Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: I ftuar Andi Efovia, Toronto

  • Published in Komunitet

 Jeta Dedja

"Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja.

Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarit të sotëm, Andi Efovia, konsulent sigurimesh në Toronto.

  1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Do zgjidhja blunë. Për natyrën e universit është ngjyrë që nuk mbaron kurrë në hapësirë dhe ka peizazhin e lirisë së pa limit.

  1. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Shumë shpejt dhe në një mënyrë kanë qënë vendimtare në përkufizimin e shumë aspekteve shumë të rëndësishme të jetës si martesa, puna dhe mbarësia në familje.

  1. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Largimi nga familja pa dyshim, kostoja shpirtërore është e pazëvendësueshme.

  1. Humbja më e vogël?

Humbjet janë të përditshme besoj. Ja sot nuk dija ku kam lënë çorapet. 😊

  1. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Vendimmarrjet me kosto shkatërruese të qeverisë së sotme, dhe papërgjegjësitë e plota në marrjen e vendimeve me pasoja të pariparueshme për njerëzit dhe Shqipërinë e të ardhmen e saj, dhe për faktin që mbështetet me paradoks që nuk mund t’ia gjej shpjegimin.

  1. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Frikës. Frika është një ndjesi shumë negative, por që është refleks njerëzor nga e cila nuk kemi as një imunitet. Përpiqem ta minimizoj duke bërë përditë më të mirën time.

  1. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Mërzia është pasqyra e asaj çfarë ne si njerëz prodhojmë çdo ditë për njëri-tjetrin. Dobia është se të shton reflektimin në marëdhënien me universin përditë dhe është tipar kryesisht i njerëzve të mirë, pra njerëzit e mirë mërziten më shumë.

  1. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Vetvetja. Mësoj çdo ditë që të përshtatem dhe të mendoj se po bëj më të mirën për veten dhe për njerëzit. Unë besoj te forca hyjnore që ekziston në secilin prej nesh. Njerëzit janë prej hekuri thonë.

  1. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Jam shumë aktiv. Luaj tre herë në javë futboll, eci shumë në natyrë dhe më pëlqen biçikleta. 

  1. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Nga natyra e punës kam fituar virtytin e pritjes me raste shumë të gjatë. Nuk ka virtyt më të madh njerëzor se toleranca ndaj pritjes. Durimi është fisnikëri. Bëj përpjekje të mëdha që të toleroj dhe të më tolerojnë në këtë drejtim.

  1. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Nga sytë. Sytë janë reflektim mençurie, kjo është në aparencë. Nga përditshmëria besoj në rezultate që vijnë më shumë nga eksperienca njerëzore se ajo akademike. Njerëzit e mençur i përballojnë trysnitë dhe sfidat.

  1. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Me miqtë më pëlqen të di dhe t’u marr mendim për çështje që më ndodhin mua dhe anasjelltas, për të kuptuar se si do e trajtonin ata të njëjtin problem që kam dhe unë. Është një përvojë e patjetërsueshme në reflektim dhe në marrje vendimesh. Jeta nuk është vetëm libër dhe sport, ajo është sfidë në balancë me realitetin. 

  1. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Hipokrizia dhe dashakeqësia janë substancat më të liga njerëzore. Me njerëz të tillë nuk mund të investosh kurrë asgjë. 

  1. Cila është formula e njeriut të mirë?

Njerëzit e mirë nuk tjetërsohen me realitetin, kanë një qëndrim konstant dhe nuk ndikohen nga rrymat e përditshme. Janë gjithmonë në shina.

  1. Përkufizimi i budallallëkut?

Të qënurit negativ me të gjithë çfarë i rrethon pa shikuar ose kërkuar falje asnjëherë për vendimarrjet me kosto shumë negative për të tjerët dhe veten e tyre. Mungesë totale e reflektimit me nuanca të pazëvendësueshme psikopatie. 

  1. Këshilla që do t'i jepje një njeriu të zemëruar?

Ka mjaft arsye në jetën tonë për t’u ndjerë mire. Duhet vetëm të presësh dy orë më shumë.

  1. Pishmani më i madh në jetë?

Fakti që nuk kam qenë në gjendje të marr pjesë në varrimin e tim eti, ka për të më mbetur gjithmonë një pishman shumë i madh.

  1. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Shaj kur jam në stadium dhe kur humb ekipi i zemrës. Është i vetmi vend ku më tolerohet kjo besoj dhe nuk më bëhet me gisht, madje kam shumë mbështetës. 

  1. Më thuaj një fjalë të vjetër/të veçantë shqipe dhe një shprehje të urtë popullore që përdor më shpesh?

Njerëzit janë si era mëso të bashkëjetosh me ta duke pritur erën, dhe nëse të duhet një diçka që nuk mund ta gjesh lëre mos e kërko do dali vetë. 

  1. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?

Mali është i qetë, deti është magjik. Nuk ka avantazh më të madh se t’i shijosh të dy përnjëherë.

  1. Po libri i fundit që ke lexuar?

“12 Rules of Life” nga Jordan Peterson, një personash i paparë për nga vlerat dhe zgjuarësia. Më është kthyer në një inspirim.

  1. Kënga që do këndoje në një karaoke?

Jam shumë i reduktuar në këngë, pasi nuk dua t’ua prish njerëzve humorin me cilësinë time të pakët në këtë fushë, por nëse lirika më pëlqen do përpiqesha ta imitoja.

  1. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Tanzania dhe malet e Kilimanxharos. Dua të jem në gjendje të them, tani jam në majë të botës dhe po shoh çdo gjë nga lart. 

  1. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Duke u shtrënguar së bashku me gruan time në një cep të divanit, ndjekur program në TV, ngrënë gjithçka të ngrohtë dhe privilegji që na ka dhënë zoti të jemi brenda. Gjërat e vogla janë gjërat më të bukura në jetë dhe kryesisht ndodhin në shtëpi. Ndjenjën e ngrohtësisë që të jep shtëpia nuk ta jep asgjë (home sweet home).

  1. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Peshku. Është një produkt fantastik dhe me vlera të larta ushqimore.

  1. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Zarzavatet, kryesisht brokoli të lehta për t’u tretur në çdo çast.

  1. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Jam harraq i madh në shtëpi. Ku janë çorapet, ku janë pantallonat, kravata, kostumi dhe kjo bëhet sebep zenkash me gruan dhe me njerëzit që më rrethojnë nganjëherë.

  1. Aftësia që do doje të kishe?

Më ka pëlqyer që të jem botues dhe gazetar, kam qenë një nxënës shumë i mirë në shkencat sociale. Nuk mund të them tani mbas kaq shumë vitesh se e kam këtë aftësi, do doja ta kisha. Më vjen keq që realiteti ose destiny nuk më afroi një mundësi të tillë.

  1. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Jam shumë optimist, është një shërbim shumë i kërkuar dhe esencial. 

  1. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Fakti që kam një numër të pafund njerëzish që më respektojnë dhe i besojnë llogjikës sime në zgjidhjen e problemit të tyre sado i vështirë që mund të duket.

  1. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Ndjehem shumë mire. Janë pyetje të goditura dhe shumë të gjera në koncept. Janë një lloj psikologjie që teston njerëzit në vendimarrje. Ju uroj një karrierë të shkëlqyer dhe e respektoj shumë sensin tuaj pozitiv. Jeni me të vërtetë të talentuar dhe ndjehem krenar që ne kemi njerëz të tillë në këtë fushë. 

©FlasShqip.ca