Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: I ftuar Artan Gjyzel Hasani

"Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen çdo javë personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja.

Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarit të sotëm, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Artan Gjyzel Hasani.

1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Padyshim gri. Është e pamundur që në këtë epokë pandemie Një gri, që vjen si rezultat i bashkëjetesës brenda meje të shpresave të bardha për të nesërmen me pamundësinë e të sotmes që në këtë rast përfaqësohet nga e zeza absolute. Por dua të shtoj që në shumicën e rasteve rutina e ditës të bën daltonik dhe vetëm nata të bën të dallosh qartë ngjyrën e saktë të emocioneve të një dite tashmë të mbaruar.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Me një shpejtësi që i ngjason asaj të rrokullisjes. Besoj që kur hedhim vështrimin pas kuptojmë që vitet e jetës nuk ecin, por rrokullisen, në përpjekjen tonë për të fituar, jo kohën e humbur, por kohën e duhur. Ne e kërkojmë kohën e duhur që në zanafillë të jetës dhe kur nuk e gjejmë e quajmë shkujdesur “kohë e humbur”.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Të qënurit vetvetja është padyshim zgjedhja me koston më të lartë dhe kjo nuk është një cliché. Secili në mënyrën e vet përpiqet t’i rezistojë presionit të botës, të njerëzve dhe të tundimeve apo frikërave të veta. Në raste të pakta kjo zgjedhje me kosto të lartë rezulton e suksesshme.

4. Humbja më e vogël?

Vdekja. Vdekja e përditshme dhe e ngadaltë e gjëravë të bukura brenda nesh. Tingëllon si paradoks që humbja e tyre të konsiderohet e vogël, por nga ky paradoks na çliron pashmangshmëria e humbjes. Humbja e jetës quhet vdekje, është e pashmangshme dhe si e tillë nuk e ndryshon dot kurdo që të ndodhë. Çdo ditë që kalon është një vdekje e vogël, që ashtu si orgazma duhet arritur në mënyrë sa më të natyrshme.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Jo ndonjë gjë specifike, por në përgjithësi në thelb të çdo gjumi të trazuar qëndron pamundësia jonë për të shmangur palumturinë dhe brenga që pason kur kjo gjë ndodh për fajin tonë.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Kotësisë. Vanitetit. Vetëkënaqësisë së ekzagjeruar, po aq sa vetëviktimizimi. Gjendjes euforike ose depresive kur për ty ka më shumë rëndësi ideja e gabuar që të tjerët kanë për ty, sesa imazhi yt real në pasqyrën e vetes.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Mërzia është një nga dhuratat më interesante që na jep jeta. Vlera e mërzisë duhet parë në atë që pason pas saj: një periudhë kreativiteti dhe sfide ndaj shkaqeve të saj. Mërzitë e mëdha kanë lindur vepra të mëdha arti. Ashtu si dyshimi është rruga për te e vërteta, edhe mërzia është rruga që na çon drejt një gëzimi të ri e shpesh të panjohur…Por njeriu duhet t’i administrojë në mënyrë bujare mërzitë e veta. Jo rrallë keqadministrimi i mërzisë të çon në depresion ose në burg. Kur fare mirë mund të të çonte në një galeri arti ku ekspozohen gjërat më të bukura të shpirtit tënd.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Inteligjenca e të tjerëve. Sidomos e grave…

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Çdo gjë që nuk e rekomandon mjeku...

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

I nënshtrohem fatit dhe i gëzohem faktit që kam diçka që ia vlen ta pres gjatë…

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Nga ajo që nuk thonë. Klisheja thotë që njeri inteligjent është ai që mëson nga gabimet e të tjerëve. Sot në epokën e internetit është e lehtë që njerëzit të hiqen inteligjentë duke përdorur përvojën botërore të fjalëve të mençura që i gjen me një klikim në tastierë. Në këtë kuptim jam mësuar t’i gjykoj njerëzit nga mënyra se si heshtin, nga mjetet me të cilat realizojnë heshtjen dhe më e rëndësishmja nga koha e duhur për të heshtur. Të heshtësh kur duhet–kjo duhet të jetë përgjigja. Ndryshe nga fjalët dhe e folura, heshtjet nuk mund të imitohen. Sidomos heshtjet që flasin.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Të flasësh për gjithçka si me veten – kjo i dallon miqtë nga të njohurit.

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Një mik që të gjykon është më i keq se një i panjohur që të paragjykon.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Mirësia e njeriut është një nocion relativ dhe nuk mund të trajtohet si shkencë ekzakte, e për pasojë nuk kam ndonjë formulë të gatshme përkufizuese për njeriun e mirë. Për njerëz të ndryshëm, në kohë e rrethana të ndryshme, unë kam qenë njeriu më i mirë dhe më i keq që ata kanë njohur në jetën e tyre. Por besoj që janë ca përmasa të pandryshueshme që përcaktojnë mirësinë e një njeriu, fjala vjen, raportet me sinqeritetin, mirënjohjen dhe pranimin e tjetrit.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Ne jetojmë në një epokë ku budallallëku është pandemik, sistemik dhe sundues. “Muzika e Mozart dhe Bethoveen duhen hequr nga qarkullimi, pasi përbëjnë art muzikor racist. Po ashtu gjuha angleze është gjuhë raciste dhe duhet zëvendësuar me dialektin e zezakëve të Harlemit. Të hiqet fjala “zbardhues”. Të hiqen fjalët “nëne”, “baba”, “qumësht gjiri”, burrë, grua dhe lista vazhdon në pafundësi. Këto ide krejtësisht budallaqe, pra këtë budallallëk të pashoq planetar e kanë hedhur si teori njerëz me PhD dhe elitarë në profesionin e tyre. Dhe ju më kërkoni një përkufizim…Bota, elitat dhe axhendat gëlojnë nga budallallëku…Budallallëku është Normaliteti i Ri.

16. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Torturën dhe dhimbjen fizike. Janë po aq poshtëruese për njeriun sa edhe skllavëria. Për atë që e ushtron dhe për atë që e vuan.

17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Kur dikush që sapo ulet në makinën time më ndërron stacionin e radios.

18. Urimi që merr e jep më shpesh?

Gëzuar!

19. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd?

Një ballkon i vogël sa për dy, nga i cili të vështroj pasditeve shiun e dëndur teksa bie mbi gjethet e palmave…Zhurma e shiut më krijon një gjëndje hipnotike…

20. Po libri që ke për zemër?

Çdo gjë e shkruar nga Leonard Cohen, prozë, poezi apo lirikat e këngëve…

21. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

E qeshura me zë të lartë e njerëzve të bukur…Gjithashtu edhe “Valsi i Dytë” i Dmitri Shostakovich.

22. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Një udhëtim përgjatë lumit Danub…

23. Pema që të kënaq syrin?

Mështekna e bardhë.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Nata e fundit e tij. Sigurisht nuk ishte kjo përgjigja që prisnit, por një përgjigje ideale romantike e pyetjes suaj mbase do të ishte kjo: diku në një cottage në Mont Tremblant, rrethuar nga pyje që flirtojnë horizontin dhe yje që shkëlqejnë në qiell, bardhësi dëbore jashtë dritareve, një gotë verë Chardonnay në dorë, duke turbulluar mendjen në shoqërinë e njeriut të zemrës mes kuvendimeve intime me egërsirat e zbutura të shpirtit tonë….

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Vaji i ullirit.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Tavë kosi me mish qingji dhe imam bajalldi.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Neglizhenca.

28. Aftësia që do doje të kishe?

Toleranca ndaj injorantëve.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Pensioni.

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Dashuria e kolegëve.

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Vanitoz.

 

©Flasshqip.ca

18 Mars, 2021