Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Holta Këllezi

  • Published in Komunitet
Nga: Jeta Dedja

“Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja. Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarës së sotme, Holta Këllezi, dentiste në Toronto.  

1. Holta, nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Gjatë ditës i përjetoj të gjitha ngjyrat e ylberit, por preferoj të kuqen që e lidh me të qeshurën. Nuk humbas asnjë rast të gjej diçka për të qeshur.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Marramendëse, sa ndonjëherë më duket që gjërat që janë bërë shumë vite më parë janë bërë dje.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Mendoj largimi nga atdheu, dhe me këtë kuptoj të qënit larg nga familja dhe miqtë.

4. Humbja më e vogël?

Përditë ka një humbjë të vogël, por humbjet e vogla s’mbahen mend gjatë.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Pandemia, ose me saktë ideja që përditë dëgjojmë gjëra që janë në kontradiktë me atë çfarë të paktën unë i kam konsideruar si te vërteta të mirëqena.  

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Ndjesisë së humbjes të njerëzve të dashur.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Përsa kohë është e përkoshme më mëson të vlerësoj gjërat e bukura.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Të qenurit pranë njeri-tjetrit dhe ndihmesa pa kushte e njerëzve në nevojë.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Ecje në natyrë dhe kaloj kohën me njerëzit e mi të dashur.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Stresohem shumë, s’më pëlqen pritja.

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Nga sytë dhe bisedat. Kam patur që e vogël një kënaqësi të pamasë të flisja me njerëz më të mëdhenj me moshë, sepse besoj që jeta është mësuesi më i mirë për të gjithë ne.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Varet nga momenti, por në përgjithësi më pëlqen të dëgjoj histori që të mësojnë sesi ta shohësh dhe përjetosh çdo moment në jetë.

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Ata që gjykojnë pa ditur, me premisën që dinë gjithçka.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Zemërmirë dhe i qetë, një njeri që ka kapacitetin të kuptojë që çdo njeri prej nesh është ndryshe.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Të bësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat ndryshe.

16. Këshilla që do t'i jepje një njeriu të zemëruar?

“Pi pak uthull” thoshin të vjetrit, hahaha. Mundohu të flasësh mbasi të ka kaluar zemërimi fillestar.

17. Pishmani më i madh në jetë?

S’është ndoshta pishman po më shumë një dëshirë. Do kisha dashur të kisha mundësinë që të kisha jetuar në atdheun tim gjithë jetën nëse kushtet do kishin qenë ndryshe.

18. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Unë shaj vetëm me vete (pa zë) dhe zakonisht ka të bëjë me rastet kur konstatoj paaftësi.

19. Më thuaj një fjalë të vjetër/të veçantë shqipe dhe një shprehje të urtë popullore që përdor më shpesh?

Gjuha kocka s’ka e kocka thyen.

20. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?

Shtëpia.

21. Po libri i fundit që ke lexuar?

“The Parasitic Mind” nga Gad Saad.

22. Kënga që do këndoje në një karaoke?

Unë s’do guxoja të këndoja, po pa dyshim do ishte një këngë ritmike.

23. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Një udhëtim në Amerikën Jugore.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Nata e krishtlindjeve, përzierja e zbukurimeve të festave, vatrës së zjarrit, ushqimit dhe një gotë verë.

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Djathë i bardhë.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Lakror, byrek.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Të mos prekesha aq shumë nga padrejtësitë që ekzistojnë në këtë botë.

28. Aftësia që do doje të kishe?

T’i falja gëzim çdo njeriu që takoj.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Do ekzistojë gjithmonë, dhe si çdo periudhë kohore do ketë të mirat dhe të këqiat e veta.

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Hapja e klinikës sime private në Toronto. Më janë dashur pothuajse 15 vjet për të arritur këtë gjë dhe nuk e kisha menduar kurrë që do ta shijoja kaq shumë të qënit një klinikë dentare që punon me komunitetin tim. Jemi një popull gjithë humor, nuk ka ditë që nuk qesh me të madhe apo që nuk ndihem me fat. Kënaqësia më e madhe që marr mbrapsht është komunikimi me njerëzit.

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Të falenderoj që më dhe mundësinë të bëja një rrugëtim shpirtëror.

©FlasShqip.ca