Ajo llambë duhet të rrijë e ndezur - Tregim nga Faruk Myrtaj

Si prej ëndrre do duhej të ndihej, kur u ndodhën përballë derës hapur të Zyrës Numër Një.
“Për ty…”, i thanë.
“Nëse shokët e burgut do mund të besonin këtë që ndodh…”, pëshpëriti, çuditërisht në anglisht.
Kamera e një televizioni të huaj, për ta regjistruar këtë gjest të patjetër lirie e ndiqte pas, hap pas hapi. Një lloj si gardiani Fran, edhe kur dilte nga qelia për në banjë…
Sigurisht ishte e tepërt, e pasjellshme: asnjeri prej bashkëvuajtësve s’ndodhej aty. Edhe pse ishte informuar që asnjeri prej tyre nuk ndodhej më në burg...
Bota ishte rrotulluar brenda trembëdhjetë ditësh, qe hapur porta e qelisë dhe ajo e jashtmja, e portës së oborrit të burgut, në ditën e katërmbëdhjetë, pasi e kishin çuar me urgjencë për të parë varrin e nënës që s’e priti dot këtë ditë, me eskortë e shoqëruan për në kryeqytet dhe pikërisht tani, ai po shoqërohej të hynte në Zyrën prej nga kishte urdhëruar Numri Një…
Mesazh të parë, të një kohe tjetër, liri për të gjithë, i la pa gojë edhe më dyshuesit, kur për roje personale zgjodhi ish-gardianin e vet…
Ky copë truall kështjellë dhe burg njëherazi, me një shëtitore brendashkruar mureve, poshtë dritareve, do duhej të ndryshonte, më në fund. Do duhej të bëhej një çikë më i butë, ca pak më i vërtetë. Po pra, qoftë edhe veç prej kësaj që po ndodhte me të: I burgosuri më afatgjatë, hynte në Zyrën nr. 1 të Shtetit të Ri.
Njerëzia do duhej të besonte pa dilemë se në këtë vend sado të vogël po ndodhte diçka aq e madhe sa ndjehej sikur po ribëhej tërë planeti bashkë me të…
Ai, gardiani i dikurshëm, shoqëruesi i Tij Personal tashmë, po ftonte të shkelte në tapetin në Zyrë.
Njohu menjëherë tryezën ku Paraardhësi pozonte dikur. Për disa orë, më pas, s’guxoi t’i hapte sirtarët e saj. Druhej, kishte frikë, mos gjente aty dosje të merhumit, materiale sekrete, mbase edhe dosjen Saint Peter, lënë aty, edhe pse vdekur prej vitesh. Ja edhe telefoni i Atij që ngrihej dhe jepte mandatat dhe dekoratat...
Peter asokohe ishte brenda. Pa shpresë se do dilte gjallë. I kishin shkruar edhe prej atje dhe Ai u ishte përgjigjur Letrave të Popullit, prej kësaj zyre, edhe të burgosurve njëlloj siç atyre me gjasa jashtë burgut. “Kemi menduar edhe për ditë të tjera. Pushteti është juaji, Do keni mundësi t’ia shpërbleni…”
Për një çast kërkoi provë që ndjesia ishte reale, se ishte e vërtetë kjo që po ndodhte… arriti sërish tek dritarja e zyrës, dritare kanatë hapur që shihte të-poshtë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kujtoi sërish, brenda qelive e mbiquanin “Bulevardi i të Rënëve pa vetëdije”. Dikush shtonte “Bulevardi i atyre që shëtisin pa vetëdije…”
Në hapësirën që mundësonte kanata e hapur, dalloi atje poshtë, edhe këtë orë, njerëz që shëtitnin… Mbase s’dinin fare c‘ndodhte këtu sipër. Mbase asnjëherë s’kanë ditur... Kohë e gjatë që s'pyesnin për këto gjëra.
Kurrë s’do bëhem si këta që po lëshojnë pushtet. Zor ta besoj edhe vetë që ç’është thënë: Të ringjallet Saint Peter, me 40 vjet burg, në vend të atij që sundoi për 40 vjet…
Mbylli sytë. “Je Zot, kudo… Në syrin tënd, të mos bëhem ai të cilit po i zë vendin…”
Ishte mësuar të ecte paksa i përkulur pas tërë asaj djallo jete, por falenderonte tërë unazat a disqet a prej cfarë ishte ndërtuar shtylla e tij kurrizore, që kishte mbetur vertebër e një njeriu ende gjallë.
Iu desh të dilte, si për drekë, shoqëruesi e kujtoi të hynte në ashensor. Peter e vështroi habitazi që tjetri shtypi diçka, kanata e ashensorit u mbyll dhe Peter pati ndjesinë se ashensori do ta zbriste në Ferr. Kur u hap porta e ashensorit gardiani Fran e priti atje poshtë. Për t’u ngjitur në Zyrë, sikur shtypi butonin Heaven, shpërblim për heshtjen e mbajtur… dhe sërish Frani u gjend atje, kur ashensori arriti në katin tjetër dhe u hap kanata e tij.
Ti mund te vish bashkë me mua në ashensor, i tha.
Më mirë të mos hyjmë të dy. Nëse bllokohet, unë jam jashtë dhe marr masat...
Franin e bëri me lot, kur e njoftoi se do niseshin të dy në një delegacion për në një vend ish-armik! Prekën njeri-tjetrin, për tu përmendur që s’ishte ëndërr.
Dashuri ishte dërguar, pa pushim, për tek të dy, por mbërrinte me vite vonesë prej distancave të kush-e-di-kushme të parajsës së pakushtëzuar prej jetëve. Tingëllonte si muzikë, kush e di nga ç’duar virtuoze e veglash muzikore luhej, mbushte tërë ajrin të pastruar në çdo molekulë, prej pluhurave të burgjeve ku drita s’arrinte kurrë…
“Ja, ky ma mbante derën e qelisë mbyllur!”, u thoshte atyre që i pritën në vendet e huaja. Duke treguar Franin.
E qeshura që kursehej në buzët e tij si liri e më-në-fundme, si mund të vihej në dyshim. Për të gjithë. Disqet e shtyllës së tij kurrizore, përkulur prej lartësisë së qelisë dhe përpjekjeve të tërë-jetëshme për të thënë vetëm Po, Njeri, sikur kërkonin të shpiheshin paksa.
Vete-e-vjen në zyrë, dhe hera herës provonte të vështronte nga rrëpira e kanatit të dritares. Turma aty poshtë, vazhdonte të shëtiste…
Në një çast, i vetëtiu ideja se papritur dikush e vuri re prej atje poshtë. Më tej ai atje poshtë sikur e tha zëshëm, d.m.th që dikush ishte në dritaren atje, e bëri fjalë me të tjerët, teksa të gjithë bënin sikur ecnin, sikur vazhdonin jetë/shëtitjen e tyre, si të bindeshin që edhe pse jo Ai, i Dikurshmi, atje lart dikush tjetër ishte në vend të tij…
Peter kujtohet që ka premtuar në heshtje të mos shëmbëllejë me të dhe tërhiqet menjëherë. Të mos e shohin më…
Madje vendosi të dilte më herët, asaj mbrëmje prej kësaj Zyre. Shoi dritën, tërhoqi derën, po shtyhej çap-a-çap për nga ashensori, por ndjeu frymëmarrjen e nxituar të shoqëruesit, që më shumë shëmbëlleu si gardiani, në këto momente nguti.
“Ktheu në zyrë…Të lutem duhet të kthehesh në zyrë…” tha.
Prerë. Jo rreptë. As urdhërues nuk ishte. Këmbëngulës për të kryer detyrën, si mision, po.
“Duhet ta hyni në zyrë, Zotëri Peter. Gabimisht ju…”
Iu dëgjua sikur Fran Gardiani po i thoshte se gabimisht ishte nxjerrë nga qelia dhe liruar nga burgu gabimisht…
“Prapë gabim...unë?! Vetëm unë i bëkam tërë fajet e kësaj bote?!”
“Keni shuar dritën, Zotëri… Kjo llambë ka qenë ndezur tërë kohën… Njerëzit atje jashtë, në shëtitore, e duan të ndezur!”
©Faruk Myrtaj