Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: I ftuar Flurans Ilia

  • Published in Komunitet

Pyetësori i Jetës” është përgatitur nga Jeta Dedja, kryeredaktore e FlasShqip.ca.

Çdo javë, personazhe nga diaspora Shqiptaro-Kanadeze do të ndajnë mendimet e tyre me lexuesit e FlasShqip duke iu përgjigjur 31 pyetjeve.

Sot i ftuar është Flurans Ilia, shkrimtari dhe publicisti i njohur nga Berati dhe Montreali. Fluransi është një nga penat e pëlqyera dhe të vlerësuara prej lexuesve të portalit FlasShqip dhe ne jemi me fat që ta kemi rregullisht të pranishëm me shkrimet dhe opinionet e tij si në këtë intervistë.

1. Flurans, nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Ngjyrë manushaqe si të parët tulipanë të purpurt të pranverës.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Mund t’i karakterizoj si vite të një shpejtësie konstante brenda limitit po qe se i krahasoj me “çmendurinë” e 20 viteve më parë për shembull, kohë në të cilën shpesh kisha “problem” alternimin e forcës motorike në raport me udhën.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Familja. Mos dorëzimi apo kapitullimi pa kushte edhe aty ku nuk kishte më dritë shprese nga rrethana krejtësisht të jashtme IA KEMI dalë mbanë të rritemi së brendëshmi në triumfet e vockla të jetëve tona duke i shkrirë në një të vetme.

4. Humbja më e vogël?

Më ka ndodhur në New York City nga fundi i shekullit të shkuar. I sapo zbritur ndër këto vise u gjenda papritur i vjedhur materialisht dhe shpirtërisht nga njerëz të cilët i kam dashur pa kushte më parë.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Kam dashur qysh në vogëli të jem një aktor. Shoh ende ëndrra me ekran të gjerë kinemaje.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Me kalimin e viteve njeriu kupton se arratia nuk ka asnjë dobi në realitet. Gjithçka është këtu përpara teje në territorin e së tashmes. Por njeriu nga natyra është i ndërtuar në atë formë ku “arratia” e tundon gjithë jetën. Ai ka nevojë të arratiset. Ai ripërsërit me ose pa vetëdije arrati të njëpasnjëshme brenda vektorit kohë. Ajo pra, çka të gjithë kryejmë në një formë a një tjetër është “arratia nga koha”. Arratia, ky produkt i lëvizjes gjithashtu, shpesh për një kategori njerëzish si unë që merren me artin e fjalës ka qëlluar të jetë e dobishme sepse u ka mundësuar të ngrenë një realitet brenda realitetit.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Mërzia kur mbërrin në caqet e saj ekstreme shpesh herë ka rezultuar si çast i ndryshimit. Kalimi nga një trajtë natyrore, cikël i përmbushur, në një cikël dhe trajtë krejt të re. Vëreni qiellin e një dite ngjyrë gri të mbytur në re. Bubullimë mërzia e tij, atje lart. Natyrisht duam apo jo, ne si qenie tokësore jetojmë me ndjesinë e mërzisë së qiellit kur furtuna shpërthen kapilarë-kapilarë dhe zbret të puthë dheun për t’i dhënë ushqimin e nevojshëm jetës. Kështu mërzia jonë e përbashkët bëhet hallkë e një procesi të domosdoshëm në harmoni të plotë me të ardhmen. Kështu kanë lëvizur gjithë kohës shoqëritë e qytetërimeve tona.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Fjala. Shpesh të kapur nga rutina ne nuk jemi të aftë të shpiejmë në mendje forcën përndezëse të fjalës.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Kam mbajtur përherë me fanatizëm një raport të drejtë midis realitetit dhe metafizikës. Asnjëherë nuk i kam përzier caqet e tyre. E di ku fillon njëri dhe mbaron tjetri. Kam vrapuar me kilometra të tëra përgjatë ditëve të mia, fizikisht, por edhe mendërisht nëpërmjet leximit si disiplinë e një sporti që mundet ta përkufizojmë si Dije.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Me durim dhe maturi.

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Nga Fjala pra, gjuha që përdorin në të folmen a të shkruarën që i karakterizon.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Për gjithçka, përveç politikës dhe religjionit institucional.

13. Profili i mikut të padëshiruar?

Skuthëria.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Shpirtgjerësia.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

E kam thënë edhe diku tjetër këtë, mediokriteti i ngritur në pushtet.

16. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Humbjen e një fëmije.

17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Gafat gramatikore në artikulimin e mendimit të dikujt. Këtu përfshij edhe veten.

18. Urimi që merr e jep më shpesh?

«Rrofsh, jetë dhe shëndet» të tjerat janë një derivat i këtyre më sipër.

19. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd?

Deti. 

20. Po libri që ke për zemër?

Oh, kjo është pyetja më e vështirë e këtij pyetësori sepse janë të shumtë librat dhe autorët që kam për zemër.

21. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

Këngët qytetare beratase.

22. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Buenos Aires. Kam patur gjithmonë dobësi për shkrimtarët, verën dhe futbollistët argjentinas.

23. Pema që të kënaq syrin?

Manat e kuqe, manat e bardhë. Kam shkruar së fundmi edhe një poezi të titulluar «Mani i Files».

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Në veri. Pa internet. Pranë oxhakut. Mes pyjesh. Larg metropolit.

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Sapuni.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Ullinjtë.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Pirja e duhanit.

28. Aftësia që do doje të kishe?

Të isha pak më tepër përllogaritës.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Në kryeradhë të këtij pyetësori vendosa si indikator të krejt bisedës profesionin si “shkrimtar”, sepse aty e shikoj veten në shoqëri mes njerëzve. Ndërkohë ajo që bëjmë për të jetuar është krejt tjetër. Dua të them me sinqeritet se ajo çka konsideroj si të ardhme profesionale timen është të shkruarit sa më profesionalisht dhe kaq.

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Përcaktori i vetvetes. Të qenit vetvetja.

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Në aspektin njerëzor, i çlirët. Sepse nëpërmjet këtyre bisedave të lira mundësohemi të njihemi me komunitetin, njerëzit që kemi pranë dhe nuk i njohim si duhet. Është njësoj si të jetosh “i vetëm me të gjithë” brenda atyre pak çasteve ku shtrihet pafundësia e njeriut.

©FlasShqip.ca

6 Mars, 2021