Në Vancouver anës Paqësorit, duke kujtuar Shqipërinë - Nga Tritan Kalo
- Published in Komunitet
Vancouver është qyteti më i madh i provincës British Columbia në bregun e Oqeanit Paqësor në Kanada. Qytet mjaft i bukur dhe plot variacione në shtrirjen dhe arkitekturën e tij. Përpos agrumeve, këtu klima e bën të mundshme që të rritet gjithshçka si në Shqipëri.
Plazhi publik është arësyeja thelbësore e këtij reflektimi të sotëm pas një shëtitje rrugëve të tij.
Në cilin model të menaxhimit të bregut të detit/oqeanit/liqenit apo lumit janë bazuar myteberët qeverisës të Demon-Kracisë në Shqipëri, që e lanë në duart e privatëve (më saktë të pushtuesve) menaxhimin e rërës së vijës sonë bregdetare?
Këtu çdo metër katror siperfaqe rëre buzë oqeanit (liqeneve apo lumenjve) është publike. Jemi në një nga shtatë fuqitë më të mëdha ekonomike të Botës, me standarte jetese ku e ku më të larta se tonat, por ku bukuritë dhe pasuritë natyrore të vëndit u përkasin të gjithëve dhe jo vetëm një “tufe arrieriste ish-brekëgrisurish” apo “ardhanakësh” në viset e pabanuara ose të pronësuara prej tyre para 1945 ose 1990…
Këtu edhe një meter të vetëm katror nuk mundesh ta bësh tëndin pa e parapaguar atë ligjërisht, bregun e rërës jo që jo, sepse ai u përket të gjithëve. Publiku i këtushëm do të qeshte me të madhe si në një grup skulpturor në këtë foto më lart, nëse do të dëgjonte për “tokën e xanun” ose për “plazhet e privatizuara” si në Shqipëri…
Mjetet motorike ujore për sigurinë e plotë të pushuesve lëvizin tutje në horizont…
Quo vadis Shqipëria ime e këndej Drinit?