Komunitet

Vitet kanadeze të gjilanasit Artan Abazi në Halifax

  • Published in Komunitet
Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Taulant Dedja - Montréal, Québec

I ftuari i sotëm në rubrikën Profil&Intervistë të Flasshqip është shqiptari nga Gjilani i Kosovës Artan Abazi. Artani, që profesion të parë ka gazetarinë (kontribues me artikuj edhe në Flasshqip), prej vitesh jeton bashkë me bashkëshorten dhe tre djemtë buzë Atlantikut në Halifax të provincës Nova Scotia. Aktivitetin e tij kryesor profesional ai e ushtron prej 12 vitesh në sektorin bankar në kuadër të CIBC. Në një rrefim të sinqertë, konçiz e pa shumë stërhollime ai kujton vendlindjen, familjen, kohën kur mbërriti në Kanada, përjetimet dhe përceptimet e tij për shoqërinë kanadeze, për Kosovën, Shqipërinë e sigurisht edhe për temën e ruajtjes së traditës shqiptare në emigrim…

Flasshqip: Artan, mirëseerdhe në këtë bashkëbisedim me Flasshqip! Do të ftoja menjëherë të thoje diçka shkurtimisht për vendlindjen tënde dhe familjen…

Artan Abazi: Unë kam lindur dhe jam rritur në Gjilan të Kosovës ku edhe ende i kam prindërit e shumë të afërm. Babai është veteran i arsimit. Aktualisht pjesa tjetër e familjes së ngushtë jeton në Zvicër dhe Gjermani.

Flasshqip: Si e kujton sot Artani kohën kur ende ishte fëmijë e më vonë adoleshent, nxënës shkolle e student?

Artan Abazi: Kujtoj një femijëri të lumtur. Nuk kishim teknologji si sot, por kishim më shumë lojëra e aktivitete në natyrë. Ndërsa gjatë viteve të rinisë, nën okupimin serbo-sllav, si brez ndiheshim të shtypur dhe nuk kishim të njejtat mundësi si rinia e shteteve të tjera të lira e demokratike. Në vendlindje u shkollova deri në përfundim të shkollës së mesme. Më pas, vijuan studimet në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Kur erdha në Kanada sërish iu përkushtova studimeve universitare dhe përfundova degën e gazetarisë.

Flasshqip: Po si ndodhi që emigrove drejt Kanadasë? Në ç’vit ke ardhur këtu?

Artan Abazi: Nga vendlindja u largova në vitin 2006 për arsye të bashkimit familjar, sepse bashkëshortja ime jetonte këtu, sëbashku me prindërit e saj.

Flasshqip: Dhe cili ishte impakti i parë me Kanadanë e si shkoi më pas integrimi?

Artan Abazi: Unë arrita për herë të parë këtu në stinën e dimrit. Sigurisht, duke ardhur nga një vend me klimë të ndryshme, në fillim më bënte përshtypje moti i ftohtë, por me kalimin e kohës, ashtu si të gjithë, u përshtata dhe unë. Sa i takon integrimit, besoj që e kam patur të lehtë si proces jo vetëm se kisha një familje që më priste këtu, por edhe pse prej kohësh e zotëroja mirë gjuhën angleze. Anglishtja më dha edhe mundësinë të punësohesha qysh javën e dytë pas mbërritjes në Halifax.

Flasshqip: Sot pas më shumë se 15 vitesh që jeton në Kanada si do ta përshkruaje shoqërinë kanadeze?

Artan Abazi: E vlerësoj shoqërinë kanadeze si një shoqëri mikpritëse, sidomos në Nova Scotia. Këtu njerëzit janë të qetë dhe karakterizohen nga mirësjellja. Shkurt, i jam mirenjohës Kanadasë.

Flasshqip: Artan cili është aktiviteti yt profesional aktual në Halifax?

Artan Abazi: Më lart tregova që jam diplomuar në gazetari, madje ende jam duke studjuar edhe në fushën e marrëdhënieve me publikun në Mount Saint Vincent University në Halifax, megjithatë prej 12 vitesh aktivitetin kryesor profesional e kam në fushën bankare dhe punoj si supervizor në njerën nga bankat më të mëdha kanadeze, CIBC. Sigurisht kjo nuk më pengon të jem prezent më shkrime në media, kohë pas kohe.

Flasshqip: Nëse sot dikush do të pyeste çfarë të bën të ndihesh i realizuar dhe i lumtur si do t’i përgjigjeshe?

Artan Abazi: Lumturia më e madhe sigurisht ishte lindja e fëmijeve, tre djemve tanë, ndjenja që fëmijët tanë jetojnë në një vend të sigurt dhe pa konflikte, mundësia që ata të rriten dhe shkollohen në një vend të zhvilluar e të fuqishëm ekonomikisht si Kanadaja.

Flasshqip: Artan, sa dhe si ka ndikuar emigracioni në aspektin e marrëdhënieve me familjen, shoqërine dhe vendlindjen? A të duket që janë forcuar apo dobësuar lidhjet?

Artan Abazi: Raportet me familjen nuk janë dobësuar. Ndoshta pak me shoqërinë, sepse shumica jetojnë anekënd botës dhe kontaktet nuk janë ashtu siç i kishim dikur në rini. Tani pandemia na e detyron komunikimin me platforma të ndryshme sociale, çka gjithsesi ndihmon në mbajtjen e kontakteve.

Flasshqip: Çfarë gjërash në shtëpi ta kujtojnë më shumë vendlindjen dhe viset shqiptare?

Artan Abazi: Kam plot fotografi e suvenire nga vizitat e herëpashershme në Kosovë e Shqipëri, por mbi të gjitha janë kujtimet që njeriu bart në vetvete nga vendlindja…

Flasshqip: Dhe cili është perceptimi yt i sotshëm për Kosovën e Shqipërinë?

Artan Abazi: Perceptimi im është që Kosova dhe Shqiperia sigurisht kanë ndryshuar. Shqipëria sidomos në infrastrukturë dhe mendoj që e ka një të ardhme të mirë në turizëm, nëse do dijë të organizohet mirë në këtë sektor. Mendoj që mbi të gjitha dy vendet tona duhet të përpiqen më shumë për një shoqëri pa korrupsion, me institucione të forta dhe ekonomi të zhvilluar, sepse vetëm kështu mund t’i bashkëngjiten familjes se madhe europiane. Anëtarësimi sa më i shpejtë në BE është domosdoshmëri historike, ndërsa veçmas për Kosovën edhe hyrja në NATO.

Flasshqip: Le të kthehemi përsëri në Halifax, ku me sa dimë jeton një komunitet shqiptarësh, pjesë e të cilit je edhe ti, sëbashku me familjen…

Artan Abazi: Komuniteti shqiptar në Halifax është i vogël në numër. Thuajse të gjithë e njohim njeri-tjetrin. Rregullisht mblidhemi të festojmë festat e 28 Nëntorit dhe 17 Shkurtit, por dy herët e fundit nuk mundëm të takohemi sëbashku të gjithë, për shkak të kufizimeve nga pandemia.

Flasshqip: A mendon se shqiptarët këtu ndihen më të lirë në mënyrën e të menduarit dhe të shprehurit se sa në atdhe?

Artan Abazi: Unë personalisht nuk mendoj ashtu, edhe pse këtu ka më shumë liri. Pse e them këtë? Sepse këtu shprehja e mendimit të lirë shpeshherë keqinterpretohet. Nëse më pyesin dhe më kërkojnë ndonjë mendim, une e di që duhet të bëj kujdes të madh në raport me çfarë duhet të shpreh…

Flasshqip: Artan a i ndjek zhvillimet politike në Kanada, në nivelet e ndryshme të pushtetit?

Artan Abazi: Ndjek më shumë politikën në nivelin federal edhe për shkak se këtu ku jetoj, politika lokale është më pak e dukshme dhe njerëzit nuk ankohen shumë në raport me të. Sigurisht edhe për faktin se nuk kanë aq brenga dhe halle sa kanë shqiptarët në Kosovë e Shqipëri.

Flasshqip: Le të ndalemi pak te një subjekt i ndjeshëm, sidomos për brezin e parë të emigrantëve. Shpesh komentohet apo konstatohet, që fëmijët e shqiptarëve të cilët lindin në emigracion, i humbin pak nga pak gjuhën dhe traditat? Ç’mendon për këtë?

Artan Abazi: Kjo është një dukuri e vërtetë dhe e kuptueshme, por sipas mendimit tim, përgjegjësinë për këtë e kanë vetë prindërit. Janë ata që duhet të punojnë më shumë me fëmijët për t’u transmetuar atyre gjuhën shqipe dhe traditat tona si popull.

Flasshqip: Sipas teje, a duhet të asimilohen shqiptarët në kulturën e vendit që i mirëpret?

Artan Abazi: Assesi jo! Vendi që na mirëpret duhet falenderuar, por kurrë jo të asimilohemi. Do të ishte një gabim me pasoja të mëdha për të ardhmen e brezit më të ri.

Flasshqip: Dhe cilat mund të jenë format më të mira për ruajtjen e kulturës shqiptare?

Artan Abazi: Shkollimi shqip, hapja e më shumë shkollave shqipe. Po ashtu, fëmijet duhen dërguar më shpesh në vendlindjen e tyre apo të prindërve që të ruhen traditat dhe të kultivohet atdhedashuria.

Flasshqip: A ka diçka tjetër që do kishe dëshirë ta ndaje me lexuesit e Flasshqip?

Artan Abazi: Ju përgezoj për punën që bëni në Kanada dhe për informacionin që i ofroni komunitetit shqiptar.

©Flasshqip.ca