Krijimtari

Zhvishu!

Nga Artan Gjyzel Hasani

ZHVISHU!

Kështu qenka jeta
ëndrra
gëzime
hidhërime
urojmë për ditëlindje
ngushëllojmë për vdekje

dhe ikim udhës që zvogëlohet
të zbukuruar me dinjitetin superb
mbushur me krenarinë idioteske
madhështinë tonë qesharake veshur deri në fyt
delire përjetësie milingonash të bujshme

dhe kemi mbuluar me sukses
çdo centimetër të vetes
në mënyrë që të mos na njohë askush
të dukemi njësoj
këtej dhe matanë
nga lart e nga poshtë
nga brenda dhe jashtë
se ndryshe si do na buzëqeshin të ngjajshmit tanë?

zhvishu, njeri, zhvishu,
dhe lëri edhe ata të zhvishen
para se të t’i shqyejë maskat
tjetri që brenda teje rritet …

se vërtet dëbora flokët e vet shkul
i hedh mbi shtëpitë dhe rrugët
për të na bërë më të bardhë
por rrezja e diellit që shkrin çdo gjë
e zhvesh qytetin …
në rrugë do shfaqen kafshë të ngordhura
me sytë hapur
dhe jo gjurmë hapash që kurrë s’i bëmë
për të mos vrarë bardhësinë e falur
e të rreme…

zhvishu, njeri, zhvishu,
ndoshta jam qyteti yt
ku ti shëtit pa e ditur….

 

Tagged under Artan Gjyzel Hasani