Komunitet

Montréal: Të shesësh e të blesh prona me Aurel Zaloshnjën

  • Published in Komunitet

Në Montreal kemi një shqiptar që të mbaron punë kur do të shesësh e të blesh prona, por edhe të japësh e marrësh me qira. Ai është Aurel Zaloshnja nga Pogradeci. E keni parasysh si janë pogradecarët, punëtorë, të thjeshtë, mirënjohës e të mençur. Kështu është Aureli, djali i madh i familjes Zaloshnja, i cili bashkë me dy vëllezërit e tij ka ditur dhe ka guxuar të eksplorojë mundësitë që të ofron Kanadaja për të arritur suksese.

Flasshqip: Aurel, na tregoni ju lutem ca kujtime fëmijërie e rinie të hershme…

Aurel Zaloshnja: Nga fëmijëria ime kujtoj gjithçka; lojrat poshtë pallateve me shokët dhe shoqet; respektin dhe dashurinë për familjen, të afërmit dhe miqtë; gjithashtu kujtoj dhe vitet e para të shkollës (mësuesit, shokët, etj). Me pak fjalë mbaj mend të gjithë esencën e fjalës fëmijëri. Kam emigruar që në moshën 16-vjeçare në Greqi dhe vitet më të bukura të jetës sime i kalova aty. Le të themi që nuk ishte e lehtë, por ishte një periudhë që më dha një eksperiencë mjaft të vlefshme për të ardhmen time dhe të familjes time.

Flasshqip: Po si ndodhi që i latë këto vite të bukura në Greqi dhe iu drejtuat Kanadasë?

Aurel Zaloshnja: Mbas disa vitesh qëndrimi në Greqi vendosëm të merrnim rrugët e Kanadasë. Arsyet dihen tashmë, situatat e krijuara përgjatë viteve të fundit në Shqipëri dhe ekonomia, na dhanë shtysë të shihnim dhe të eksploronim horizonte të tjera.

Flasshqip: Po e kuptojmë. Si ishte impakti i parë me Kanadanë?

Aurel Zaloshnja: Impakti i parë? Hmm, një vend i ftohtë për nga përbërja meteorologjike, por mikëpritës.

Flasshqip: Çfarë vështirësish hasët në fillim?

Aurel Zaloshnja: Vështirësitë ishin të mëdha sepse gjuha ishte një ndër pengesat kryesore të komunikimit edhe pse ne flisnim pak anglisht. Filluam ca kurse në gjuhën angleze dhe u integruam mirë.

Flasshqip: Si do ta përshkruanit shoqërinë kanadeze?

Aurel Zaloshnja: Unë jam një njeri mjaft i hapur dhe i thjeshtë. Shoqëria këtu, ose si të thuash pjesa sociale, si në çdo vend tjetër të botës, zë një hapësirë mjaft të madhe në jetët tona. Shoqërinë kanadeze, flas këtu për frankofonët, anglofonët dhe komunitetet e tjera, do e përkufizoja si një relacion korrekt dhe brenda normave shoqërore moderne. Ndërsa për shoqërinë shqiptaro-kanadeze, do thoja që jam me fat që i kam sepse ata janë një familje e dytë për mua.

Flasshqip: Po e vërtetë. Na fol pak për punën tënde…

Aurel Zaloshnja: Në fillimet e mia këtu në Montreal, mbarova një kurs për kuzhinë çka me vitet në vazhdim pasoi me hapjen e restorantit tim të parë bashkë me vëllezërit e mi. Sfida nuk ishte e lehtë por gjithsesi e realizueshme. Më pas, pasuan dhe dy restorante të tjera, që me rezultatet e tyre isha gjithashtu shumë i kënaqur.

Në një mbrëmje vonë, në mënyrë krejt të rastësishme, teksa po ndiqja një dokumentar në lidhje me Real-estate vendosa t’i hyja studimeve drejt këtij profesioni. Në vitin 2005 mora diplomën e parë si konsulent imobiliar për shtëpi dhe biznese dhe fillova ta ushtroja këtë profesion, ndërkohë që punoja dhe në restorant.  Pas disa viteve të suksesshme në këtë fushë, vendosa të rrisja hapësirën e njohurive të mia me një diplomë tjetër, me specializim për imobiliarin dhe manaxhimin e kompanisë në të cilën sot jam dhe drejtues i 36 konsulentëve. Një pjesë e madhe e klientëve të mi vijnë nga komuniteti ynë në Montréal dhe Toronto.

Flasshqip: Dhe duhet thënë që klientët tuaj janë shumë të kënaqur me ju. Kemi parë përshtypjet në faqen e agjensisë dhe na është bërë zemra mal tek shihnim vlerësime prej 5 yjesh për shërbimet tuaja. Përveç kësaj kënaqësie që mendojmë se ndjeni nga puna, cila është kënaqësia më e madhe që keni marrë gjatë këtyre viteve pas ardhjes në Kanada?

Aurel Zaloshnja: Faleminderit për sa thoni! Gjithashtu i falenderoj nga zemra të gjithë klientët për vlerësimet sidomos, bashkëatdhetarët tanë. Sigurisht, kënaqësitë më të mëdha gjatë gjithë këtyre viteve janë familja ime, shoqëria dhe karriera profesionale.

Flasshqip: Aurel, si ka ndikuar emigracioni në raport me marrëdhëniet në familje, fis apo shoqëri?

Aurel Zaloshnja: Pjesëtarët e mi të familjes ndodhen të gjithë këtu, gjithashtu kam dhe një pjesë të kushërinjve të mi po këtu në Montreal. Marrëdhënia jonë është mjaft solide. Për sa i përket lidhjeve me fisin apo me shoqërinë që ndodhen në vise të tjera apo në Atdhe, mundohemi të ruajmë me aq sa kemi mundësi komunikimin nëpërmjet telefonit (dhe rrjeteve sociale) apo dhe me udhëtimet që bëjmë.

Flasshqip: Çfarë kujtimesh shqiptare ruani në shtëpinë tuaj?

Aurel Zaloshnja: Në shtëpinë tonë mbajmë të ruajtura me fanatizëm bluzë, kapele dhe shall me flamurin shqiptar. Gjithashtu dhe gjuhën shqipe.

Flasshqip: Si e vlerësoni komunitetin shqiptar në Montréal por edhe më gjerë?

Aurel Zaloshnja: Do thoja që idealja apo perfeksioni ekzistojnë vetëm si perceptim. Gjithmonë ka hapësira për përmirësime apo idera të reja. Ne jemi një popull punëtor dhe i disiplinuar mire, por ajo çfarë duhet të jetë më e theksuar (sipas mendimit tim) është ndjenja që të jemi akoma më të lidhur me njëri-tjetrin.

Flasshqip: A mendoni se shqiptarët në diasporë janë më të lirë në mendime se në atdhe?

Aurel Zaloshnja: Nuk e di! Mbase po, mbase dhe jo. Personalisht mendoj që çdo njeri është i lirë në mendimet dhe vendimet e tij, pa marrë parasysh vendin ku jeton.

Flasshqip: Vihet re që fëmijët e shqiptarëve që lindin në emigracion humbin pak nga pak gjuhën dhe traditat? Ç’mendoni për këtë?

Aurel Zaloshnja: Të them të drejtën, unë si baba i një vajze 22-vjeçare dhe një djali 20-vjeçar të lindur këtu në Montreal, pavarësisht përpjekjeve që kemi bërë që ata të ruajnë bazën e traditave dhe gjuhën shqipe (pavarësisht që të dy fëmijët e mi flasin shumë mirë shqip) do të thoja që këto elementë nuk zënë një rol parësor në jetën e tyre. Shkurt, me keqardhje do të thoja se një pjesë jo e vogël e fëmijëve tanë që lindin këtu po i humbasin pak nga pak traditat tona.

Flasshqip: Cila mund të jetë forma më e mirë e ruajtjes së kulturës shqiptare?

Aurel Zaloshnja: Format mund të jenë nga më të ndryshme si psh: ne si prindër duhet t’u japim shtysë kalamajve tanë drejt “Shkollës Shqipe” (ka vite që komuniteti ynë ka realizuar si projekt), t’i aktivizojmë sa më shumë me organizime festash, lojërash, pse jo dhe me udhëtime turistike drejt vendit tonë që mund të organizohen nga shoqatat tona, etj.

Flasshqip: Diçka tjetër që keni dëshirë ta ndani me lexuesit e Flasshqip…

Aurel Zaloshnja: Po, do kisha dëshirë të shtoja dhe diçka tjetër. Një falenderim për ju që mundësuat këtë intervistë të këndshme, dhe do doja gjithashtu të falenderoja familjen, shokët dhe gjithashtu komunitetin tonë që më kanë mbështetur përgjatë këtyre viteve. Ju jam shumë mirënjohës! Faleminderit nga zemra!

Korrik 2021

©Flasshqip.ca

Shënim!

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar më lart, sipër faqes, butonin “donate”. Faleminderit!

*Gjithashtu nëse dëshironi të bëheni pjesë e rubrikave tona, na shkruani në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo..