Komunitet

Libri i jetës së një autori - Publikohet romani “I arratisuri” nga Taip Sulko

  • Published in Komunitet

Një roman i ri sapo ka parë dritën e botimit dhe është shpërndarë në libraritë e Tiranës nga Botimet “Naimi”. Romani titullohet “I Arratisuri” dhe ka për autor Taip Sulkon, gazetar, shkrimtar dhe diplomat karriere, një nga pjestarët e komunitetit shqiptaro-kanadez të krijuesve nga fusha e letërsisë artistike.

Njoftimin fillimisht e ka bërë vetë autori në rrjetin e social Facebook:

 

“Të dashur miq,

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju them se sapo doli nga shtypi romani im “I arratisuri”. Falenderoj botuesin Naim Zoto për punën e shkëlqyer. Mirënjohje të veçantë kam për mikun tim, Çerçiz Loloçi, i cili është recenzent, e ka lexuar disa herë dhe s’e fsheh se ka rënë në dashuri me këtë libër. Dëshiroj të them pak fjalë për romanin: Eshtë libri i jetës time. Jo vetëm se merr shkas prej saj. Kam punuar shumë vjet për të. E kam shkruar dhe rishkruar me dëshirë, e, në ecje e sipër, kam parë si plotësohet e shpërfaqet më mirë ajo që quhet cohë e jetës, ku autori le ngjyrat, vizatimet, pikturat, artin e fantazisë. Jam i gëzuar me këtë trajtë të fundit të këtij libri. Në qendër të tij është një djalosh, i sapodukedalë nga fëmijëria, që arratiset e, më së shumti, atje, në arrati, i zbulohen thekshëm, herë si ëndrra, herë si zhgjëndrra, ato që përbëjnë të mirën dhe të keqen, të bukurën dhe të pështirën, ajo çka e bën të padurueshme një kohë, por mbi të gjitha, ajo që e mban jetën në këmbë, që ne e presim dhe kërkojmë, dashuria. Herë-herë, gjatë shkrimit, rrëfimi në këtë libër më është dukur si vrapim, kalim i shpejtë nga një ndodhi tek tjetra, nga një rrëfim tek tjetri, nga një aventurë tek tjetra. Ngjarjet zhvillohen në një mot të ndërrueshëm tregimi, me kapërcime të papritura, herë me zymtësi frike, herë me përndezje marrëzie, herë me breshër padrejtësie e herë me këndellje si ajo e passhiut e të bukurës, e dashurisë. Nuk po zgjatem miqtë e mi, Libri “I arratisuri” do jetë së shpejti në duar tuaja. Besoj se, kur ta lexoni, do ta kuptoni se fjalët që rendita më sipër, nuk burojnë nga një zjarrmi krijuese e çastit.   

Me mirënjohje për ju, Autori.

***

 Naim Zoto

Në nje publikim tjetër në rrjete të botuesit Naim Zoto, romani “I Arratisuri” vlerësohet si një një sagë tjetër myzeqare që i shtohet letërsisë shqiptare. Sipas Zotos, Taip Sulko, poet e prozator interesant, vjen para lexuesve me një roman befasues, një sagë myzeqare që të kujton Jakov Xoxën, por, natyrisht, këndvështrimi dhe stili është tjetër. Nuk është më ai shkrimtari i dikurshëm që shkon me mision të zbulojë dhe zgjojë madhështinë e “lumit të vdekur”, por pasardhësi i tij i lindur dhe rritur në Myzeqenë plot baltë e kampe përqëndrimi që nis të rebelohet kur kupton se jeta dhe pasionet e tij diktohen dhe varen aq shumë nga të tjerët saqë, si rrugëdalje e vetme, mbetet arratisja, braktisja e kampit/modelit të paracaktuar. Dhe këtu nis aventura e personazhit-shkrimtar dhe grupit të tij, e cila përcillet te lexuesi me një stil që në përshtypje të parë duket i thjeshtë, por ka aq lirizëm dhe kolorit lokal saqë të krijon idenë e një poeme dashurie për vendlindjen dhe njerëzit e kësaj toke të begatë që ka mbajtur dhe ushqyer Shqipërinë e sertë. Të gjithë të interesuarit per romanin e sapobotuar mund të kontaktojnë direkt në adresat tona të rrjeteve sociale, në libraritë e “Adrion” (në Pallatin e Kulturës, Tiranë etj.), “M&B” (përballë hotel “Vila Verde”, pranë “Selvisë”) etj.

***

Kush është Taip Sulko?

Taip Sulko ka studiuar fillimisht gjuhë-letersi dhe gjuhë hungareze në Universitetin e Tiranës në vitet 1977-1982. Më pas ka kryer studimet në nivel Master për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Budapest të Hungarisë (1994-1997). Nga viti 1982 ka punuar si perkthyes i hungarishtes në Radio-Tirana, 1985-1991 ka qenë gazetar në Radion e Jashtme, ndërsa në periudhën 1991-1992 ka punuar si gazetar në TVSH.  Në vitin 1992 Taip Sulko pranohet në Shërbimin e Jashtëm dhe ka shërbyer si diplomat i Republikës së Shqipërisë në Hungari, Poloni dhe Kanada. Gjatë viteve në Shërbimin e Jashtëm pranë MPJ, ai ka punuar gjithashtu në Drejtorinë e Europës, ka qenë drejtor në Drejtorinë e Azise dhe Afrikes (2005-2006) si dhe Drejtor i Shtypit dhe Informacionit (2006-2010).

Taip Sulko është gjithashtu autor i romanit “Në anën tjetër të parajsës” (2002), i vëllimit me tregime “Antologjia e shpirtrave” (2009) dhe i dy përmbledhjeve poetike “Toka e premtuar” (2010) dhe “Portat e qiellit” (2020). Romani i tij dytë “I Arratisuri”, ka dalë në dritë falë bashkëpunimit me Botimet “Naimi” në Tiranë. Dizajni i kopertinës është realizuar nga vetë autori, po ashtu edhe disa vizatime të tjera që shoqërojnë tekstin.

Pas pak ditësh libri do të mbërrijë edhe në Kanada dhe do të prezantohe gjithashtu edhe gjatë Festivalit shqiptaro-kanadez të librit (Edicioni 1) që do të organizohet në datat 14-15 shtator 2024 në Toronto nga Albanian Canadian Development Alternative (ACDA) dhe Albanian Youth.

Duke e uruar përzemersisht autorin për romanin e ri, Flasshqip po publikon më poshtë edhe shënimin dedikuar librit me autor publicistin e njohur dhe botuesin e portalit Albspirit Çerçiz Loloçi, titulluar “Fatet njerëzore në sagën myzeqare të Taip Sulkos”.

 Çerçiz Loloçi

Taip Sulko vjen sërish para lexuesve me romanin befasues “I arratisuri”, një rrëfim i pazakontë që endet mes të shkuarës dhe të sotmes, me një galeri të pasur personazhesh, vendosur në qytezën e Anadellit dhe jo vetëm, që secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, siç ngjet me raporet njerëzore, janë përherë në kërkim të lirisë.

Në krye të veprës, në një intervistë me të përditshmen “Ylli i Shpiragut”, në formën e një prologu autori rimerr tablonë e Delakruasë “Liria në barrikada” si për t’i thënë lexuesit se liria është mbi gjithçka për qënien njerëzore dhe jo vetëm. Po ashtu ai përpiqet të pohojë se është dhe nuk është ai personazhi kryesor, ndërsa në fund të librit, në formën e një epilogu, po te e njëjta e përditshme ai shkruan:

“Dua të ve në pah se, për shumë kohë, kjo vepër më ka mbajtur në një ethe të gëzueshme krijuese. Si i thonë, më ka mbushur zbrazëtinë në netët e gjata të dimrit. Por kam edhe një arsye të veçantë, të cilën dëshiroj ta përmend - shkrimi i këtij libri për mua ka qënë një kënaqësi sipërane, puna me të gjithnjë më ka tingëlluar si një muzikë, që për nota ka shkronjat e gjuhës shqipe. Dhe e fundit, rëndësi ka se si sillet vepra me ty, pasi e ke mbaruar. Sa herë e rilexoj romanin “I arratisuri”, më ngjan se jam brenda një bote tjetër, një botë e vogëlth, e cila, edhe kur qëllon që harrohem e nuk i bëzaj, më sheh në sy e qeshur dhe më flet”.

Romani është konceptuar si triptik, tri pjesë, me librin e arratisjes së parë me 21 kapituj dhe intermexo midis, atë të dytë me 23 kapituj dhe atë të tretë me 25 kapituj, që ecin shpejt, nga episodi në episod dhe nga ngjarja në ngjarje, ndonjëherë në kufijtë e të pabesueshmes.

Në qendër të prozës romanore jane tre shokë, Ermiri, Luani dhe Agimi, që kanë jetët e tyre të veçanta, po edhe të përbashkëta në arratisjet e njëpasnjëshme dhe rreth tyre vijnë protagonistë më qendrorë si Lalë Rrapi e Mentor Shelgu apo edhe të tjerë periferikë me gjyshen, Radiopërhapjen, të plotfuqishmin, mësuesen e rreptë Sose, Ulumatin etj.

Ndjesia e parë që të vjen pasi e lexon dhe e rilexon këtë vepër është ajo që autori sjell një ndihmesë të ndjeshme në letrat shqipe duke sjellë në mënyrë artistike një trevë të rëndësishme shqiptare, siç është ajo e Myzeqesë me traditat, zakonet, ritet e hershme dhe të reja; ndërsa ngjarjet zhvillohen në periudhën e regjimit diktatorial në roman ndërthuren edhe ngjarje e personazhe të së shkuarës e të ditëve të sotme.

Autori bën kujdes për ta tërhequr lexuesin në rrjedhën e rrëfimeve të personazheve, të cilët janë të pangjashëm me njeri-tjetrin dhe secili prej tyre ka diçka të veçantë në plotërinë e gjithë librit.

Dashuria është një tjetër motiv që zë vend gjerësisht në libër; kujtojmë lidhjen intime të Ermirit me Sidritën, të Lalë Rrapit e Mentor Shelgut me të njëjtën femër, ciganen e hijshme Anja, të mësuesve që duheshin me shpirt pavarësisht ecejakeve të pushtetit që herë i degdiste në një skutë të humbur dhe herë i rikthente në qytet.

Përpos tyre nuk mungojnë dhe dashuritë e palumtura si çmenduria e burrit ndaj gruas që e tradhëtonte me një të dashur dhe që u detyrua të kthehej në murgeshë, të drejtorit që e kapi në flagrancë gruan me shoferin e vet dhe u preu veshët të dyve dhe ndodhi të tjera që janë të pranishme në jetët njerëzore.

Ndër faqet më të bukura në roman është jeta e ciganëve, të vendosur mes dy qytezave, Anadellit dhe Pllanës së Kuqe, që enden sa në një fshat në tjetrin, me gëzimet e dhimbjet e përditshme, por shpesh edhe me dashuritë e tyre herë të kurorëzuara në lidhje të qëndrueshme e here të ndërprera në mes për shkak të paragjykimeve.

Njerëzit e artit, më saktë ata të aktrimit që mblidhen në teatrin shëtitës zbulojnë të tjera karaktere të spikatura dhe sjellin të tjera emocione në përkushtimin e tyre për të rizgjuar mendjet njerëzore të ngushtuar dhe izoluar nën zhgunin e pushtetit autoritar.

Autori është mjeshtër i përshkrimit të personazheve, të mjediseve në fshat, qytezë apo qytet, të vendeve të mrekullueshme.

Romani përbën një skenar më vete që duke ardhur në ekran merr një vlerë të dyfishtë dhe thekson më me forcë dy mesazhet kryesore të tij, lirinë dhe dashurinë.

© Flasshqip.ca