Krijimtari

Artisti mbi kryq - Nga Artan Gjyzel Hasani

Mbaje dorën kur kryqëzon një artist
ti trim i çartur pas beteje
ti duartrokitës i djeshëm
brohoritës i zellshem në kishat qe s'bëzanin

Sikur një emocion të vetëm të të ketë falur
të ka bërë ta duash e ta urresh
të ka përlotur dhe të ka bërë të vjellësh
e ke shqelmuar dhe përqafuar përsëri
të ka rrënqethur lëkuren dhe të ka luajtur mendjen
ka bërë atë që nuk e ke bërë dot ti
të ka dhënë shpirt
sadopak shpirt
pa e ditur që do t'ia merrje...

mbaje dorën kur hedh gurin mbi një artist
sepse ndoshta ti nuk di asgjë për tragjedinë brenda tij
për sa kohë që ai në skenë luajti
veç komedinë dhe dramën tënde
dhe askush nuk ia pa lotët në vetmi
ata të vërtetët
më të hidhurit e të hidhurve
që atje pas kuintave
gjithnjë duhej t’i gëlltiste
pa e parë ti….

po ty të dogjën ndonjëherë duart
kur i trokite pa dëshirë
dhe brohorisje “rroftë”?
ti dhe artisti ishit vëllezërit siamezë
ai në skenë e ti në plate
me fatin e parashkruar
pa njëri-tjetrin nuk bënit dot
hamstera të së njëjtës rrotë
që ju kishte zënë bishtin e jetës...

artisti e mbajti kryqin e tij
dhe e ka paguar shtrenjtë
çmimi i djeshëm
u bë përçmimi i sotëm
dikush vrau veten
një tjetër u çmënd
disa në gotë të alkoolit dhe drogë
e të tjerë u heshtën
nga fjalët që s’mundën t’ua thonin
atëherë kur duhej…

por ti duartrokitës i djeshëm
me kryqin tënd të vockël fshehur në xhep
ngjitu në mundsh sot atje lart
në mundsh pra,
atje lart ngjitu
ku artisti e ka vënë vetë kryqin e tij të madh
zgjati krahët,
duart,
shqisat dhe nervat
jetën dhe vdekjen po nuk të mjaftuan
dhe pastaj kryqëzoje ashtu siç di
me gozhdët e tua…

(nga "IMORALISTI", 2020)
© artangjyzelhasani