Krijimtari

A vjen përkthyes për mua? - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin

Nuk e di po në lagjen ku banoj unë shqiparët “e moçëm” rrinë gjithnjë bashkë, flasin vetëm shqip e mblidhen darkave tek një kafe ku e bëjnë tym dynjaja. Nuk di si e ka rregulluar pronari i dyqanit pirjen e duhanit aty kur në çdo lokal duhani është i ndaluar nga ligji i Nju Jorkut. Ndoshta jep diku bakshish nën dorë, a ku di unë, por aty është shtëpi me “oxhak” e ai po bën para.

I zoti i dyqanit ka vënë edhe një kompjuter në një dhomë të vogël pranë, aty bashkë me dy makinat e lojrave. Nga kompjuteri të interesuarit marrin lajmet e freskëta nga Shqipëria nëpërmjet internetit, e lëre se ç’vete. Vetëm politikë e duhan ka në atë lokal. Gazetën e komunitetit e sjell një zotëri me kapele çdo të premte. Lajmet nga atdheu zgjojnë debatet e sherret e tifozëve të politikës.

Atë javë ishte kthyer zoti Lec nga Tirana, pas dy muaj pushimesh. Me vete kishte sjellë edhe të vëllain, Zefin, që s’e kishte parë për dyzet vjet. Zefin atë mbrëmje s’e lanë të dilte nga kafeja. Zefi nga Lezha nuk kishte qenë ndonjë politikan i madh, por ishte dëshmitar i freskët i jetës politike në Shqipëri. Ndërsa Leci e la Zefin me kureshtarët, vetë u tërhoq në një qosh me shoqërinë e tij të vjetër. Marku qe habitur se si ai e kishte sjellë të vëllanë, Zefin, në Amerikë. Nipërit e tij plasën të vinin për të parë Amerikën, por ai nuk dinte se si t’ua bënte dokumentat.

-Po si munde të merresh vesh me ata të ambasadës anglisht more burrë? - e pyeti Marku Lecin. Kishin qenë shokë arratie që dyzet vjet të shkuara. Desh kishin lënë kockat në kufi. U kishin fëshkëllyer plumbat tek veshët. Në fillim kishin dashur të qëndronin në Jugosllavi, por pastaj i këshilluan të shkonin në Amerikë, sa më larg shtetit komunist shqiptar, e kështu bënë.

Në Amerikë ato kohë qe kollaj për punë. Me punë të vogla, pak këtu e pak atje jo vetëm që u mëkëmbën por dalë e ngadalë blenë shtëpi e pastaj u bënë edhe pronarë pallatesh. Mësuan të ndërtojnë e të riparojnë. Kursenin shumë. Rrinin me njëri tjetrin, ndihmonin njëri tjetrin. Në shkolla nuk shkuan se atë pak anglishte që u duhej e mësuan copa-copa, ja ashtu me të dëgjuar, e çdo gjë shkonte për bukuri ato kohë. Vetëm kur u hap Shqipëria lindi një farë nervozizmi që shoqëronte gëzimin e madh. Ata të tërë ishin milionerë në sytë e familjarëve e kushërinjve që kishin lënë atje.

Vërshuan në Shqipëri nga malli për njerëzit e për vendin. I prisnin me mall e kureshtje. Gratë e kushërinjve amerikanë të veshura me pardesy lëkure të zeza të gjata deri në fund të këmbëve me tegela tek supet e pinin kafenë tek Qendra Ndërkombëtare e Kulturës e tek Hotel Dajti. Historitë e tyre që vetëm me një rrogë mbahej e tërë familja i çudisnin kushërinjtë e arave. Pale kur vinin pronarët e “pallateve” me mijëra dollarë me vete, milionerët e mëdhenj, që mund të blenin pa frikë hotele e godina të tëra.

Leci kishte në Bronks një shtëpi me gjashtë apartamente që i kishte dhënë me qera. Familja i kishte vuajtur në fshatrat e Lezhës që kur ai qe arratisur. Donte të vente ta shihte, t’i shpërblente për gjithë ç’kishin hequr për shkak te tij. I kishin rekomanduar që me të mbrritur në Tiranë të shoqërohej me një mjek, kështu që edhe po të sëmurej Leci në Shqipëri e kishte doktorin me vete. Doktori i kishte dalë vërtetë djalë xhevahir, sepse kishte marrë lejen e zakonshme vetëm për të shoqëruar z. Lec që vinte nga Amerika. Hera herës ai fliste anglisht e Leci s’e kuptonte pse doktor Arbeni kishte qejf të fliste anglisht.

-Unë kam dëshirë me fol shqip në vendin tim, - i tha Leci, në një moment, duke e lënë disi të habitur Arbenin. Arbeni e mori si mall e si patriotizëm atë kërkesë të emigrantit që s’e kishte parë vendin e tij për dyzet vjet rrjesht. As që i shkonte mendja tek sikleti që i krijohej Lecit kur e dëgjonte doktorin të bisedonte me të anglisht.

U ndanë për atë kohë që Leci ndenji tek familja e tij në fshat. Leci kishte menduar se s’do t’i duhej më doktori deri atë ditë që i vëllai i kërkoi ta merrte me vete në Amerikë.

-Po ç’farë din të bash o vëlla? A din me pastru?

Vëllai kishte qeshur. Çfarë pastrimesh po thu? Ato janë punë grash!

-Andej nga ne, pastrimet janë edhe punë burrash. Edhe është punë e mirë se e ke me unione.

I vëllai kishte heshtur i pakënaqur pa marrë vesh shumë se çfarë i thosh i vëllai nga Amerika.

-Po pse o vëlla, për të pastru do të vi unë në Amerikë?

Tani i erdhi radha Lecit të heshtte. I vëllai kishte mjelë lopët e kooperativës deri dje në Shqipëri e s’po i pëlqente pastrimi në Amerikë.

Të dy vëllezërit nuk e diskutuan më punën e punëve. Le të vinte Zefi një herë në Nju Jork pastaj shihnin e bënin. Po si i bëhej se fillimisht duhej ta merrte me vete të vëllain në ambasadë? E pikërisht këtu, Lecit iu kujtua Arbeni, doktori, që fliste anglisht. Leci s’ia thoshte fare kur vinte fjala për të biseduar me ata që punonin në zyra. S’ua kuptonte anglishten fare.

I bëri telefon doktorit.

-Ku je doktor? A po e gëzon lejen?

Doktori i qe përgjigjur se leja kishte mbaruar e tani ishte kthyer në spital. Mos kishte nevojë për ndonjë vizitë mjeksore Leci?

-Jo, bre burrë, jo. Po më erdhi dita me u kthy në Amerikë e po du me marr tim vëlla me vete. Ti e dijshe anglishten ma mirë se unë. A vjen me m’përkthy në ambasadë?

Lecit iu bë se doktori kishte heshtur. Mos qe mërzitur doktori me Lecin?

-Do të paguaj, zoti Arben. Do te paguaj, qe pasha Zotin!

Doktori kishte qeshur me të madhe nga ana tjetër e telefonit.

Atë të qeshur Leci e kishte kuptuar vetëm në aeroplan kur e kishte zënë në gojë këtë episod me Zefin.

-Po ç’mos me qesh mor vëlla. Ti je amerikan, vjen prej Amerike pas dyzet vjetësh e kërkon të të përkthejë në anglisht një njeri që ka qenë gjithë jetën e vet në Shqipni?

-Kur ke ndërmend me shku andej? - pyeti Leci Markun që kishte një copë herë që priste përgjigje prej tij.

-Ndoshta nisem për nja një muaj.

Leci ktheu edhe një teke dhe i dha Markut emrin e doktorit.

©Albana Lifschin

(Nga "Ura mbi Oqean")