Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Ina Xoxa

"Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen çdo javë personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja.

Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarës së sotme Ina Xoxa-mësuese në Bordin e shkollave publike të rajonit Peel, Ontario. Ina njihet nga komuniteti shqiptar i Torontos si organizatore për vite me radhë e festivalit më të madh për fëmijët shqiptarë “Marlee’s got talent”.  

1. Ina, nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Emocione të ngrohta, ngjyra të ngrohta portokalli të kuq.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

10 vitet e fundit kanë kaluar shumë shpejt, po aq shpejt u rritën edhe fëmijët. Tani çuditem që si ka mundësi të jemi 4 të rritur në shtëpi, ne vetëm dy ishim?

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Emigrimi në Kanada kur sapo isha diplomuar si mjeke e përgjithshme në Shqipëri. Ëndrra ime ishte të specializohesha si mjeke mikrobiologe. Njehsimi i diplomës në Kanada kërkonte kohë të gjatë, si të kryesh studimet nga e para. Duke mos patur ndihmë në rritjen e fëmijëve, i ndamë detyrat si çift. Unë të zgjidhja një karrierë të shpejtë dhe me fleksibilitet në orar, me fokusin kryesor fëmijët, ndërsa im shoq të siguronte të ardhura të mira domethënë shtylla financiare e familjes sonë të re.

4. Humbja më e vogël?

Kjo është pyetje pak e vështirë për mua, ndoshta humbja e saktësisë absolute. Me kalimin e moshës e kupton që nuk ka edhe aq rëndësi të bësh gjithçka perfekt, pasi nga përvoja e jetës mëson të jesh më praktike dhe t’i kushtosh më shumë vëmendje prioriteteve.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Më shqetësojnë pasojat negative që mund të kenë fëmijët e mi nga izolimet dhe kufizimet në këtë kohë pandemie. Historia ka treguar që fëmijët janë "resilient" e marrin veten shpejt, kështu që i uroj gjithë brezit të ri ta kalojnë këtë situatë të paparashikuar me sa më pak pasoja si në shëndet ashtu dhe në jetën sociale.

6. Cilës ndjesi/gjendeje do doje t'i arratiseshe?

Gjithmonë mundohem t’u largohem vendeve ose situatave që më krijojnë gjendje pasigurie dhe frike.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Gjatë periudhës së pandemisë, shumica e njerëzve të mërzitur nga mungesa e jetës sociale, kanë zhvilluar më tej talentet e tyre ose kanë eksploruar fusha të reja si ato të kulinarisë, pikturës, kompozimit, biznesit online, projekte DIY/punime artizanale etj. Mendoj që është një kompensim i natyrës njerëzore kur përballesh me situata të tilla. Kemi dëgjuar histori të vërteta të njerëzve me karakter të fortë, që janë bërë të famshëm e të suksesshëm pas një fatkeqësie a mërzitjeje të madhe.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Muzika, më motivon dhe më nxit imagjinatën. Idetë më të bukura më vijnë në sfond muzikor, i çfarëdo zhanri qoftë.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Biseda gazmore, "ngacmohemi" me tim shoq. Ai ka humor të hollë, të momentit, që të bën të qeshësh me lot. Kur bashkohen edhe fëmijët në humorin "a la shqiptar" atëherë jam nëna më e lumtur në botë. Gjithashtu bisedoj me prindërit, motrat, shoqet....unë jam tip ekstravert dhe nuk jetoj dot pa komunikim. Angazhimi i përvitshëm me fëmijët e MGT-së është ushqim shpirtëror per mua.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Thur plane imagjinare që nga më të thjeshtat deri tek më të komplikuarat. Nëse jam në makinë ose në tren shijoj natyrën, rrugën, njerëzit, muzikën domethënë shfrytëzoj gjithçka përreth meje që ta bëj sa më argëtuese pritjen.

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Nga sytë, u shkrepëtijnë, me xixa. Ashtu e dallova edhe tim shoq edhe i mënçur doli (hahahah). Por kjo është një karakteristikë fizike. Në bisedë ose në punë i dalloj nga zgjidhjet që u japin problemeve duke ruajtur etikën, pa i fyer ose nënvlerësuar të tjerët.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Për çdo gjë, jam e hapur dhe më pëlqejnë bisedat me humor, të shpenguara/të lirshme. Më shumë më pëlqen të flas për mbresat pas ndonjë udhëtimi apo ndonjë eventi.

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Shfaqet vetem kur ka interes, në fatkeqësi ngushëllon i pari, intrigant, cmirëzi etj.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Tolerant, i dashur, mbështet njerëzit në nevojë me ç’të mundet, i sinqertë, ndihmon pa interes, i prirur të shikojë vetëm anën pozitive të njerëzit.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Flet më shumë se sa nxë. Gjithologët janë një shembull tipik. Nuk përdorin të paktën as shprehjen "Unë mendoj...."

16. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Të shikojë fëmijën të vuajë dhe të mos e ndihmojë dot.

17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Pasi gjej zgjidhjen e një situate të stresueshme e përdor sharjen si një mënyrë çlirimi emocionesh.

18. Urimi që merr e jep më shpesh?

Shëndet!

19. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd?

Deti ose ujërat, të ëmbla a të kripura qofshin. Më duket sikur mendimet e koklavitura pasi "shplahen" në ujë, bëhen më të qarta e më të kapshme për t'u zgjidhur.

20. Po libri që ke për zemër?

Janë shumë, por do të veçoja " Kronikë në Gur" nga letërsia jonë dhe "Gone with the wind" nga letërsia e huaj.

21. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

E kam shumë të vështirë të përcaktoj një të vetme, sepse dëgjoj këngë të ndryshme dhe kam lista të gjata të preferuara. Ndoshta " Fix you" e Coldplay...

22. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Më pëlqen shumë Skocia, aq shumë sa që djalit ja vura emrin Scott.

23. Pema që të kënaq syrin?

Pema e manit por "mën" Lukove. Ka kurorë të madhe, gjethe shumë të bukura dhe fruta të mrekullueshme plot aromë sidomos mani i bardhë.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Nata në vigjilje të Krishtlindjeve me ose pa borë jashtë. Është shumë e veçantë për mua dhe familjen time. Më pëlqen ambienti që krijojnë pema e Krishtlindjes me dhuratat, dekorimet, aroma e gatimeve dhe entuziazmi i fëmijëve.

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Kafeja, është "shoqja" ime e pandarë.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Midhje të freskëta të gjalla domethënë të pa gatuara. Sidomos ato të liqenit të Butrintit në Maj.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Të mos fle shumë vonë. Është zgjedhje ose zakon jo i shëndetshëm.

28. Aftësia që do doje të kishe?

Ka aftësi të lindura dhe të fituara. Nga të lindurat do të dëshiroja të kisha lindur me një zë të bukur për Kanto. Ndërsa në ato të fituarat të kisha aftësi si dhe mundësi të krijoja një biznes ku të përfshiheshin shumë udhëtime pune nëpër botë.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Unë jam mësuese dhe punoj me nxënësit nga mosha e kopshtit deri në klasën e tetë, si substitute, zëvendësuese. Edhe pse mësimi online do të jete pjesë e rëndësishme e edukimit në të ardhmen, uroj që shkolla, si ndërtesë tradicionale me gjithë ambjentet e saj, të ruhet dhe të jetë zgjedhja e shumicës së nxënësve, pasi shkolla si institucion është një domosdoshmëri për zhvillimin normal të fëmijëve në planin emocional, human, shoqëror, etj.

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

OCT, mësuese e çertifikuar në Ontario, zgjedhja ime e dytë. Punoj me pasion me nxënësit e të gjitha moshave jo vetëm në shkollat e Mississagës por edhe vullnetarisht me fëmijët shqiptarë të Torontos dhe GTA për Festivalin e Përvitshëm të MGTsë (Marlee's Got Talent). Fëmijët janë të çiltër, të drejtpërdrejtë, plot energji e të papritura. Është nga profesionet e pakta ku je në këmbë gjithë ditën: në klasë, përjashta, në palestër, në bibliotekë, etj, ka variacion dhe ritëm, ritmin plot gjallëri të fëmijëve. E marr shumë seriozisht si profesion pasi mësuesi ka rol të rëndësishëm në përgatitjen e brezit të ri për jetën. Kur hap derën e klasës i lë problemet e mia jashtë, u përkushtohem tërësisht nxënësve! Mësuesi sot përballet me sfida te mëdha pasi edukimi është multidimensional dhe i komplikuar me dokumentime pafund përveç mësimdhënies, por kur në një ditë të ngarkuar plot stres nxënësit e klasës së parë të tregojnë me padurim se sa dhëmbë u kanë rënë, qesh, shplodhesh e gëzon bashkë me ta.

31.Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Ndjehesh mirë kur i bën një rishikim jetës nëpërmjet pyetësorit të Jetës. Të falenderoj për ftesën dhe të uroj suksese të mëtejshme.

©Flasshqip.ca

21 Mars, 2021