Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Lindita Meço

  • Published in Komunitet
Nga: Jeta Dedja

“Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen çdo javë personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja.

Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni t'u përgjigeni edhe ju ndërkohē që lexoni opinionet e të ftuarës së sotme Lindita Aga Meço, mësuese arti në Toronto. Lindita njihet nga komuniteti shqiptar i Ontarios dhe jo vetëm, për organizimin e aktiviteteve artistike dhe të bamirësisë. 

1. Lindita, nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

E kam të vështirë të përcaktoj një ngjyrë të vetme, por ndoshta një harmonizim mes ngjyrave analoge dhe të ngrohta.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Pa e kuptuar… fotot janë kronometri më i saktë.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Padyshim vendimi për të qëndruar në Kanada ka qenë një zgjedhje jo e lehtë për t’u marrë.

4. Humbja më e vogël?

Atë që e kam harruar si humbje.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Të qenurit larg nënës dhe tezes time që janë në moshë të thyer dhe s’kam mundësi të jem pranë tyre.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Emocioneve ekstreme si në gëzime ashtu dhe në hidhërime.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Reflektimi, lehtësimi dhe qetësia që mund të përfitoj pas saj.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Besimi në Zot, familja.

9.Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Shëtitjet me biçikletë një pasion që nga fëmijëria, ecjet në natyrë, të fotografoj, lexoj, të takoj miq.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Mundohem të bëj durim dhe të mos fokusohem vetëm tek ajo që pres.

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Nuk është e vështirë t’i dallosh sepse janë shumë larg turmës. Mençurinë e një njeriu e gjej aty ku unifikohen bashkë zgjuarsia, modestia dhe urtësia.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Varet se me kë jam…fjalët e babait tim “mundohu t’i flasësh njerëzve me gjuhën që të kuptojnë” më vijnë gjithmonë në mendje.

13. Profili i mikut të padëshiruar?

 Hipokrit dhe zemër ngushtë.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Mendoj që janë disa elementë bashkë që formojnë një njeri të mirë. Por padyshim besoj në një njeri që mbart dhe fal dashuri, pozitivitet, ai që nuk shet askënd për interesat e tij, përpiqet të ndihmojë dhe mos të lëndojë askënd qoftë dhe me fjalë.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Me këtë pyetje më kujtove një thënie biblike “budallenj nuk janë ata që kanë inteligjencë të ulët po ata që s’duan të njohin të vërtetën”.

16. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Humbjen e mendjes dhe humbjen e fëmijëve.

17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Në përgjithësi nuk më pëlqen të zbres deri tek sharja. Besoj tek maturia e fjalës më shumë se tek nxitimi i veprimit.

18. Urimi që merr e jep më shpesh?

Mbarësi dhe shëndet janë fjalët e para që më vijnë në mendje.

19. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd? 

Shtëpia ime.

20. Po libri që ke për zemër?

Janë disa libra që i përkasin fushave të ndryshme, por ato që kam më përzemër janë ato që më nxisin të mendoj përtej asaj që kam njohuri. Libri që i jam rikthyer disa herë është Kurani. Autobiografitë e njerëzve të shquar gjithashtu më duken shumë ngacmuese.

21. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

“Vajzë me kacurela" është kënga që im atë ma këndonte shpesh kur isha e vogël.

22. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Do më pëlqente një shëtitje e gjatë në të gjithë Europën.

23. Pema që të kënaq syrin?

Në pranverë është qershia kur çelin lulet dhe në vjeshtë Panja e kuqe, jam me fat që e kam një të tillë në oborrin e shtëpisë sime.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Kur mblidhemi bashkë me fëmijët dhe luajmë me ‘board games’, shohim ndonjë film, pjekim gështenja, pijmë çaj mali, kur na vijnë për vizitë ose për ndonjë darkë miqtë tanë, po të jenë me kalamajtë më mirë akoma.

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Sigurisht uji.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Një ëmbëlsirë shqiptare.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Më pëlqen të jem produktive në jetë por shumë herë marr përsipër gjëra më shumë se ç’duhet dhe kjo më pengon të balancoj dëshirat me mundësitë për t’i realizuar.  

28. Aftësia që do doje të kishe?

Të shkruaja.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Vështirë për të bërë parashikime, por kaq shpejt sa po ecën inteligjenca artificiale s’është çudi të përballemi me të paimagjinueshmet.

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Kur shoh kënaqësinë që marrin njerëzit nga puna ime.      

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Si në fund të një udhëtimi duke u ndalur në stacione reflektimi me vetveten. Faleminderit Jeta për intervistën dhe pyetjet shumë intriguese. Të uroj suksese!

©FlasShqip.ca

10 Mars, 2021