Një ide për të përjetësuar kujtimin e Liliana Cingut në Toronto - Nga Taulant Dedja
- Published in Komunitet
Edhe pse kanë kaluar shumë vite që nuk e ushtroj më profesionin tim të parë, violinën, shpirtërisht vazhdoj t’i përkas familjes së artistëve, aq më tepër që në Kanada ndodhet sot dhe ai që më mësoi i pari atë instrument, por edhe shumë shokë e kolegë të artit dhe muzikës, nga vitet e shkollës apo të punës në Shqipëri. Ndaj dhe si të gjithë ata që e kane njohur e përjetova me emocion të veçantë ndarjen nga jeta të ikonës së vallëzimit popullor shqiptar, Liliana Cingu.
Dje (11.02.0 komunikova me dy miq të mirë në Toronto (Ramazan Këllezi dhe Edlira Çini Begeja) për të ndarë një ide se si mund të nderohet dhe përjetësohet në Toronto emri dhe kontributi i saj, jo vetëm si artiste e madhe e përmasave mbarëkombëtare, por edhe si artiste që kontribuoi në mbajtjen gjallë të trashëgimisë kulturore shqiptare në hapësirën tonë komunitare këtu në Kanada (për gati tri dekada), por edhe në përfaqësimin e këtyre vlerave përpara publikut kanadez. Ideja është për të vendosur emrin e saj në një rrugë, në njërën nga qendrat e banuara të GTA (Greater Toronto Area), ose në një shesh apo park, të ngrihet mbi një pidestal një bust i saj (artistin supertalent që mund ta realizojë e kemi në Toronto dhe quhet Robert Simoni).
Pak a shumë, mesazhi që u dërgova dy miqve të mi ishte ky: “Le të mos synojmë vetëm dy apo tre emra, Nënë Tereza, Skënderbeu, apo Ismail Qemali. Do ishte me shumë vlerë që t’i vihej diku një rruge apo një sheshi të vogël emri Liliana Cingu (shoqëruar mbase dhe me një bust) në hapësirat e një prej qyteteve të GTA. Argumentimi i propozimit: “artiste që kontribuoi në ruajtjen dhe përhapjen e trashëgimise kulturore shqiptare në Kanada”. Ideja më duket plotësisht e realizueshme nëse trokitet në dyert e duhura dhe nëse ka angazhim gjithpërfshirës. Liliana Cingu është figurë që gëzon respektin e të gjithëve dhe pa asnjë lloj kontestimi… Këto lloj propozimesh kalojnë nganjëherë më lehtë sesa për figura historike me autoritetet që e kanë në dorë, për më tepër që bëhet fjalë për dikë që ka jetuar këtu dhe ishte gjithashtu shtetase kanadeze”.
Lidhur me iniciativa të tilla ka disa eksperienca në Kanada. Është vendosur një monument i Nënë Terezës në Montreal në vitin 2012 (pati madje dhe një letër kundër nga një individ i besimit mysliman që iu adresua bashkisë së ketij qyteti). Pak vite më vonë, pas një tentative të z. Genc Tirana (në ato vite Konsull Nderi) që nuk u realizua dot për shkak të pengesave burokratike nga bashkia Toronto, në vitin 2015 u vendos gjithashtu një bust i saj në periferi të Torontos, në Midland, kësaj here me mbështetjen e Misionit Katolik Shqiptar të Torontos që mban emrin “Nënë Tereza”. Një tentativë për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Mississauga rreth vitit 2019 dështoi, sepse kryetarja e atëhershme e bashkisë Bonnie Crombie, sot kryetare e Partisë Liberale të Ontarios, e refuzoi nga “halli” se mos busti shkaktonte pakënaqësi te një pjesë e komunitetit mysliman (meqënëse Skëndërbeu cilësohet si mbrojtës i Krishterimit në epokën kur jetoi). Çështje interesi elektoral me një fjalë. Ka patur dhe një ide tjetër për ngritjen e një memoriali në formë basoreliefi në Toronto që simbolizon historinë e Shqipërise, ide që mbeti pa konkretizim. Ndërkohë, në Regina të provincës Saskatchewan, një rrugë e qytetit është miratuar nga bashkia të mbajë emrin Zeka, në kujtim të një familjeje shqiptare nga Kosova që humbi jetën pasi shtëpia ku banonte u përfshi aksidentalisht nga zjarri. Motivi që mori parasysh bashkia Regina pas propozimit që u bë nga komuniteti shqiptar i atij qyteti, ishte që kryefamiljari kish kontribuar në komunitet, veçanërisht për integrimin e të sapoardhurve në Kanada si përkthyesi i parë anglisht-shqip atje.
Duhet të kemi parasysh, se si komunitet, nuk kemi vetëm histori të shkuar kombëtare, por edhe histori të sotme, të shkruar nga ata që prej vitesh punojnë e kontribuojnë në shumë fusha, në atdhe dhe në diasporë, e veçanërisht në art, i cili ka avantazhin të depërtojë më lehtë e më shpejt e të komunikojë me kulturat e tjera, për shkak të gjuhës universale, në rastin konkret muzika, vallja, artet figurative etj.
Ideja që përmenda më lart, për përjetësimin e emrit të artistes mbarëkombëtare Liliana Cingu në Toronto, më duket plotësisht e realizueshme me një angazhim të të gjithë aktorëve dhe faktorëve të komunitetit shqiptar në metropolin kanadez dhe në provincën e Ontarios. Liliana Cingu është një emër që na bashkon e përfaqëson të gjithëve pa përjashtim.
Uroj me gjithë zemër të realizohet një ditë!
© Taulant Dedja