Aktivitete

Boks: Kristian Prenga vs Tim Chemelli në 24 mars, Toronto

Boksieri shqiptar Kristian Prenga do të ndeshet  në Toronto Convention Centre, më 24 mars 2018 ora 19:00. Kundërshtari i tij do të jetë 36 vjeçari Tim Chemelli nga Cold Lake, Alberta.

Rivali kanadez i Prengës është 188 cm i gjatë, peshon 93 kg, renditet i 267-ti në klasifikimin botëror të peshave të rënda dhe i 9-ti në rang vendi. Pas një ndërprerje, ai ka rifilluar të boksojë përsëri në kategorinë e peshave të rënda në mars 2016 dhe ka fituar 10 nga gjithsej 16 ndeshje të zhvilluara.

Nga ana e tij, shqiptari Prenga rikthehet në ringun kanadez pas fitores emocionuese të 30 qershorit 2017 në ndeshjen përballë meksikanit Alfredo Tervino në Niagara Falls, në kuadrin e Canadian Heavyweight Campionship Fight.

Prenga e ka filluar karrierën në moshën 22 vjeçare, peshon 110 kg dhe ka gjatësinë 197 cm. Në duelet e zhvilluara prej tij ai ka humbur vetëm një takim. Ndeshja e 24 marsit është sfida e tij e radhës pwr progresin e mëtejshëm në rrugën e boksit profesionist për kategorinë e peshave të rënda.

Takimi i Torontos pritet të jetë shumë i fortë. Sërish atmosferë e ndezur e garantuar dhe një pjesëmarrje e lartë e sportdashësve shqiptaro-kanadezë me banim jo vetëm në Ontario.

Në një postim në rrjetin social Facebook drejtuar përkrahësve të tij Prenga shkruan: “Një superpërballje me Tim Chemelli. Përgjegjësia është shumë e madhe, por akoma më e madhe është dëshira per t’ju bërë krenarë me arritjen e radhës”.

FlasShqip.ca njofton të interesuarit për bileta të telefonojnë në numrin 289-400-5623 ose të adresohen direkt në Website www.kristianprenga.al.

Fitore boksierit shqiptar!