Krijimtari

Dehja - Nga Artan Gjyzel Hasani

Dehja është një siklet i fisëm

që ndodh gjithnjë në kohën e duhur...

i paqëllimtë si vështrimi

që nxjerr jashtë të fshehtat e shpirtit

pa u ndjerë kurrë fajtor

kur në shoqëri me veten pimë Martini

thyejmë pasqyra dhe flasim marrina

mallkojmë pranverat e jetës të shkuara dëm

i quajmë kurvicka dhe per të përkëdhelur

kotësinë tonë të sofistikuar biem dakord

që lulet më të bukura çelin në dimër

dhe vdesin tërë delikatesë nga mërzia

se nuk ka kush t’i tradhëtojë

ashtu të fshehura nën dëborë

të lodhura si krahu i pritjes nën jastëkun

ku më pas do vërë kokën udhëtari

që duke ndezur urët e lagura të zjarrit

djeg padashje fatin e vet...