Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Edlira Çini

  • Published in Komunitet
Nga: Jeta Dedja

“Pyetësori i Jetës” është përgatitur nga Jeta Dedja, kryeredaktore e FlasShqip.ca. Çdo javë, personazhe nga diaspora Shqiptaro-Kanadeze do të ndajnë mendimet e tyre me lexuesit e FlasShqip duke iu përgjigjur 31 pyetjeve.

Sot e ftuar është Edlira Çini, manaxhere në bankë prej 18 vitesh, por gjithashtu edhe në kompanitë e saj në Toronto.  

1. Eda, nëse ndjenjat kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

E kuqe.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tuaj?

Kam shijuar çdo moment por nuk ndjej që të kenë ecur aq shpejt. Kam pasur arritje, sfida, humbje dhe fitime. Jam ndjerë mirë.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Zgjodha të jem pranë fëmijëve dhe të kaloj sa më shumë kohë me ta, në vend të karrierës. Kjo ndoshta ka patur koston më të lartë por që unë do e zgjidhja sërish nëse do më jepej mundësia.

4. Humbja më e vogël?

S’më kujtohet asgjë. Do ketë qenë e parëndësishme.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Xhelozia. Gjithsesi gjë e mirë. Tregon që dashuroj.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Vetmisë.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Edhe pse nuk do e zgjidhja, ndonjëherë mërzia të stimulon krijmtarinë. Unë poezitë më të bukura i kam bërë kur kam qenë e mërzitur.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Muzika.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Vallëzoj, dëgjoj muzikë, lexoj me shumë dëshirë. Vrapoj në trademill vetëm nga halli.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Nuk pres.

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Urtësia. Pabujëshmëria. Mendimi përpara një përgjigjeje.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Me miq të ndryshëm, bëhen biseda të ndryshme. Vështirë t’i përgjithësosh. Por në një grup shoqesh do flisja më tepër për artin, kulturën, komentim të ndonjë libri, receta gatimesh e për kometën Hallej që desh bëri qametin .

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Ai/ajo që ka dy fytyra.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Mendoj se çdokush zgjedh formulën që i përshtatet më tepër. Mua më pëlqen t’i bëj mirë kujtdo në nevojë. Të shpërndaj pozitivitet dhe mos të mbaj mëri.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Këmbëngulja e pajustifikueshme.

16. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Humbjen e fëmijës.

17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Dy makina përpara meje, ecin paralelisht me shpejtësi të ulët (ose me shpejtësinë e duhur).

18. Urimi që merr e jep më shpesh?

Qofsh me fat e me shëndet!

19. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndër mend?

Deti.

20. Po libri që ke përzemër?

Shumë. Sidomos klasikët e lexuar në moshën e adoleshencës. Por, për momentin “Autokritika” e shkrimtarit shqiptaro-kanadez Avdulla Kënaçi.

21. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

"Valsi i Lumturisë".

22. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Paris-Londër.

23. Pema që të kënaq syrin?

Qershia.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Perdet e hapura duke parë fjollët e borës që shtrohen si një qilim i bardhë. Dritat e pemës dhe flaka e oxhakut që reflektojnë e përshëndesin hënën nëpërmjet xhamit të dritares. Gotat e verës dhe gështenjat sipër tryezës duke pritur krishtlindjet.  

25. Produkti që do doje mos të mungonte kurrë në dyqan?

Kafeja.

26. Pjata që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

S’është pjatë. Bozë me akullore ose kasatë.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Sarkazma, megjithëse edhe më pëlqen.

28. Aftësia që do doje të kishe?

T’i bija pianos.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtroni?

Profesioni im ndryshon nga dita në ditë edhe pse titulli mbetet i njëjtë. Uroj që të mos kthehet në manaxhim virtual sepse unë lulëzoj nga komunikimi i drejt për drejtë me njerëzit. Gjithsesi jemi gati për çdo të re.

30. Arritja juaj më e madhe deri më sot?

Një familje solide si ajo që kam krijuar me Edvinin, dhe ajo mes motrash dhe vëllezërish edhe pse jemi 6.

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit?

E çuditur...pse jo 30 pyetje por 31 ?! Shumë pyetësor zbavitës dhe i veçantë. Faleminderit Jeta për këto rubrikat e tua të këndshme.

 

©FlasShqip.ca

28 Shkurt, 2021