Komunitet

Suksesi qëndron te dashuria! Lorida Hysenbegas Hali, artistja shqiptare në Toronto

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Jeta Dedja

Nuk ndodh çdo ditë të dëgjojmë histori dashurie si kjo e Loridës dhe Gentit, dy artistëve të artit figurativ që janë njohur në adoleshencën e hershme në atelienë e një piktori në Tiranë. Jeta e deshi që rruga e tyre e edukimit të merrte të njëjtin drejtim, dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Ata u dashuruan dhe lidhja i rezistoi çdo pengese që jeta i nxirrte për sprovë.  Lorida Hysenbegas Hali dhe Genti Hali sot jetojnë në Toronto, bashkë me dy fëmijët e tyre të mrekullueshëm Lorgen dhe Alba.  

Ata janë të njohur sidomos për komunitetin shqiptar në Toronto përmes Studios së tyre fotografike “Lgh Art Photography & Media”. Në klientelën e tyre nuk ka vetëm shqiptarë, por edhe mjaft italianë, portugezë e kanadezë të tjerë. Lori dhe Genti i hodhën hapat e parë të artit në Shqipëri, u formuan në Itali dhe u rritën profesionalisht në Kanada. Sot, pas rrugëtimit të krijimit të tyre artistik, ata artin e bëjnë të prekshëm përmes fotografive. “Ne lumturohemi kur fiksojmë me anë të aparatit fotografik momente kuptimplotë të rëndësishme për njerëzit që festojnë apo përkujtojnë diçka, kujtime që do t’iu mbeten atyre gjithë jetën”-shprehet Lorida Hysenbegas Hali, artistja që ka treguar për FlasShqip historinë e jetës së saj.

Flasshqip do donte që historia e tyre e dashurisë, e punës, familjes dhe përditshmërisë së Loridës dhe Gentit të ndahej me lexuesit që vlerësojnë dhe frymëzohen prej të vërtetave të thjeshta jetësore. Në fund të fundit e bukura e jetës qëndron tek e vërteta.

Lorida, na trego pak për fillesat e lidhjes tënde me Gentin?

Lorida H. Hali: Unë me Gentin jemi takuar për herë të parë në atelienë e piktorit Hiqmet Agolli, në moshën 13-14 vjeçare, ku Genti ishte nxënës i piktorit ndërsa unë po shkoja me mamin ti tregoja punët, që të më vlerësonte nëse vlenin për të vazhduar më tej rrugën e artit apo jo.

Kuptohet që ky takim nuk pati asnjë rëndësi të veçantë për mua dhe Gentin, pasi ishim shumë të vegjël, por çuditërisht të dyve na kishte mbetur në kujtesë. Kur fituam konkursin e hyrjes në Liceun Artistik “Jordan Misja” ne qëlluam në të njëjtën klasë. Në Lice ne studionim të dy në degën Vizatim – Pikturë, por unë isha me specialitet Fotografi Artistike kurse Genti me specialitet Skenografi. Në vitin e tretë të liceut i shprehëm dashurinë njëri – tjetrit. Dashuria jonë erdhi gjithmonë duke u shtuar dhe ishim çifti i vetëm që u lidhëm në klasë dhe që i mbijetuam kohës. Pas mbarimit të Liceut të dy fituam konkursin për pranim në Akademinë e Arteve ku kryem vetëm 1 vit pasi vendosëm të shkonim në Firence të Italisë për të vazhduar studimet tona në Accademia di Belle Arti di Firenze për pikturë e art. Ishte viti 1997.

Pse zgjodhët Firencen?

Lorida H. Hali: Përzgjedhja e Firences nuk ishte një rastësi. Duke u nisur nga historia e artit ne e dinim që në Firence ka një traditë të shkëlqyer në arte. E dinim që aty gjendej Galeria e famshme e Uffizi-t, Kupola e Brunelleschi-t, Davidi i Michelangelo-s, etj. Firence nuk ishte vetëm një shkollë pikture dhe arti për ne, por dhe jete. Në Firence ishte pikërisht vendi ku pa asnjë dyshim dinim që do e lidhnim jetën sëbashku.

Dhe e lidhët aty…?

Lorida H. Hali: Meqënëse vëllai i Gentit dhe vëllai im jetonin në Kanada dhe nisur nga fakti se Italia nuk ofron shumë kur je i huaj menduam që zgjidhja më e mirë për të nisur jetën bashkëshortore do të ishte Kanadaja.

Si do ta realizonit këtë? Kishit një plan?

Lorida H. Hali: Po në fakt. Plani jonë ishte që të kërkonim suportin e vëllezërve reciprokë në Kanada. Vëllai i Gentit filloi dokumentat për bashkim familjar, ndërsa unë me anë të vëllait tim aplikova dhe fitova të drejtën të vija në Kanada si International Student pranë shkollës së njohur “International Academy of Design and Technology of Toronto” në degën e Fashion Design, që ka qënë gjithmonë një nga ëndrrat e mia. Dokumentat m’u bënë menjëherë, kurse dokumentat e Gentit po zvarriteshin. Në Qershor të 2000 unë erdha në Toronto me shpresën se shumë shpejt do të vinte edhe Genti, por fatkeqësisht nuk ndodhi ashtu.

Pse, çfarë ndodhi?

Lorida H. Hali: Pasi kaloi ca kohë aq sa unë mbarova shkollën dhe bëra edhe 1 vit punë, morëm përgjigjen nga zyra e Emigracionit, se Gentit iu refuzua kërkesa për bashkim familjar me vëllain. Si rrjedhojë, në vitin 2003 unë vendos të kthehem në Firence për të celebruar martesën time me Gentin.

Sa kohë qëndruat larg njëri-tjetrit ndërkohë që ishit në proces dokumentesh?

Lorida H. Hali: Dashuria jonë kaloi një sprovë shumë të fortë por kjo edhe më shumë vërtetoi që ne të dy ishim bërë plotësisht për njëri-tjetrin, ne ndejtëm larg duke komunikuar vetëm me telefon e email për 2 vjet, 10 muaj e 11 ditë. Edhe pse me dhimbje e shumë vështirësi dashuria e vërtetë triumfoi e për këtë ne të dy jemi shumë të lumtur. Që prej vitit 2004 kur Genti erdhi në Toronto ne krijuam familjen tonë.

Na trego pak për familjen?

Lorida H. Hali: Ne jemi prindër të dy fëmijëve, një djali e një vajze (Lorgen dhe Alba). Fëmijët tanë, edhe pse janë të lindur në Kanada, e flasin shumë mirë shqipen dhe ne krenohemi me ta. Lorgen, djali edhe lexon shumë mirë shqip. Në familjen tonë është rregull që flasim vetëm shqip me njëri – tjetrin. Fëmijët dinë shumë për Shqipërinë, për historinë, kulturën dhe zakonet. Ata e duan shumë Shqipërinë dhe prezantohen kudo si Shqiptarë. Kur e vizituan për herë të parë u mrekulluan nga Shqipëria dhe të dy donin të jetonin aty.

Si i keni ndarë rolet në familje?

Lorida H. Hali: Rolet në familje janë si në një familje të mirëfilltë shqiptare, i kemi mbajtur njëlloj si kanë qenë edhe në familjet tona. Jemi me fat pasi familja jonë është një familje e lidhur fort me një dashuri dhe respekt reciprok. Fëmijët tanë e dinë sa shumë dashuri ka midis meje e Gentit dhe gjithashtu e dinë se çfarë dashurie të tejskajshme ka për ta nga ne të dy.

Çfarë bëni në kohën e lirë?

Lorida H. Hali: Koha jonë e lirë mbushet me eksplorime të vendeve të ndryshme ku ne të katërt, secili me kamerën e vet bëjmë foto të gjërave që na tërheqin. Kur na shohin është një gjë e bukur sepse sheh 2 të rritur e 2 fëmijë në eksplorim e fokusim tek e bukura. Fëmijët të dy kanë trashëguar talentin në vizatim e pikturë por edhe kanë shumë qejf fotografinë. Ne jemi gjithmonë të katërt. Kuptohet kjo është koha e lirë nqs nuk jemi me prindërit e mi apo të Gentit apo me familjen në përgjithësi. Ne jemi me fat pasi si unë ashtu edhe Genti gjithë familjen e ngushtë e kemi këtu në Kanada.

Meqënëse i paskeni familjarët këtu, a ju merr malli për Shqipërinë?

Lorida H. Hali: Megjithëse jemi larg Tiranës, Shqipërinë e kemi gjithmonë në mendje e zemër, dashurinë për të ua kami rrënjosur edhe fëmijëve të tane. Nuk ka si Shqipëria. Është një fat i madh që ne jemi Shqipëtarë, jemi pasardhës të një nga kombeve më të lashta të botës, jemi pasardhës të një kombi që i ka dhënë kulturë e dituri Europës kjo na bën të jemi shumë të veçantë e me shumë vlera që na bëjnë të mbajmë kokën lart kudo që jetojmë. Është pikërisht Shqipëria që na frymëzon në art, në kulturën që pasqyrojmë kudo, në sjellje, etj. Është shumë e rëndësishme të theksohet se ne kemi ikur nga Shqipëria kur unë isha 19 vjeç e Genti 20 vjeç por ne nuk ikëm sepse nuk duam Shqipërinë ne ikëm pasi fatkeqësisht në vendin tonë nuk na ofroheshin alternativa shkollimi, punësimi e edhe jetese siç na ofrohen këtu në Kanada. Pra dashuria për atdheun është po ajo që ka qenë në mos edhe më e madhe tani por duke menduar për një jetesë më të mirë jemi detyruar të jetojmë larg atdheut. Megjthatë nqs Shqipëria bëhet si vendet e tjera të zhvilluara ne jemi të parët që kthehemi.

Si familje artistësh që jeni, çfarë dekorimesh apo kujtime shqiptare keni në shtëpi?

Lorida H. Hali: Shtëpia jonë ka shumë skulptura, relieve, kukulla dhe zbukurime Shqiptare. Gjithashtu biblioteka e fëmijëvë është e mbushur me libra në shqip, si të vjetër ashtu edhe botime të reja.

Le të flasim për punën tani. Pasi mbarove studimet pranë akademisë me rezultate maksimale dhe fitove titullin “Fashion Designer” (“Stiliste Mode”) çfarë bëre?

Lorida H. Hali: Fillova menjëherë punë në kompaninë e madhe Ash City si asistente stiliste në departamentin e dizajnit, ku vazhdova të punoj për pesë vjet me radhë. Më pas si Asistente Menaxhere dhe Konsulente Mode për Nuse (Asssistant Manager and Bridal Consultant) në Becker’s Bridal & Formal (Butiku i famshëm “landmark” i Torontos qysh në vitin 1943). Atje bashkëpunova ngushtë me stilisten me emër (për nuse) znj. Barbara Allin. Në vitin 2008, unë dhe Genti hapëm studion tonë profesionale të fotografisë “Lgh Art Photography & Media”.

Fantastike! Këtu dua të ndalemi pak më gjatë. Portali ynë bashkëpunon regullisht me Studion LgH Art dhe ne e njohim e vlerësojmë punën tuaj. Por na trego pak për lexuesit tanë mbi ekspozitat dhe eventet ku ju angazhoheni qoftë përmes kontratave por edhe përmes vullnetarizmave komunitare.

Lorida H. Hali: Faleminderit! Unë dhe Genti kemi qenë dhe jemi fotoreporterët e gazetës se vetme shqiptare të Torontos, “Flas Shqip”, që në numrin e saj të parë e deri më sot që tashmë është kthyer në portal për të gjithë shqiptarët e Kanadasë dhe quhet FlasShqip.ca

Që prej vitit 2012, ne kemi marrë pjesë në “Ekspozitën e Arteve Figurative Shqiptare në Toronto”, organizuar me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarsësisë ku ekspozuam punime tona në grafikë dhe fotografi artistike. Në vitin 2014 unë hapa Ekspozitën Vetjake të Fotografisë Artistike, në të cilën paraqita një varg punimesh të mia dhe për to u dhanë vlerësime të larta nga artistë shqiptarë dhe kanadezë.

Sa i përket pjesëmarrjes në aktivitete, jemi fotografët kryesore tek “The Karebear Community Charity Gala” mbajtur më 3 maj 2018, që është një event madhështor për bamirësi ku marrin pjesë Stiliste Mode, këngëtari Sean Jones e shumë e shumë njerëz të rëndësishëm në botën e modës e shfaqjeve.

Përpara shfaqjes së modës të stilisteve më të njohur në Kanada, Hendrixroe. Të gjithë modeleve ju janë bërë sesione fotografike nga LgH studio

Gjithashtu që prej Nëntor 2015 e deri në Nëntor 2017 kemi paraqitur me anë të fotografive festimet madhështore brënda ndërtesës së Parlamentit të Ontarios për miratimin nga ai Parlament të “Ligjit të Trashëgimisë” sipas të cilit muaji Nëntor u shpall “Muaji i Trashëgimisë Shqiptare”. Për më tepër, studioja jonë ka fotografuar Manifestimin paqësor që u mbajt para ndërtesës së Parlamentit të Ontarios për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve etnikë të Maqedonisë.

Dhe ëmbëlsirën për në fund, prej 2013 studioja jonë ka sponsorizuar me anë të fotografimit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, Shfaqjen e Fëmijëve të Talentuar Shqiptarë në rrugën Marlee, (“Marlee’s Got Talent Children Show”). Ky është një spektakël që paraqet përmes fëmijëve të talentuar vlera të kulturës së bukur shqiptare.

 Në gjithë këto aktivitetet që besoj se kanë ngarkesë, si i keni ndarë rolet apo detyrat ti me Gentin?

Lorida H. Hali: Genti është fotografi kryesor i studios tonë dhe unë jam gjithmonë Asistentja Artistike që e ndihmoj apo asistoj gjatë sesioneve fotografike. Kurse në evente apo shfaqje jemi të dy njëlloj.  Genti është i specializuar dhe me shumë experiencë në portrete mode dhe fotografi mode, portrete për aktorë, artistë, etj. Ne kemi website tonë që është: www.lghartphotography.com gjithashtu kemi edhe faqe Facebooku që është publike Lgh Art Photography dhe faqe Instagrami: lgh.art.photography

Foto nga koleksioni Hendrixroe

Kush i bën fotot më të bukura? Jeni xhelozë për njëri-tjetrin në aspektin profesional?

Lorida H. Hali: Unë me Gentin kemi stile komplet të ndryshme për sa i përket pikturës dhe fotografisë. Në pikturë e vizatim unë jam realiste dhe surealiste kurse Genti vizaton e pikturon nën ndikimin e Fovizmit dhe abstraksionit. Kurse në fotografi Genti është realist e unë jam abstrakte dhe surealiste. Ne punojmë sëbashku dhe edhe pse kemi mënyra të ndryshme shprehjeje artistike, ne ndihmojmë apo plotësojmë njëri – tjetrin. Midis nesh nuk ka asnjë lloj xhelozie përkundrazi ka admirim të ndërsjelltë. Të dy vlerësojmë pa masë punën e njëri-tjetrit.

***

Genti Hali ka punuar si “Stills photographer” dhe “EPK” (“Fotograf dhe vidiograf “behind the scens”), po ashtu edhe si kameraman në filmat hollivudianë “The Christmas Switch”, “Route 68 Motel”, “Wishes Come True”, “Bloodslinger” etj (me aktorë të famshëm si Natasha Henstridge, Brian Krause, Rober Miano, Cedric Smith etj) ku ka bashkëpunuar ngushtë me regjizorin e famshëm z.Paul Lynch. Genti gjithashtu është Official Photographer i Miss Globe që në vitin 2015.

Miss Globe 2017 official photoshoot

Genti dhe Lorida kanë fotografuar plot personazhe të famshëm nga Hollywood-I si:  Natasha Henstridge, Brian Krause, Rober Miano, Armand Assante, Esai Morales, Cedric Smith, George Buza, Krista Bridges, Carmen Dell Orefice etj. Gjithashtu edhe personazhe të famshëm shqiptarë si: Inva Mula, Merita Halili, Ermira Babaliun, etj.

                                                        Aktorja Natasha Henstridge e fotografuar nga Genti Hali

Gjithashtu ata janë përzgjedhur të fotografojnë veshjet e modës të një prej Stilisteve më në zë në Kanada (hot fashion house) që është Hendrixroe. Dhe kanë një kontratë për të fotografuar linjën e re të veshjeve intime “Inner Balance Wear”.

***

Jam kurioze, a vlerësohet puna e fotografit sot, duke patur parasysh që ka një mendësi të krijuar nga teknologjia e avancuar, se çdokush mund të fotografojë, mjafton një celular në dorë?

Lorida H. Hali: Puna në studion tonë fotografike na mbush vërtetë shpirtërisht, por nuk është e lehtë të mundohesh të fotografosh, kompozosh, drejtosh dhe më pas përpunosh fotografi si të modeleve, misseve, aktorëve apo njerëzve të thjeshtë. Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë sa shumë punë e mendim shkon për çdo fotografi që të mund të jetë vërtetë në standardet më të larta artistike. Përveç që çdo set fotografik shkon diku tek 2 deri në 3 orë pas tij janë orë të tëra pune të përzgjedhjes së fotove e më pas përpunimi artistik i secilës që merr ditë të tëra. Fatkeqësisht fotografet nuk vlerësohen aq sa duhet nga komuniteti jonë por komunitetet e tjera kanadeze e dinë që fotografia është art dhe e vlerësojnë.

Që puna jonë të jetë në lartësinë apo standardin më të lartë botëror ne vazhdimisht marrim kurse për të perfeksionuar anën teknike por edhe për të qenë gjithmonë në korrent të mënyrave më të reja të përpunimit dhe përdorimit të Photoshop, Lightroom e programeve të tjera për fotografinë.

Së fundi, a ka patur ndonjë moment që jeni bërë pishman për zgjidhjen që i keni dhënë jetës përmes emigrimit?

Lorida H. Hali: Nuk jam bërë pishman pasi jeta jonë këtu është vërtetë shumë më e sigurt dhe të jep shumë mundësi që ëndrrat apo pasionet ti vesh në jetë, duke punuar; pra vlerësohet puna dhe jo kë njeh. Por kemi një dhimbje në zemër kur mendojmë që do ishte një mrekulli që gjithçka që na ofrohet këtu do të ishte shumë bukur sikur të na ishte ofruar në vendin tonë e të mos kishim dashur të emigronim. Kur jeton në vendin tënd flet gjuhën tënde dhe nuk ke nevojë të prezantohesh kudo. Në vendin tënd “rëndon” plotësisht në mënyrë natyrale, por ky ishte fati i brezit tonë fatkeqësisht që të shpërndahemi nëpër botë e të japim vlerat tona në vende të huaja.

 

Flasshqip falenderon Loridën për gjithë sa ndau me ne, duke i uruar plot suksese të mëtejshme në projektet e afërme e ato afatgjata!

 

©FlasShqip.ca

  Maj 2018