Komunitet

Në Kanada po iu dedikove punës realizon çdo ëndërr - Bisedë me farmacisten nga Toronto Yllka Spaho-Skilja

  • Published in Komunitet

“A nuk do ishte më mirë sikur ndihmën për problemet shëndetësore ta merrnit nga dikush që flet gjuhën e nënës kudo që të jetonit? Do ndiheshit më të kuptuar dhe le të themi gjysëm të shëruar. Është fat për cilindo nga ne, nëse ka mundësinë ta ketë po shqiptar mjekun e familjes, dentistin apo farmacistin dhe në komuniteti tone, numri i tyre po rritet vit pas viti”. Këto fjalë patëm shkruar para disa muajsh në Flasshqip kur njoftuam hapjen në Woodbrige të SelectHealth Pharmacy me pronare farmacisten Yllka Spaho-Skilja. Yllka ka lindur dhe është rritur në Elbasan. Pas diplomimit si farmaciste në Universitetin e Tiranës emigroi në Kanada, ku krijoi familjen por realizoi edhe endrrën e saj profesionale. Ajo sot është nënë e dy fëmijëve, Arba dhe Roan, ndërsa bashkëshorti i saj, Arbër Skilja, (edhe ai elbasanlli) ka ndërtuar po ashtu prej vitesh një ndër bizneset e shumta të suksesshme të shqiptaro-kanadezëve që jetojnë në Greater Toronto Area. Yllka Spaho-Skilja pranoi me kënaqësi të ndajë sot me lexuesit e Flasshqip historinë e saj jo vetëm personale, por edhe profesionale…

Flasshqip: Zonja Yllka mirëseerdhët në Flasshqip për të bashkëbiseduar në Rubrikën Profil&Intervistë që i dedikohet tërësisht komunitetit shqiptaro-kanadez. Le ta nisim bisedën me një pyetje mbi origjinën tuaj: ku keni lindur dhe jeni rritur në Shqipëri? A mund të ndani me ne pak fjalë për familjen…

Unë kam lindur dhe jam rritur në qytetin e Elbasanit. Nëna ime, Vjollca Spaho, ka qenë mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë si dhe specialiste arsimi. Nga ajo kam trashëguar dashurinë për gjuhën shqipe dhe librin. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë mësuesja ime më e mirë. Babai, Pellumb Spaho, ka qenë një ndër specialistët dhe drejtuesit e ndërmarrjeve tregëtare të qytetit dhe pas ndryshimeve të sistemit është marrë me aktivitet privat. Fatkeqesisht ai u nda nga jeta në një moshe fare të re, si pasojë e një ataku kardiak. Babai im ishte shume unik, një antikonformist i vërtetë, që jetoi pak por edhe shumë në të njejtën kohë; dhe ky është mësimi më i vyer që kam nga ai: ta jetosh jetën në maksimum!

Flasshqip: Pasi kanë kaluar vite që jeni vendosur këtu, çfarë gjërash të veçanta mund të kujtoni sot nga fëmijëria, rinia e hershme, apo nga vitet e shkollës në Shqipëri?

Si fëmija e parë në familjes Spaho, kam qenë qendra e vëmendjes dhe e përkedhelura e gjyshërve. Fëmijeria ime ka qenë shumë e bukur, e mbushur plot me lojëra dhe aventura fëminore si dhe me përkushtimin dhe gatimet aq të shijshme të gjyshes time. Kujtoj me shumë nostalgji shoqërinë e vitet e kaluara në shkollën tetëvjeçare “Naim Frashëri” si ndër me të bukurat. Pas diplomimit në gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan, ndoqa studimet e larta në Fakultetin e Farmacisë në Universitetin e Tiranës. Për shkak të humbjes së babait, planet e mia dhe ëndrra e tij që unë të shkollohesha jashtë Shqipërisë nuk mund të realizoheshin dhe unë vendosa të mos largohesha që t’i qëndroja pranë nënës dhe motrës. Ndonëse Universiteti i Tiranës nuk ishte një zgjedhje e parë për mua, une e konsideroj një eksperiencë shume të vyer dhe me vlerë. 

Flasshqip: A mund të përshkruani me disa detaje historinë tuaj të emigrimit? Si dhe pse vendosët të largoheshit nga atdheut? Mungesë perspektive, si në në shumë raste, apo edhe arsye të tjera…

Jam larguar nga Shqiperia një vit pas diplomimit. Nuk ishte një vendim i lehtë pasi pas lija familjen time, por këtu më priste Arbri i cili tani është bashkëshorti im dhe ato “fluturat” që kisha filluar të ndjeja në stomak më dhanë forcën ta merrja këtë vendim. Nga njera anë, të ardhmen në Shqipëri nga ana profesionale e shikoja shumë të kufizuar, deri diku të rëndomtë dhe kisha gjithmonë dëshirën brenda meje për të provuar nëse une mund t’ia dilja diku tjetër, larg Shqipërisë. Mungesa e meritokracisë që ti e ndesh kudo, që në shkollë dhe pasiguria për të ardhmen që ti ndjen, të shtyn të mendosh largimin drejt emigrimit. Nga ana tjetër, ishte dhe ajo ëndrra e babait tim që unë të shkollohesha jashtë shtetit dhe që unë doja ta realizoja. Në Shqipëri pas diplomimit kam punuar në një kompani farmaceutike. Ka qenë nje eksperiencë vërtet interesante, prej së cilës kam mësuar shumë. Kam punuar gjithashtu edhe në farmaci gjatë verës apo fundjavave kur isha studente.

Flasshqip: Si jeni ndjerë kur erdhët në fillim, si ishte ballafaqimi i parë me Kanadanë? Cilat ishin vështirësitë që hasët nga pikëpamja profesionale dhe si arritët ti kapërcenit ato?

Kanadanë e kisha vizituar vite para se të shpërngulesha përfundimisht dhe them se kjo më ndihmoi, pasi isha e përgatitur për çfarë më priste. Ndërkohë, “detyrat e shtëpisë” i kisha bërë mjaft mirë, pasi që në Shqiperi kisha filluar aplikimet për ekuivalentimin e diplomës dhe kisha grumbulluar të gjithë infomacionet e duhura. Pata fatin që të më ofrohej një kontratë për të punuar në farmaci si pharmacy technician vetëm një javë pasi isha shpërngulur këtu. Kjo më ndihmoi vërtet shumë në aspektin profesional, sepse më dha mundësinë ta njihja shërbimin farmaceutik kanadez nga afër.

Flasshqip: Sot pas kaq vitesh dhe pas integrimit tuaj në çdo aspekt, si do ta përshkruanit shoqërinë kanadeze?

Shoqëria kanadeze është multikulturore për faktin se në të historikisht bashkëjetojnë njerëz të etnive dhe racave të ndryshme. Kjo them që e bën atë një shoqëri gjithnjë e më shumë tolerante e mendjehapur, ku respekti për këdo, pavarësisht përkatesive të ndryshme është primar. Shoqëria kanadeze është një shoqëri që ofron mundësi të barabarta për cilindo dhe ku gjithkush që dedikohet e punon fort, mund të jetë i suksesshëm.

Flasshqip: Do të ishtë me interes për lexuesit e Flasshqip të mësonim pak më shumë për rrugëtimin tuaj të karrierës dhe aktivitetin tuaj profesional aktual. Kemi parasysh që çdo eksperiencë i vlen si model reference edhe të tjerëve që mund të vijnë në të ardhmen, por jo vetëm atyre…

Pas ekuvalentimit të diplomës dhe përfundimit të intershipit në Shoppers Drug Mart dhe Remedy’s Rx, arrita të licensohem si farmaciste. Pas kapërcimit të kësaj etape të parë shumë të rëndësishme, zgjodha të punoj si farmaciste në një nga farmacitë më të vjetra në Toronto dhe shumë të njohur në gjithë Kanadanë, për formulimet galenike dhe ofrimin e farmaceutikës individuale, York Downs Pharmacy. Aty mu dha mundësia e specializimit si Compounded Pharmacist dhe e njohjes me mjekësinë integrative dhe preventative që u bënë edhe pasioni im. Ndër arritjet gjatë përvojës pranë York Downs Pharmacy mund të përmend një preparat për përdorim nazal që une kam formuluar për të ndihmuar pacientët me sinusite kronikë dhe që Klinika e Otolaringologjisë në Mount Sinai Hospital po e përdor me shumë sukses. Pas një përvoje 9 vjeçare, vendosa të hedh një hap më tej në karrierë dhe para 9 muajsh hapa praktikën time, Select Health Pharmacy&Clinic, e ideuar si një Boutique pharmacy që i ofron pacientit një eksperiencë të personalizuar ku ne dëgjojmë, inspirojmë dhe fuqizojmë pacientin që të marrë në kontroll shëndetin e tij. Misioni im në këtë sipërmarrje është ndryshimi i status quo të farmacisë komunitare duke integruar modelin konvencional të farmacisë me mjekime plotësuese të mirëstudiuara dhe të evidentuara, produkte të përparuara dhe shërbime që përmiresojnë shëndetin dhe mirëqënien e klientëve tanë.   

Flasshqip: Përveç realizimit të endrrës personale profesionale, cila është kënaqësia më e madhe që keni marrë në jetë gjatë këtyre viteve pas ardhjes në Kanada?

Kënaqësia më e madhe është padyshim krijimi i familjes time. Eshte Arbri, Arba dhe Roani, dashuria dhe arritja ime më e madhe.

Flasshqip: Sa dhe si ka ndikuar emigracioni në raport me marrëdhëniet në familje, fis apo shoqëri, por edhe në raport me vendlindjen? Janë forcuar apo dobësuar këto lidhje?

Disa janë forcuar, të tjera janë zbehur. Ndjej që largësia ka bërë të kem një lidhje me të fortë me familjen time. Kam shoqëri shumë të mirë që i ka rezistuar kohës e largësisë. Ndonëse dinamika e jetës më bën të mos komunikoj shpesh me rrethin shoqëror në Shqipëri, kjo nuk e dobëson lidhjen dhe afeksionin që kemi.

Flasshqip: Çfarë kujtimesh ruani në shtëpinë tuaj nga Shqipëria? Po Shqipërinë aktuale si e vlerësoni?

Kam shumë kujtime nga Shqipëria që i ruaj në shtëpi, por gjithashtu dhe shumë sende që na kujtojnë Shqipërinë, si tabloja e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, portreti i Nënë Terezës apo skica me pamje nga qytetet kryesore shqiptare. Kur mendoj për Shqipërinë aktuale më vjen ndër mend thënia e Konices “Në qoftë se Shqipëria mos dashte Zoti do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.” Fatkeqësisht realiteti i viteve 1900 ndjehet aktual dhe sot…

Flasshqip: Si do ta vlerësonit komunitetin shqiptar në Toronto?

Është shumë me vlerë fakti që shqiptarët janë të mirëintegruar, të suksesshëm dhe qytetarë të denjë të shtetit kanadez. Duke qenë një komunitet relativisht i ri, them që ka akoma shumë punë për të bërë në aspektin e rritjes së frymës së bashkëpunimit dhe përkrahjes për njeri-tjetrin por edhe për kauza që kanë interes kombëtar, për Shqipërinë...

Flasshqip: A mendoni se shqiptarët këtu në Kanada janë më të lirë në mendime se në atdhe?

Nuk mund ta përgjithësoj një fakt të tillë. Për mendimin tim, njeriu është aq i lirë, sidomos në mendime, sa zgjedh të jetë, pavarësisht vendit ku jeton dhe aq më tepër në kohërat e sotme të zhvillimit kaq të vrullshem teknologjik. Kujtoj këtu disa nga mendjet më të ndritura shqiptare si At Zef Pllumbi, Kuteli apo Petro Marko. Mjafton të lexosh veprat e tyre për ta kuptuar se terri komunist nuk mundi të errësonte mendjet e tyre dhe lirinë e mendimit.

Flasshqip: Le të ndalemi pak në një subjekt me interes besojmë për të gjitha familjet shqiptare. Aktualisht vihet re që fëmijët e shqiptarëve që lindin në emigracion, në jo pak raste e humbin gradualisht gjuhën dhe traditat. Si nënë e dy fëmijëve të lindur në Kanada ç’mendoni për këtë?

Nuk jam fare dakort me humbjen e gjuhës dhe traditave. Arbëreshet kanë më shumë se 500 vjet që ruajnë aq bukur kulturën, traditat e gjuhën e të parëve. Unë jam shumë e lumtur dhe krenare që fëmijët e mi kuptojnë e flasin shqip, ndonëse kanë lindur në Kanada. Ne si prindër mundohemi sa më shumë t’u flasim për historinë e kombit tonë dhe t’i ruajmë në familje traditat dhe kulturën shqiptare.

Flasshqip: Por nga ana tjetë a duhet të asimilohen shqiptarët në kulturën e vendit që i mirëpret?  

Patjetër që duhet të asimilohen. Në momentin që ti vendos të jetosh në një vend tjetër, duhet të hapësh mendjen e zemrën, të marrësh më të mirën por dhe të ofrosh më të mirën e vetes. Për mua, asimilimi nuk do të thotë të harrosh rrënjët.

Flasshqip: Sipas jush, cila mund të jetë forma më e mirë e ruajtjes së kulturës shqipe?

Ruajta e gjuhës, njohja e historisë së lashtë dhe të mëvonshme të shqiptarëve, përçimi i kulturës e traditave shqiptare te femijët tanë. 

Flasshqip: A keni diçka tjetër që keni dëshirë ta ndani me lexuesit e Flasshqip…

Desha të përgezoj portalin Flasshqip.ca e ta falenderoj pa masë për përkushtimin ndaj komunitetit shqiptar në Kanada.

Flasshqip: Edhe ne ju falenderojmë për bisedën dhe ju urojmë suksese të metejshme në çdo aspekt!

Yllka Spaho-Skilja, është farmacistja me përvojë mbi 10-vjeçare, e cila përveçse ju ndihmon kur i shkoni në farmaci, mund edhe t’jua sjellë farmacinë në shtëpi. Mjafton të telefononi në numrin: 905 417 4949. Dhe mos harroni: Flisni shqip! SelecHealth Pharmacy, me pronare Yllkën, ka gati një vit që është hapur në Woodbridge-Vaughan në adresën: 20-3891 Major Mackenzie Drive West.

©Flasshqip.ca