtetë, disa pedagogë kishin moshën time, dhe i kam miq të veçantë në FB. Kur e mora diplomën e inxhinierit, pyeta veten: për këtë prite aq gjatë?! Ndërkaq, kishte lindur joshja tjetër: gazetaria! Pritje e gjatë edhe për t'u bërë me shtëpi në Tiranë dhe, sapo u rregulluam në një farë mënyre, nisëm aplikimin për Ca Na Da…Këtu, e ndjeva se nuk kisha ç’prisja më!

11. Si i dallon njerëzit e mençur?

Padyshim jo mes atyre që e thonë këtë për veten! Dikur i kërkoja mes atyre që nuk hynin në parti politike, mbase ngaqë isha i pa-aftë të hyja vetë në ndonjërën. Deri ca kohë më parë, e quaja virtyt mos-hyrjen në FB. Edhe tani, që jam brenda, ashtu mendoj…!

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Me miqtë familjarë, axhenda është virtyt grash. Përpiqemi të shfrytëzojmë të drejtën e ndonjë pyetje “për procedurë”! Me miq e shokë, sado rrallë shihemi, rrekemi të ri-krijojmë Atdheun siç s’mundëm Atje! Bisedat me time-shoqe, më të ashprat dhe më inspirueset. Në ballkon apo në park, ku shëtitim, edhe nën dëborë. Kam ndjesinë se maturohet ndonjë libër i përbashkët në këtë tryezë të rrumbullaktë…

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Televizioni, filmi serial, ai që e bërtet ateizmin si virtyt e mençuri po aq sa atij që shkon në çdo fundjavë të rrëfehet për privilegjet e mëkatet që do t’i përsëritë javën që vjen, atij Lindori mërguar në Perëndim që s’pranon se racizmi është si lufta e klasave dikur; ai që ende s’e ka bërë ndarjen me memorien e diktaturës Atje, por gjen nge të paralajmërojë hijet e  autoritarizmës Këndej - ku ka liri fjale të garantuar dhe pronë private të shenjtë…

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Nëse nuk e bën dot të mirën, ke tërë mundësinë të mos bësh të keqen…

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Padije, ende e pa-shoqëruar me ndjesë…

16. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Ndëshkimin kolektiv, varfërinë kolektive, bibliotekën familjare të njëjtë, sundimin nga një Njësh, admirimin si ekzistencë; komunizmin e aplikuar në Shqipëri dhe Korenë e Veriut…

17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Nuk e kam për natyrë sharjen. Por thyerjet kanë shije, duhen rrëfyer!

Një moment dikur, më i dëlirë seç jam. Diku në fund të viteve ’70-të. Punoja në minierë. Atë ditë mu bë se kishte edhe më shumë shtylla të thyera në armaturën e galerisë. Ne, vagonistëve, na duhej ta lironim kapakun e vagonit herë majtas, herë djathtas, të mund të ecnim përpara. Atje përpara, në terr, u shfaq një llambë. Është rregull në minierë, duhet ta kthesh dritën e llambës nga fytyra jote, që tjetri që nxiton me vagon të mund të të shohë dhe të të ruajë. E njoha, ishte përgjegjësi i turnit. Xha Todi. Moshë e tim Eti. Burrë i urtë dhe i respektuar. Njërin nga djemtë e tij e kisha pasur shokë shkolle. Por aty ishim nëntokë. I lënduar dhe zemëruar nga lodhja, i fyer që askush s’çante kokë për stërmundimin aty…

Ngrita dorën dhe, me dy gishtrinjtë e parë, të madhin dhe treguesin, formova një si rreth, rrotullë, e vendosa në syprinë të llampës…(Ishte sharje, por në Vlorë “nënë e motër” e përdorim edhe për t’u betuar. Unë pothuajse kurrë nuk shaja, aq më pak dikë në moshë të tillë, burrë të nderuar si ai. Por, shenja ime, si lak në ajër, vezore, kishte ndodhur…U pendova, në çast, por ishte vonë…

Xha Todi i kaloi vagonit për-anash, dhe më erdhi pranë…Ia pashë buzën në gaz. Më hodhi krahun mbi sup: “Po ç’a të bëj edhe unë o xha Faruk?!” (Me “Xha…” thirreshe, sapo hyje nën tokë. Merrej e mirëqenë se ishe pjekur, ishe burrë- përderisa punoje nën dhe!) Si intimitet, me mua, të rebeluarin në sharje, xha Todi shtoi: “Kur na thërresin atje lart, Ata asnjëherë nuk na pyesin për kushtet e punës këtu poshtë. Vetëm për realizimin e planit na kërkojnë llogari ATA…”

Mbase prej asaj dite, ngaqë e përdora aq shpifur të drejtën e nëntokës dhe të vlonjatit për të sharë, e rrallova edhe më shumë. Por, të rrish pa sharë kur bie në kurthin e bisedave televizive është e pa mundur.

“…Si e tha ai, si: Edhe në Amerikë ndodh ndërprerja e dritave nga stuhia?! Kështu e tha: “Po, edhe këtu ka larje parash…Më thua dot një vend ku s’lahen para? Si të mos e prishësh gojën..!”

18. Urimi që merr e jep më shpesh?

“Qofsh në harmoni me natyrën”.

19. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?

Trojet e kohët e fëmijërisë, kodra ku prehen Prindërit që sakrifikuan aq shumë për ne. Tërë sfidat që kemi kapërcyer me time-shoqe dhe…kudo ku shkelin Fëmijët, bekuar prej nesh si Njerëz të Mirë, që dinë çfarë lexojnë, që kuptojnë thelbin e jetëve, por edhe për mirënjohjen që meritojnë prej nesh…

20. Po libri që ke për zemër?

Mbase s’ka dot libër në njëjës: A mundem “atë më për zemër” kur një varg librash ma kanë mbajtur frymën me fjalën, formën, idetë, joshjet e provokimet estetike, mesazhet inspiruese që më dhuruan pikërisht kur pyesja, kur ndjehesha në nevojë për to?!

Më ka rrëmbyer qasja filozofike, më vonë edhe kahja spirituale, edhe në përkthimet prej letërsisë klasike botërore. Më vonë, në atë farë lirie që sido si e solli hapja, më shumë kur erdhëm Këndej, e ndjemë se etjen na e kishte ndihur mungesa e librave që s’i dinim që ekzistonin.

21. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

Unë vetë edhe Ison labe të Lumit të Vlorës kam frikë se e prish! Për të mos i ikur humorit, le të përmend “Për Ty Atdhe…” E këngëzoja, duke kryer detyrën e super-intendentit dhe, pa e ditur mirë tekstin, e mbyllja me “t’rroj partia desh me thanë, ajo bën pa ne!”

22. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Rrugët nuk se i zgjedhim, gjithnjë. Ndodhin pashmangshëm, prej gjërave që ndodh të marrim përsipër…Në mënyrën se si jetojmë, është gjithçka.

23. Pema që të kënaq syrin?

Nuk ia di emrin. Është në njërën nga rrugicat pranë vendbanimit. Një dru që nuk e shfaq gjelbërimin, nuk e rrëzon gjethen, bëhet e bukur edhe nën dëborë, padyshim në pranverë e vjeshtë. Nuk pyes për të. Më mirë të mos di shumë. Është simbol i trojeve për ku mërgohet pa-kthyeshëm. Ka një si marrëveshje që tenton të kthehet në bashkekzistencë: më mirë të duhemi pa njohje, pa kushte…Se, për ku do nisemi tjetër?! 

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Secila prej netëve, edhe e dimrave, aq më e bukur nën dëborë, nën çdo minus temperaturë. Mjaft të mos fryjë erë!

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Tjetër imazh kishte “dyqani” dikur. A të kujtohemi, teksa pritej rënia e “Qeverisë së Stabilitetit” socialistik, Ylli (Bufi) njoftoi në TV Shtetëror se kishim edhe vetëm 7 ditë bukë! Të gjithë Burrat e Shtetit Shqiptar në Pluhur-Alizëm, na kanë gostitur me deklarime të tilla, gjer edhe ky i mbrami, Rama, ka deklaruar disa herë: asnjë njeri, kurrë, never ever, në Shqipërinë e asnjë kohe, nuk ka ndërruar jetë për bukë! (Po pra, ka ndërruar religjion, parti, akuzimet për Tjetrin, por jo jetë, e vërtetë!)   

Këtu…ku jemi, sado që s’ka MAPO si tonat dikur, s’duhet të harrojmë kokrrat për macen!

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Pjata boshe, e preferuara!

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Të mundja të mos reagoja kur disa individë që i kam çmuar DIKUR, në Izolim, vazhdojnë të mbeten në Kohën prej nga ku besohet se jemi larguar shumë...

28. Aftësia që do doje të kishe?

Të mund të isha sa më i drejtë, sa më njerëzor e mirëkuptues me këdo. Siç do doja të ishin ata me mua.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Inxhinierinë nuk e ushtrova dot. Kur nisa punë në Memaliaj më prezantuan me Çotin, teknikun markshajder të sektorit nr.2. E thirra mënjanë. “E di ti ç’jam për ty?” “Po, më tha, Shefi!” “Shefi je dhe do jesh ti!” Përveç njeri i shkëlqyer, Çoti e dinte minierën në maja të gishtave. Diploma ime i binte në gjunjë praktikës së tij. Ika pa mbushur vitin në Memaliaj, ai mbeti shefi. Kohë më vonë, u ndjeva keq kur më thanë se kishte ndërruar jetë…Tepër i ri.

Kur i rishikoj prej Këndej vitet si gazetar Atje, trishtojnë. Së pari pyes veten: Si mund të pretendoje të bëje gazetarin në një kryeqytet që nuk e njihje?! Edhe pas ’90-ës, i pa-parti, në disa gazeta, por kthimi në analizë më bind se shefat e shtypit e medias në Tiranë do duhet të ndërrohen njëkohësisht, o një ditë më pas, shtresës politike në fuqi. Gjë që s’ka gjasa. Fati i profesionit gazetar? Është krejt në Liri: I ka zbritur atributet te çdo qytetar me celular.

Krijuesi, prozatori, letërsi-shkruarja, publikuar on-line, është me më përvojë se njerëzimi mbyllur prej Covid19.   

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

U bë kohë, por s’janë aq të shumtë sa ç'do t’i dëshiroja, vitet që e shijoj të lexuarin jo më pak se shkrimin e letërsisë dhe këtë të fundit, në radhë të parë, si kënaqësi e formë lirie…

31. Si ndihesh tani, në fund të pyetësorit tim?

Si gjithë ata që i janë përgjigjur më herët, besoj: falënderues mundësisë së ushtrimit të lirisë së fjalës!

 

©JetaDedja, FlasShqip.ca

Québec, Canada 2021