Rubrika “Pyetësori i Jetës”: I ftuar Alban Rrahmani
- Published in Profil&Intervista
“Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen çdo javë personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja.
Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni t'u përgjigeni edhe ju ndërkohë që lexoni opinionet e të ftuarit të sotëm Alban Rrahmani, Nëpunës Civil në administratën e qeverisë federale të Kanadasë. Albani është gjithashtu një aktivist i palodhur i komunitetit shqiptar në Ottawa.
1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?
I kaltër. Nuk ka lumturi pa i pranuar të gjitha aspektet pozitive dhe ato negative që përjetojmë.
2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?
Koha kaloi shumë ngadalë, por kam përjetuar shumë ndryshime pozitive në jetën time gjatë dhjetë viteve të kaluara.
3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?
Momentet e pa shfrytëzuara, sepse koha e humbur nuk kthehet më.
4. Humbja më e vogël?
Paraja. Disa nga veprimet e mia më kushtuan financiarisht, mirëpo fitova përvojën. Është një thënie e huazuar nga një mik B.Sh. “In order to make good decisions, you need the experience, but we usually gain the experience by making many bad decisions”.
5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?
Para disa ditëve mendova që dikush më kishte hyrë në shtëpi gjatë natës. Ishte alarm i rremë. Ishte një ndihmësmjek që kishte ngatërruar adresën time me atë të komshiut.
6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?
Gjumit. Besoj që gjumi është humbje kohe. Është për keqardhje kur më bie ndërmend që kalojmë afërsisht një të tretën e jetës në gjumë.
7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?
Asgjë, njeriu duhet të rikuperohet sa më shpejt nga tragjedia eventuale. Duhet të kemi nje ekuilibër në mes gëzimit dhe mërzisë. Në këto ditët e pandemisë flitet që ka shumë njerëz të mërzitur dhe është detyrë e secilit që të kontaktojë me të afërmit, shokët sidomos prindërit sa më shpesh që është e mundur.
8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?
Rreziku dhe frika! Nëse nuk ka rrezik e frikë, nuk ka stimulim.
9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?
Zakonisht luaj futboll me shokë të komunitetit shqiptar, praktikoj palestrën për ushtrime fizike dhe ha ushqime cilësore.
10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?
Unë gjithmonë i caktoj vetes disa objektiva afatgjatë për të cilat më duhet të pres me vite e ndonjëherë me dekada. Është ndjenjë e bukur kur më në fund arrin tek ai cak.
11. Si i dallon njerëzit e mençur?
Njeri i mençur është ai që ka durimin të dëgjojë tjetrin. Askush nuk i di të gjitha, por për të dhënë një mendim kritik, duhet durim dhe vështrim.
12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?
Politikë, udhëtime dhe mirëqenie jetësore. Gjithashtu kam dëshirë të shkëmbej batuta. Para disa ditësh një mik i imi në Facebook kishte postuar një barcaletë që do ta ndaj me ju:
“Si u mësova që të mos përzihem në punët e huaja? Isha duke kaluar afër një institucioni që përkujdeset për njerëzit me probleme të shëndetit mendor dhe i dëgjova tek sa ulërisnin me të madhe “13, 13, 13, 13, 13”, u bëra kurioz dhe u afrova për të parë nëpër një vrimë në mur, kur befas njeri nga ta me një shkop më qëlloi në sy, dhe në atë moment të gjithë filluan të thërrisnin 14, 14, 14, 14...”
13. Profili i “mikut” të padëshiruar?
Të gjithë miqët i kam të dëshiruar dhe jam me fat që kam shumë miq.
14. Cila është formula e njeriut të mirë?
I buzëqeshur, i gjerë, trim, fisnik
15. Përkufizimi i budallallëkut?
Ai që përcjell populizmin e trendet. Në dyert e nje qendre tregtare lexova një shkrim interesant “Mos ndiqni trendet, krijoni ato”. Nganjëherë ndihemi që jemi vetëm në drejtimin e kundërt me të gjithë por, pikërisht ata që zbuluan gjëra të mrekullueshme nganjëhere ishin më të kritikuarit.
16. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?
Fatkeqësinë në fëmijë dhe diskriminimin.
17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?
Kur vonohem për takim/mbledhje/eveniment ose kur bëj ndonjë gabim.
18. Urimi që merr e jep më shpesh?
Faleminderit për muhabetin!
19. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd?
Prishtina.
20. Po libri që ke për zemër?
“Prilli i thyer” nga Ismail Kadare.
21. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?
“Vargje për veten” nga Ardit Gjebrea.
22. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?
Kalabria.
23. Pema që të kënaq syrin?
Ulliri
24. Nata perfekte e dimrit kanadez?
Festa e vitit të ri me familje e shoqëri.
25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?
Avokado.
26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?
Peshku Kocë në brigjet e Shqipërisë.
27. Zakoni që do doje mos ta kishe?
Humbja e kohës. Nuk jam shumë efikas me kohën.
28. Aftësia që do doje të kishe?
Do të doja të flisja çdo gjuhë të botës.
29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?
Punët e shtetit nuk mbarojnë kurrë.
30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?
Puna që ushtroj momentalisht në administratën qeveritare është arritja më e madhe dhe më e dashur për mua.
31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?
Shpresoj se të paktën një nga përgjigjet e mia do t’ju lërë mbresë.
©Flasshqip.ca
14 Mars, 2021