Halifax: Komuniteti shqiptar dhe Muzeu Kanadez i Imigracionit përkujtuan 25 vjetorin e Operacionit “Parasol”
- Published in Komunitet

Të shtunën e kaluar më 11 maj, ashtu siç ishte paralajmëruar në media dhe rrjete sociale, në Halifax të Nova Scotia u organizua një takim përkujtimor me rastin e 25 vjetorit të Operacionit “Parasol” në ambientet e Muzeut Kanadez të Imigracionit Pier 21. Ky institucion ishte mbështetës kryesor i aktivitetit në bashkëpunim me dy organizatoret nga pala shqiptare Arta Rexhepi dhe Olsa Morina. Arta dhe Olsa kanë qenë fëmijë, përkatësisht 13 vjeç dhe 2 vjeç, kur kanë mbërritur si refugjate në Kanada, pikërisht në Nova Scotia, së bashku me prindërit e tyre në vitin 1999, në kohën e Luftës së Kosovës.
Operacioni “Parasol” ishte një operacion ndërkombëtar ndërhyrjeje në ndihmë të refugjatëve shqiptarë të Kosovës që u detyruan të largoheshin nga trojet e tyre për shkak të terrorit të ushtrisë jugosllavo-serbe në vitin 1999. Operacioni “Parasol” u drejtua nga qeveria kanadeze, përkatësisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe u zhvillua në periudhën 9 prill 1999-31 gusht 1999. Në fund të gushtit 1999, kur përfundoi Operacioni “Parasol”, ushtria kanadeze u kujdes për më shumë se 5500 refugjatë, ndërsa në total, përfshi dhe grupin e refugjatëve që u trajtuan me programin e bashkimit familjar, Kanadaja mori përsipër rreth 7000 shqiptarë nga Kosova.
Para nisjes së aktivitetit zyrtar, pjesëmarrësit e shumtë vizituan ekspozitën fotografike të Muzeut Kanadez të Imigracionit që i dedikohej posaçërisht Operacionit “Parasol”, ndërsa gjatë takimit që vazhdoi në sallën e konferencave të mbushur plot e përplot u shfaq dhe një dokumentar i përgatitur nga moderatorja kryesore Arta Rexhepi. Të ftuara të veçanta në takim ishin edhe zonjat Vasfije Krasniqi Goodman (këshilltare speciale e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani) dhe Shyrete Tahiri Sulimani, të dyja të mbijetuara të dhunës fizike dhe seksuale të ushtruar nga Ushtria e Ish-Jugosllavisë gjatë luftës së vitit 1999.
Fjalën për të përshëndetur të pranishmit e morën gjithashtu Ministrja e Punës dhe Imigracionit të provincës Nova Scotia Jill Balser, historiani Jan Raska, Managing Researcher i Muzeut Pier 21, deputeti federal nga Ontario i Partisë Konservatore të Kanadasë, Kyle Seeback (ministër i Tregëtisë Ndërkombëtare në kabinetin hije të Pierre Polievre) si dhe Taulant Dedja, ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, ish-prefekt i Tiranës, ish-Përfaqësues i Plotfuqishëm për Veriun dhe ish-zevendësministër i Pushtetit Lokal i qeverisë shqiptare, i ngarkuar me administrimin në terren të krizës së refugjatëve nga Kosova në vitet 1998-1999.
Atmosferë të veçantë gjatë takimit krijoi dhe prezenca e valltarëve të grupit “Shqiponjat e Vogla” të drejtuar nga i mirënjohuri Ramazan Këllezi, që kishin ardhur enkas nga Toronto.
Organizatorët vlen të përgëzohen jo vetëm se ia dolën të realizojnë një aktivitet shumë të suksessshëm për të shprehur mirënjohjen ndaj Kanadasë dhe për të evokuar një ngjarje historike unikale për nga përmasat dhe reperkusionet, por edhe për faktin që në një përkujtimore të tillë arritën të tërheqin masivisht vëmendjen dhe prezencën e publikut kanadez.
© Flasshqip.ca