Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: I ftuar Besnik Rexhvelaj, London-Ontario

  • Published in Komunitet

Jeta Dedja

“Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja.

Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarit të sotëm, Besnik Rexhvelaj, ekspert finanaciar/kreditimi (Mortgage Broker) dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze “Iliria” në London, Ontario.

1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Blu e hapur, si qielli i pastër.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Lëvizën shpejt, por u ngadalësuan nga fundi, prej virusit kinez.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Besoj që largimi nga Shqipëria ka qenë një ndër zgjedhjet qeë e kam vuajtur dhe vazhdoj ta vuaj. Ne emigrantët e brezit të parë e kemi këtë barrë të rëndë mbi vete çdo ditë…

4. Humbja më e vogël?

Nuk u zgjova sot në orën e zakonshme. Fjeta edhe gjysëm ore më shumë. 😊

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Tragjedia që ndodhi në London para pak ditësh, me familjen e emigrantëve që humbën jetën. 4 vetë nga e njejta familje. Ishte një ngjarje shumë e rëndë. Kurrë nuk e pata menduar që një ngjarje e tillë mund të ndodhte këtu, në qytetin ku jetojmë.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Të qënit prezent me njerëz që vetëm transmetojnë emocione negative dhe që veprojnë negativisht.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Asnje dobi nuk të sjell mërzia. Vetë fjala e pohon një gjë të tillë.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Pozitiviteti. Eshtë i vetmi stimulant sipas meje, që të ndihmon të jesh vetvetja dhe të arrish suksesin në profesion, biznes e kudo tjetër. Mendoj se pozitiviteti është pjesë e imja dhe mundohem që ta mbaj gjithmonë të gjallë.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Nga ana fizike merrem me sport (futboll) megjithëse ka më shumë se një vit që jemi në “kafaz” (si të gjithë njerëzit e globit). Zakonisht eci/vrapoj për të paktën 30 minuta çdo ditë.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Kur më duhet të pres gjatë, mundohem që ta kaloj kohën duke u marrë me gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me shkakun e pritjes. P.sh. shikoj ose lexoj diçka në telefon (nuk mund të jetojmë pa të, haha). Kur dikush vonohet atëherë i them: “Mirë që u vonuat, por pse më bëni që të mendoj keq për ju, pasi mendoj që një gjë e “keqe” mund t’iu ketë ndodhur rrugës për shkak të mosparaqitjes tuaj në kohë”?

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Ata dallohen nga puna dhe arritjet e e tyre në jetë. Kush është i zgjuar, këtë e tregon me punë dhe aktivitetin e përditshëm. Unë në punën time të përditshme takoj shumë njerëz dhe ata të mençurit, flasin pak dhe punojnë/veprojnë shumë.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Zakonisht më pëlqen të bisedoj më shume për sport, humorin dhe gjëra të tjera të bukura. Sikurse edhe për udhëtimet/aktivitetet e përbashkëta me miqtë.

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Të gjithë miqtë e mi të vërtetë i kam të dëshiruar dhe të respektuar. Nuk do më pëlqente një mik/mike që merret me punët e të tjerëve dhe kënaqet me dobësitë e tyre.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Njeriu i mirë, qëndron i mirë edhe në ditët e tij/saj jo të mira. Me këta njerëz/miq ndaj momentet e mira dhe jo të mira të jetës dhe familjes time. Marr mendime nga ata se si mund t’u jap zgjidhje problemeve të veçanta në jetë.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Gjyshi jm thoshte “edhe budalla e ka kryet si njeriu” (në gjuhë letrare, edhe budallai e ka kokën si njeriu). Duhet që ta kuptosh që është i tillë nga veprimet që bën.

16. Këshilla që do t'i jepje një njeriu të zemëruar?

Duhet që të numëroni deri në 10, para se sa të veproni për një gjë që nuk ju pëlqen! Personalisht, kur jam në këte situatë mundohem që ta lë për më vonë zemërimin, me idenë që do të më kalojë.

17. Pishmani më i madh në jetë?

Kur përfundova shkollën e mesme kisha dëshire të vazhdoja studimet për mjekësi, por nuk mu dha e drejta. Pastaj vazhdova për Financë

18. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Haha. Nuk më ndodh shpesh, por kur jam duke shikuar futboll në stadium edhe mund të më nxjerrë goja ndonjë sharje kur humbet raste shënimi ekipi im i zemrës.

19. Më thuaj një fjalë të vjetër/të veçantë shqipe dhe një shprehje të urtë popullore që përdor më shpesh?

Strajcë - çantë… birat e gardhit e fjalt e hallkut nuk mbyllen kurrë.

20. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?

Unë kam patur mundesinë të vizitoj zonën në Veri të Ontarios dhe atje bukuritë natyrore nuk kanë të mbaruar. Të qetesojnë shpirtin dhe trupin.

21. Po libri i fundit që ke lexuar?

Tani jam duke lexuar “Atomic Habits” nga James Clear.

22. Kënga që do këndoje në një karaoke?

Kaçurrelat e tua.

23. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Kam dëshirë të vizitoj Veriun e Kanadasë.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Një natë dimri pranë oxhakut dhe druve që flakërojnë, i rrethuar nga familja ime dhe të dashurit e zemrës. Jashtë dëbora bie qetësisht dhe ndriçohet nga Hëna…

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Fiqtë dhe gështenjat e pjekura, por të freskëta.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Peshk me verë të kuqe.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Reagoj kur gjërat nuk janë në vendin e duhur. Më mirë mos ta kisha një ves të tillë (nuk mund ta quaj zakon).

28. Aftësia që do doje të kishe?

Të kisha aftësinë të ndodhem pranë njerëzve të mi më të afërt sa herë që dëshëroj.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Profesioni im si ekspert në fushën e kreditimit (Mortgage Broker) do të jetë gjithmonë prezent në tregun e punës. Kjo pasi njerëzit do të kenë gjithmonë nevojë të marrin e japin hua/kredi, ndaj dhe mbetem shumë optimist për të ardhmen.

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Një ndër arritjet e mia profesionale në Shqipëri ka qenë emërimi Drejtor i Bankës së Kursimeve (sot Raiffeisen) për qytetin dhe Qarkun e Shkodrës, nga viti 1999 deri në vitin 2002, koha kur u largova familjarisht nga Shqipëria. Ndërsa në Kanada, fakti që sot drejtoj një ekip profesionistësh në fushën financiare (të gjithë të lindur, rritur dhe edukuar këtu) është një arritje për të cilën ndihem shumë krenar. Për këtë falenderoj vetveten, veçanërisht bashkëshorten time Nora për ndihmën, si dhe të gjithë miqtë e mi dhe Kanadanë, për mundesitë që na ka ofruar dhe ambientin e përshtatshëm për të prosperuar në çdo drejtim.

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?                                                        

Më pëlqen që e keni përgatitur pyetësorin me 31 pyetje (31 eshte numri im i preferuar 😊) Më duket se e mbarova “provimin” haha. Por ishte gjë e mirë që nuk kishim afat kohor të caktuar. Ju falenderoj juve dhe portalin tuaj Flasshqip.ca, që me përpjekjet dhe angazhimin tuaj vullnetar, bëni të mundur që ky portal të jetë shumë aktiv në jetën e komunitetin shqiptar këtu në Kanada. Ju uroj gjithë të mirat e veçanërisht sukses në punën tuaj!

©Flasshqip.ca