Komunitet

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Klara Metohu, Toronto

  • Published in Komunitet

Jeta Dedja-Kryeredaktore e FlasShqip.ca

"Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen personazheve të përzgjedhur të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze.

Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarës së sotme, Klara Metohu, eksperte prej më shumë se 20 vitesh, aktualisht në Kompaninë Teranet Inc, Toronto, një nga më të njohurat për regjistrimin elektronik të pronave dhe pasurisë në provincën e Ontarios.

  1. Klara, nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Emocione të përziera here-herë blu e herë të bardha. Emocionet i lidh me stinën, verën, diellin, detin, kaltërsinë, paqen.  Më vjen t’i stopoj këto emocione, të kapem pas tyre.  

  1. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde? 

Ahh koha! Vitet kanë fluturuar… Shpesh do doja t’i ndalja, mirëpo koha s’ndalet. Mbase nuk jam vetëm unë që mendoj kështu. Megjithatë koha më ka dhënë gëzimin të jetoj mrekullinë e të qënurit gjyshe e tre princeshave dhe dy princërve. 

  1. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Vendimi për të emigruar.

  1. Humbja më e vogël?

Nuk e mbaj mend…

  1. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Largimi i tim shoqi nga jeta, krejt pa pritur në një moshë krejt të re. Për një kohë të gjatë pyetja “Pse” qëndroi  brenda meje.

  1. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Ankthit. 

  1. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Asnjë dobi, përkundrazi, por dhe pse mërzia ndodh e shpesh nuk kemi kontroll personalisht mendoj se është e rëndësishme që “të dish përse të mërzitesh”. 

  1. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Familja ime, vajzat e mia dhe të vegjëlit e tyre.

  1. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Më pëlqen të eci e notoj, të shpenzoj kohë me mbesat e nipërit e mi që më japin jetë. Të qesh e të luaj me ta, të udhëtoj, fotografoj, të kërkoj të bukurën, të dëgjoj muzikë, të takohem me miq.

  1. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Varet për çfarë pres. Por mendoj se durimin e kam me okë, por në takime më pëlqen korrektësia. Shprehjen “o më prit, o të pres”, hahaha, kam kohë që nuk e përdor.

  1. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Të mençurit të dëgjojnë, flasin pak. Shpesh bisedat me ta më gëzojnë dhe mundohem të mësoj prej tyre. Janë të lexuar, i shmangen konflikteve, kanë humor. 

  1. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Për udhëtime. Europa më mungon! Për një mbasdite apo fundjavë në shoqërinë e “Mojitos” që di t’i përgatis për mrekulli…hahaha. Për një të ardhme të afërt si mund ta perceptojmë atë.

  1. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Nuk do e quaja mik. Ndonëse unë iu përshtatem apo e zgjedh miqësinë time gjithsesi një person manipulues e negativ do të ishte i padëshiruar.

  1. Cila është formula e njeriut të mirë?

Ahh sa e dua këtë portret. Të qenurit pozitiv mbart shumë vlera në vetvehte. I urtë, i dashur, bujar, paqësor, pa komplekse.

  1. Përkufizimi i budallallëkut?

Hahaha, kemi një shprehje ne shqiptarët “Lëshoji rrugë budallait”. Me këtë pyetje më ngacmove memorien. Para do kohe kam lexuar “Ligjet themelore të budallallëkut njerëzor” të Carlo M. Cipolla, historian për ekonominë me background italian. Është një libër rreth 50 faqe ku autori shpjegon mrekullisht marrëdhëniet njerëzore e sidomos qëndrimet ndaj budallenjve. Veprimet e tyre janë të pamenda dhe të pa arsyeshme saqë ndodh që shpesh është problem për të kuptuar sesi mund këta njerëz të funksionojnë. 

  1. Këshilla që do t'i jepje një njeriu të zemëruar?

Varet! Njerëzit që zemërohen menjëherë preferoj t’i këshilloj të qetësohen se do kalojë, por ka ndodhur edhe që u kam thënë: “Eja le të shkojmë buzë liqenit e të bërtasim se mbase ndihmon”. Kjo ka shkaktuar buzëqeshje.

  1. Pishmani më i madh në jetë?

Nuk besoj të kem ndonjë pishman, por dëshirë kam patur që në vogëli të luaja në violinë e ëndërroja të mbarojë konservatorin, por ëndrra nuk m’u realizua. Prindërit më shihnin që studioja shumë, me orë të tëra e iu duk violina si një torturë për mua. Kështu një ditë të bukur më thane: “Deri këtu, jo më”. Aq zgjati, nuk munda të shkoj as në lice e jo më në konservator. Më merr malli shpesh.

  1. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Çuditërsisht nuk shaj kurrë, por mbase kur bie alarm fals në mes të natës.

  1. Më thuaj një fjalë të vjetër/të veçantë shqipe dhe një shprehje të urtë popullore që përdor më shpesh?

“Hej bela, ç’e vret menjen”, ose “leje varkën të eci”! 

  1. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?

Plazhi, pranë detit, ujit. Këtu kemi liqen, aty zgjodha dhe të jetoj se gjej paqe e qetësi.  

  1. Po libri i fundit që ke lexuar?

Në këtë kohë pandemie u jam rikthyer disa librave të Honore de Balzac si “Evgjeni Grande”, “Pjereta”. Tani po lexoj “Mendjet e Pasionuara”- David Bodanis, shkrimtar amerikan, një libër mjaft i bukur rreth filozofit të madh francez Voltaire dhe Èmilie du Châtelet matematiciene e filozofe e shek XVII. 

  1. Kënga që do këndoje në një karaoke?

“Je voudrais bien” - Francesca Gagnon. 

  1. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Një udhëtim me anije nëpër Europë. 

  1. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Pranë një oxhaku e një gote vere, edhe me ndonjë film.

  1. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Djathi mbase. 

  1. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Një liko fiku. 

  1. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Duhet të mësoj të them dhe Jo. 

  1. Aftësia që do doje të kishe?

Të shkruaja do më pëlqente shumë. 

  1. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Evolucioni i teknologjisë elektronike është i pa ndalshëm. Zoti na ruajt nga “Robotikët”. 

  1. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?  

Karriera ime profesionale ka patur ngritje, ndryshime, falë pasionit dhe dashurisë për çdo gjë që bëj. Ndjehem e vlerësuar, por do të doja ndihmën t’ia ofroja njerëzve të mi në Shqipëri kur mendoi se sa vuajnë për të nxjerrë një tapi apo një certifikatë pronësie. Më dhimbsen se mendoj se sa kollaj bëhet e ruhet prona këtu.

  1. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Qënkam rrëfyer… hahaha. Kënaqësi Jeta e të falenderoj që më bëre pjesë të portalit "FlasShqip.ca".

 

Montreal-Toronto, Korrik 2021

 

Shënim!

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar më lart butonin “donate”. Faleminderit!

*Gjithashtu nëse dëshironi të bëheni pjesë e rubrikave tona, na shkruani në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo..

©Flasshqip.ca