Aktivitete

Në promovimin e romanit “Hijet e Muzgut” të Arben Kallamatës

Toronto dje u zbardh nga dëbora që s’kishte të pushuar. Qarkullimi me automjete kishte vështirësitë e veta në zona të caktuara e megjithatë kjo nuk i ndali aspak të interesuarit dhe apasionuarit e librit të merrnin pjesë në promovimin e romanit “Hijet e Muzgut” nga Arben Kallamata. Në ambientet e “Colombus Center” në orën 19 salla e prenotuar për këtë eveniment shkëlqente nga prania e ajkës së intelektualëve shqiptaro-kanadezë, të mirënjohur në fushën e shkencës, medias, artit, e biznesit.

Nuk ishte e vështirë të lexoje emocionet e Arben Kallamatës në këtë aktivitet organizuar me sqimë e klas nga regjisori Gjergj Rita në bashkëpunim me botuesin e FlasShqip Taulant Dedja, me prezantimin elegant të kineastit Mishel Koçiu dhe me mbështetjen e miqve të autorit Julian Dyrmishi dhe Arben Dedelli.  

Nën tinguj të muzikës së zgjedhur në sfond dhe gotave me shampanjë aktori Artan Sejko me zërin e tij magjik interpretoi disa paragrafë provokues e me humor të romanit.

Më pas, kryeredaktorja e FlasShqip.ca Jeta Dedja, gazetari Genc Tirana dhe shkrimtari Artan Gjyzel Hasani, në cilësinë e reçensuesve të romanit njohën të pranishmit me kritikat dhe vlerësimet e tyre për veprën.

Të ftuarit, me një vëmendje impresionuese treguan edhe një herë respektin e tyre për artin, letërsinë dhe vlerat e komunitetit. Një vend i veçantë u ishte rezervuar edhe miqve përtej oqeanit, në mëmëdhe. Shkrimtari i mirënjohur Bardhyl Londo dhe gazetari Ilir Kadia morën pjesë në mënyrë virtuale në promovim duke dhënë komentet dhe përshëndetjet e tyre për librin, autorin dhe të pranishmit.

 

I konceptuar sipas një stili interaktiv të ftuarve iu dha rasti të bënin pyetje e komente për librin. Kështu nuk mund të rrinte pa dhënë një mendim një nga anëtarët më të hershëm të diasporës shqiptaro-kanadeze Hajro Çini, i cili shquhet për replikat me Kallamatën në rrjetet sociale edhe pse janë shumë miq me njëri-tjetrin.

Pyetje për autorin kishte kirurgia Eda Deliallisi Çini, e cila me një sy të hollë vëzhgimi kishte kapur disa elementë interesantë të romanit. Gjithashtu regjisori Jani Tane, edhe pse nuk e kishte lexuar ende librin, nisur nga reçensat e prezantuara, arriti të përcillte përceptimin e tij për temat e romanit. Nga pyetjet e të ftuarve të tjerë u zbulua se Arben Kallamata është në përfundim të librit të tij të dytë. Por pa e lexuar kritikja e tij e parë, bashkëshortja Mimoza Kallamata libri zor se shkon për botim.

E kështu me humor e ndërveprim erdhi fundi i aktivitetit. Pasi kishin kaluar pa u ndjerë më tepër se dy orë, dhe dëbora kishte pushuar, pjesëmarrësit patën mundësinë të merrnin librin me autograf nga autori e të bisedonin me njëri-tjetrin.

Promovime librash bëhen gjithandej, ashtu siç edhe botohet me shumicë në ditët e sotme, por librin e mirë lexuesi i kultivuar di ta nuhasë. Prandaj romani “Hijet e muzgut” edhe pse ka veç dy muaj që ka dalë nga shtypi ka shënuar rekorde shitjeje.

I urojmë suksese Arben Kallamatës!

 

18 Janar, 2020 

©FlasShqip.ca