Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Viola Kaloutsi

"Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen çdo javë personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja.

Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarës së sotme, Viola Kaloutsi, sipërmarrëse dhe Presidente e TIS Services Inc. në Toronto.

  1. Viola, nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Ngjyra violetë, por duke qenë që emocionet janë të ndryshme më pëlqen të shijoj të gjitha ngjyrat.

  1. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Koha matet me rrjedhjen e ngjarjeve në përgjithësi, si një udhëtim që s’ka të njejtën shpejtësi me makinë apo me avion. Dekada e fundit ka kaluar me një ritëm të krahasueshëm me shpejtësinë e dritës, pra shumë shpejt dhe pa e kuptuar.

  1. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Për të marrë vendimet e duhura nevojitet guxim. Për këtë kemi nevojë për përforcim, që të mbeten këto vendime vetëbesuese, pavarësisht të mirave apo të këqijave që vijnë pas. Dhe një nga rastet e mia ishte gjetja e guximit dhe gadishmëria për të marrë vendimin për një nga udhetimet e mia, me autobuz nga Kampala, Uganda në Kigali, Rwanda, vetëm unë femër me 36 meshkuj vendas, për 8 orë udhetim. Kjo ka ndodhur disa vite mbas luftes civileatje dhe do mbetet udhëtimi më i bukur i jetës time.

  1. Humbja më e vogël?

Përderisa është humbje e vogël, patjetër është diçka pa vlerë dhe që nuk ka lënë gjurmë.

  1. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Covid-19, kur çdo mëngjes marr lajme për humbje të jetës së miqve, mikeshave, të afërmve dhe shpresoj të dalim sa më shpejt nga ky ankth.

  1. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Njerëzve mediokër që i shoqëron indiferenca, që nuk dinë të ndajnë negativen nga pozitvja, mohimin ndaj pohimit dhe heshtjen nga deklarimi.

  1. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Mërzia ndalon ëndrrat, mund të shkaktojë zemërim, zhgënjim, madje edhe panik të brendshëm. Pavarësisht që nuk na bën të bezdisur apo të paduruar, mërzia nuk është diçka që ne duam, por në jetën e përditeshme ndodh mbase edhe shpesh. Ama ka dhe benefitet e saj, se kur jemi të merzitur krijojmë, zgjidhim probleme.

  1. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Lulet, udhëtimet dhe muzika.

  1. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Ecje 10 mijë hapa në dite dhe përdor shpesh gjatë ditës thënien “bëja qejfin Violës”.

  1. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Pritjet e gjata më forcojnë vullnetin. Durimi është një virtyt i përditshëm, ndërmjet shumë virtyteve, që në këtë kohë pandemie u bënë më të çmuara se zakonisht dhe që do të vijojmë të kemi nevojë për të gjatë gjithë jetës.

  1. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Njerëzit e mençur kuptohen nga përshtatja e tyre në çdo lloj ambienti, mendjehapur, që lexojnë shumë, që kuptojnë që nuk dinë gjithçka, të ndjeshëm në eksperiencat e të tjerëve, që kanë humor dhe pranojnë çdo lloj humori, që si status kanë vlerat njerëzore dhe jo ato materiale.

  1. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Të gjitha temat aktuale në përditshmërinë tonë, familje, shoqëri e punë.

  1. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Nuk kam asnjë mik/e rë padëshëruar dhe po të jetë nuk marr asgjë personale.

  1. Cila është formula e njeriut të mirë?

Nuk ka formulë në këtë rast. Mendoj se mirësia është e shumëllojshme dhe e shumëngjyrshme. Mjafton të jesh i mirë dhe të bësh mirë.

  1. Përkufizimi i budallallëkut?

Të bësh një gjë papushim dhe të presësh rezultate të ndryshme.

  1. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Dhimbjen. Humbjen e fëmijës.

   17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Nuk e kam brenda meje sharjen. Me miqtë jo, por në shtëpi edhe ndodh, se i qëndroj fjalës së urtë të popullit kush të shan të do…

  1. Urimi që merr e jep më shpesh?

Marr, por më shumë jap dhe janë nga më të ndryshmet dhe në llojin e vet.

  1. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd?

Stambolli, nga bukuria, historia, klima, ushqimi i këtij qyteti.

  1. Po libri që ke për zemër?

Nuk lexoj shumë. Kam në shtëpi dy që lexojnë sa për gjithe lagjen, por të veçantë kam dhe më ndihmon të njoh vetveten “The four agreements”, të autorit Don Miguel Ruiz, libër urtësie që ia rekomandoj të gjithëve.

  1. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

Dua më shumë Shqipërinë.

  1. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Japonia, që ishte në plan në Maj 2020, por që do ta realizoj me daljen nga situate e pandemisë.

  1. Pema që të kënaq syrin?

Mimozat dhe aroma e tyre.

  1. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Dritat dhe zbukurimet në fund të vitit.

  1. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Shalqini.

  1. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Ëmbëlsirat e çdo lloji.

  1. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Paragjykimin, që është një mënyrë mendimi e ngurtë dhe zakonisht negative ndaj dikujt a diçkaje.

  1. Aftësia që do doje të kishe?

Të gatuaja.

  1. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Nuk mund të parashikojmë me çfarë po kalojmë. E ardhmja profesionale së shpejti do jetë mbijetesë e më të përshtaturve ku vazhdimisht duhet të përmirësojmë aftësitë për të mbetur konkurues në tregun e punës.

  1. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Duke patur si moto që asnjëherë mos i thoni jo vehtes para se të provoni edhe pse  kanë qenë shumë njerëz të tjerë që ma kanë kundërshtuar këtë, nuk mund të them arritje të mëdha apo të vogla gjatë 26 viteve në sipërmarrje, por nëse qëndron brenda teje ndjenja e fortë e vetëvlerësimit, atëherë zgjerohet dhe krijohet fuqizimi yt profesional dhe krijon hapësirat e tua të guximshme. Arritja më madhe është që bëj atë që e dua, edhe pse zgjedhja e duhur mund të jetë e vështirë.

   31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Të falenderoj për përgatitjen e këtij pyetsori cilësor që po na ndihmon të njohim më shumë njeri-tjetrin. U ndjeva si në një provim ku mundohesh të japësh përgjigjen më të saktë.

Flasshqip.ca

28 Mars 2021