Komunitet

Nuk mund të rri indiferent ndaj problemeve të vendit tim - Intervistë me shkrimtarin Vangjush Saro

  • Published in Komunitet
Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Nuk e fsheh kenaqësinë e veçantë që ndjeva, kur nga Vankuveri ku jeton e krijon aktualisht, Vangjush Saro iu përgjigj pozitivisht ftesës për një intervistë në Flasshqip. Për shumë arsye. Nostalgjia për miqësinë dhe bashkëpunimin e tij me prindërit e mi, të cilët edhe ata ishin njerëz të letrave. Njohja qysh herët me krijimet e Vangjushit dhe terheqja që kam për zhanret që ai ka lëvruar, sidomos për letërsinë satirike apo fabulën, ku talenti dhe origjinaliteti i tij kanë spikatur veçanërisht. Mirënjohja për kontributin e vazhdueshëm dhe të çmuar publicistik dhe letrar që ai ka dhënë dhe jep në portalin Flasshqip, por mbi të gjitha vlerësimi shumë i lartë që kam për angazhimin qytetar dhe intelektual të Vangjush Saros në raport më problemet madhore me të cilat përballet atdheu yne Shqipëria. Sot ka shumë emra që lëvrojnë publicistikë, por janë të paktë ata që gjykojnë, vlerësojnë e analizojnë në mënyrë të pavarur, jashtë preferencave politike dhe e shkruajnë plot kujdes e dashuri gjuhën tonë të vlerë. Një ndër ta është Vangjush Saro, ndër zërat më autoritarë të publicistikës së Diasporës sot, për mendimin tim. Talenti, atdhetarizmi dhe pavarësia e mendimit janë kombinuar në mënyrë perfekte tek ai. Ata që e njohin nga afër jam i bindur që vlerësojnë tek Vangjushi, jo vetëm personalitetin dhe autoritetin e tij si krijues, por edhe cilësitë e tij njerëzore dhe stilin e komunikimit ku ndihet vlerësimi dhe respekti për bashkëbiseduesin, përkujdesja dhe vëmendja ndaj çdo detaji…

Taulant Dedja: Falemnderit që e pranuat ftesën tonë. Le të kthehemi si fillim larg në kohë, për të ditur sado pak, çfarë kujton sot Vangjush Saro nga Korça, vendlindja, nga fëminia dhe rinia e hershme…

Vangjush Saro: Fëminia? Rrugicat e Korçës dhe korijet përqark lokalit të njohur me emrin “Panda”, kinema “Morava” dhe stadiumi “Skënderbeu”, lojërat (sipas stinëve) dhe aventurat e përditshme, pa përjashtuar praninë (si spektator) në dramat e kohës, ato familjare apo të fqinjëve. Nga vitet e rinisë (gjimnazi “Raqi Qirinxhi”) do të vlerësoja trupën mësimore që ishte ndër më të mirat e kohës; një pjesë e profesorëve (Vangjush Ziko, Niko Bello, etj.) kishin studjuar kush në Rusi e kush në Francë. Së dyti, mbrëmjet e vallzimit, që fillonin si “ditëlindje” e njërit prej shokëve a shoqeve dhe, zakonisht, i organizonim tek ata që kishin shtëpi me sallone.  Për fat të mirë, fëminia ime dhe vitet e para të rinisë, përkuan me fundin e viteve ‘50 dhe fillimin e viteve ’60, kur vendi ende nuk ishte izoluar në mënyrë të plotë.

Taulant Dedja: Ndoshta kjo që sapo përshkruat e bëri disi më të lehtë dhe të natyrshëm kryqëzimin e udhës së jetës tuaj me letërsinë dhe krijimin letrar?

Vangjush Saro: Mendoj se pikërisht fëminia projekton të ardhmen e njeriut. Aq shumë lojna, përjetime, aventura, dimri me dëborë dhe vera e freskët, manaferrat, llastiqet, futbolli gjer në mbrëmje vonë, shtegtimet në kufijtë e Mborjes e të Drenovës dhe, poshtë, në drejtim të Maliqit, leximet e para, filmat, por edhe dramat që përmenda më lart, të gjitha këto u bashkuan me atë çfarë isha unë: një fëmijë i ndjeshëm dhe i brishtë, por i papërkëdhelur nga jeta. Përtej modestisë, disa nga ata që kanë shkruar për krijimtarinë time, theksojnë edhe frymën aventurore dhe argëtuese të krijimeve të mia, karakteristika këto që e kanë zanafillën pikërisht në ato vite të fëminisë dhe rinisë së hershme. Kujtoj që në gjimnaz e gjeta veten duke shkruar krijimet e para; një pjesë të atyre “budallallëqeve” i lexonte me durim Vangjush Ziko dhe më këshillonte ku të kërkoja. Dalëngadalë, kuptova që bota ishte mikse, pra disi e ngatërruar, por edhe që shumë nga dukuritë e jetës ishin komike; së paku ashtu përthyheshin ato në vetëdijen time. Fillova të botoja te “Hosteni”, “Fatosi”, si dhe në gazetën lokale “Përpara”. Ende gjimnazist, Teodor Laço, atëherë kryetar i Degës së LSHA në Korçë, organizoi një diskutim krijues për vjershat e mia satirike dhe fabulat e para. Ky aspekt tejet pozitiv i asaj kohe, do shumë radhë për t’u shpjeguar, prandaj po e mbyll këtu. Tirana - student në fillim të viteve ‘70 dhe pastaj redaktor në Kinostudio nga mesi i viteve ‘80 - më përcolli përfundimisht në botën e letërsisë.

Taulant Dedja: Referuar asaj bote mikse e të ngatërruar që ju përmendni, por jo vetëm, po të kemi parasysh cilës epokë po i referohemi, çdo të thoshte sipas jush të ishe krijues në Shqipërinë e para viteve 1990?

Vangjush Saro: Në këtë temë është folur e shkruar shumë. Po e shoh si të tillë në përgjithësi dhe, pastaj, si e kam ndjerë unë vetë. Fillimet ishin premtuese, bota u gënjye për ca kohë nga shpresat për rendin e ri, madje shkrimtarë e shkencëtarë nga më të njohurit e ëndërruan dhe e besuan atë përrallë. Në një vështrim realist, edhe për krijuesit shqiptarë, duke qenë në një komunitet të gjerë (Gjermani Lindore, Çeki, Hungari, Poloni, Rumani, Bashkimi Sovjetik, etj.) mundësitë për shkëmbime letrare, botime, vizita, ishin të dukshme. Shkrimtarë dhe kritikë shqiptarë (Petro Marko, Ismail Kadare, Kasëm Trebeshina, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Drago Siliqi, Fatos Arapi, Bedri Dedja, Jakov Xoxe, etj.) kishin studjuar pikërisht në këto vende. Ose, më e pakta, ishin endur një kohë jashtë shtetit. Nuk them se kishte shumë liri, nuk them se nuk shihej shtypja e sistemit, por ishte disi më ndryshe nga ç’ndodhi pas vitit ‘65, kur është zhvilluar një Plenum famëkeq dhe kur vendi po lidhej me Kinën maoceduniste, çka shënoi (deri në fillim të viteve ‘80) një shurdhëri letrare, në botime librash dhe në krijimtari. Në këto dy dekada, ishte vërtet e vështirë të bëje shkrimtarin në Shqipëri, vendi më i prapambetur, më i mbyllur dhe më i indoktrinuar në Evropë. Në këtë sens, gjithnjë do të them se me qenë shkrimtar profesionist, duhet t’i vlerësosh po me profesionalizëm autoritetet letrare të asaj kohe - e përsëris, autoritetet - pavarësisht se mund të kesh rezerva për dikë për arsye cmire, apo dashuri për dikë tjetër pse e kishe mik, e kështu më tej.

Personalisht, kam filluar të botoj herët, por në një kuptim e qasje serioze ndaj profesionit, mund të them se erdha në letra e në art aty nga fillimi i viteve ‘80. Më kujtohet, dalldia ideologjike dhe mediokriteti i kohës hynë gjer edhe te satira; kërkohej “humor pozitiv” edhe në zhanrin ku shkruaja unë. Me modesti, por pa shitur trimëri - sepse nuk bëhej shaka me atë sistem dhe mua, të mos gënjej, më dhimbsej familja - jam përpjekur të mos e denatyroj krijimtarinë time. Se sa mundej, është tjetër gjë. Por librat me tregime (“Dy orë dramaturg”, “Biri i Ambasadorit”, etj.) janë botuar me vështirësi dhe janë përshëndetur në Kosovë, por jo në Shqipëri, ku Kritika Letrare e kohës, me pak përjashtime, ishte një mekanizëm në duart e mediokërve dhe lejfenëve. Gjithaq, përballja me ngurtësinë e atij rendi, erdhi gjatë punës për realizimin e kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm” (fundi i viteve ‘80) kur na u desh të mbronim me këmbëngulje shumë skena dhe batuda - sidomos regjisori, Albert Xholi - skena dhe batuda që nuk ishin “mjaltë” për kohën. Mendoj se ajo periudhë ka vlerat e saj (të kufizuara) në arsim, shëndetësi, sport e kulturë; këto duhen parë në kontekstin kohor. Që ta mbyll këtë përgjigje të gjatë, pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e krijimtarisë sime, është ajo pas ‘90-ës. Gjithsesi, një pjesë të mirë të atyre që kam shkruar edhe më parë - siç thashë, skenari i kinokomedisë, një sërë tregime, etj. - nuk i kam mohuar asnjëherë.

Taulant Dedja: Si qytetar dhe krijues, si e përjetuat ndryshimin e sistemeve? Çfarë vlerësoni që mori për mirë në këto 30 vite në Shqipëri dhe cili mbetet për ju zhgënjimi më i madh?

Vangjush Saro: Ne, kush më shumë e kush më pak, e kishim ëndërruar ndërrimin e sistemit. Doemos që e përjetova gjithçka me gëzim dhe me shpresë. Dhe jam i prirur të vlerësoj disa arritje, që janë përparësi e vetë rendit: liria e mendimit, e lëvizjes, e biznesit, e religjionit, deri te trajtimi i episodeve vetjake e familjare. Ka gjithashtu zhvillime në infrastrukturën e vendit, në arsim e shëndetësi (sektori publik dhe sidomos ai privat) dhe më pak në kulturë e sporte. Megjithatë, tri dekada duhej të kishin sjellë më shumë mbrothësi për vendin dhe për qytetarët e tij. Zhgënjimet dhe pësimet janë disa: Tallja me pronën private, tallja me dosjet, tallja me ndërtimet ku pastrohen paratë e pista, tallja me drejtësinë sociale, tallja me vjedhjen e votave… Si i thonë asaj fjalës që ka ardhur nga një tregim i Qamil Buxhelit: Doni më për Zhgënjimet?

Taulant Dedja: “Bulevardi” i letërsisë është zgjeruar shumë, sidomos në dy dekadat e fundit… duket sikur ka humbur ajo që quhet hierarki vlerash dhe në “tregun” e leximit gjen gjithçka… Pse ka ndodhur ky fenomen sipas jush?

Vangjush Saro: Pas ‘90-ës, pati një shpërthim të krijimtarisë letrare, që me kohë, për shkak edhe të zhvillimit të teknologjisë, u bë barrë për letërsinë e vërtetë. E tillë është ende. Ndodh kështu për disa arsye: dëshira për të shkruar, që kështu ka qenë gjithnjë, një dukuri e pakontrolluar dhe e pakontrollueshme; etja e enteve botuese për fitime, fundja për mbijetesë, duke mos konsideruar cilësinë dhe as hallkat botuese; mungesa e Kritikës Letrare, që në të shkuarën kishte probleme të karakterit ideologjik, kurse sot paraqitet cerebrale. Ne shqiptarët, ballkanasit në përgjithësi, jemi disi patetikë, duam të dukemi, të biem në sy me doemos; kjo bën që në pistë të mos kemi vrapues, garues, por turma…

Megjithatë, këtë situatë nuk e shikoj si ndonjë fatalitet. E para, autorët më të afirmuar - librat e të cilëve botohen vetë nga shtëpitë botuese - e kanë një auditor, shiten njëfarësoj, njihen mirë nga lexuesit, institucionet dhe mendimi letrar i kohës. Natyrisht, ka edhe përjashtime, por e përgjithshmja është kjo që thashë më lart. E dyta, këto janë pasione, njerëzit duan të shprehen, rrjetet ua mundësojnë këtë, shtëpitë botuese duan punë e fitime, pra njëfarësoj nuk ka ndonjë të keqe të madhe. E keqja vjen kur lexuesit bien viktimë e grafomanëve dhe deformohen shijet, kur gjithfarë anonimësh nuk dinë ku e kanë vendin, kur narcistët fillojnë e vetëmburren apo mburrin njëri-tjetrin; (kjo situatë ka qenë shtysa për romanin tim “Kurora e Ballkanit”). Mendoj që koha do ta kurojë këtë “sëmundje” dhe në fokusin e botuesve dhe lexuesve do të jetë krijimtaria e mirë, e vërtetë.

Taulant Dedja: Si shumë krijues e kolegë të të tjerë të letërsisë e publicistikës, edhe ju keni vite që jeni larguar nga Shqipëria e jetoni në Kanada… sa dhe si ka ndikuar ky largim nga atdheu në krijimtarinë tuaj?

Vangjush Saro: Po, prej më shumë se një dekade, jetojmë në Kanada. Nuk është parajsa, askund nuk gjendet ajo; por shoh një vend me qendrueshmëri ekonomike dhe politike, një vend me natyrë të pasur (çka risolli tek unë fabulën dhe inspiroi romanin “Misioni”) dhe, sidomos, një vend që nuk të jep stres. Siç edhe e keni konstatuar, kanadezët përgjithësisht janë të qetë e të sjellshëm, gazetat dhe televizionet e vendit nuk bëjnë presion mbi publikun, fqinjët janë më se të mirë e të gjindshëm. Disa përjetime janë edhe vetjake; Kanadaja më dha mundësi të vizitoj (disa herë) SHBA-të dhe Meksikën, të mësoj dhe të lexoj më shumë e duke përzgjedhur, të kërkoj nga vetja arritje të prekshme, të botoj edhe në gjuhë të huaja e, sidomos, të konsolidoj edhe më tej parimet e jetës e të krijimtarisë, mes të cilave balancën dhe vetëpërmbajtjen. Për gjithë sa thashë më lart dhe për asye që jo gjithnjë mund t’i shpjegosh - këto i pohojnë edhe një sërë kritikë e kolegë që kanë shkruar - them se kam krijuar tash një profil artistik dhe krijimtaria ime është një produkt i konsoliduar dhe i pëlqyer nga publiku.

Taulant Dedja: Në ditët e sotme mund të flitet edhe për një letërsi shqipe që po kultivohet paralelisht në Diasporë… cilat janë vlerat e saj më të qënësishme sipas jush?

Vangjush Saro: Është një dukuri interesante; në SHBA, në Kanada, në Evropë e gjetkë, krahas shumë letrarëve amatorë (dhe amatorizmi s’ka asgjë të keqe) po shkruajnë dhe po botojnë disa nga krijuesit më seriozë të kulturës shqiptare. Nuk po bëj lista, sepse kjo do të krijonte paragjykime, sado që përzgjedhjet janë vetjake. Por mund të thuhet se shkrimtarët e diasporës janë ndër më seriozët sot; një pjesë e mirë e tyre mbajnë lidhje në Tiranë e Prishtinë, botojnë rregullisht, iu shiten librat, në Amazon apo në librari, marrin pjesë në panaire, janë objekt i shënimeve letrare, etj. Ndërkaq, s’mund të mohojmë që kemi të bëjmë edhe me njëlloj “lufte” - mes Tiranës dhe Diasporës - për shkak se atje ka shumë kulisa, snobizëm; pra letërsia e shkruar jashtë vendit mund dhe duhet të njihet dhe të vlerësohet më shumë. Por, e përsëris, dalëngadalë gjithçka shqiptare - kam parasysh shumë aspekte - do të zërë vend dhe “haka” do të shkojë tek i zoti.

Taulant Dedja: Përpara se të flasim për tema të tjera veç letërsisë, do të ishte interesante të mësonim pak cilat janë planet tuaja krijuese në muajt që vijnë?

Vangjush Saro: Jam duke i dhënë dorën e fundit librit “Shqipëria në dy kohë”, njëlloj esseje e gjatë; punoj për librin e ri me fabula “Dordolecët qeshin”; është në proces një përmbedhje me fabula në greqisht. Projekti i fundit, është “sekret”; por, besoj, do të zbulohet shpejt. Ndërkaq duhej të ishin ribotuar disa nga novelat që shkojnë sidomos te lexuesi i vogël - “Një ditë pa mamin”, “Aventurat e Polic Këmbëvoglit”, “Rrëfime nga shkolla ime” - por në këtë projekt jam prapa.

Taulant Dedja: Ju vazhdoni të jeni aktiv edhe në publicistikë. Çfarë ju motivon më shumë për t’u marrë me analizën e sotme të asaj që ndodh në Shqipëri?

Vangjush Saro: Publicistika është një zhanër në të cilin kam hyrë pas ‘90-ës. (“Alternativa SD”, “Sindikalisti”, “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli”, “Telegraf”, “Fjala e lirë”, “Flasshqip.ca”, “Zemra Shqiptare”, etj.)  Të gjitha sa ju zhvilloni në këto pyetje, janë ato që më interesojnë dhe për të cilat “jam aktiv në publicistikë”. Përpiqem të shkruaj kur kam fakte e të dhëna, kur një dukuri është bërë barrë për shoqërinë, kur opinioni publik është mëdyshas në tema të ndryshme, etj. Sikundër thuhet nga kolegë e lexues, ndër karakteristikat e kësaj publicistike, janë pavarësia në mendime dhe përdorimi i ironisë e deri edhe i sarkazmës, ndërkohë që pikësynimi nuk është nxjerrja e ndonjë mllefi, por qasja në një alternativë sa më të shëndetshme. Mendoj që një shkrimtar profesionist nuk mund të rrijë indiferent ndaj problemeve të vendit të tij, madje jo vetëm ndaj tyre. Mandej, shkalla e kontributit, mbase edhe klasi i kontributit, janë tjetër gjë. Jam i nderuar që kam akses në disa media, të shtypura apo elektronike, mes të cilave edhe “Flasshqip.ca”.

Taulant Dedja: Do doja të ndaleshim tek tema ndofta më e ndjeshme për të gjithë ne… tranzicioni… Si do ta përshkruanit ju shkurtimisht tranzicionin 30 vjeçar shqiptar? Pse kjo zvarritje? Sigurisht shkaqe janë sa historike aq edhe sociale…

Vangjush Saro: Nëse më lart u përpoqa të veçoja disa arritje e vlera, tash s’po e komandoj dot pesimizmin… Mendoj se ka një njëlloj ngërçi që vjen nga historia: ne ikëm të fundit nga Perandoria Osmane, të islamizuar në masë dhe me gjuhë e kufij të coptuar; ne bëmë gabime të rënda duke u ndarë nga vendet e Bllokut Socialist, komunitet në të cilin, gjithsesi, ishim më mirë se sa vetëm dhe krejt të izoluar; po ashtu, ne ikëm të fundit nga sistemi totalitar… Por përtej kësaj përvoje, janë disa rrethana ngase e në të cilat tranzicioni po tërkuzet: prapambetja e përgjithshme e vendit, përfshi etjen e pakuptueshme për politikë dhe urinë për ndonjë thes me miell; vështirësia për të nxjerrë liderë me kahje perëndimore dhe korrektë; pozita tejet delikate gjeografike; hezitimi i vazhdueshëm, në mos “bullizmi” i Perëndimit, etj.

Taulant Dedja: Në debatet e sotme në mediat e shkruara apo ato sociale, duket sikur shumica kanë rënë “dakord” me idenë fataliste që Shqipëria vështirë se rregullohet për shkak të përgjegjësisë së gjithë klasës politike… Po si mund të dilet nga ky rreth vicioz? Do vazhdojmë të jemi e keqja e vetvetes?

Vangjush Saro: Sigurisht, është një konkluzion i gabuar, në mos një parrullë, që disa e thonë me la gojën… Zgjidhja nuk është ngërçi dhe fataliteti. Zgjidhja është përmirësimi i kushteve në të cilat bëhet politikë; kjo arrihet me rregulla dhe me votë, në plan të gjerë, kombëtar, dhe në detaje, gjer te një ekip i vogël në lagje. Rregullat janë që kur dështon, duhet të tërhiqesh; kur ke gëzuar dy apo tre mandate, duhet t’u lësh vendin të tjerëve. Kjo edukatë do të ndryshojë devizën politike dhe do të prodhojë më shumë mirëkuptim, pse jo edhe liderë më të pranueshëm. Këta do të hartojnë politikat e duhura ekonomike e sociale, duke aktivizuar mendjet e qeta dhe profesionistët. Nuk ka mundësi të mos bëhet një vend me 3 milionë banorë, me gjithë atë vijë bregdetare, me dy liqene aq të bukur, me lumenj, fusha, pyje e minerale dhe, para së gjithash, me njerëz të zgjuar, që fatkeqësisht, rëshkasin vend e pa vend në patetizëm dhe, në momente të caktuara, ose rrinë squll ose bërtasin pa e dëgjuar njëri-tjetrin. Duhet të shpresojmë dhe të punojmë për këtë shpresë, sekush në postin që i kanë caktuar Atdheu e Zoti.

Taulant Dedja: Po ndalem pak në një tjetër debat me ndjeshmëri të lartë, sigurisht i lidhur drejtpërdrejt me tranzicionin që folëm më parë. Ç’mendim keni për atë që quhet “dekomunistizimi” i Shqipërisë dhe faktin që asnjëherë nuk u dënuan zyrtarisht “bëmat” e diktaturës? Le të bëjmë këtu një paralele më Kanadanë ku ende vazhdon procesi i ripajtimit të pasardhësve të atyre që e kolonizuan territorin e Kanadasë me pasardhësit e autoktonëve…

Vangjush Saro: Po e filloj nga pjesa e dytë e kësaj pyetjeje. Lexoj Historinë e Kanadasë dhe shoh që ajo është shkruar në mënyrë të drejtë, pa anime, duke përshkruar, një më një, ditët, vitet, shekujt, ngjarjet e mira dhe ato për të cilat dikur është kërkuar falje; (sjellja me popullsinë autoktone). E përsëris, mund të ketë ende gjurmë të atyre sjelljeve, por në mënyrë zyrtare, qeveritë e vendit kanë pranuar gabimet dhe mizoritë e së shkuarës dhe zotohen të bëjnë drejtësi sociale.

Tani le të vijmë në katundin tonë. (Ndjesë për ironinë.) Siç e përmenda, jam duke botuar një libër me titullin “Shqipëria në dy kohë” dhe që është pak a shumë një shtjellim i këtyre që po bisedojmë. Ne kemi krijuar një kaos në historinë dhe në të tashmen e vendit. Ngrihen disa dhe (pavarësisht problemeve tona të brendshme, gabimeve të palëve, elementeve të një lufte civile) përpiqen të baltosin kontributin e popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore në krah të Aleatëve. Ngatërrohen përpjekjet e prindërve tanë dhe tonat për ta ndërtuar e shkolluar atë vend, me qëndrimin absurd ndaj nacionalizmit dhe familjeve të mëdha. Kemi frikë të themi: hidrocentralet ishin një punë e vlertë, se po na japin dritë edhe sot e gjithë ditën, kurse Metalurgjiku ishte një krim. Ndalimi i gjakmarrjes dhe heqja e ferexheve ishte një gjë e mirë, lufta kundër fesë ishte mëkati vetë. Etj.

Shoqëria shqiptare, çuditërisht, vazhdoi të persekutohej edhe në rendin e ri. Kjo filloi me pronat dhe vazhdoi me dosjet. Në të dyja rastet, ato u përdorën: për të përndarë njerëzit, politikanët, ndjekësit, për t’i vënë ata nën zgjedhë, për t’i blerë, për t’i shantazhuar, etj. Më në fund, ndoshta edhe më e keqja, ish-komunistët, pa thënë qoftë edhe gjysmë fjale për çfarë ndodhi në katër dekada - persekutime, izolim i vendit, varfërim deri në skaj i qytetarëve, etj. - pra, pa asnjëlloj “Mea culpa”, nxituan të kapin frerët e pushtetit edhe në rendin e ri, duke mallkuar në mënyrë hipokrite kohën e tyre, madje më shumë se ata që realisht kishin vuajtur. Ky është grotesku në të cilin jemi ende, por do të na shpëtojnë brezat që vijnë…

Taulant Dedja: Pas më shumë se një dekade, cili është vlerësimi juaj për shoqërinë kanadeze? Po për menyrën se si zhvillohet këtu debati politik?

Vangjush Saro: Fola edhe më lart për mënyrën se si e shohin kanadezët historinë e tyre. Ky vështrim dhe kjo qasje elegante shihen edhe në politikë dhe në aspekte të tjera të jetës. Rotacioni është një realitet. Votimi për alternativën më të mirë është një realitet. Sjellja në përgjithësi korrekte e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve me njëri-tjetrin dhe me qytetarët, është gjithashtu një realitet. Të treja vajzat e mia janë në punë shteti: njëra në një universitet publik, e dyta në një bashki, e treta në institucionin federal të taksave. Ikin e vijnë ekipet qeveritare, zhvillohen zgjedhjet, por atyre nuk iu thotë njeri “hajde në filan miting”, “voto këtë se…”, “më trego për kë ke votuar”, “të heq nga puna”, e ku di ç’të tjera marrëzira, që i kam parë me sytë e mi në vendin tim… Në këtë kuptim, kemi shumë për të bërë. Kjo nuk është e lehtë, sepse edhe jeta ka limitet e veta, interesat diktojnë; gjithsesi, njeherë duhet filluar pa frikë, me kurajo.

Përsosmëri nuk ka askund. Përballja me interesat sunduese të korporatave, rritja galopante e çmimeve, sidomos e shtëpive dhe qirave, debatet me “zhvilluesit” urbanë, problemet e mjedisit, ato të cilësisë së ushqimeve, etj., të gjitha këto janë në rendin e ditës edhe këtu. Por fakti është që jeta politike, mediat, institucionet nuk e stresojnë qytetarin. Sindikatat kanë autoritet. Klasi i sjelljes është një arritje e madhe. Në biseda, ne televizione, në show, në Parlament, përgjithësisht njerëzit dëgjojnë njëherë, pastaj flasin; ka një rend, ka njëlloj “njerzilliku” - më falni që s’gjeta dot një fjalë tjetër - dhe këto “kuota” duan kohë e modesti që të kapen.

Taulant Dedja: Si e vlerësoni integrimin e komunitetit shqiptar (relativisht i ri në raport me të tjerë) në Kanada? Ku mendoni se spikasim më tepër ne shqiptarët në emigracion?

Vangjush Saro: Të jemi realistë, jeta dhe afirmimi i emigrantëve nuk është një gjë e lehtë. Njohuritë e mia për disa provinca, janë të kufizuara. Sa i takon BC (British Columbia) them se e kam disi pamjen. Për fat të mirë, kam lidhje të vazhdueshme me një sërë miq këtu, si dhe me Shoqatën Shqiptare e cila ka një agjendë të konsiderueshme; (jo më larg se para dy-tre ditëve organizoi një bisedë për krijimtarinë time). Nga ana tjetër e, gjithaq për fat të mirë, kemi nje rreth shoqëror shumë të gjerë dhe përpara se t’ia behte pandemia që ka mbërthyer botën, të mos them çdo të shtunë, por më e pakta një herë në dy javë, shtëpia ishte plot me miq; një Tiranë e vogël. Ata që ne njohim, janë të integruar, madje shumica punojnë në profesionet e tyre: Mësues, ekonomistë, IT, arkitektë, inxhinierë, mjekë, avokatë/ noterë, etj. Disa kanë edhe biznesin e tyre. Ja edhe një rast fatlum: Siç e dini, dirigjenti i njohur shqiptar, miku im dhe juaji, Bujar Llapaj, ka realizuar një sërë koncerte - i fundit ka qenë në Vankuver, me një orkestër të madhe e një kor gjithaq - duke na entuziazmuar dhe duke na bërë krenarë. Kanadaja, duke qenë një vend emigrantësh, por edhe një shtet me rregulla, krijon mundësi për t’u integruar dhe për të shpresuar gjithnjë e më mirë. Natyrisht, kërkon sjellje të mira, korrektesë, punë, këmbëngulje.

Taulant Dedja: Si lexues i rregullt i juaji, unë e di që ju ka tërhequr vëmendjen edhe tema e votës së Diasporës. Kosova tashmë e ka realizuar si mundësi, ndërsa Shqipëria ende jo. Ndërkohë, dikur roli i Diasporës dhe ndikimi në raport me ndryshimet në Shqipëri ka qenë përcaktues, ndërsa sot duket si në udhëkryq… Sigurisht janë rrethana të reja historike…

Vangjush Saro: Unë e kam shprehur mendimin tim në shtyp. Interesimi për fatet e vendit është një nga motivet e jetës së emigrantëve. Ani, them se ata që kanë dokumente e shtetësi dhe që votojnë njëherë këtu, për këtë vend, për këto politikëbërje, nuk ka pse të votojnë edhe matanë… Ata që ende nuk kanë dokumente e shtetësi, duhet të votojnë me doemos; mirë është të krijohen kushtet që të shprehen dhe të ndihmojnë alternativën që iu duket më bindëse. Megjithatë, nuk ngul këmbë në këtë mendim, është subjektiv dhe, fundja, s’e kam unë në dorë. Ideja që Diaspora ka përgjegjësi dhe ndikon, duhet të ndikojë në zhvillimet e vendit, është më se e drejtë, është e sprovuar edhe nga të tjerë popuj, që kanë shtegtuar para nesh. Ka përpjekje për të mbajtur kontakte, ndërtohet ndonjë program përfshirjeje, botohen e dërgohen libra dhe tekste shkolle, etj. Por, përgjithësisht, gjithçka është spontane, e rastësishme, ndonjëherë për interesa partiake e propagandistike. E them me trishtim, Shqipëria është e prapambetur e në teka edhe sa i takon kësaj teme.

Taulant Dedja: Në Shqipëri pritet ballafaqimi elektoral i radhës, si zakonisht me një debat tejet të ndezur… Ju personalisht çfarë prisni nga zgjedhjet e 25 Prillit dhe çfarë do të uronit të ndodhte pas tyre?

Vangjush Saro: Kam shkruar në këtë temë. Po e rithem hapur, nuk ushqej iluzione për asnjë grup apo klan, fatkeqësisht janë dhe do të jenë në drejtim të politikës e të vendit të njëjtët njerëz; por këto punë nuk zgjidhen me “Deus ex machina”, njerëzit le të vendosin si t’u duket më e drejtë. Personalisht, nuk pres “lajme të mira” në 25 Prill. Jam shprehur me kohë, ç’janë të vjetër e të diskretituar, duhet të ikin. Votuesit, njerëzit e partive, media, të interesuarit duhet të synojnë të sjellin në pushtet jo autoritaristë, por teknicienë, burokratë, njerëz që dinë të mposhtin emocionet e tallavanë dhe të shpien qoftë edhe një hap përpara vendin.

Duke e mbyllur, më lejoni t’ju falenderoj për këtë bisedë serioze - serioziteti fillon që nga pyetjet - dhe të   formuloj disa fjali të veçanta për ju Taulant dhe për Jetën, për Flasshqip.ca gjithaq, një ndër mediat shqiptare më të njohurat dhe me peshë në këtë kontinent dhe më gjerë. Shikoj përpjekje për të çuar në publik sa më shumë informacion e vlera nga të gjitha fushat; shikoj këmbëngulje në trajtimin e temave të rëndësishme, le të themi kardinale; shikoj prirje për të shfletuar e shfaqur çdo opinion dhe çdo alternativë; së fundi, shikoj, si rrallëherë, një profesionalizëm që sot nuk gjendet lehtë, duke filluar nga përmbajtja, lënda, te përkujdesja gjuhësore dhe pamja grafike. Uroj me zemër shëndet e mbarësi për ju dhe suksese pa fund për Flasshqip.ca.

Taulant Dedja: Ju falemnderit për kohën dhe kujdesin që i kushtuat këtij bashkëbisedimi i dashur Vangjush! Mirënjohje për fjalët inkurajuese në adresë të Flasshqip, por mbi të gjitha për kontributin e çmuar. Ju urojmë shëndet në radhë të pare si dhe krijimtari sa më të suksesshme! Le të urojmë gjithashtu sëbashku më të mirën për atdheun tone nga ku nuk i shkëpusim dot asnjë çast as sytë dhe as mendjen!

 

Pak fjalë për shkrimtarin Vangjush Saro

 

Vangjush Saro ka lindur më 1952 në qytetin e Korçës. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar mësues e gazetar dhe ka botuar e shfaqur gjer më sot mbi 20 tituj. Ndër librat e tij, veçohen vëllimet me tregime satirike “Dy orë dramaturg” dhe “Biri i ambasadorit”, romanet “Kurora e Ballkanit” e “Misioni”, si dhe përmbledhjet me fabula “Dhelpra shpërblen Lepurin”, “Trumcaku ftillon Ferrën”, “Gomar apo Kaproll?” 

Vangjush Saro ka shkruar për të vegjëlit libra si “Një ditë pa mamin”, “Polic Këmbëvogli”, “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” dhe “Rrëfime nga shkolla ime”, etj. Ai është gjithashtu autor i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm”; ka shkruar edhe skenarë për filma dokumentarë e vizatimorë, si dhe publicistikë.

Fabula mbetet një nga zhanret e preferuara dhe ku ai - siç vihet në dukje edhe nga kritika letrare - shfaqet mjaft i veçantë, duke kombinuar humorin e ironinë me penelatat lirike, si dhe duke inspiruar te lexuesi meditimin. Këto tipare shfaqen edhe në përmbledhje e re me titull “E dashur Dhelpër!” tashmë edhe në anglisht.

Shkrimtari Vangjush Saro, Qytetar Nderi i Gramshit, mban Urdhërin ‘Naim Frashëri’, klasi III. Ai ka fituar dy çmime kombëtare: për vëllimin me tregime satirike “Biri i ambasadorit” dhe për novelën për fëmijë “Polic Këmbëvogli”. Një pjesë e krijimtarisë së tij është publikuar edhe në gjuhë të huaja. Aktualisht jeton në Vankuver (Kanada).

Nga krijimtaria e autorit

LETËRSI

-Dy orë dramaturg/ Tregime satiro-humoristike/Naim Frashëri, 1975

-Në kërkim të studentit Mete/ Tregime satirike/Naim Frashëri, 1979

-Një copëz jetë/ Pjesë teatrale, 1983

-Miku i vogël / Poemë për fëmijë/Naim Frashëri, 1983

-Biri i ambasadorit/ Tregime satirike/Naim Frashëri, 1988

-Ervini dhe miqtë/ Novelë gazmore/ Toena, 1993

-Një ditë pa mamin / Novelë gazmore/Toena, 1994

-Polic Këmbëvogli/ Novelë gazmore/ Reklama, 1995

-Dy fëmijë në Kampionatin Botëror / Novelë/ ASD, 2001

-Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri /Novelë/ ASD, 2003

-Rrëfime nga shkolla ime/Tregime për fëmijë/ASD, 2004

-Shqipëria, Porta e Ballkanit/Film dokumentar, 2006

-Dhelpra shpërblen Lepurin/Fabula/ERIK Botime, 2012

-Trumcaku ftillon Ferrën/Fabula /ERIK Botime, 2014

-Kurora e Ballkanit/Roman/Amazon, 2016

-Djali që u bë tullumbace/Novelë (shqip dhe anglisht)

-Misioni/Roman/Amazon, 2018

-E dashur Dhelpër!/Fabula/ERIK Botime

-Dear Fox!/Përmbledhje me fabula në anglisht

FILMA NË ZHANRE TË NDRYSHME

-Shkëlqim i përkohshëm/Kinokomedi/Kinostudio “Shqipëria e re”1988

-Mikesha/Film vizatimor/Kinostudio “Shqipëria e re”1988

-Albania more than a gateway/Dokumentar me subtitrim në disa gjuhë/Net Vision Studio