Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Vlora Rrustemi Syla

  • Published in Komunitet
Nga: Jeta Dedja

“Pyetësori i Jetës” është përgatitur nga Jeta Dedja, kryeredaktore e FlasShqip.ca. Çdo javë, personazhe nga diaspora Shqiptaro-Kanadeze do të ndajnë mendimet e tyre me lexuesit e FlasShqip duke iu përgjigjur 31 pyetjeve.

Sot e ftuar është Vlora Rrustemi Syla, gazetare dhe ish-moderatore e lajmeve në Radio-Televizionin e Kosovës si dhe ish-korrespondente e rrjetit CNN International për Kosovën gjatë periudhës pas shpalljes së Pavarësisë. Vlora që prej vitit 2018 jeton në Toronto pas emërimit të bashkëshortit të saj Donat Syla në postin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Kanada.

1. Nëse ndjenjat kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Përpiqem që çdo ditë të ndjehem “verore”, e sidomos në Kanada ku kemi mungesë të kësaj ngjyre. Mendoj për diellin kur përgjigjem kështu dhe ndjenjat pozitive që na zgjojnë rrezet e tij.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tuaj?

Unë i gëzohem çdo dite që jetoj! Kjo pasi e dua jetën dhe nuk dua të më ikë shpejt. 10 vitet e fundit i kam patur më të bukurat, prandaj edhe kanë ikur shpejt. Në këto vite solla në jetë dhe po rris dy fëmijët e mi të cilët me energjinë e tyre më bëjnë të mos e ndjej kohën që kalon.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Për momentin besoj se ka qenë vendimi për t’u rikthyer në Kanada, duke lënë pas profesionin tim të zemrës. Por, nuk e di a do të përgjigjem njësoj pas disa vitesh 😊.

4. Humbja më e vogël?

Për mua humbje e vogël është çdo humbje që kompensohet.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Shëndeti i brishtë i njerëzve të zemrës.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Ndjenjës së të qenurit një Nënë, mbrojtëse e tepërt. Në fakt, e vuaj këtë gjë dhe do doja t’i arratisesha shpejt.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Besojë se varet nga karakteri i vetë njeriut dhe si arrin ta menaxhosh atë. Dikujt mund t’i sjellë dëme shëndetësore të pariparueshme, e tek dikush tjetër nxjerr në pah një forcë që nuk ka besuar se e ka. Unë i përkas kësaj të dytës.   

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Fytyra e këndshme e birit tim.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Kur është koha e mirë, ecje dhe vrapim. Atë shpirtërore mundohem ta ushqej sa më shumë me mendime pozitive dhe të kaloj kohë me njerëz që më bëjnë të ndjehem mirë.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Po qe nevoja pres akoma, gjithmonë duke qenë e bindur se pritja i’a ka vlejtur.  

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Njerëzit e mençur vërehen në gjëra të vogla dhe zakonisht mbajnë nëse mund të shprehem kështu, një profil të ulët. Ndoshta të merr kohë derisa t’i zbërthesh por që më vonë do thuash, sa mirë që mora kohën të njoh këtë njeri të mençur.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Kam miq me të cilët flas për gjëra personale, por janë të pakët. Më shumë kam miq me të cilat/cilët nuk dua të flas, por të qesh e të argëtohem më shumë. Fundja, miqtë për këtë punë janë. 😊

13. Profili i mikut të padëshiruar?

Sado që mendojmë se nuk kemi të tillë, vjen një kohë kur përballemi edhe me miq të tillë. Asgjë më shumë sesa kur kupton se në fakt, nuk paska qenë mikeshë apo mik që ke menduar. Por, nëse pyetja juaj i referohet më shumë asaj se cilin profil nuk do doje ta kishe mik apo mikeshë, atëherë unë definitivisht nuk do mund të toleroja dyfytyrësinë dhe mendjemadhësinë.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Njeriu i mirë për mua është ai njeri që kujdeset dhe nuk përbuz personat ndryshe nga ata siç janë, të sëmurët apo personat me aftësi të kufizuara. Është lehtë të tregohesh i mirë me ata që veçse janë mirë. Mirësia tregohet aty ku nevoja është më e madhe, por edhe sfida.   

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Kur tjetri përpiqet të të tregojë për një gjë te cilën e ke para syve.

16. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Përjetimin e luftës të cilën unë si gjeneratë pata fatin e keq ta përjetoja.

17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Gjatë përballjes në rrugë me shoferë me tolerancë “maksimale kanadeze”. Kur jeton një kohë të gjatë në një vend siç është Kosova apo Shqipëria që shquhen për vozitje agresive, kjo mënyra e vozitjes se ngadaltë në Toronto, të bën për të sharë jo vetëm një herë, por shumë herë.

18. Urimi që merr e jep më shpesh?

Urimet me të afërmit për t’u parë sa më shpejt.

19. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndër mend?

Dhërmiu i Shqipërisë, në veçanti ato netët ulur në një restorant buzë detit duke pirë verë e duke biseduar deri vonë. Kjo është një nga përvojat e shumta të mira që kemi me Donatin në jug të Shqipërisë.

20. Po libri që ke përzemër?

 “Alkimisti” i Coelhos.

21. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

Është ajo kënga që e dëgjon sëfundi. Për momentin më sillet në kokë: “E dehun jam”.

22. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Një udhëtim me tren nga Evropa në Azi që shpresojmë ta kemi shëndetin dhe ta realizojmë në një të ardhme të afërt me Donatin.

23. Pema që të kënaq syrin?

Qershia. Jo se e dua aq shumë frutin e saj, por sepse tregon që pranvera ka ardhur.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Një ambient i ngohtë familjar dhe një film dokumentar i mirë. Por, po pate për të vajtur në punë të nesërmen, do e harrosh edhe atë natë. 😊

25. Produkti që do doje mos të mungonte kurrë në dyqan?

Sallata dhe buka e thekrës me fara të ndryshme.

26. Pjata që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Kallamari.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Të isha më pak e shqetësuar për gjëra që nuk i kemi në dorë.

28. Aftësia që do doje të kishe?

Të bëja mrekulli, ashtu siç mendon vajza ime e vogël.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtroni?

Nuk është se kam menduar, koha do bëjë të vetën.

30. Arritja juaj më e madhe deri më sot?

Profesionalisht, raportimi për rrjetin prestigjioz CNN gjatë një periudhe të rëndësishme të krijimit të shtetit të Kosovës. Në rrafshin personal, krijimi i familjes sime.

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit?

Ndjehem sikur i’a shpalosa disa gjëra të mia një mikeshe të cilën nuk e kam takuar por që krijova një përshtypje mjaft pozitive për të. Faleminderit për mundësinë e dhënë dhe konsideratën.

 

 

©FlasShqip.ca

24 Shkurt, 2021