Komunitet

Kadri Sherifi, kandidati shqiptar i Projet Montréal: Qytetarët kanë nevojë për shërbime, jo për premtime!

Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Para pak ditësh publikuam në Flasshqip lajmin për kandidimin e një anëtari të mirënjohur të komunitetit shqiptar në Montréal, Kadri Sherifi, nën siglën e Projet Montréal të Kryetares së Bashkisë Valérie Plante, për postin e këshilltarit në minibashkinë Anjou, distrikti Anjou Centre. Theksuam që ky është rasti i dytë që një shqiptar kandidon në zgjedhjet lokale nën siglën e të njejtës forcë politike. Me fillimin zyrtar të fushatës për zgjedhjet lokale të 7 Nëntorit në provincën e Québec, janë publikuar dhe të dhënat përkatëse të kandidatëve në shumicën e website-ve të partive që konkurojnë në këto zgjedhje. Më poshtë po paraqesim të përkthyer nga Website i Projet Montréal biografinë zyrtare të kandidatit Kadri Sherifi si dhe një intervistë të drejtpërdrejtë që ne zhvilluam me të.

Kadri Sherifi ka kryer studimet universitare në ndërmjetësim multietnik (shefja e tij Valérie Plante ka kryer gjithashtu të njejtin program ), mësim i frëngjishtes si gjuhë e dytë dhe trajnim në vendin e punës. Studimet e tij në ciklin e dytë universitar kane qenë ne fushën e edukimit dhe trajnimin të të rriturve. Ai prej njëzet vitesh punon si funksionar i administratës provinciale për emigracionin dhe për disa periudha te caktuara ka qenë pedagog në programin e shitblerjes së pasurive të paluejtshme rezidenciale në Collège Canada dhe në Cégep André-Laurendeau.

Në vitin 1999 dhe 2000, puna e tij pranë refugjatëve kosovarë u pasqyrua edhe nga gazetarja e gazetës La Presse, Rima Elkouri, të cilën ai e shoqëroi rregullisht për një vit si përkthyes shqip-frëngjisht. Ky bashkëpunim ka vazhduar edhe më pas. (Kadri është autor i librit “Përkthyesi: komunikues apo transmetues, një  udhërëfyes praktik për përkthimin”, Éditions Nouvelles, Montreal, 1999). Në vitin 2009, ai bëhet pjestar i këshillit administrativ të Centre québécois P.E.N. International (organizatë kulturore) dhe drejtor, sëbashku me gjeografin, politikanin dhe shkrimtarin haitian, Georges Anglade. Në vijim të këtij angazhimi, Kadri bëhet edhe anëtar themelues i Qendrës Haitiane të P.E.N. International.

Ai ka bashkëpunuar shumë me komunitetin haitian edhe gjatë katastrofës së trishtueshme humanitare, tërmetit të vitit 2010, kur mori pjesë aktive në operacionin emergjent për riatdhesimin e shtetasve kanadezë nga Haiti dhe për vënien në funksionim të programit sponsorizues humanitar me kërkesë të diasporës haitiane. Kadri është magjepsur nga altruizmi i këtyre njerëzve. Në vitet 2015 dhe 2016, me të njëjtën ndjenjë solidariteti, Kadri ndihmoi edhe në pritjen dhe akomodimin e refugjatëve sirianë. Ai e njeh gjithashtu mirë komunitetin sirian si dhe kulturën e madhe dhe të bukur arabe në përgjithësi. Për këto kontribute, Kadri ka marrë vlerësimin dhe mirënjohjen e dy ministrave provincialë si dhe atë të koordinatorit qeveritar të sigurisë civile.

Kadri jeton në Anjou prej 15 vitesh. Ai e përshkruan këtë territor si paqësor dhe simpatik. Si kandidat i Projet Montréal, Kadri Sherifi është veçanërisht i interesuar për humbjet për shkak të pandemisë COVID 19 që kanë pësuar pronarët e banesave që krijojnë të ardhura nga dhënia me qira, për integrimin e të ardhurve si dhe për çështjet e kulturës.

Flasshqip: Le ta nisim me disa fjalë për Kosovën dhe vitet para se të emigronit në Kanada…

Kujtoj që i kam filluar studimet në gjuhe dhe letërsi frënge në Universitetin e Prishtinës, studime të cilat i vazhdova më pas në Montreal duke e modifikuar pak drejtimin. Zgjodha edukimin e të rriturve.  Në Kosovë më pëlqente teatri. Sa i përket politikës, apo konkretisht paraqitjes time si kandidat, e shoh atë si një rol në teatër. Nuk e konsideroj palën tjetër si armike, por si partenere të debatit demokratik. Meqë fola për teatrin, po e tregoj këtu një anekdotë, të cilën e kam dëgjuar nga ikona e teatrit në shqip, Kristë Berisha, me të cilin e bënim nganjëherë një copë rrugë në këmbë, sepse banonim në të njejtën zonë në Prishtinë, madje unë pak më larg, në dalje të qytetit atëherë. Është anekdota me buburrecët.   Një shkencëtar i vëzhgonte disa buburrecë duke përparuar në rrugën e tyre drejt një caku. Shumica ecnin drejt, me kokëfortësi, pa shikuar as majtas, as djathtas. Disa prej tyre e linin turmën dhe aventuroheshin jashtë kolonës e ktheheshin prapë në rrugëtim. Shkencetari i ngjyrosi buburrecët “jo normalë” apo që  aventuroheshin dhe i hoqi nga turma.  Me heqjen e tyre, kolona  u shua. Ata që aventuroheshin, sillnin atë për të cilën kishte nevojë kolona...

Flasshqip: Interesante kjo nisje e bisedës me disa mesazhe të qarta... po si rrodhën ngjarjet deri tek kandidimi në emër të Projet Montréal dhe cilat janë motivet që ju nxitën të angazhohesh drejtpërdrejt në një fushatë politike lokale?

Kadri Sherifi: Që në fillim të ardhjes në Kanada, ende pa e marrë nënshtetësinë, kam qenë i lidhur me shërbimet lokale. U regjistrova në një program një vjeçar çertifikate të ciklit të parë universitar në fushën e ndërmjetësimit në mjedisin multietnik (të njejtin program e ka bërë më vonë edhe shefja ime Valérie Plante). Shumicën e kurseve i kam ndjekur në një kohë me bashkatdhetarin Laze Leskaj, të cilin e njohin të gjithë në Montréal, sepse ka ushtruar disa detyra me përgjegjësi të lartë në sektorin komunitar të qytetit. Në atë program kishte edhe shumë drejtues të forcave të rendit publik lokal. Dalloheshin veçanërisht gjate festave, kur vishnin uniformën e hekurosur në mënyre perfekte mbi të cilën shiheshin dhe gradat. Në kursin e një profesoreshe (e cila tani është gjykatëse në Komisionin e refugjatëve) një kapitull e mbulonte përkthimin dhe problematikën e intervistave të vështira me ndërmjetesues. Në atë kohë, nuk kishte thuajse asgje në atë fushë dhe kërkohej një zgjidhje urgjente. Më duket se profesoresha më “kallëzoi” tek institucionet përkatëse, duke thënë se mund të jepja kontribut në atë drejtim. Kështu, pata përgatitur dhe nje projekt për administraten lokale, me titull “L’interprète: communicateur ou transmetteur?” (Përkthyesi: kumunikues apo transmetues?), i vlefshëm për një trajnim njëditor. Nga ai projekt trajnimi, doli më vonë dhe libri me të njëjtin titull. Laze Leskaj ishte ai që drejtoi promovimin e këtij libri udhërrëfyes në një librari në Côte-des-Neiges, promovim ku morën pjesë edhe disa bashkatdhetarë të tjerë. Disa anëtarë të shoqatës se ish-studentëve të programit në fjalë dhe të një vëllazërie të oficerëve të ruajtjes së rendit publik në nivel lokal në bashkëpunim me komunitetet kulturore, ku bëja pjesë, më ftuan dhe më bindën të marr pjesë në këtë grupim politik.  

Flasshqip: Duket pra se ka qenë një rrugëtim i nisur prej kohësh nëse mund të themi kështu dhe që konkludoi në një angazhim konkret. Për të vazhduar më tej, shkurtimisht a mund të na thoni çfarë përfaqëson si alternativë Projet Montréal në këto zgjedhje?

Kadri Sherifi: Projet Montréal është një organizatë politike lokale inkluzive, për ruajtjen e ambientit dhe sidomos moslejimin e shitjes së ambienteve të gjelbra promotorëve të ndërtesave të luksit. Mendoj se ashtu si nuk shiten mushkërite e njeriut për para, nuk shiten as parqet dhe ambientet e gjelbra (mushkëritë e qytetit) për para. Gjithashtu, kryetarja e bashkisë Valérie Plante, ka punuar me transparencë për mirëqënien e të gjithë banorëve të Montréal-it. Me plot gojë mund të thuhet se Projet Montréal është partia më inkluzive në të gjitha nivelet, në gjithë historinë e qytetit.

Flasshqip: Dhe cilat janë sfidat në veçanti për fushatën në Arrondissement Anjou ku ju kandidoni për këshilltar?

Kadri Sherifi: Ardhja në Anjou e kryetares Valérie Plante për të zyrtarizuar ekipin ku unë bëj pjesë, ishte njëherazi dhe një mesazh për mbrojtjen e hapësirave të gjelbra. Kjo minibashki i tërheq promotorët  të cilët ndihmojnë fushatën e partisë kundërshtare të kandidatit për kryetar të minibashkisë, Luis Miranda, i cili ka deklaruar dhe një koalicion të çuditshëm me Denis Coderre, me një kontratë e cila merr fund në 7 Nëntor. Pas zgjedhjeve, nëse fiton ekipi kundërshëtar, kjo pjesë e qytetit do të mbetet e izoluar, ndërkohë që Coderre ishte shprehur më herët kundër ketij izolimi?! Ja pse janë qytetarët cinikë me politikanët!

Flasshqip: Po ju vetë si e keni organizuar fushatën dhe a ka vullnetarë edhe nga komuniteti shqiptar në ekipin tuaj?

Kadri Sherifi: Fushata është e ndihmuar nga qendra por edhe nga kandidatja për kryetare e minibashkise, Kettly Beauregard, e cila ka një përvojë të gjatë si e zgjedhur dhe ka mbuluar në këshillin bashkiak të Montréal problemet e sigurisë publike. Sa i përket komunitetit shqiptar, ndihma më e madhe për mua dhe për të gjithë, është fakti se kemi një komunitet të qetë, të mirëintegruar dhe me një reputacion të mrekullueshem.  Kur e do puna, jam i afërt me bashkatdhetarët, kur e do puna, rri pak anash dhe e ruaj neutralitetit. Të gjithë e dinë (bota është e vogël) se kam qenë ndërmjetsues në të gjitha bashkëpunimet ndërmjet provincës frankofone të Kanadasë dhe shteteve ku jetojnë shqiptarë, sidomos për njohjen e diplomave. Për t’u përgjigjur më saktësisht për pjesën e dytë të pyetjes, disa bashkatdhetarë kanë dhënë tashmë kontributin e tyre, siç i ftova ta bënin konform rregullave në një postim në shqip në rrjetin social Facebook dhe për këtë i falenderoj veçanërisht. Nuk mund të rri pa u shprehur që jam shumë krenar për komunitetin shqiptar të Montréal-it.

Flasshqip: Kadri, cili është mesazhi juaj personal që do përpiqeni të përcillni tek qytetarët gjatë kësaj sfide zgjedhore?

Kadri Sherifi: Po e kuptoj çdo ditë e më shumë se në nivelin lokal, qytetarët kanë më shumë nevojë për shërbime se sa për premtime. Nuk kanë nevojë t’ua tregosh biografinë, por t’i bindësh se do i dëgjosh nevojat e tyre e do i mbrosh interesat e tyre në minibashki. Ne si grupim politik kemi një avantazh në raport me kryetarin në detyrë, se ndryshe nga ai, do t’i mbrojmë interesat e tyre jo vetëm në minibashki, por në raport edhe me gjithë familjen më të gjerë të Montréal-it. Personalisht, përpiqem t’u shpjegoj qytetarëve që zgjedhjet lokale janë më të rëndesishmet, sepse vendimet që merren në nivel lokal i prekin interesat e tyre shumë nga afër. Përpiqem gjithashtu t’i bind se do të jem në shërbimin e tyre me përkushtim dhe transparencë. Ky është aktiviteti im deri më 7 Nëntor. Pastaj, nëse zgjidhem, duhet t’i përvesh mëngët!

Flasshqip: Nisur pra nga pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet lokale, a mendoni se qytetarët janë mjaftueshëm të interesuar për politikat lokale?

Kadri Sherifi: Me sa kam parë, edhe janë. Ne kandidatet i takojmë qytetarët të shoqëruar nga vullnetarë, të cilët e masin pulsin e tyre çdo ditë. Në kuadër të fushatës komunikova edhe me një grup prindërish me një kërkesë të veçantë  për një terren futbolli. Një mbremje dola (nga ajo kolona e buburrecave, nga rutina...) dhe shkova si qytetar në aktivitetin e tyre. Të pranishmit kishin histori të ndryshme. U bisedua me pasion edhe për kalicionin Luis Miranda-Denis Coderre. U shprehën teori e versione të ndryshme. U krijuan dhe barcoleta e karikatura... Për të mos dalë nga tema, po t’i analizosh zgjedhjet e kaluara, konstaton se një numer i vogël qytetarësh votojnë në zgjedhjet lokale. Personalisht, e kam zhvilluar një teknikë dëgjimi kur jepja mësim në kolegj në programin për pasuritë e paluejtshme (mënyra më e mirë ta mësosh një lënde është të jesh mësues i saj më duket). Kështu që me të njejtën mëtodë, po përpiqem t’i dëgjoj banorët e distriktit dhe të mbaj shënim të gjitha idetë dhe kërkesat e tyre.

Flasshqip: Sipas jush, cilët janë avantazhet e programit të ekipit Plante në raport me programin e ekipit Coderre, që kërkon të rikthehet pas humbi para 4 vitesh?

Kadri Sherifi: Valérie Plante e lidh minibashkine me qytetin e madh. Ky është avantazh. Denis Coderre e ka braktisur minibashkinë dhe e ka lënë në duart e kandidatit për kryetar në ikje Luis Miranda. I kam dëgjuar shumë qytetarë duke u shprehur lirshëm dhe që janë të vetëdijshëm se Coderre i ka lënë mënjanë dhe se Luis Miranda është një “mini-Coderre”. Në këtë kontekst mund të bëhen edhe disa pyetje: Pse një kandidat për kryetar të qytetit, i jep kundërshtarit të tij të deritanishem 5 vende (gati 5% të vendeve potenciale) që mund t’i fitonte vetë dhe që janë të rëndësishëm për të? Po kështu, si mund t’i thuash tjetrit “po ta lë hapur fushën të fitosh, por pas 7 Nëntorit, nuk ke më koalicion me mua”!? A janë qytetarët e kësaj pjese të Montréal-it monedhë e ndonjë këmbimi jo transparent? Gjykojeni vetë situatën  me gjakftohtësi dhe neutralitet është mendimi i ekipit tonë.

Flasshqip: Kadri, në përfundim të kësaj bisede rreth një ngjarjeje jo të zakonshme për komunitetin shqiptar, a keni diçka tjetër që keni dëshirë ta ndani sot me lexuesit e Flasshqip?

Kadri Sherifi: Nuk mund të lë pa përmendur në këtë bisedë edhe bashkatdhetaren Anila Eridi, e cila i është i është bashkuar Projet Montréal qysh para 4 vitesh kur kandidoi në minibashkinë LaSalle. Ajo vazhdon te jetë anëtare dhe ka funksione të rëndësishme në këtë grupimin politik dhe gjithashtu punon edhe në administratën vendore. Kur e takova para pak ditësh, me la përshtypje shumë të mira si njeri. Në sallën ku ishim mbledhur, ajo ishte në radhën e parë dhe bënte gjithmonë ndërhyrje me vend e të formuluara bukur. Më pas u takuam dhe ma nënshkroi kandidaturën. Flisnim frengjisht (për respekt) në prezencën e të tjerëve dhe shqip ndërmjet nesh. Një nga drejtuesit e organizatës më pyeti se si njiheshim. Kur e mësoi se kishim të njejtën gjuhë amëtare të përbashkët me deklaroi: “Nga sot do themi që Kadri e flet të njëjtën gjuhë amëtare si Anila” dhe kjo gjë më bëri që ta ndiej veten akoma më mirë në familjen e madhe Projet Montréal-Équipe Valérie Plante. Edhe unë do përpiqem të jem një ambasador i mirë, si Anila Erindi, në mënyrë që kur të ketë kandidatë të ardhshëm shqiptarë në këtë parti, ta ndiejnë edhe ata veten mirë.

Flasshqip: I dashur Kadri, ju falenderojmë për bisedën interesante dhe ju urojmë fitore në zgjedhjet e 7 Nëntorit!

25 Shtator 2021

©Flasshqip.ca

Më poshtë link-u i Projet Montréal për kandidatin Kadri Sherifi:

https://projetmontreal.org/equipe/kadri-sh%C3%A9rifi