Ramazan Këllezi dhe “Shqiponjat e vogla” të Torontos që fluturojnë lart
- Published in Komunitet
- Nga: Taulant Dedja
Që në krye të herës, dua t’ua bëj me dije lexuesve, që titulli i këtij shkrimi nuk ka kurrëfarë lidhje dhe nuk e ka marrë nxitjen nga ndonjë titull poeme të njohur për brezin tone që nga koha e Realizmit Socialist. Dihet që shqiponja është simbol i disa kombeve, mes të cilëve dhe ne shqiptarët. Përfaqëson idetë e bukurisë, forcës dhe prestigjit. Shqiponja, mbretëresha e shpendëve është e aftë të fluturojë mbi re dhe të shikojë diellin, ndaj dhe konsiderohet botërisht si një simbol qiellor dhe një simbol diellor. Identifikimi i saj me diellin, burimin dhe rrezatimin e dritës, është thelbësor edhe për amerindianët, autoktonët e kontinentit ku sot ndodhen SHBA dhe Kanadaja, popuj të cilët, duke bartur në kokë pendët e shqiponjës, identifikohen me këtë rrezatim. Ndaj për këtë arsye mendoj që Ramazan Këllezi, shoku dhe kolegu im i Institutit të Lartë të Arteve, por jo vetëm, ka bërë një zgjedhje të shkëlqyer dhe shumë kuptimplotë, kur para 11 vitesh, grupit të valleve që themeloi në Toronto, i vuri emrin “Shqiponjat e vogla”.
Nuk besoj se ka shqiptar në Kanada, aktiv në jetën komunitare dhe në rrjetet ku komunikojmë rregullisht, që të mos ketë dëgjuar për valltaret dhe valltarët e quajtur “Shqiponjat e vogla”. Tashmë grupi e ka të konsoliduar identitetin e vet dhe ka marrë statusin e një institucioni që ruan e promovon traditën kulturore shqiptare, jo vetëm mes nesh si komunitet relativish i ri imigrantësh, por edhe në Kanadanë multikulturore dhe para institucioneve të saj shtetërore. Personalisht, e besoj dhe shume e shumë si unë, e kujtojnë gjithmonë performancën mbresëlënëse të vajzave dhe djemve që me fluturim shqiponje e ndezën atmosferën me tingujt dhe kërcimin spektakolar të valles së Tropojës, një një Air Canada Center të mbushur plot e përplot me sportdashës që ndiqnin një ndeshje të NBA. Kanë qenë emocione të papërsëritshme…
Sigurisht, për emrin që ka krijuar sot grupi “Shqiponjat e vogla”, përveç angazhimit të fëmijëve e të rinjve shqiptarë dhe mbështetjes së prindërve të tyre (ata janë të parët që përmend drejtuesi dhe themeluesi i grupit), suksesi dhe meritat i takojnë në radhë të parë koreografit të mirënjohur Ramazan Këllezi, që me profesionalizmin dhe pasionin e tij të veçantë, ia arriti të kultivojë pasionin për vallet dhe folklorin e mrekullueshëm shqiptar tek fëmijët e të rinjtë, një pjesë e të cilëve kanë lindur këtu, por që gjithashtu, përveç anglishtes flasin edhe shqip, vallëzojnë shqip e veshin me krenari edhe kostumet e bukura kombëtare shqiptare.
Ramazan Këllezi e krijoi grupin e valleve “Shqiponjat e Vogla” në vitin 2011 dhe grupi performoi për herë të parë në publik po atë vit në Festën e Pavaresisë së organizuar në Toronto nga Shoqata Shqiptaro-Kanadeze. Duke iu atashuar aktivitetit të kësaj shoqate, vit pas viti “Shqiponjat e vogla” e konsoliduan identitetin përmes prezencës në aktivitete multikulturore si dhe në organizime të ndryshme nga institucione shtetërore të Ontarios apo nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada. Në repertorin e pasur të “Shqiponjave të vogla” numërohen valle të krahinave të ndryshme si Tiranës, Korçës, Tropojës, Dibrës, Rugovës, valle me motive të Jugut, apo dhe vallja e mirënjohur çame e Osman Takes. Duhet përmendur gjithashtu fakti se kontributi që ka dhënë Ramazani, që nga dita e parë që e themeloi grupin, ka qenë dhe mbetet tërësisht vullnetar.
Po kush është Ramazan Këllezi?
Ramazan Këllezi ka lindur në Tiranë dhe rrjedh nga një prej familjeve më të vjetra të kryeqytetit. Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Katedrën e Regji-Koreografisë, ku dhe është diplomuar me titullin “Koreograf” në vitin 1987 me rezultate të shkëlqyera. Ka kryer specializime në Itali e Kanada për kërcimin historik dhe plastikë. Ka punuar për 8 vjet si drejtor i Shkollës Kombëtare të Baletit në Tiranë, si pedagog në Katedrën e Koreografisë dhe Kantos pranë Akademisë së Arteve, gjithshtu edhe Drejtor i Pallatit të Kulturës Studenti deri në vitin 2000. Më pas imigron në Kanada me një periudhë shkëputjeje prej tre vitesh (2007-2010), kur kreu detyrën e Konsullit në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali.
Gjatë viteve në detyrën e drejtorit të Shkollës Kombëtare të Baletit, ai krijoi dhe drejtoi për disa vite ansamblin e parë popullor në historinë e kësaj shkolle, i quajtur “Ansambli i të Rinjtë e Tiranës”, që e përfaqësoi Shqipërinë në dhjetëra festivale ndërkombëtare në Itali, Francë, Austri, Bullgari, Hungari, Maltë, Turqi, Greqi, Rumani, Poloni, Angli etj. Ka realizuar gjithashtu koreografinë në spektaklin “E shtuna gazmore e një qyteti”, koreografinë e filmit shqiptar “Bolero”, koreografinë në spektaklin televiziv “Rreth fatit për 12 javë” si dhe shumë miniatura koregrafike për Televizionin Shqiptar.
Prej shumë vitesh Ramazani punon në një nga kompanitë më të mëdha të menaxhimit të godinave kondominium në provincën e Ontarios, Del Property Management. Më 25 Nëntor 2022 ai u vlerësuar nga ACMO (Association of Condominium Managers of Ontario) Property Manager of the Year. Ndërkohë, në biografinë e tij profesionale dhe të jetës bëjnë pjesë dhe vitet kur me përkushtim maksimal kreu detyrat e zëdhënësit, zv. kryetarit dhe më pas të kryetarit të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Torontos, qytet ku jeton dhe shumica dërrmuese e komunitetit shqiptaro-kanadez.
Në Samitin e Dytë të Diasporës, organizuar nga qeveria shqiptare në shkurt të vitit 2019 Ramazan Këllezi u vlerësua me titullin “Ambasador i Kombit”, ndërsa më 28 janar 2021, presidenti i Republikës Ilir Meta, i akordoi atij titullin “Për merita të veçanta civile” me motivacionin: “Për punën e palodhur, angazhimin e vazhdueshëm dhe veprimtarinë e dalluar atdhetare në promovimin brenda dhe jashtë vendit të vlerave tona kombëtare e të gjuhës shqipe, për kontributin e çmuar ndaj komunitetit shqiptar në Kanada si dhe për përçimin e valles dhe kërcimit tradicional shqiptar te brezat e rinj në Shqipëri e në diasporë”.
Në mbyllje të nëntorit, muajit të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në provincën kanadeze të Ontarios, realizuam me Ramazanin dhe një intervistë të shkurtër.
Flasshqip: Ramazan, çfarë të motivoi të krijoje grupin e valleve “Shqiponjat e vogla”?
Ramazan Këllezi: Dëshira për të transmetuar tek brezat e rinj e aq më tepër tek fëmijët shqiptarë të lindur në Kanada, vallen tonë të bukur, folklorin, kostumet e traditat shqiptare.
Flasshqip: Deri më sot sa fëmijë e të rinj shqiptarë kanë marrë pjesë në grup?
Ramazan Këllezi: Janë tre breza fëmijësh e të rinjsh që kanë marrë mësimet e valles popullore shqiptare nga të gjitha trevat e Shqipërise. Mund të them më shumë se 100 në gjithë këto vite. Aktualisht punoj me dy grupe, atë të voglin me rreth 12 fëmijë të moshave 10-12 vjeçare dhe grupin e madh, ku marrin pjesë 20 të rinj, djem e vajza.
Flasshqip: Si është i organizuar praktikimi, me çfarë frekuence dhe ku mblidhet grupi për t’u praktikuar?
Ramazan Këllezi: Ne bëjmë prova gjatë gjithë vitit, çdo të diel nga ora 10:00 paradite deri në orën 12:00, në një ambient privat, sipas një kontrate të përbashkët.
Flasshqip: Sa është përafërsisht numri i shfaqjeve në 11 vite aktivitet?
Ramazan Këllezi: Pak e vështirë për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, por mund të them me bindje se aktiviteti ka qenë shumë i dendur. Prezencë për vite me radhë në festimet e 28 Nentorit, në Parlamentin e Ontarios gjatë procesit të kalimit të Ligjit për shpalljen e muajit nëntor, Muaji i Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në Ontario, prezencë në festat e pavaresisë së Kosovës, në shumë aktivitete të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Torontos dhe shoqatave të tjera, në aktivitete të përvitshme multikulturore, tre vite radhazi kemi performuar në Air Canada Center në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në Niagara për ngritjen e flamurit, në festivale të ndryshme shqiptare në New York, Michigan, Miami, e shumë aktivitete të tjera që vazhdojnë edhe sot për nder të 28 Nëntorit në Parlamentin e Ontarios. Do të veçoja gjithashtu pjesëmarrjen në Festivalin Ndërkombëtar të Stambollit, Turqi, që u zhvillua sivjet, nga data 26 gusht deri më 1 shtator.
Flasshqip: Si u arrit të realizohej mundësia për të intepretuar në Air Canada Center ku zhvillohen ndeshjet e NBA? Cilat janë vallet që u interpretuan aty?
Ramazan Këllezi: Për disa vite une e atashova grupin pranë Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Torontos dhe gjithçka bëhej mbi baza vullnetare e me qëllimin e mirë për të ruajtur traditën e për të promovuar folklorin tonë të mrekullueshëm. Performimi në Air Canada Centër u realizua me mbështetjen e z, Bujar Zejnullahu. Për tre vite me radhe interpretuam aty vallet me motive të Tiranës, Kosovës dhe vallen me motive të Tropojes në prezencë të 20.000 sportdashësve dhe qindra e mijëra të tjerëve që ndiqnin një ndeshje nepermjet transmetimit live ne TV. Ishte interpretimi i tretë në Air Canada Center që e bëri grupin “Shqiponjat e vogla” të njihej kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët nëpër botë. Pas atij suksesi morëm me mijëra klikime e mesazhe në faqen tonë në Facebook. Sigurisht, vlerat kësaj performance ia rriti shumë edhe pjesëmarrja e Mbretëreshës së valles popullore shqiptare, Liljana Cingu, të cilës i mbetem kurdoherë mirënjohës.
Flasshqip: Çfarë vlerësimesh zyrtare ka marrë grupi “Shqiponjat e vogla” në vite?
Ramazan Këllezi: Në radhë të are, vlerësimi më I madh që kemi marrë, është mbështja maksimale dhe komentet e herepashershme dashamirëse që na kanë dhënë e na japin shqiptarët që jetojnë në diasporë, por edhe në Shqipëri. Grupi ynë sot është anëtar nderi i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Torontos si dhe ka marrë diploma e çertifikata vlerësimi e mirënjohjeje nga shumë shoqata në aktivitetet e të cilave ka performuar, nga festivalet e komunitetit shqiptaro-amerikan ku ka marrë pjesë në vite, nga aktivitetet multikulturore ku ka përfaqësuar komunitetin shqiptaro-kanadez si dhe medalje e çertifikatë në Festivalin Ndërkombëtar të Stambollit që përmenda më lart.
Flasshqip: Cilët janë ata që e kanë mbështetur më shumë grupin “Shqiponjat e vogla”
Ramazan Këllezi: Ata që meritojnë një falenderim të veçantë për mbështetjen padyshim janë valltarët dhe prindërit e tyre, të cilët kanë qenë e janë të gatshëm të bëjë çdo sacrificë për të realizuar gjithçka kemi arritur deri tani por edhe për aktivitete që kemi në plan. Gjithashtu për realizimin e pjesëmarrjes së rëndësishme në Festivalin e Stambollit, sponsorizuan personalitete të njohur të komunitetit tonë të cilëve u jemi gjithashtu mirënjohës.
Flasshqip: …dhe planet për të ardhmen me sa suket dihen tashmë…
Ramazan Këllezi: Sigurisht. Në shkurtin e vitit që vjen do të performojmë me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës në Ottawa dhe njëkohësisht krahas pjesëmarrjes në festivalet e përvitshme në SHBA, do të përgatitemi edhe për një tjetër festival ndërkombëtar në Europë.
Flasshqip: Suksese të mëtejshme ju urojmë ju si drejtues dhe grupit simpatik e emërmadh “Shqiponjat e vogla”.
Ramazan Këllezi: Ju faleminderit për intervistën në emër të gjithë valltarëve të grupit “Shqiponjat e Vogla”.
©Flasshqip.ca
Foto kryesore lart: LGH Art Photography
FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar sipër butonin “donate”. Faleminderit!