Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Diana Lika

“Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja. Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarës së sotme, Diana Lika, Real Estate Broker e suksesshme në Toronto.  

1. Diana nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

E bardhë, më pëlqen paqja.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Shumë shpejt. Ndjehem e re në shpirt, por vitet po ikin shumë shpejt dhe nuk më pëlqen t’i numëroj.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Emigrimi në Kanada. Kosto e lartë ishte largimi nga njerëzit tanë të dashur. Unë dhe bashkëshorti im u larguam duke lënë  nënat tona (paçin ndjesë) dhe të afërmit tanë atje. Por të paktën ky largim u shpërblye nga fëmijët tanë, për të cilët bëmë sakrificën më të madhe të jetës.

4. Humbja më e vogël?

Nuk ka humbje, ka vetëm mësim nga humbja.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Ndërrimi i jetës së vjehrrës time të dashur para disa ditësh, si dhe lajmet e këqia që dëgjojmë vazhdimisht për humbje jete të njerëzve dhe miqve tanë. Uroj që të marrë fund sa më parë kjo situatë e keqe dhe të kthehemi në jetën normale.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Vetmisë. E urrej vetminë.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Mërzia sjell vetëm të këqija, prandaj në çdo situatë që na mërzit, duhet të ruajmë gjakftohtësinë dhe të themi që kjo situatë shpejt do kalojë, do bëhet më mirë. Gjithmonë duhet të themi “ka edhe më keq” dhe kjo të na ndihmojë ta largojmë mërzinë e momentit. Asgjë nuk është e përjetshme. Kur një derë mbyllet, një derë tjetër do çelet patjetër.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Dashuria për familjen time.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Dëgjoj muzikë, flas në telefon me të afërmit dhe me shoqërinë, eci, meditoj, më pëlqen pikniku me familjen dhe me shoqërinë.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Përpiqem të jem e qetë, lexoj diçka në celular. Leximi më pëlqen shumë.

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Njerëzit e mençur flasin pak dhe punojnë shumë. Njerëzit e mençur mësojnë çdo ditë nga jeta apo nga libri, kanë qëllime në jetë dhe punojnë që t’i kthejnë dëshirat në realitet. Ata janë në gjendje të përballen me vështirësitë dhe punojnë gjithnjë për të rritur mirëqënien e tyre. Ata kurrë nuk mendojnë se dinë gjithçka, por janë gjithnjë duke mësuar gjëra të reja, vlerësojnë dhe i ndihmojnë të tjerët pa kushte.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Flas për gjithçka, për libra, si të jetojmë shëndetshëm, etj. Nëse jam me miq të vjetër, më pëlqen të kujtojmë të kaluarën e përbashkët në Shqipëri. Nëse janë miq të rinj që i kam njohur në Toronto, flasim se sa me fat jemi që jemi këtu. Më pëlqen të motivoj edhe ata që nuk ndjehen 100% të lumtur në Kanada. Të gjithëve na pëlqen dhe na mungon vendi ynë, por derisa fati na solli këtu, duhet të mos rrimë me mendje mbrapa, por të jetojmë të lumtur në vendin që na pranoi dhe na dha mundësi të ndërtojmë një jetë të re.

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Nuk më pëlqejnë ata që flasin mbas shpine. Miku që quhet mik, ta thotë në sy atë çfarë ndjen.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Njeriu i mirë nuk i bën keq askujt, ndihmon me zemër, është i sinqertë, kërkon falje kur gabon, nuk njeh cmirën, urrejtjen, hakmarrjen, por fal shumë, i vlerëson të tjerët dhe lumturohet nga të mirat dhe arritjet e të tjerëve.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Budallallëku është kur vepron pa arsye, sillesh me arrogancë dhe mendjemadhësi.

16. Këshilla që do t'i jepje një njeriu të zemëruar?

Zemërimin e sotëm, lëre për nesër. Kjo është këshilla më e mirë besoj, se njeriu i zemëruar nuk gjykon mirë në atë moment, por të nesërmen e gjykon çdo gjë me gjakftohtësi dhe është në gjendje të bëjë një gjykim real për atë veprim që e mërziti një ditë më parë.

17. Pishmani më i madh në jetë?

Që nuk u bëra mësuese. Mësimdhënia më ka pëlqyer gjithmonë, por nuk e pata fatin ta bëj në jetë.

18. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Sharjet nuk më pëlqejnë, por edhe shaj me mend kur jam duke i dhënë makinës, dhe personi para meje nget nën limitin e shpejtësisë së rrugës dhe unë jam me vonesë.

19. Më thuaj një fjalë të vjetër/të veçantë shqipe dhe një shprehje të urtë popullore që përdor më shpesh?

Fjale të vjetër shqipe: Shkodërloce (e cila më mungon aq shumë). Më pëlqejnë shumë shprehjet e urta të nënë Terezës, ku mund të veçoj këtë: “Nëse do që të ndryshosh botën, shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde”.

20. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?

Deti ose liqeni. Afër detit, afër mbretit ka thënë populli.

21. Po libri i fundit që ke lexuar?

Libri “Sekreti” (The Secret) i Rhonda Byrne. Më pëlqejnë librat të cilët na mësojnë për jetën.

22. Kënga që do këndoje në një karaoke?

Kënga e nënës, të cilën e ka kënduar aq bukur e ndjera Anita Take. E dëgjoj çdo ditë atë këngë.

23. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Gjermania.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Përballë oxhakut natën e Krishtlindjes, e rrethuar me ngrohtësinë familjare dhe të të afërmve, me këngët e Christmas në TV dhe me mbesën time të dashur Sofia duke kërcyer. Asaj i pëlqen shumë baleti, çdo muzikë e kërcen si balet.

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Uji.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Qershitë.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Jam tepër e ndjeshme dhe mërzitem shumë për hallet dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Do doja të isha më e fortë.

28. Aftësia që do doje të kishe?

Të kisha mundësinë që të bëja të lumtur të gjithë njerëzit.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Duke patur biznes familjar për shitje pronash, uroj që biznesi të rritet dhe të kemi sa më shumë shqiptarë që të shesin dhe blejnë prona. Çfarë më bën krenare është përkushtimi dhe ndershmëria me të cilën iu shërbejmë klientëve.

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Mund ta quaj arritje që po u jap fëmijëve profesionin tim dhe po iu mësoj vlerat e biznesit. Për mendimin tim, vlera e biznesit nuk matet nga përfitimi material, por nga shërbimi perfekt ndaj klientëve, shërbimi me ndershmëri dhe integritet. Lumturia e klientëve në shit-blerje është qëllimi jonë në punë.

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Ndjeva shumë emocion. Tamam si në provimet e shtetit dikur. Ju uroj shumë suksese ju dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen! Faleminderit për intervistën!

©FlasShqip.ca