Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Teuta Uruçi

Nga: Jeta Dedja

“Pyetësori i Jetës” është përgatitur nga Jeta Dedja, kryeredaktore e FlasShqip.ca. Çdo javë, personazhe nga diaspora Shqiptaro-Kanadeze do të ndajnë mendimet e tyre me lexuesit e FlasShqip duke iu përgjigjur 31 pyetjeve.

Sot e ftuar është Teuta Uruçi me profesion ekonomiste. Ajo punon pranë agjencisë YMCA në Montreal, Quebec.

1.Teuta, nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

E bardhë plot shpresë.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Për 7 vitet e fundit do specifikoja me shpejtësi rrufeje. Mbase shkaku i emigrimit dhe koha e kaluar gjithmonë në lëvizje për të gjetur veten dhe ekuilibrin në një vend të ri.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Emigrimi pa dyshim.

4. Humbja më e vogël?

Çdo humbje që nuk lë gjurmë në brendësi.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Padurimi për të takuar nënën.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Pishmanllëkut me raste.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Asnjë dobi nëse është pasive, nëse të bën të reflektosh, të njohësh shkaqet dhe të dish t’i orientosh drejt përmirësimit kjo mbase mund të quhet një e mirë e mërzisë!

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Besimi dhe dëshira për të bërë mirë.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Ecje, lexim e meditim.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Me durim, pasi konstatoj që ç’më është dashur ta bëj, e kam bërë.

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Flasin pak, janë të vëmendshëm dhe orientojnë drejtë.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Për të gjitha nga pak.

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Miqtë janë gjithmonë të dëshiruar!

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Zemër bardhë dhe i gjindshëm.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Të mendosh që i di të gjitha.

16. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Nuk do t’i uroja askujt të shohë fëmijën e tij keq me shëndet.

17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Kur përsërit diçka për të disatën herë dhe tjetri të ripyet thjesht se neglizhon të jetë i vëmendshëm.

18. Urimi që merr e jep më shpesh?

Ta dhashtë Zoti të mbarën!

19. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd?

Liqeni i Shkodrës.

20. Po libri që ke për zemër?

“Vargjet e lira” nga Migjeni.

21. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

“Jaret e Shkodrës” freski për mallin e zemrës.

22. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Meka dhe Medina për të kryer haxhin (pelegrinazhin).

23. Pema që të kënaq syrin?

Pema e kumbullës.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Një natë me miq të mirë, në një ambient të ngrohtë.

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Uji.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

“Tavë Krapi” e Shkodrës.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Do të doja t’i haja brumërat më pak!

28. Aftësia që do doje të kishe?

Të pikturoja.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Kontabiliteti mbetet gjithmonë sfida dhe dashuria profesionale prej vitesh! Çdo arritje në këtë drejtim është sukses më vete.

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Studimet e vazhdueshme dhe eksperienca sidomos në Kanada pranë YMCA megjithë vështirësitë që sjell emigrimi.

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Përzemërsisht falenderuese ndaj jush për respektin!

 

©FlasShqip.ca

3 Mars, 2021