Rubrika “Pyetësori i Jetës”: I ftuar Nador Bakalli
- Published in Profil&Intervista
“Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen çdo javë personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja. Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut.
Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarit të sotëm, Nador Bakalli, me banim në Toronto (edhe në Tiranë, kur mundet 😊). Ekonomist me profesion, ai punon prej vitesh si analist në sistemin e patentave në Provincën e Ontarios. Prej disa kohësh Nadori është shumë aktiv edhe si përfaqësues në Kanada i “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, lëvizje që u krijua vitin e kaluar nga një grup profesionistësh të rinj në emigracion.
- Nador nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?
Portokalli diellore që kacafytet me grinë përditë. Herë fiton njëra, herë tjetra. Lufta ime është që peshorja të anojë nga dielli.
- Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?
Pesë të parat më ngadalë se ç’do të doja, pesë të fundit më shpejt se duhet. Ardhja e fëmijëve anoi peshoren drejtë diellit, por përshpejtoi ritmin e kohës dhe ndërgjegjësimin kundrejt realitetit të së fundmes.
- Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?
Pa dyshim, angazhimi me “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” në të mirë të Shqipërisë. Kosto shumë e lartë në raport me familjen. E vuaj shumë, çdo ditë!
- Humbja më e vogël?
Ajo e mikut jo të sinqertë. Mungesa e sinqeritetit i zvogëlon përmasat e humbjes, por mbetet përsëri humbje.
- Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?
Më tmerron fakti se ndonjë ditë ndonjë veprim apo mosveprim i imi do të përkthehej në zhgënjim për familjen time. I ruhem me fanatizëm kësaj. Shenjtëria e familjes nuk negociohet!
- Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?
Ndjesisë së zhgënjimit dhe gjendjes së pafuqisë.
- Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?
Në praktikën Sufiste, predikohet një gjendje njehsimi dhe përjetimi ekstatik me hyjnoren që quhet “Fanā”. Kjo konsiderohet maja e ndjesisë që mund të arrijë njeriu. Thuhet se kur praktikanti del nga ky stad i lartësuar dhe ka përjetuar më të mirën e mundshme, ai tashmë vlerëson si duhet botën e prekshme dhe hijet e saj. Mërzia për mua ka efektin e kundërt. I lejon njeriut të kalojë nëpër hije të domosdoshme në mënyrë që të jetë në gjendje t’i japë vlerë dhe shijen e merituar lumturisë!
- Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?
Besimi në Zot, pa pikë dyshimi! Sidomos momentet e forta të përkushtimit.
- Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?
Merrem me sport dhe ushtrime sa herë mundem. Luaj futboll. Formën shpirtërore e përmbush familja, librat, hulumtimi i vazhdueshëm i pasioneve te mia, si dhe mbi të gjitha, besimi në Zot!
- Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?
Nuk reagoj. Pres deri në fund. Bëj durim.
- Si i dallon njerëzit e mënçur?
Me fjalë kyçe, me ndjesi kyçe, me gjeste kyçe. E kam relativisht të thjeshtë konceptin për mençurinë.
- Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?
Politikë, sport, pak filozofi, punë të mira dhe veçanërisht vende potenciale për të vizituar.
- Profili i “mikut” të padëshiruar?
Nëntëdhjetë e nëntësh. Njeri i 1001 allishverisheve. Bosht moral i paqartë ose i munguar. Jam i huaj ndaj tyre dhe nuk do ndjehesha mirë me një “mik” të tillë.
- Cila është formula e njeriut të mirë?
Njeriu i thjeshtë. I ndershëm. Ai që nuk prek kurrë atë që nuk i takon. Ai që ndihmon të pamundurin dhe dhuron pa pritur për të marrë diçka në këmbim.
- Përkufizimi i budallallëkut?
Gjithollogu.
- Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?
Terrorin komunist.
- Një rast tipik kur të vjen për të sharë?
“Po ikën këta, kush do vijë?”. Megjithatë nuk shaj, përmbahem.
- Urimi që merr e jep më shpesh?
Jap - “Zoti ju dhëntë shëndet dhe qofshi gjithmonë të nderuar”. Në sytë e mi nuk ka lartësim më të madh se ky në këtë dynja. Marr - “Mos u dorëzo”. Më jep forcë.
- Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd?
Deti, klima e ngrohtë.
- Po libri që ke për zemër?
Gjuetari i balonave - Khaled Hosseini. Përmbledh emocione të jashtëzakonshme dhe ekspozon qartë të keqen e diktatit, qoftë ky komunist apo teokratik. Nuk harroj kurrë pasazhin: “mullahët mundohen të na sundojnë shpirtin kurse komunistët thonë se nuk e kemi një të tillë”.
- Kënga që të vjen më shpesh në mendje?
Përgjigja e kësaj pyetjeje flladon me përqasjen emocionale në të cilëm ndodhem. Për momentin fokusin e kam tek vendi kështu që qasja është më patriotike. Më dhemb shpopullimi i vendit dhe fryrja e radhëve të Diasporës. Do të veçoja “Këtu kam folenë” e Ilir Shaqirit. Në momente të tjera ndjesoj fort duke dëgjuar këngë më ëmbëlsore apo lirike.
- Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?
Vendet e shenjta në Lindjen e Mesme. Afrika.
- Pema që të kënaq syrin?
Bliri, me kënaq syrin dhe nuhatjen.
- Nata perfekte e dimrit kanadez?
Nata kur bora bie lehtë, pa erë, dhe shkriftësia e saj bën zhurmën karakteristike në këpucë. Kur shkas në pistën e patinazhit me vajzën.
- Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?
Jam bazik si njeri. Kënaqem me pak. Hidet dhe gështenjat do t'i doja në çdo stinë.
- Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?
Një pirun makarona, një kafshatë picë ose një romb bakllava.
- Zakoni që do doje mos ta kishe?
Shpërqëndrimi, ndonjëherë.
- Aftësia që do doje të kishe?
Aftësia për të gjetur rrugët e duhura që të bëj diferencë sado të vogël për vendin tim. Po mundohem fort, çdo ditë.
- Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?
Solid, gjithmonë i nevojshëm.
- Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?
Përpjekjet e mia në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe mitmarrjes në systemin e patentave nga ana profesionale. Por krenarinë më të madhe e kam ndjerë kur kam ndihmuar bashkëatdhetarët tanë të lundrojnë sistemin si duhet apo edhe të punësohen kur kanë patur nevojë.
- Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?
Ndjej çiltërsi. Pyetësor shumë interesant dhe cilësor që eksploron mirë karakterin e njeriut. Të jam falenderues Jeta!
© Flasshqip.ca - 11 Prill 2021